Videot kryesore
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj rrëzoi akuzën e Agron Tufës. “Të gjitha informacionet që lidhen me dosjet e komunizmit janë tashmë publike. Kush do dhe kush di të kërkojë, ka të gjithë informacionin në dispozicion dhe mund të njihet me to. Nuk ka asnjë pengesë, as për institucionin dhe as për qytetarët për t’u njohur me dosjet”, tha Lleshaj.
Ligji për hapjen e dosjeve, sipas ministrit të Brendshëm e mundëson këtë dhe kushdo mund të marrë dosjen që kërkon sipas këtij ligji. Por, Spartak Braho tha se ligji nuk e jep këtë të drejtë për çdo dosje.
Kryeministri Edi Rama e nisi ditën e premte me një kafe-takim me banorë të njësisë bashkiake numër 11 në Tiranë. Në këtë takim, ashtu si edhe në takimet e tjera të këtij lloji në Tiranë, kreu i Qeverisë shoqërohej nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Kryeministri Edi Rama ka postuar një video në rrjetet sociale, duke i ironizuar njëherësh edhe opozitën mbi kërkesat e saj për dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Duke shfrytëzuar një ngjarje të një kompanie private të telefonisë mobile të aplikimit të teknologjisë së rrjetit 5G, Rama hipën në një makinë në dukje të autokomanduar, ku në vend të “timonierit” bën narratorin.
“Me timon pa timon shoferi jon osht kampion” thotë ajo kënga e vjetër, ndërsa këtu jam unë që i jap makinës pa prek timon me dorë”. Duke e cilësuar si të rëndësishmë këtë investim, kryeministri shkruan ky revolucion do të transformojë rrënjësisht çdo sektor, nga ekonomia tek financat dhe energjia, nga bujqësia tek shëndetësia dhe arsimi, duke bërë të mundur të paimagjinueshmen jo në shekujt, po në vitet që vijnë.
Në videon prej tre minutash, Rama që ka pranuar se nuk di të ngasë makinën se s’ka patentë nuk i ka kursyer lojërat e fjalëve dhe thumbimet në adresë të opozitës.
“Sa mirë do të ishte sikur të kishte edhe makina e qeverisë një drejtim automatik, por për këtë nuk ka mundësi...Kështu që për drejtimin e Qeverisë, timoni mbetem unë, mbetet si të thuash njeriu, por për këtë periudhë njeriu jam unë”, sqaron Rama.
“Kur thosha që erdhi dita që makinat të ecin vetë dhe që unë nuk kam nevojë të marr patentën nuk më besonte njeri. Tani shikojeni se si erdhi dita, s’ka ardhur akoma tamam, por ky është vetëm fillimi dhe nuk keni parë gjë akoma”, vijoi më tej ai.
Video e postuar prej Kryeministrit në një aktivitet jozyrtar mbërrin pak orë pasi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i përsëriti kërkesën për dorëheqje dhe zgjedhje të parakohëshme.
Uji i qetë që rrjedh në Hungari është si asnjë vend tjetër. Në Budapest, lumi Danub është një arterie e qytetit e përshkruar me ura ku kalojnë kalimtarët dhe admirojnë lëvizjen e anijeve. Liqeni Balaton është vendi i preferuar i hungarezëve për pushime. Banjat termike mund të gjenden në të gjithë vendin dhe kjo kulturë ka ndjekur hungarezët prej kohësh duke përfituar nga vetitë shëruese të tyre. Budapesti është një nga qytetet më të dashura të Europës, me bukuritë arkitektonike si Parlamenti neo-gotik, Kalaja e madhe Buda dhe Ura e Zinxhirit Szechnyi.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit politika përkujtoi pa shumë bujë 5 Majin, Ditën e Dëshmorë. Ilir Meta, Edi Rama dhe Gramoz Ruçi vendosën bashkë kurora me lule në Monumentin “Nëna Shqipëri”, ndërsa Lulzim Basha kreu të njëjtën gjë veçmas tyre.
Në këtë përkujtimore mungonin qytetarët, apo përfaqësues të shoqatave të dëshmorëve. Të vetmit që shoqëruan politikën në këtë 5 Maj ishin gazetarët. Meta, Rama dhe Ruçi mbërritën rreth orës 10 tek Varrezat “Dëshmorët e Kombit”, 30 minuta pas Lulzim Bashës.
