Videot kryesore
Mesfushori shqiptar shënoi golin e dytë në humbjen 2-5 që Rizespor pësoi nga Fenerbahce në shtëpi. Ishte një ekzekutim perfekt i Laçit që befasoi portierin brazilian të miqve, Ederson Moraes. Ai u bë lojtari parë që mposhti brazilianin nga një goditje dënimi, pas Kieran Trippier (Gusht 2022; Newcastle vs Manchester City).
Atletja shqiptare ka nisur ditën e enjte të shkruajë historinë duke u bërë atletja e parë që kalon Otranton me not për të mbërritur në Vlorë. Udhëtimi mendohet se zgjat 35 deri në 40 orë.
GJKKO e Apelit ka lënë në fuqi masën e arrestit të shtëpisë për gjyqtaren Mimoza Margjeka.
Pas seancës, gjyqtarja e irrituar është përplasur me forcat e Policisë, duke u shprehur se kjo është një goditje politike.
Sipas Margjekës po goditet për refuzimin e mandatit ndaj Valbona Sakos, ish-kryebashkiakes së Durrësit të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019.
“Gjykata e Apelit lë në fuqi masën e arrest shtëpie. Ky shtet nuk bëhet më. Dilni përballë shtetit, harroje se guxon kush. Kush është goditur, kush është futur në burg. Mos më prek. Mos më prek. Mos kini frikë, nuk bëhet shteti me monstra. Shtet mafioz dhe kriminel”, është shprehur ndër të tjera Margjeka.
Ndërkohë avokati i Margjekës, theksoi se nuk ka prova teksa shtoi se procesi nuk ka asnjë sekret hetimor.
“E kërkoi z.Margjeka praninë e mediave, është proces legal, s’ka material sekret. SPAK e ka botuar vendimin. Ka përfunduar, s’ka prova. Pra s’ka prova të tjera për të marrë. S’ka asnjë provë direkte apo indirekte, që Arben Cara ka bashkëpunuar me Mimoza Margjekën për të kryer veprën penale”, tha avokati.
Margjeka u arrestua për një skemë korrupsioni si e gjyqtare e komanduar në Apelin e Korçës, ku i përfshirë ishte edhe bashkëshorti i saj, teksa ajo me vendim zbuti masën për një të arrestuar kundrejt 6 mijë eurove.
Nejton Bali, një shtetas vëllai i të cilit ishte arrestuar për trafik për kalim të paligjshëm të kufirit ndërhyu për të zbutur masën e sigurisë. Ai i dorëzoi 6 mijë euro avokatit Skënder Demiraj. Në këtë histori rol luajti edhe vetë bashkëshorti i gjyqtares, Arben Cara i cili po ashtu u arrestua.
Në arrest shtëpie, GJKKO la Margjekën me avokatin Demiraj, kurse në arrest me burg u lanë bashkëshorti i saj, Arben Cara së bashku me Nejton Balin dhe Klaudjo Zhillën.
Strategjia e Policisë Rrugore në autostradën Tiranë-Durrës ka ndryshuar. Tashmë, efektivët e Policisë së Shtetit shmangin patrullimet në rrugë dhe zhvendosen së bashku me radarët në urat e këmbësorëve.
Nga lartësia e mbikalimeve, kryhet matja e shpejtësisë për secilin mjet që kalon, ku nuk janë të pakta rastet e tejkalimit të shpejtësisë në këtë aks, sidomos gjatë orëve të natës, kur trafiku nuk është i rënduar.
Pasi identifikon targat e mjeteve që kapen në shkelje, efektivët në terren nisën të dhënat për marrjen e masës ndëshkimore, që variojnë nga gjobë e deri tek heqja e patentës.
Partia Demokratike akuzon Qeverinë se nga babazia për të vjedhur ka klasifikuar sekret shtetëror, duke mos bërë transparencë për publikun edhe vlerën e tenderave edhe për letrat higjienike që duhet të përdorin pacientët e infektuar me Covid-19.
“Nuk u ngopën duke vjedhur me maskat për mjekët, me testimet për qytetarët, me respiratorët për më të goditurit nga virusi, pajsije që i kanë blerë deri në 4 fishin e çmimit të tregut, por janë vërsulur deri aty ku nuk ia pret mendja askujt- tek letrat higjenike. Më dëgjuat shumë mirë. Kanë klasifikuar sekret blerjen e letrave higjenike për të sëmurët me COVID dhe stafin mjekësor. Janë plot 10 tendera të rinj të zhvilluar në datë 18 Prill, që Qeveria i ka klasifikuar përsëri sekret. Është e paimagjinueshme që mes ketyre kontrateve sekrete janë dhe tenderat për blerjen e letrave higjenike me procedurë sekrete, letrat e duarve dhe kartopeceta”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.
Bardhi akuzoi se Qeveria po përdor interesin thelbësor të shtetit, atë të sigurisë kombëtare për të mbuluar vjedhjen e radhës me tenderin sekret të letrave higjenike.
