Videot kryesore
Parlamenti serb u bë arenë dhune mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës mbi reagimin e qeverisë serbe për ligjin e fesë të miratuar në Mal të Zi.
Deputetë opozitarë mbanin në duar pankarta kritikuese ndaj mungesës së përgjigjes nga ana e qeverisë serbe ndaj Malit të Zi për këtë ligj.
Ligji në fjalë kundërshtohet nga Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi.
“E kam filluar punën e fotografisë kur isha ende çunak në vitin 1982, e krejt rastësisht”, - është shprehur fotografi Roland Tasho, në këtë intervistë për “Gazetën Si”. "Unë ndërkohë e kisha gjetur një punë, siç ishte asokohe. Kisha gjetur një punë si elektricist, nga një çun xhaje që kisha kryeinxhinier"
Kryeministri Edi Rama u takua në Berlin me Kancelaren gjermane Angela Merkel. Sipas një postimit të Ramës një ditë më parë, tema kryesore e këtij takimi ka qenë programi i rindërtimit në vigjilje të konferencës së donatorëve, që BE organizon për këtë temë më 17 shkurt në Bruksel.
Institucionet shqiptare nuk kanë publikuar ende zyrtarisht një faturë për dëmet e shkaktuara nga tërmeti, por gjatë vizitës në Itali, Kryeministri Edi Rama tha se bëhet fjalë për një dëm prej 1 miliard euro.
“Operacioni Forca e Ligjit" është zhvendosur këtë të martë në qytetin e Shkodrës, duke bllokuar jë sërë pasurish që dyshohet se janë produkt i aktivitetit kriminal, kryesisht në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.
Policia njoftoi se mes pronave të sekuestruara jaë edhe ato të Gentian Doçit, person i shpallur në kërkim si organizatori i pengmarrjes së Jan Prengës, në ngjarjen e ndodhur më 17 janar në Kamëz. Policia ka konfirmuar se Jan Prenga ka gjetur vdekjen pas pengmarrjes, por ende nuk ka gjetur trupin e tij.
Veç dyshimeve për pjesëmarrjen në pengmarrjen e Jan Prengës, Gentian Doçi rezulton si person i shpallur në kërkim edhe nga drejtësia italiane për trafik kokaine.
Mësohet se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka firmosur urdhrat e sekuestrimit për pronat e Ardian Doçit, Artan Doçit, Gentian Finiqit, Martin Bletës dhe një personi tjetër me inicialet M.D.
Pasuritë e sekuestruara janë vila, automjete luksoze, resorte turistike dhe sipërfaqe toke në Shkodër dhe rrethinat e saj. Urdhri i sekuestrimit i nxjerrë nga OFL pritet që të dorëzohet në Prokurorinë e Posaçme dhe prej andej SPAK ta paraqesë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas ligjit special të kaluar si akt normativ nga ana e Qeverisë në fund të javës së kaluar, të gjitha procedurat duhet të përmbyllen brenda 30 ditëve. Kjo do të thotë se brenda këtij afati, Gjykata duhet të ketë vendosur nëse do të mbajë në fuqi masën e sekuestros duke përligjur dyshimet e OFL-së se pasuritë në fjalë kanë burim paratë e pista, ose duke hequr masën e sekuestros për mungesë provash.
Një ditë më parë, Operacioni Forca e Ligjit sekuestroi pasuri të Altin Hajrit në Shijak, edhe ky i dyshuar si i përfshirë në pengmarrjen dhe më pas vrasjen e Jan Prengës. Dyshimet e para të policisë në lidhje me këtë pengmarrje janë se ajo lidhet me prishjen e pazarave të drogës të të vëllait të tij, Astrit Prenga.
Veç operacioit të ndërmarrë në Shkodër, po këtë të martë OFL njoftoi se ka dorëzuar kërkesën për të plotësuar formularët e pasurisë Lulzim Berishës në Durrës dhe Ardjan Çapjas në Elbasan.
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë lënë mënjanë agjendën politike dhe në mesazhet e përcjella pas konfirmimit zyrtar të dy personave me koronavirusin e ri mbështesin masat e ndërmarra nga Qeveria, duke kërkuar transparencë, fonde dhe mobilizim.
Në një komunikim me mediat, Lulzim Basha përsëriti thirrjen për të shmangur panikun.
