Videot kryesore
Serioziteti i nismës së opozitës parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor u minua në mbledhjen e përbashkët të kësaj të premteje të Këshillit të Legjislacionit dhe të Komisionit të Ligjeve.
Deputeti Adriatik Alimadhi tha se deputeti Kostaq Papa, që rezulton mes 28 emrave që kanë firmosur kërkesën për ndryshime Kushtetuese nuk e ka firmosur vetë atë. Ai tha se po të krahasohen firmat e tij me firmën e hedhur në nismën në fjalë ndryshimi është i qartë. Alimadhi deklaroi se në vend të Kostaq Papës firma është hedhur nga një deputet tjetër, pa bërë publik emrin e firmëtarit.
“Të krahasohen firmat. Ajo firmë dhe ato që ka hedhur Kostaq Papa herë të tjera. Firma reale është ndryshe dhe firma që ka firmosur një deputet tjetër është ndryshe. Unë tërhiqem dhe vazhdoni ju mbledhjen. Keni shtrembëruar proceset demokratike, edhe ky propozim shtrembëron votën e votuesve shqiptarë”, deklaroi Alimadhi.
Alimadhi akuzon për falsifikim dhe e cilëson këtë si papërgjegjshmëri dhe mungesë serioziteti për një nismë që prek Kushtetutën.
Deputeti Kostaq Papa pranoi se nuk e ka firmosur personalisht nismën në fjalë, por thotë se e mbështet atë.
“Unë jam deputet fuqiplotë dhe gjithçka që bëj e bëj me ndërgjegje, kur vjen puna për të ndihmuar 85 për qind të shqiptarëve për ndryshimin që duan ata. Unë veproj edhe në forma të tjera. Nuk është ky thelbi. Thelbi është që unë jam dakord me firmën time, jam dakord me procedurën që është bërë. Nuk kam nevojë për avokat. Nuk është thelbi e hodha firmën me një presje, apo me dy presje, apo e firmosur nga dikush tjetër. Unë do të nisem te protokolli dhe do të hedh firmën për herë të dytë”, deklaroi ai.
Edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja thotë se përplasja për firmën e zhvendos debatin nga thelbi, që janë ndryshimet e rëndësishme kushtetuese.
Partia Demokratike ka publikuar një video, përmes të cilës akuzon ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka se ka shpërdoruar detyrën duke përdorur helikopterët e ushtrisë për takimet elektorale të Partisë Socialiste.
Opozita thotë se helikopteri është pëprdorur të premten e kaluar. Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi tha gjithashtu se ministrja e Mbrojtjes mashtroi qytetarët kur tha se nuk kishte përdorur helikopterin e ushtrisë për takime elektorale.
“E vërteta është se Olta Xhaçka ka udhëtuar me helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes ditën e premte. Helikopteri e ka çuar në Dibër, më pas është kthyer në Tiranë. Brenda të njëjtës ditë, ka shkuar ta marrë sërish drejtuesen politike të qarkut të Dibrës për Partinë Socialiste, pasi ka bërë takime me strukturat e partisë, për qëllimi politike, elektorale, takime që nuk përputhen me përmbushjen e detyrave funksionale të saj”, thuhet në deklaratën e PD.
Vokshi e cilësoi si abuzim flagrant me detyrën në një kohë që qytetarët përballen me vështirësitë ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuara nga Covid.
“Pamjet në video, kur një ministër përdor helikopterin e shtetit si taksi private, duhen fiksuar mirë nga çdo shqiptar që sot nuk ka bukë për fëmijët, që sot është në çadra, me qira apo në shtëpi të dëmtuara nga tërmeti. Këto pamje, duhen kujtuar nga çdo shqiptar që merr lekë borxh për të blerë ilaçet anticovid apo një bombol oksigjeni me çmime stratosferike. që pret me orë të tëra në ambulancë në të ftohtë, ndërkohë që kryeministri, në vend të ishte në punë, rri gjithë kohës në Facebook. Herët a vonë Olta Xhaçka do të japë llogari. Bën mirë që gënjeshtrën e parë të mos e pasojë me një gënjeshtër edhe më të madhe!”, u shpreh Vokshi.