“Jam i sigurt që çdokush që po e dëgjon këtë tani nuk u beson veshëve. Por vendimi i qeverisë së Edi Ramës, i publikuar mbrëmë në fletoren zyrtare, nuk lë vend për asnjë hamendje. Ky është treguesi më domethënës se deri ku shkon babëzia për të vjedhur paratë e shqiptarët, të cilët për shkak të pandemisë dhe mungesës së ndihmës nga qeveria e letrave higjienike sekret, janë edhe më të dobët ekonomikisht”, vijoi Bardhi.
PD thotë se bëhet fjalë për një skemë të mirëfillte vjedhjeje të parave të shqiptarëve.
“Forma e re për të abuzuar me paratë e shqiptarëve në këtë kohë pandemie është klasifikimi sekret me firmën e tij të tenderave antiCOVID. Kjo është një shkelje flagrante e ligjit. Le të dalë Edi Rama dhe të thotë ku është sekreti shtetëror tek tek fakti sa letra higjienike blen? Cili interesi thelbësor i shtetit cënohet, nëse bëhet publike kontrata për të blerë letrat higjienike për shembull?”, deklaroi ai.
Sipas PD-së, arsyet se përse tendera të tillë klasifikohen si sekret shtetëror nuk lidhet me sigurinë kombëtare.
“Janë çmimet stratosferike, abuzimi dhe korrupsioni arsyeja pse Edi Rama i ka shpallur këto tendera sekret, duke paguar qindra milionë lekë më shumë klientëve e tij në kohën më të vështirë për qytetarët”, vijoi Bardhi.
Më shqetësuese se këto vendime të Qeverisë, PD sheh apatinë e prokurorisë.
“Akoma më shqetësuese është heshtja e prokurorisë, karantinimi i saj, futja në xhepin e Edi Ramës, që ka bërë që hajdutët e qeverisë të marrin zemër. Në emër të Partisë Demokratike, i bëj edhe njëherë thirrje prokurorisë që të dalë nga karantina, ku e mban prej vitesh kjo Qeveri. SPAK ka mjaftueshëm fakte të çojë para drejtësisë hajdutët e qeverisë që pasurohen si të babëzitur, kur shëndeti, jeta dhe mirëqënia e qytetarëve janë në rrezik”, deklaroi Bardhi.
Më herët PD ka akuzuar Qeverinë se ka shpallur në kundërshtim me ligjin si sekret shtetëror tenderat ku ka blerë respiratorë me dyfishin e çmimit, testimet 4 herë më shtrenjë dhe maskat 2-3 herë më shumë se çmimet e tregut.
Parlamenti miratoi vitin e kaluar një ligj përmes të cilit u hoqi Tatimin mbi Vlerën e Shtuar mjeteve ujore që përdoren për qëllime turizmi, si jahtet. Por, pa u mbushur ende viti nga ky vendim, deputeti Ilir Beqaj thotë se Kodi Detar është bërë pengesë për zbatimin e këtij ligji dhe propozon ndërhyrjen.
Beqaj, që ishte relator në nismën e heqjes së TVSH-së për jahtet thotë se ka identifikuar nga ankesat e operatorëve turistikë në këtë treg disa pengesa, si tarifa doganore të ndryshme e mjeteve lundruese të trupëzuara dhe ato me fryrje, shtetësia e kapitenit dhe procedura e zhdoganimit të këtyre mjeteve lundruese.
Aktualisht, Kodi Detar i Shqipërisë përcakton se licencë kapiteni u jepet vetëm shtetasve shqiptarë, ose shtetasve të një vendi anëtar të Bashkimit Europian.
“Kjo e kufizon shumë rrethin e kandidatëve të mundshëm për të drejtuar këto anije në kushtet kur prej vitesh në Shqipëri ne nuk kemi më një shkollë që të përgatisë kapitenë anijesh shqiptarë.
Beqaj thotë se mungesën e kapitenëve për të drejtuar anijet po e vuan edhe industria e peshkimit.
“Nëse rrijmë me kufizimin e vendeve të BE, ata janë më të kushtuteshëm dhe ky problem është edhe me industrinë e peshkimit”, tha Beqaj.
Ilir Beqaj propozon që gjeografia të zgjerohet me listën e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.
“Kam bërë këtë propozim duke e zgjeruar gjeografinë me vendet anëtare të OECD, vende që kanë një strukturë administrative që mund t’u besojmë dhënien e licencës. Turqia, si shembull, ka një industri blu mjaft të zhvilluar, në turizëm, peshkim”, deklaroi ai.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në thelb tha se nuk ishte kundër ndërhyrjeve në Kodin Detar, por kërkoi kohë për shkak se ishte në pritje të ekspertizës nga ana e Bashkimit Europian për të ndërhyrë në të gjithë Kodin Detar.