“Nuk është koha për panik, por për kujdes. Kemi mjekët më të mirë, por ata duhen mbështetur me mjete dhe fonde”, deklaroi Basha.
Kreu i PD-së pati një thirrje për mjekët dhe infermierët.
“Shëndeti i shqiptarëve është në duart tuaja. Sytë, veshët dhe mendjet e njerëzve, si asnjëherë, janë të fokusuara te ju. Prandaj, sot të gjithë jemi në mbeshtetjen tuaj për të zbatuar masat dhe vendimet që ju sugjeroni dhe vendosni. Nuk duhet të ngurroni për asnjë çast të kërkoni çfarë ju nevojitet për të përmbushur misionin tuaj. Qeveritë ikin e vijnë, ata që do të mbeten jeni ju, ata që keni në dorë jeten e gjithësecilit prej nesh, jeni ju”, shtoi ai.
Basha thotë se është koha që të flasin mjekët dhe specialistët dhe porositi qytetarët që kthehen nga zonat e Italisë së Veriut që të tregohen veçanërisht të kujdesshëm.
“Të gjithë duhet të dëgjojmë zërin tuaj. Sa më shumë të flisni ju, aq më të qetë do të jenë qytetarët. Të dashur bashkëqytetarë! Sot duhet të jemi të ndërgjegjeshëm dhe të përgjegjshëm për çdo veprim që ndermarrim. Të degjojmë me vemendje këshillat e mjekëve dhe t’i zbatojmë ato. Të gjithë ju që vini nga Italia e Veriut, por edhe zona të tjera të prekura nga coronavirusi, drejtohuni për ekzaminime, nëse keni simptoma gripi dhe shmangni kontaktet me qytetarët dhe të afermit për një periudhë 2 javore. Kujdes të veçantë duhet të kemi për të moshuarit”, u shpreh ai.
Kryedemokrati premtoi se opozita do të ndjekë me kujdes situatën e krijuar dhe se do të jetë në shërbim të qytetarëve me ekspertët e saj, ndërsa Qeverisë i kujtoi thirrjen e bërë dy javë më parë.
“Fonde të mjaftueshme, mobilizim maksimal dhe transparencë. Këta janë tre komponentë të rëndësishëm politikë, për të cilët nuk duhet humbur kohë”, tha Basha.
Nga LSI foli nënkryetari Petrit Vasili. Edhe ai përcolli mesazhe mbështetjeje për masat e ndërmarra nga autoritetet.
“Është një moment delikat që kërkon profesionalizmin dhe gjakftohtësinë e duhur për të përballur një situatë, që e menaxhuar me një nivel të lartë dhe kujdes mund të tejkalohet me pasoja minimale. Xcdo maasë që merret nga autoritetet shëndetësore është e mbështetur nga ne, sepse janë masa standarde që aplikohen sipas një mënyrë dhe rregulli që po zbatohen në vendet e tjera”, tha ai.
Megjithatë, nënkryetari i LSI-së vuri theksin tek kujdesi veçanërisht për personelin shëndetësor dhe kërkoi nga Qeveria që ajo të mos kursehet në mbështetjen e tyre me të gjitha bazat materiale të domosdoshme për përballimin e situatës.
“Frontin themelor të kësaj lufte e mban personeli mjekësor, që për hir të detyrës është në vijën e parë me këtë problematikë. Tërheq vëmendjen që nuk duhet të kursehet asgjë nga pikëpamja financiare për të siguruar të gjithë mjetet e nevojshme që i duhen personeli, pasi duhet të jetë në vijën e parë të parrezikuar”, u shpreh ai.
Vasili thotë se vendi duhet ta konsiderojë veten në emergjencë shëndetësore, ndërsa nga autoritetet vigjilencë maksimale dhe të mos vetëkënaqen me rastet e pakta të të infektuarve deri më tani.
Spitali Universitar George Washington përdor teknologji virtuale 360 gradë për të treguar dëmin e bërë në mushkëri të një pacienti COVID-19. Ai tregon një kontrast të ashpër midis indit jonormal të mushkërive të infektuar nga virusi dhe indit më të shëndetshëm të mushkërive ngjitur.