Kryeministri Edi Rama thumboi Bashkimin Europian, Lulzim Bashën, Sali Berishën, Ilir Metën dhe të gjithë qytetarët mosbesues pasi mori vetë dozën e parë të vaksinës anti-Covid.
Në deklaratën e shkurtër për shtyp pas marrjes së vaksinës në stadiumin “Air Albania”, kreu i Qeverisë tha se duke filluar nga java e ardhshme do t’i dorëzoheshin Kosovës një sasi dozash modeste për të dhënë një shembull se Shqipëria nuk është si Bashkimi Europian.
Rama e vlerësoi procesin si simbolik, për me rëndësi ishte nisja e tij në një periudhë kohore sa më të vogël nga vendet e fuqishmë që kanë prenotuar vaksinën.
“Jemi çliruar nga një barrë shumë e madhe, barra e përgjegjësisë për të mos lejuar që shqiptarët të mbeteshin në radhë dhe për të mundësuar se pavarësisht se Shqipëria dhe rajoni ku bëjmë pjesë nuk u përfshinë në skemën e furnizimit të menjëhershëm, të fillonte me sa më pak diferencë kohore nga ata që kanë në dorë edhe gurin edhe arrën”, tha ai.
Rama tha se një sasi, po simbolike do t’i dorëzohej Kosovës javën e ardhshme, duke nënkuptuar se Covax nuk kishte besueshmëri.
“Për mua është shumë e rëndësishme që edhe në Kosovë, pavarësisht se ne nuk e zgjidhim dot problemin që ata kanë dhe presin ende vaksinën, siç presim edhe në Covax, që është një platformë që nuk dihet se kur do të jetë funksionale, të mund të fillojë të paktën në frontin e parë. Doza që ne mund t’i japim Kosovës duke nisur nga java e ardhshme është simbolike, por është shumë e rëndësishme që ne në këtë rast të mendojmë si Bashkimi Europian”, deklaroi Rama.
Në të njëjtën deklaratë, kreu i Qeverisë thumboi Bashën kur u pyet nëse do të kishte një vaksinë të shpejtë për të, ndërsa nuk kurseu as Berishën dhe Ilir Metën.
“Është e sigurtë që vaksina nuk i bën ilirët vikingë, apo aziatikë. Vikingët nuk vijnë përmes vaksinës dhe po kështu është e sigurtë që nuk futet çip në trup për të përgjuar thashethemet e kafeneve. Radhën për vaksinimin e ka Saliu, kur të hyjmë te moshat e tejthyera”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se pret një përgjigje zyrtare dhe publike nga Komisioni Europian nëse komisionerët e BE-së kanë të drejtë të bëhen palë në një proces zgjedhor, apo jo. Përgjigjja zyrtare dhe publike, siç Rama e kërkon ndoshta do të mbërrijë në ditën në vazhdim, por një precedent i verës së 2020-ës sinjalizon përmbajtjen e saj.
Bëhet fjalë për debatin e ndezur pas shfaqjes të as më pak dhe as më shumë, por të vetë Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen duke u bërë palë në zgjedhjet qendrore në Kroaci në krah të partisë së kryeministrit Andrej Plenkoviç.
Presidentja e KE-së është filmuar në muajin korrik të 2020-ës, dy ditë para se kroatët të votonin për qeverinë e tyre të re. Ajo shfaqet me në krah zëvendësen e saj, Dubrakva Suica dhe politikanë të tjerë europianë të qendrës së djathtë, si kancelari austriak, Sebastian Kurz teksa përsërisin sloganin e partisë së Kryeministrit Andrej Plenkoviç, “Sigurna Hrvatska”, e përkthyer në shqip “Kroacia e sigurtë”.