Megjithatë, në lidhje me hapjen e tregut për kapitenë të huaj, MIE kërkoi që të bëhet kujdes dhe të mbrohen kapitenët shqiptarë të paktën tek anijet tregtare me flamuj shqiptarë.
“Mendoj që përsa kohë bëhet fjalë për anije tregtare shqiptare, mendoj që kapitenët shqiptarë të kenë mundësi punësimi të paktën për anijet me flamuj shqiptarë. Nëse ne do ta hapim, atëherë do të mbulohet tregu me kapiteni që janë shtetas të huaj”, deklaron eksperti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Elson Thana.
Diskutimet u bënë në mbledhjen e kësaj të hëne të Komisionit të Ligjeve, ku pati edhe një përplasje mes zv.ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Etjen Xhafaj me kreun e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
Xhafaj tha se Komisioni i kishte refuzuar pjesëmarrjen në Komision të drejtorit të Përgjithshëm të Transportit Detar, Paulin Ndreu. Por, Ulsi Manja tha se kush merr pjesë në mbledhjet e Komisionit e përcakton ministria dhe jo Komisioni.
Pasi Kolegji Zgjedhor i vuri kapak odisesë e debatit mbi modelin e fletës së votimit, duke vendosur numrat në vend të emrave të kandidatëve, sfida tashmë mbetet informimi masiv i qytetarëve mbi mënyrën e votimit dhe rastet kur fleta e tyre konsiderohet e pavlefshme.
Për të sqaruar këto detaje teknike thelbësore për një proces zgjedhor, këtë të hënë Komisioneri Ilirjan Celibashi doli në një konferencë për shtyp. Si fillim, kreu i KQZ-së tha se para se t’i drejtohen një qendrë votimi, qytetarët duhet të kenë të qartë dhe fiksojnë mirë numrin e partisë, apo koalicionit të preferuar dhe numrin e kandidatit të preferuar të kësaj partie, apo koalicioni.
“Në çdo qendër votimi do të vendosim postera për të treguar se çfarë numri ka çdo kandidat i çdo partie. Nëse ndonjë nga votuesit do të ngatërrohet për numrin e kandidatit, mund ta konsultojë edhe njëherë informacionin me fletëpalosjen te dhoma e fshehtë”, tha Celibashi.
Duke marrë me radhë të gjitha kombinimet e mundshme Komisioneri sqaroi se kur një fletë votimi vlerësohet e vlefshme dhe kur e pavlefshme.
“Një votues mund të zgjedhë partinë, ose koalicionin dhe një kandidat të kësaj partie. Nuk mund të zgjedhin dy kandidatë. Nuk mund të zgjedhë një parti dhe një koalicion dhe një kandidat të një partie, apo koalicioni tjetër. Në çdo rast kandidati duhet të jetë brenda kësaj partie. Njëkohësisht një votues mund të votojë vetëm partinë dhe asnjë nga kandidatët që ajo ka propozuar. Fleta është e vlefshme edhe nëse zgjedh vetëm një kandidat dhe nëse nuk ke zgjedhur partinë, apo koalicionin. Kjo fletë numërohet si votë për kandidatin, por edhe për partinë apo koalicionin që i përket. Nuk mund të zgjedhësh dy kandidatë, apo dy parti”, sqaroi ai.
Për të sqaruar edhe më tej, KQZ do të ndërmarrë një fushatë informimi masiv të qytetarëve mbi të gjitha detajet teknike të procesit zgjedhor. Celibashi tha se ky program informimi do të përçohet te të gjithë qytetarët.
Në lidhje me afatet dhe kostot e prodhimit të fletëve të votimit, pas alarmit të ngritur nga kompania sllovene e kontraktuar për printimin e tyre, Ilirjan Celibashi tha se me modelin e thjeshtuar me numra të miratuar nga Kolegji procesi nuk rrezikohet dhe as shkakton shpenzime shtesë.
“Nëse ne do të vonoheshim edhe më, kostot do të ishin më të mëdha, sepse do të paguhej më shumë për transportin, sepse do të ishim në kushtet e emergjencës. Por, me modelin e miratuar kemi të gjithë mirëkuptimin e kompanisë së fletës së votimit, që edhe pse ne jemi shumë vonë pasi do të duhej të kishim dorëzuar modelin e fletës që më 26 mars, ata brenda të njëjtave termave financiarë do të përmbushin detyrimet e tyre për të printuar dhe transportuar fletët e votimit pa asnjë kosto shtesë”, tha Celibashi.
KQZ ka kontraktuar kompaninë sllovene Cetis për printimin e 3.6 mln fletëve të votimit. Përmes një letre dërguar KQZ-së në fillim të këtij muaji, kjo kompani ngriti shqetësimin se vonesat e mëtejshme dhe vështirësia e modelit të fletëve rrezikonin mospërmbushjen e dorëzimit të tyre brenda afateve.