Rreth 50 mijë biznese me rreth 87 mijë punonjës kanë aplikuar për të përfituar pagesën e ndihmës financiare, të ofruar nga Qeveria në kuadër të paketës ekonomike kundër koronavirusit.
Kryeministri Edi Rama thotë se nga kjo listë deri më tani janë verifikuar 42 për qind e aplikimeve, ndërsa 58 për qind e tyre janë në proces verifikimi.
Nga pjesa që është verifikuar, 24 për qind kanë nisur të përfitojnë, ose do të përfitojnë në ditët në vazhdim ndihmën financiare, ndërsa 18 për qind u është refuzuar kjo ndihmë. E përkthyer në shifra, për 15 mijë e 153 të vetëpunësuar, ose punonjës të një sipërmarrjeje që ka aplikuar për të përfituar ndihmë financiare, kjo ndihmë është refuzuar.
Në total ndihma është miratuar për 20636 punonjës, nga të cilët Drejtoria e Tatimeve thotë se 17231 e kanë marrë pagesën, ndërsa pjesa tjetër është në procedura.
Duke shpërndarë të dhënat e Drejtorisë së Tatimeve, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi zgjerimin e paketës edhe me biznese që nuk janë mbyllur për shkak të masave anti-Covid19, por që nuk kanë xhiro për shkak të izolimit.
“Biznese të tjerë të vogla të regjistruara si taksi, servise makinash, lavazhe, rrobaqepësi, bojaxhi, hidraulik, elektriçist, fizioterapi e të tjerë do të përfshihen në paketën e zgjeruar”, shkruan ai.
Veç kësaj kategoria, Rama thotë se paketa e zgjeruar do të përfshijë edhe individë, apo qiradhënës që nuk kanë të ardhura të tjera veç qirasë, apo individë të punësuar në një kompani të regjistruar si kompani e madhe, por që u është pamundësuar puna për shkak të masave.
“Për përcaktimin e masës së kësaj mbështetjeje me Bonusin e Luftës, do të vendoset duke ndjekur dinamikën e luftës në 3/4 ditët në vijim”, thotë ai.
Pa skenë. Pa sallë për publikun. Sepse dëgjuesit mund të jenë kudo. Mjafton të kenë një smart phone a një kompjuter dhe drama “Babai im” është gjithkund e në çdo kohë me to. Në audio. Në website-in e gazetës “Si”. Në një format që vjen për herë të parë në Shqipëri. Më 22 maj ora 18.00.
Kur nisi të merrte formë si projekt, pikërisht në ato ditët e para të izolimit masiv prej Covid-19, nuk kish si të dihej se koha e prezantimit dhe e premierës së dramës “Babai im” do të përkonte pothuajse me ditët e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe gjithë protestave para dhe pas këtij akti kaq shumë të komentuar pro e kundër. Por, gjithë çfarë ndodhi nuk ia ndryshon dot rrjedhën dramës “Babai im”, sepse që në krye të herës ishte projektuar të vinte vetëm si audiodramë, pra jo në skenë e në salla të mbushura me publik, por në telefona, Ipad e kompjuterat që kemi të gjithë ndër duar. Pra publiku është i garantuar, pa pasur nevojë të vërë këmbë në një godinë teatri.
Nuk është hera e parë që një dramë na vjen vetëm në audio. Nostalgjikët kujtojnë “Radiodramatizimi” që për shumë e shumë vite me radhë është trasmetuar nga Radio Tirana, për t’u dëgjuar në çdo shtëpi nëpër radiot “Iliria”, po aq sa dhe “Rruga me pisha” ca vite më pas, që erdhi si një frymë e re kur kohët në Shqipëri ishin modernizuar paksa nga ndërrimi i sistemeve.
Por, është hera e parë që një dramë na vjen audio jo më përmes radios, por përmes teknologjisë së evoluar, në website-in e gazetës “Si”, si një opsion argëtimi për të gjithë që kanë në duar pajisjet elektronike e që mund ta gjejnë aty në çdo kohë që duan.
Subjekti flet për një aksident që do ta trondisë fort një familje e një shoqëri të tërë, sepse shumë të panjohura do të zbulohen pas atij aksidenti. Historia do të zbërthehet nga interpretimi dhe zërat e një kasti shumë simpatik aktorësh, Anisa Dervishi, Valdrin Hasani, Ema Andrea, Petrit e Aneta Malaj, Rozina Kostani, Medi Gura, Alert Çeloaliaj, Genc Fuga e Met Xhelili.