Pjesëmarrja e Presidentes së KE, përfshirë këtu dakordësia e dhënë për t’u filmuar nga zyrat dhe selia e Komisionit për të përçuar mesazhin në mbështejte të një pale në zgjedhjet kroate nga ngjalli reagime dhe kritika që mbërritën deri në zyrën e Avokatit të Popullit të BE-së, Emily O’Reilly.
Përmes një letre dorëzuar Komisionit më 14 korrik 2020, O’Reilly e vë në dijeni këtë institucion se kritikat dhe shqetësimet e ngritura ishin të bazuara.
“...dhe nën dritën e këtyre shqetësimeve, përfshirë këtu edhe nga publiku i gjerë, vlerësoj me rëndësi që Komisioni të sqarohet mbi këtë çështje”, thuhej ndër të tjera në letrën e saj.
Avokatja e BE-së ngrinte pyetjet nëse Kodi i Sjelljes dhe Etikës mbi bazën e të cilit ushtrojnë funksionet e tyre komisionerët dhe zyrtarët e tjerë të lartë të këtij institucioni ishte mjaftueshëm i qartë në këtë pjesë? Nëse ishte e nevojshme ndërhyrja tek ky Kod dhe nëse rregullat zbatoheshin nga Presidentja e KE?
Kodi i Sjelljes dhe Etikës u lejon komisionerëve që të marrin pjesë aktive në politikë-bërjen e vendeve anëtare të BE-së, por gjithashtu thekson se “nëse kandidojnë në zgjedhje, ose luajnë një rol aktiv në fushata zgjedhore, duhet që më parë të dorëhiqen, ose pezullohen nga detyra dhe posti që mbajnë te Komisioni përsa kohë zgjat ky aktivitet, ose të paktën përgjatë fushatës zgjedhore”.
Një zëdhënës i von der Leyen reagoi në atë kohë duke u mbrojtur se klipi me mesazhin e përçuar prej saj në mbështetje të hapur për Andrej Plenkoviç në Kroaci ishte përçuar jo në emër të institucionit që ajo drejton, por si qëndrim personal i saj, pavarësisht se në mesazh kjo nuk sqarohej.
Më vonë, Komisioni i thotë Avokates O’Reilly se ishte në përgjegjësinë dhe vlerësimin e çdo anëtari të Komisionit nëse dëshiron që të angazhohet në një fushatë elektorale të një vendi anëtar, por duke plotësuar kushtet e përcaktuara në nenin 9 të Kodit të Sjelljes.
“...mund të bëhen pjesë e politikës së vendeve anëtare, organizatave, ose fushatave elektorale, përfshirë këtu për zgjedhje vendore ose qendrore, por duke siguruar që ky angazhim nuk cenon dhe pengon detyrën e tyre si pjesë e Komisionit”, thuhet në këtë artikull.
Reagimi dhe sqarimi i KE-së u mirëprit, por ndezi debatin për ndërhyrje në Kodin e Sjelljes, ku disa propozime janë që të ndalohet plotësisht pjesëmarrja e tyre në fushatat zgjedhore të vendeve anëtare.
E në mes të këtij debati, Komisioni njoftoi në fillim të këtij viti se do të rishikojë këto rregulla me synim qartësimin e kushteve dhe rrethanave se kur një komisioner mund të përfshihet në fushata elektorale në vendet anëtare.
Deri më tani, rregullat ende nuk kanë ndryshuar dhe komisionerëve u lejohet pjesëmarrja në fushatat elektorale...të paktën në ato për vendet anëtare. Për vendet kandidate, siç është Shqipëria, nuk ka një parashikim konkret.
Presidenti Ilir Meta nuk e njeh Komisionin Hetimor Parlamentar që u ngrit nga Kuvendi këtë të premte, me objektiv hetimin dhe paralajmëron se nuk do të njohë as një vendim të mundshëm për shkarkimin e tij.