Pas vendosjes së kurorave me lule, Rama dhe Ruçi shmangën komentet për gazetarët, ndërsa i vetmi që foli ishte Presidenti Ilir Meta. Ai u pyet në lidhje me përplasjen me Ardian Dvoranin dhe deklaratën e fundit të kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që thotë se Presidenti nuk ka tagër që të kërkojë përfundimin e mandatit të tij në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Meta e shmangu përgjigjen.
“Sot është Dita e Dëshmorëve! Është dita e nderimit tonë për ata që kanë dhënë jetën dhe gjithçka për vendin tonë, kështu që është një ditë për të shprehur jo vetëm përulësi ndaj veprës së tyre, por edhe për të përshëndetur familjarët dhe pasardhërist e tyre. Është një ditë për t’u angazhuar që Shqipëria e lirë dhe demokratike të realizohet plotësisht”, deklaroi ai.
Megjithatë, Presidenti e përçoi një mesazh të tërthortë në një kohë kur shumë nga liritë e qytetarëve janë kufizuar për shkak të gjendjes së fatkeqësisë naatyrore.
“Kjo është ditë kur ata na ftojne në sakrificën sublime dhe mos të bëhemi mendjelehtë. Kjo është dita e dëshmorëve, e heronjve, e martirëve që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë, të cilët na ftojnë me sakrificën e tyre më sublime që mos të bëhemi mendjelehtë dhe te marrim lirinë dhe pavarësinë si të dhëna përgjithmonë”, tha ai.
Komentin për mediat e shmangu më herët edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kreu i demokratëve vendosi lule në monumentin “Nënë Shqipërëi” dhe vendosi lule në nderim të Azem Hajdarit, Feti Voglit, që ra në Afganistan disa vite më parë dhe të Skerdilajt Llagamit, i rënë në luftën për çlirimin e Kosovës.
Komisioni i Ekonomisë miratoi kandidaturën e Arben Shehut për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe e kaloi emrin e tij për miratim përfundimtar në seancë plenare. Në mbledhjen e zhvilluar online votuan 18 anëtarë të këtij Komisionit, nga ku 15 votuan pro, 2 votuan kundër dhe 1 abstenim.
Deputetja e opozitës, Edlira Hyseni kërkoi të informohej nga kandidati për kryetar KLSH-je se si u përfshi në garën për të drejtuar këtë institucion. Hyseni, që mori mandatin nën siglën e LSI-së pas largimit në grup të opozitës vitin e kaluar vuri gjithashtu në pikëpyetje kualifikimet praktike të kandidatit të paraqitur nga Presidenti Ilir Meta për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“A keni drejtua ndonjë institucion apo agjenci shtetërore? Në bazë të ligjit të KLSH-së, kandidati për kryetar të KLSH-së duhet të ketë 10 vite punë përvojë në fushën financiare. Në CV-në tuaj nuk e gjeta këtë informacion, apo kusht të plotësuar. Në CV-në tuaj pashë një seri të gjatë publikimesh, por nuk pashë përvojën tuaj në fushën e financës dhe auditimit. Përvoja në këtë fushë është primare. Shoh në CV-në tuaj se diploma për studimet ekonomike në Faktuletin e Ekonomisë në Vlorë, part time, data e regjistrimit ishte në 2005 dhe e keni përfunduar në 2018, 13 vite për të studiuar në ekonomi? Unë nuk di nëse keni përvojë, apo formim në lidhjen me auditimin, që t’u pyesja në lidhje me auditimet”, u shpreh Hyseni.
Në lidhje me përfshirjen në garë, Arben Shehu u përgjigj duke deklaruar se kishte aplikuar tek Presidenti duke iu referuar komunikimeve publike të Kuvendit dhe Presidencës, ndërsa shpjegoi edhe vonesën në diplomimin në ekonomik, si dhe tha se përmbush kushtin e 10 viteve punë në fushën e financave, pasi e ka ushtruar këtë në sektorin privat.