Me internetin përherë me vete, “Babai im” mund ta dëgjojmë duke filluar nga data 22 maj në makinë, në shtëpi, duke gjerbur kafenë, një gotë birrë a verë me veten në një qoshkë bari a restoranti, apo edhe në shtëpi.
Audiodrama është një zhanër i njohur në botë që aktualisht me zhvillimin e teknologjisë po vjen në formën e podcaste-eve apo edhe radiodramave të dikurshme. Eshtë koha për ta shijuar edhe në Shqipëri. Si fillim me 6 seritë e para të “Babai im”.
Audio Radio (ose audio drama, audio play, radio play, radio teatër, ose teatër audio) është një shfaqje e dramatizuar, thjesht akustike. Pa asnjë komponent vizual, drama radio varet nga dialogu, muzika dhe efektet e tingullit për të ndihmuar dëgjuesin të imagjinojë personazhet dhe tregimin: “Është shqisa e dëgjimit në dimensionin fizik, por po aq i fuqishëm si një forcë vizuale në dimensionin psikologjik”. Radio drama përfshin shfaqje të shkruara posaçërisht për radio, dokudrama, vepra të dramatizuara, si dhe shfaqje të shkruara fillimisht për teatrin, përfshirë teatrin muzikor dhe operën.
Drama radio arriti popullaritet të gjerë brenda një dekade të zhvillimit të saj fillestar në vitet 1920. Deri në vitet 1940 ishte një argëtim kryesor popullor ndërkombëtar. Me ardhjen e televizionit në vitet ’50, megjithatë, radio drama filloi të humbasë audiencën e saj, sidoqoftë, në një sërë shtetesh ajo mbetet e njohur.
Deri në shekullin XXI, radio drama pati një prani minimale në radiot tokësore në Shtetet e Bashkuara. Sidoqoftë, kombet e tjera ende kanë tradita të lulëzuara të dramës në radio. Për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar, BBC prodhon dhe transmeton qindra radio drama të reja çdo vit në Radio 3, Radio 4, dhe Radio 4 Extra. Ashtu si SH.B.A., Australia ABC ka braktisur transmetimin e radio dramës, por në Zelandën e Re RNZ vazhdon të promovojë dhe transmetojë një shumëllojshmëri të dramave në valët e saj ajrore.
Falë përparimeve në regjistrimin dixhital dhe shpërndarjen e internetit, drama radio përjetoi një ringjallje rreth vitit 2010. Podcasting ofroi mjetet e krijimit të lirë të dramave të reja radio, përveç shpërndarjes së programeve të cilësisë së mirë.
Shprehjet “audio drama” ose “audio Theater” ndonjëherë përdoren sinonimisht me “radio dramë”; sidoqoftë, drama audio ose teatri audio nuk mund të jenë të destinuara posaçërisht për t’u transmetuar në radio. Drama audio gjithashtu mund të gjenden në CD, kaseta, podcast, webcast, si dhe radio transmetuese.
Dalja javore e Presidentit Ilir Meta këtë të premte ishte më e shkurtër se herët e tjera. Kreu i shtetit bëri bilancin e aktivitetit të tij për javën që lamë, ndërsa foli edhe për pritshmëritë që ka nga Komisioni i Venecias sa i takon përplasjes për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, procesin e integrimit dhe ngërçin e ri në Këshillin Politik.
Në lidhje me Venecian, Meta u shpreh i bindur në drejtësinë e vendimeve dhe veprimeve të tij.
“Asnjëherë nuk kam pritur Venecian për aktet e mia, sepse ato kanë qenë në përputhje me Kushtetutën dhe ne Kushtetutën e kemi bërë sipas rekomandimeve të Venecias. Nuk kam asnjë pritshmëri, por shpresoj që Venecia të ruaj integritetin e saj”, deklaroi ai.
Presidenti u pyet edhe për zhvillimet e fundit në Parlamentin Europian, ku u votua rezoluta që i kërkon Shqipërisë plotësimin e 15 kushteve para se të ndërmerret takimi i parë ndërqeveritar në kuadër të procesit të negociatave. Sipas Metës, këto zhvillime nuk janë të papritura dhe as të reja.