“Në këto kushte, bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë, si dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik”, deklaroi nga Presidenca, Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit.
Blushi e vlerësoi si fiktiv dhe antiligjor të gjithë procesin, ndërsa betejën e Presidentit e cilësoi si betejë për sovranitetin e vendit.
“Që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike dhe nuk meriton vëmendje dhe është nul. Askush nuk mund të fshihet dot, as pas “etikës” dhe as pas “retorikës”, sepse kjo është një çështje sovraniteti”, tha zëdhënësi.
Sipas Presidencës, Meta është shumë qartë në planin e tij dhe e di se çfarë do të ndodhë në vijim
“Garantojmë të gjithë qytetarët, se Presidenti Meta do të ushtrojë me përgjegjësi të plotë, sikundër ka vepruar deri më tani, të gjitha funksionet e tij kushtetuese deri më 24 korrik 2022 dhe nuk do të tolerojë asnjë lloj intimidimi të institucionit të Presidentit nga mafia lokale, rajonale dhe ndërkombëtare”, mbyllet reagimi i Presidencës.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thotë se 264 luftëtarë janë larguar nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol dhe janë dërguar në zonat e mbajtura nga rebelët e mbështetur nga Rusia.
53 luftëtarë të plagosur rëndë u dërguan në qytetin e Novoazovsk dhe 211 të tjerë në Olenivka, thotë zëvendësministri i Mbrojtjes.
Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase thotë se disa luftëtarë të tjerë mbeten të bllokuar në Azovstal dhe përpjekjet për t’i shpëtuar vijojnë.
Ilir Meta doli në konferencë për shtyp për të denoncuar një grup mafioz, sipas tij, që po vendos çmimin e naftës në vend, por në të njëjtën dalje foli për dy qëndrime të kundërta të Edi Ramës në politikën rajonale.
E para lidhej me çështjen e detit me Greqinë. Këtu akuzoi se Rama me qëndrimet e tij po dëmton interesat kombëtare.
“Ne nuk e kemi problemin me Greqinë, por e kemi me Edi Ramën dhe këtu llogaridhënia është e pashmangshme. Kjo aferë do të marri në fund të detit Edi Ramën, pa asnjë diskutim. I kam dërguar një letër Kuvendit dhe u kam çuar 140 deputetëve të Shqipërisë. Edhe një pjesë të dokumentimit të shqetësimeve serioze për këtë çështje, që vijnë si rezultat i gjithë lojërave të Ramës, i papërgjegjshëm, aventurier dhe i marrë peng. Dëmtues i jashtëzakonshëm i interesave tona kombëtare”, tha Meta.
Ish-Presidenti thotë se e ka të mirëdokumentuar të gjithë veprimtarinë e dëmshme ndaj interesave kombëtare të Edi Ramës, por se në publik s'mund të fliste për të gjitha.
“Veprimtaria shumë e dëmshme e këtij individi është shumë e dokumentuar, por nuk dua të flas për të gjitha në publik”, u shpreh ai.
Çështja e dytë ku u ndal Meta është Ballkani i Hapur. Ai thotë se në Presidencë ka qenë i rezervuar, por nismën e kundërshton.
“Rama, dobiçi i Vuçiç në Ballkanin e Hapur. Kam pasur qëndrim të përmbajtur, por e dini se cili është qëndrimi i Presidentit të Malit të Zi, që është nga politikanët më të përgjegjshëm e përvojë në këtë rajon. Edhe Presidenti i Maqedonisë së Verisë ka pasur e shprehur rezervat e tij, për këtë nismë që minon perspektivën europiane të rajonit dhe procesin e integrimit”, u shpreh Meta.
Ka nisur në Shqipëri stërvitja më e madhe
ushtarake në Europë “Defender Europë 2023”. rreth 24 mijë trupa dhe mjete ushtarake
amerikane, shqiptare dhe partnere kanë zbarkuar në Sheshin “Nënë Tereza”, në stërvitjen
më të madhe të vitit.