“Kam përfunduar në mënyrë të pandërprerë Faktultetin e Drejtësisë së Tiranës, masterin dhe doktoraturën dhe kam filluar studimin për ekonominë në Fakultetin e Ekonomisë që e kam ndërprerë për shkak të angazhimit të madh në Fakultetin e Drejtësisë dhe në avokati, ku kam punuar në vazhdimësi. Në 3 vitet e fundit e kam rifilluar dhe kam përfunduar studimet bachelor dhe po vazhdoj masterin për Financë. Në planin teorik mendoj se këto janë të qarta. Në planin praktik kam punuar për më shumë se 10 vite në shoqëritë tregtare, që i kam pasqyruar me aktet përkatëse nga ana e tyre për të pasqyruar punën time dhe një vlerësim nga ana e tyre për aq sa është e mundur”, u shpreh Shehu.
Në platformën dhe vizionin e tij për drejtimin e KLSH-së, kandidati Shehu tha se do të përqëndrohej tek puna parandaluese dhe jo ndëshkimore.
“Do të angazhohem maksimalisht me të gjitha institucionet në kuadër të parandalimit dhe jo të ndëshkimit. Synimi im është shmangia e klimës së ndëshkimeve. Bashkëpunimi duhet të jetë në praktikë dhe jo në teori për të parandaluar të gjitha problematikat në shkelje të ligjit në këtë drejtim”, u shpreh Shehu.
Presidenti Meta Ilir Meta depozitoi emrin e Arben Shehut në Kuvend në fillim të muajit qershor. Kjo ishte kandidatura e katërt për drejtimin e KLSH-së. Presidenca tha se Nga jetëshkrimi i tij, Shehu ka një përvojë të gjatë në fushën e pedagogjisë, por i mungon përvoja në fushën e drejtimit.
“Dr. Arben Shehu, si njohës shumë i mirë i legjislacionit, me njohuritë dhe certifikimet në fushën ekonomike dhe përvojën akademike e profesionale mbi 16 vjeçare, vlerësohet kandidat i përshtatshëm për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një institucion që ka nevojë për një qasje të re në ushtrimin e funksioneve për kontrollin e përdorimit të pasurisë publike dhe vënien para përgjegjësisë të abuzuesve me to…”, thuhet në dekretin e Presidentit.
Arben Shehu është diplomuar “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, ka përfunduar Master në Shkenca Penale Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, ka gradë shkencore “Doktor i Shkencave Ligjore” në fushën e krimit të organizuar dhe legjislacionit ndërkombëtar. Është diplomuar gjithashtu edhe për Administrim Biznes.
Prej vitit 2004 e në vazhdim ai ka punuar Pedagog pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.
“Fletë-rrufe, paçavure dhe brutalitet ndërkombëtar fyes, ndaj të cilit shqiptarët duhet të bashkohen dhe ta kundërshtojnë ndërkombëtarisht”. Ky ishte mesazhi i drejtpërdrejtë që përcolli Edi Rama nga konferenca e shtypit në Prishtinë në përfundim të vizitës dyditore.
Kreu i Qeverisë së Shqipërisë foli për rreth 1 orë e 40 minuta. Në krye të fjalës tha se vizita nuk synonte që të bashkonte klasën politike të Prishtinës, por për të përcjellë mesazhin se nuk bëhet fjalë për një akuzë ndaj dy personave.
“Kush mendon se këtu bëhet fjalë për një akt ndaj disa personave, apo se këtu bëhet fjalë për të shfrytëzuar këtë instrument për pastrimin e skenës politike, apo për çkapjen e shtetit, është ose naiv, ose tejet i verbuar nga mllefi. Nuk ka mundësi tjetër”, tha Rama.
Kryeministri foli për një moment kritik në të cilin ndodhen sot shqiptarët, veçanërisht ata në Kosovë, që mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën. Ai tha se qytetarët duhet të kuptojnë se bëhet fjalë për shumë më shumë se një akt-akuzë ndaj dy individëve.
“Nëse në këtë moment nuk ndajmë qartë drejtësinë me padrejtësinë....Qëndrimi im lidhet me padrejtësinë. Për mua ajo komunikatë që lajmëroi botën mbarë se pritet të vijë një akt-akuzë që nuk është formalizuar nga gjykata, përbën jo vetëm një shkelje flagrante të çdo praktike të mirë të drejtësisë ndërkombëtare, por edhe një akt brutal ndaj vetë Kosovës. Sot duhet pak vetëpërmbajtje dhe duhet fokus se ajo fletë-rrufe ka goditur shumë më larg dhe shumë më thellë sesa në ballin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Këtu bëhet fjalë për drejtimin e lartë politik të UÇK-së dhe përpjekje për të vendosur nën akuzë UÇK-në, si të ishte një ushtri e rregullt agresorësh që vinin nga Beogradi”, u shpreh ai.