“Është një çështje e vjetër në kuptimin që kushtet janë aty prej vitesh, duke filluar me kryekushtin e parë dhe të pakalueshëm që është ai i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ka 4 vite përsëritet në mënyrë të vazhdueshme çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, hetimi për dosjet e zgjedhjeve parlamentare në Shijak dhe parlamentare në Dibër dhe duke vazhduar me elementë të tjerë, përfshirë edhe miratimin e reformës zgjedhore”, deklaroi Presidenti.
Meta tha se të hënën do të zhvillojë një takim me Zef Mazin, i emëruar si kryenegociator nga Shqipëria për bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Europian. Presidenti komentoi deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, që ka shprehur hapur pakënaqësinë për marrëveshjen zgjedhore të nënshkruar në Këshillin Politik, duke u kthyer thuajse 3 dekada pas në kohë, tek Presidenti i fundit komunist.
“Kur dëgjoj këto deklarata nuk më mbetet gjë tjetër veçse të kem pak nostalgji për ish-Presidentin komunist, Ramiz Alia që shtyu zgjedhjet në vitin 1991 për t’i dhënë mundësi opozitës që të merrte pjesë në zgjedhje”, u shpreh ai.
Kryeministri Edi Rama u përplas me Dora Bakojanisin, ish-ministren e Jashtme greke gjatë diskutimit në forumin ekonomik të organizuar në Athinë nga “The Economist”.
Debati mes Ramës dhe Bakojanisit, që është njëkohësisht edhe e motra e Kryeministrit aktual grek, Kyriakos Mitsotakis u zhvillua rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese shqiptare që rrëzoi marrëveshjen e detit të arritur në 2009, ku si ish-kryediplomate e Greqisë, Dora Bakojanis është firmëtare e saj.
Pasi shprehu “keqardhjen” për vendimin e Gjykatës Kushtetuese shqiptare, Bakojanis nënkuptoi se pas këtij vendimi qëndronte Turqia dhe ndërhyrja e saj.
“Ndjeva keqardhje për vendimit e gjykatës në shqipëri për marrëveshjen e detit. Mendoj që ndërhyrja e vendeve të treta në këtë çështje nuk ndihmon. Ne e dimë që Turqia ka qenë shumë kundër kësaj marrëveshjeje”, deklaroi ajo.
Rama e kundërshtoi duke thënë se në kohën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ai nuk ka pasur asnjë takim me Erdogan dhe se edhe pas këtij momenti, Turqia nuk ka shfaqur asnjëherë interes për këtë çështje.
“Gjykata Kushtetuese mori vendim për këtë marrëveshje në 2009 dhe në atë kohë, as e kisha takuar dhe as kisha folur me Erdogan, asokohe Kryeministër i Turqisë. Nuk kishim asnjë raport. Ne vendosëm që marrëveshjen ta çonim në gjykatë për një arsye të thjeshtë, kishte një debat të madh në shoqëri, që u nis nga shoqëria civile dhe nuk doja që ky debat të shndërrohej në politik dhe në luftën e zakonshme mes opozitës dhe pozitës dhe ne e çuam në gjykatë. Është e pavërtetë ndërhyrja nga Turqia. Asnjëherë në asnjë takim me Presidentin Erdogan nuk kam dëgjuar prej tij që kjo marrëveshje është e ndonjë interesi për Turqinë. Na duhet të qartësojmë, sepse këto ide ndikojnë tek qëndrimet tona ndaj njëri-tjetrit”, u shpreh Rama.
Shqipëria ka partneritet strategjik si me Turqinë, ashtu edhe me Greqinë. Por, Rama thotë se kjo nuk e vendos Tiranën në mes të dy zjarreve. Kryeministri shqiptar, që të hënën u takua me Erdogan në Turqi, tërthorazi përcolli në Athinë “porosinë” e Presidentit turk për dialog.
