Basha i kërkoi dorëheqjen, Rama: Mbetem timonieri i Qeverisë
Kryeministri Edi Rama ka postuar një video në rrjetet sociale, duke i ironizuar njëherësh edhe opozitën mbi kërkesat e saj për dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Duke shfrytëzuar një ngjarje të një kompanie private të telefonisë mobile të aplikimit të teknologjisë së rrjetit 5G, Rama hipën në një makinë në dukje të autokomanduar, ku në vend të “timonierit” bën narratorin.
“Me timon pa timon shoferi jon osht kampion” thotë ajo kënga e vjetër, ndërsa këtu jam unë që i jap makinës pa prek timon me dorë”. Duke e cilësuar si të rëndësishmë këtë investim, kryeministri shkruan ky revolucion do të transformojë rrënjësisht çdo sektor, nga ekonomia tek financat dhe energjia, nga bujqësia tek shëndetësia dhe arsimi, duke bërë të mundur të paimagjinueshmen jo në shekujt, po në vitet që vijnë.
Në videon prej tre minutash, Rama që ka pranuar se nuk di të ngasë makinën se s’ka patentë nuk i ka kursyer lojërat e fjalëve dhe thumbimet në adresë të opozitës.
“Sa mirë do të ishte sikur të kishte edhe makina e qeverisë një drejtim automatik, por për këtë nuk ka mundësi...Kështu që për drejtimin e Qeverisë, timoni mbetem unë, mbetet si të thuash njeriu, por për këtë periudhë njeriu jam unë”, sqaron Rama.
“Kur thosha që erdhi dita që makinat të ecin vetë dhe që unë nuk kam nevojë të marr patentën nuk më besonte njeri. Tani shikojeni se si erdhi dita, s’ka ardhur akoma tamam, por ky është vetëm fillimi dhe nuk keni parë gjë akoma”, vijoi më tej ai.
Video e postuar prej Kryeministrit në një aktivitet jozyrtar mbërrin pak orë pasi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i përsëriti kërkesën për dorëheqje dhe zgjedhje të parakohëshme.