Rama thotë se ky akt i ndërkombëtarëve nuk duhet nënvlerësuar, edhe për faktin se sipas tij, aleatët që urdhëruan bombardimin e Serbisë gjatë luftës kanë dalë në pension dhe “ndërkombëtarët” e rinj nuk janë familjarë si me krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
“Nëse e nënvlerësojmë sot këtë brutalitet... Nuk e dinë të gjithë se çfarë historie ka drejtësia ndërkombëtare në Kosovë. Ka më pak se 10 vendime nga Haga për Serbinë për deportim të 1 milion njerëzve me dhunë, pa llogaritur 20 mijë raste përdhunimesh dhe pastaj edhe të gjithë të vrarët dhe të zhdukurit dhe sa janë personat e proceduar në të gjitha këto shkallë gjyqesh për UÇK-në. Si ndërtohet ky raport?! Sa janë në Serbi ata që janë gjykuar për krime lufte?! Ka një disproporcion kolosal. Pastaj edhe nivelet e goditjes, ku në Kosovë goditen presidentë e kryeministra”, u shpreh ai.
Padrejtësinë ndërkombëtare ndaj Kosovës Rama e ilustroi edhe përmes procesit të liberalizimit të vizave.
“Për liberalizimin e vizave thanë që duhen plotësuar kushtet. U plotësuan kushtet dhe edhe vetë e pranuan, por më thanë që më parë duhej bërë demarkacioni me Malin e Zi. Se ç’lidhje kishte demarkacioni me liberalizimin e vizave?! Unë nuk di që në atë pjesë të kufirit të Kosovës kishte ndonjë shteg që të çonte në Paris. Pra, ishte një vendim krejtësisht politik. Megjithatë, u zgjidh edhe demarkacioni, por sërish vizat nuk u liberalizuan”, deklaroi Rama.
Për Ramën nuk ka asnjë mëdyshje që Kosova nuk duhet të vetëizolohet dhe dialogun me Serbinë duhet ta vazhdojë me ndërmjetësimin e SHBA, edhe nëse Uashingtoni do ta mbështesë akt-akuzën e ngritur ndaj Hashim Thaçit.
Një panoramë të qëndrimit të Uashingtonit e bëri ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, i sapokthyer nga një vizitë atje ku u takua me të dërguarin e posaçëm të Trump, Richard Grenell dhe zyrtarët e tjerë të lartë të DASH, si Palmer e Reeker.
“Vizita ka qenë e planifikuar më herët dhe nuk lidhej drejtpërdrejtë me Kosovën. Por ju siguroj tre gjera nga bisedat e mia atje, së pari që nuk ka marrëveshje sekrete. Së dyti nuk ka ndarje të Kosovës dhe kush i ka sytë në ballë dhe mend në kokë nuk beson që Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës bën plane për ndarjen e Kosovës. E treta nuk ka nxitim në rastin e Kosovës, për çdo interes elektoral në SHBA. Këto janë qëndrimet që edhe vetë Grenell i ka komunikuar në vazhdimësi. Të tjerat prirje për të shkaktuar keqkuptime të brendshme”, sqaroi Cakaj.
Nga ana tjetër, Rama hoqi të gjitha mëdyshjet edhe nëse ishte tërhequr nga nisma e përbashkët me Aleksandër Vuçiç për shengenin ballkanik, që e mbron si një zhvillim strategjik për shqiptarët. Ai hodhi poshtë si konspirative dhe të pabazuara zërat kundër kësaj nisme, sipas të cilëve nga kjo përfiton vetëm Serbia.
Rama tha se në agjendë kishte planifikuar edhe një takim me Ramush Haradinajn, por ky i fundit e kishte refuzuar për shkak të procesit gjyqësor ku është i paditur për shpifje. Megjithatë, Kryeministri njoftoi se tërheqjen nga kjo padi.