“Ajo që mund të them pa asnjë dyshim është që Presidenti turk nuk është një politikan antigrek. E shkuara ka treguar se kur ka vullnet ka një rrugëzgjidhje. Duhet një dialog i mirëfilltë. Nuk është e thjeshtë, por jo e pamundur. Jam i bindur se marrëdhëniet konstruktive turko-greke mund të jenë me vlerë të shtuar për të gjithë Europën. Greqia është në pozicionin e duhur për të qenë ndërmjetësi i ndershëm për këtë”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, duke iu rikthyer çështjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, Rama konfirmoi qëndrimin zyrtar të palës shqiptare që ja njeh të drejtën greke për t’u zgjeruar me 12 milje, por për të zgjidhur mosmarrëveshjen sugjeroi që dy vendet t’i drejtohen një vendi të tretë mik, ose gjykatave ndërkombëtare.
“Ne mund ta zgjidhim çështjen me ndihmën e të tjerëve. Nëpërmjet palëve të treta që na ndihmojnë miqësisht, apo edhe gjykatës ndërkombëtare. Do të jetë e drejtë objektive dhe nuk mund të përdoret nga patriotët këtu dhe në Shqipëri”, u shpreh ai.
“BE, rruga e vetme për ne“
Kryeministri Edi Rama është i bindur se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk ka asnjë alternativë tjetër përveçse anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe këtë e theksoi edhe gjatë fjalës që mbajti në forumin ekonomik të organizuar në Greqi nga revista “The Economist”.
“Alternativa e vetme është Bashkimi Europian, jo sepse na e kërkojnë miqtë më të mëdhenj e të fuqishëm, por sepse kjo është një kërkesë e fëmijëve tanë, e brezit të ardhshëm, është ëndrra e përhershme e etërve tanë”, shton ai.
Rama vlerësoi si pozitive aftësinë e udhëheqësve të rajonit për t’u ulur dhe biseduar me njëri-tjetrin për çështje të ndryshme, pavarësisht se në mes qëndrojnë ende ndasi të thella, si në rastin e Kosovës me Serbinë.
Si shembull të bashkëpunimit dhe zgjidhjeve që mund të prodhohen përmes dialogut, Rama solli marrëveshjen e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Për ta përmbyllur, mund të përmend një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të kësaj kohe, që është zgjidhja dialogu mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Është një mësim për të gjithë”, tha ai.
Kryeministri vlerësoi rolin e Zoran Zaev, që sipas Ramës theu tabutë dhe i fitoi sërish zgjedhjet, pavarësisht se mund të kishte krijuar shumë pakënaqësi në vendin e tij me marrëveshjen e arritur me Greqinë.
Kostumi i Njeriut të Hekurt (Iron Man) nuk është më realitet vetëm në skenarët e filmave të Marvel
Flota Mbretërore në Britaninë e Madhe publikoi një video nga testimet e suksesshme të kostumeve të ngjashme, ku trupat speciale u katapultuan nga varkat e tyre të vogla “tek varka objekt mësymjeje”. Për një kostum të ngjashëm, që mund të arrijë një shpejtësi më të lartë se 320 kilometra në orë thuhet se po punon edhe Komanda e Operacioneve Speciale e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ka nisur në dita e parë e punimeve të Forumit Strategjik të Bled në Slloveni, ku Shqipëria përfaqësohet me Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Jashtme, Olta Xhaçka. Samiti me udhëheqësit e Bashkimit Europian mbahet me fokus te integrimi i rajonit në BE, sfidat me të cilat po përballet, përfshirë këtu Covid dhe koordinimi i përgjigjes ndaj pandemisë, ndërsa një deklaratë e Miroslav Lajçak duket se do të përfshijë në këto diskutime edhe nismën “Ballkani i Hapur”.
BE përfaqësohet në këtë samit nga Komisioneri për Zgjerimin, OIiver Varhelyi dhe i dërguari i posaçëm i BE për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Një ditë më parë, në një deklaratë për Radio Europa e Lirë, Lajçak e cilësoi nismën “Ballkani i Hapur” si të pashëndetshme për rajonin.
Nga pamjet e shpërndara nga Kryeministria në pritjen para nisjes së këtij samiti, Kryeministri Edi Rama shfaqet duke u takuar me Komisionerin Varhelyi, Miroslav Lajçak, Kryeministri hungarez, Viktor Orban dhe atë grek, Kyriakos Mitsotakis.
Ndërkohë, Vuçiç, Rama dhe Zaev u takuan së bashku pasditen e së martës. Ishte Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç që postoi në rrjetet sociale një foto nga ky takim, duke shkruar: “Me dy miq të mirë në Samitin e Bledit nën hijen e Ballkanit të Hapur”.