“Unë kam 22 padi për shpifje dhe kjo që kam bërë këtu për Ramushin ka bërë më shumë zhurmë, por janë 22 të tilla me figura politike kryesisht që i kam në proces. Nuk janë bërë publike dhe nuk i kam bërë për t’i bërë publike. Ramushit i kam kërkuar takim si të gjithë të tjerëve, për të shkuar ta vizituar në seli, apo shtëpinë e tij dhe si paditës që shkon tek i padituri besoj që nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën, për më tepër doja të diskutoja edhe me të për këtë çështje që është shumë më e madhe se Haradinaj, Hashimi dhe Kadriu, sepse ndikimet mund të jenë marramendëse për Kosovën në të ardhmen. E kam njoftuar që nuk do të bëj komunikime do të bëj një konferenc ku do të tërheq padinë, jo se ajo është e vogël për mua, por është shumë më e madhe ajo që sot është më e madhe nga të gjithë. Padia do të tërhiqet edhe zyrtarisht”, u shpreh Rama.
Shtëpitë e rreth 280 mijë shqiptarëve nuk mund të legalizohen për shkak të pengesave të shumfishta. Shifra është bërë publike nga kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame.
Lame doli këtë të hënë në një konferencë për shtyp për të paraqitur një raport mbi punën e institucionit që drejton, për të folur për ecurinë e procesit të legalizimeve dhe problematikave të tjera të ASHK-së.
“Janë rreth 94 mijë familje që e kanë të pamundur që t’u legalizohen shtëpitë dhe që kalojnë te procesi tjetër, që është ai i kompensimit të vlerës së investimit”, tha Lame.
Sipas të dhënave të INSTAT të vitit 2019-të, familja shqiptare ka mesatarisht 3 anëtarë. Duke e konvertuar këtë shifër të dhënë nga Artan Lame në numër qytetarësh që preken nga kjo, numri shkon mbi 282 mijë qytetarë.
Lame foli për sfidat që kanë Kadastrat sot dhe njëra prej tyre së fundmi është shndërruar regjistrimi i tokës sipas ligjit 7501.
“Kadastrat po përmbyten me kërkesat që po vijnë nga fshati, po ndodh ajo që ndodhi me legalizimet në 2014”, tha Lame.
Problematikë tjetër që u ngrit nga Lame është mosregjistrimi i pronave shtetërore. Ai tha se aktualisht janë rreth 4 për qind e tyre të regjistruara në Kadastër dhe mosregjistrimin ndër vite thotë se ka qenë i qëllimshëm.
“Janë të regjistruara në Kadastër vetëm rreth 4 për qind e pronave shtetërore. Ky proces ka të bëjë me shpëtimin e pronës shtet nga abuzimi dhe që është lënë me qëllim për t’u kafshuar ndër vite”, tha ai.
Kreu i Kadastër hodhi poshtë akuzat e opozitës se po përdoren legalizimet për qëllime elektorale. Ai tha se mesatarisht bëhen 2500 legalizime në muaj në të gjithë vendin dhe kjo shifër nuk ka diferencë të madhe për muajt janar-shkurt të këtij viti me të njëjtën periudhë të vitit të kaluaar.
Pyetjes se kur përfundon ky proces, një premtim që në 2013 socialistët zotoheshin ta mbanin brenda 2 mandateve, Lame iu përgjigj duke thënë “asnjëherë”.
“Legalizime në Shqipëri do të ketë gjithmonë, sepse ndërtime pa leje do të ketë gjithmonë. Këtu po flasim për masivitet”, u shpreh ai.
Sa për situatën në Kadastrën e Vlorës, Lame këmbëngul se ajo i është rikthyer normalitetit.
“Vlora prej kohësh nuk po ndryshon drejtor. Drejtori aktual e ka justifikuar veten dhe nuk besoj që të ndodhë ndonjë traumë e madhe pas zgjedhjeve në Drejtorinë e Vlorës. Ka një dyndje problematikash të mbartura në Vlorë që ka ambingarkuar punonjësit”, u shpreh ai.
Megjithatë, nevojë për ndërhyrje dhe ndryshime në disa drejtori, Lame tha se ka, por këto ndërhyrje i premtoi për pasa zgjedhjeve.
“Pas zgjedhjeve ka nevojë te disa drejtori të Kadastrës për t’u parë me thellësi organizimi dhe riorganizimi i tyre për shkak të problematikave që nuk kanë qenë në gjendje që t’u japin rrugëzgjidhje. Janë drejtoritë ku përqëndrimi i problematikave, interesave dhe nevojave ka qenë i madh që kanë vuajtur nga problematika të mbartura kohë pas kohe. Ka drejtori rajonale që janë problematike dhe kanë nevojë për të rishikuar të gjithë organizimin e tyre dhe mënyrën se si funksionojnë”, u shpreh ai.
16 të arrestuar, dhjetra të tjerë të shpallur në kërkim dhe mijëra rrënjë hashashi të asgjësuara. Ky është bilanci paraprak i operacionit të beftë të Policisë së Shtetit në zonën e Niklës në Krujë, njohur ndryshe edhe si “zona e të fortëve”.
Operacioni i koduar “Agimi” për shkak të nisjes së tij në orët e para të mëngjesit të së shtunës angazhoi dhjetra forca të policisë së Durrësit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës dhe Fierit, si dhe forcat speciale RENEA.
Shtrirja gjeografike e tij ishte në zonën e Niklës, Halilit dhe Arramerras të rrethit Krujë. Operacioni zbuloi përmasat dhe metodat e reja të kultivimit të hashashit në këtë zonë, që ishte kthyer në disa raste në një biznes familjar dhe i maskuar brenda serrave si aktivitet fruta-perimesh.
Mes të arrestuarve janë edhe dy punonjës së OSHEE-së dhe kryeplaku i fshatit Halil, që akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa ndaj personave të tjerë dhe atyre të shpallur në kërkim akuza që rëndon është ajo e kultivimit të bimëve narkotike në bashkëpunim.
Policia thotë se operacioni nisi në të dhënat e mbledhura nga monitorimet me drone të kryera nga ajo vetë dhe nga ajri të kryera me avion nga GDF italiane, si dhe mbi bazën e informacioneve policore të marra më parë, shërbimet e policisë kanë kontrolluar serra, magazina, banesa e zona të pyllëzuara.
Si rezultat u sekuestrua një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llampa, kubikë dhe fidanë kanabisi, 5 automjete dhe prova të tjera materiale. Policia thotë se në total janë rreth 50 mijë bimë narkotike kanabis të asgjësuara.
Detaje nga operacioni “Agimi”
Janë vënë në pranga për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike" në bashkëpunim, shtetasit Xh.K., dhe D.K., , banues në Halil,(babë e bir) pasi gjatë kontrollit të ushtruar në pronën e tyre, u konstatua një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llampa.
Gjatë operacionit policia gjeti fidanë canabis të kultivuar në sera dhe në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit A.D., 27 vjeç, banues në Nikël; M.L., 20 vjeç, banues në Larushkë;
E.K., 18 vjeç, banues në Qerekë; I .K., 33 vjeç, banues në Arrameras; D.D., 49 vjeçe, banuese në Nikël; M.V., 16 vjeç, banues në Halil; F.K., 34 vjeç, banues në Halil; E.A., 30 vjeç, banues në Halil; F.K., 56 vjeçe, banuese në Halil; R.D., 53 vjeç, banues në Halil; E.D., 26 vjeç, banues në Halil.
Në pranga janë vënë edhe Kryeplaku i fshatit Halil, shtetasi F.H., 61 vjeç.
Si dhe dy punonjës të OSHEE, shtetasit E. P., 32 vjeç, dhe S. K., 32 vjeç, banues në Halil për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shkak të moshës i shtetasve: E.L., 17 vjeç, banues në Larushk ; G.C., 70 vjeç, banues në Halil, Kryeplak i fshatit Halil dhe H.Xh., 78 vjeç, banues në Halil, Kryeplak i fshatit Nikël.
Janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e 24 shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në aktivitetin kriminal të sipërpërmendur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme.
Forumi i Prespës ka takuar edhe njëherë tjetër Edi Ramën me Albin Kurtin. Dy Kryeministrat janë përshëndetur me njëri-tjetrin në prani edhe të kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Nga pamjet e shkurtra filmike të shpërndara për mediat, shihet Kurti që vjen i fundit dhe gjen të ulur në tavolinë Edi Ramën me Ali Ahmetin dhe shoqëruesit përkatës në pjesëmarrjen e këtij forumi.
Ndërkohë, në një tjetër video, Kryeministri i Shqipërisë shfaqet duke komunikuar me ndihmës Sekretarin e Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker.
Reeker merr pjesë gjithashtu në këtë forum, që synon të nxisë dialogun mes vendev të rajonit si e vetmja rrugë për zhvillim. Para mbërritjes në Ohër, zyrtari i DASH pati një ndalesë të shkurtër në Tiranë, ku nga politika u takua vetëm me Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, por jo me Presidentin Ilir Meta.