Veç integrimit dhe pandemisë, Shqipëria mund të ngrejë në këtë takim edhe çështjen e refugjatëve afganë dhe të kërkojë më shumë ndërgjegjësim nga vendet e BE.
Në ditën e parë të takimit do të diskutohet pandemia, transformimi i gjelbërt dhe digjitalizimi në kuadër të procesit të zgjerimit të BE.
Në këto takime pritet që të diskutohet edhe për çështjen e hapjes formale të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në pranverë, Bullgaria vendosi veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke djegur edhe Shqipërinë, pasi udhëheqësit e unionit kërkuan mosndarjen e dy vendeve.
Diskutimet mund të shërbejnë si njësi matëse e pulsit të Brukselit në lidhje me këtë temë, të stërzvarritur deri më tani. Jozyrtarisht Shqipëria nuk ka kërkuar ndarjen nga Maqedonia e Veriut, por përballë një vetoje tjetër të mundshme bullgare në samitet e vjeshtës të udhëheqësve të BE-së, nuk është çudi që Qeveria shqiptare të kërkojë ndarjen.
Sinjalin e dha Kryeministri Edi Rama në intervistën e fundit të dhënë për agjencinë italiane të lajmeve, ANSA. “Është e çuditshme dhe e pashpjegueshme që ëndrra europiane e Shqipërisë të mbahet e bllokuar nga vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut”, tha ai.
Takimet e Sllovenisë i paraprijnë samitit të tetorit mes BE dhe Ballkanit Perëndimor. Nga ky samit mund të kuptohet më shumë në lidhje me vendimmarrjen e Brukselit sa i takon hapjes formale të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në krahasim me fjalimet e zakonshme në seancat plenare të Kuvendit, fjalimi i kësaj të enjteje i Kryeministrit Edi Rama ishte më i shkurtër, por po aq thumbues në drejtim të Lulzim Bashës.
Pasi akuzoi Partinë Demokratike se po përsëriste të njëjtat gabime që e kanë çuar nga humbja në humbje në zgjedhje, nga foltorja e parlamentit, Edi Rama i solli Lulzim Bashës reminishenca të një tjetër “Foltoreje”, asaj të Sali Berishës.
Kryeministri përdori fjalët e Berishës, që në turin e takimeve me mbështetësit e vet e ka akuzuar Lulzim Bashën si kryetar “kukull” të PD-së dhe “peng” të Edi Ramës.
“Të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të presësh një rezultat tjetër është tipari i mendjelehtësisë. Natyrisht, duke përsëritur të njëjtën gjë, të njëjtin rezultat do të merrni sërish. Kjo është zgjedhja juaj dhe nuk jam unë që duhet t’ju inkurajoj, aq më tepër tani që jeni në garë se kush është kukulla, se kush është pengu dhe kush shpif e shan më shumë për të treguar që nuk është as kukull dhe as peng”, tha Rama.
Thumbimet shoqëruan thuajse të gjithë fjalimin, ku Kryeministri e këshilloi opozitën që të heqë dorë nga akuzat, sipas tij, boshe ndaj ministrave sepse nuk i sjellin mbështetje.
“Se ça mbillni këtu në katër vite, shkoni e korrni atje”, tha ai.
Sali Berisha, që turin e foltoreve të mërkurën e ndali në Gjirokastër, nuk ishte i pranishëm në sallë.
FOTO BERISHA
Ndërkohë, Basha iu kundërpërgjigj Ramës duke akuzuar se po përpiqet që të zhvendosë debatet që bëhen për interesat e qytetarëve në kacafytje personale.
“Shikoni pak të dashur qytetar se ku e zhvendos një debat që është për ju, për xhepat tuaj, për situatën ku ndodheni ju. Shikoni si do që ta zhvendosë në një kacafytje dhe protagonizëm personal, njësoj si në ditët e para të pandemisë, ku na dilte dhe kur hapnim frigoriferin. Frigoriferi bosh nga ushqimet, po dilte koka e tij. Shikoni si e koncepton politikën ky. Shikoni si i drejtohet opozitës, moratorium heshtjeje, mbyllni gojën, pse? Sepse ka frikë nga e vërteta!”, tha Basha.