Videot kryesore
Videomesazhin e radhës për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit në vend, Kryeministri Edi Rama e përcolli nga zyra e tij në godinën e Kryeministrisë, ku që në fillim thotë se ka përçuar të gjitha mesazhet e javës së kaluar pasi aty ka të instaluara kamerat e lidhjeve direkte.
Videoja ishte konceptuar edhe si një përgjigje për kritikët, që kanë akuzuar Kryeministrin se është ngujuar në banesën e tij në Surrel dhe nuk është shfaqur në zyrë.
“Po e bëj me telefon këtë mesazh që ta shohin dhe ta qepin gojën ata që thonë dil nga shtëpia, mos rri në bunker, se kur i thonë asaj fjalës, mirë gomari që na ngordhi, por duhet të merremi edhe me mizat e mjaltit të tij që gumëzhijnë nga ajo vrima digjitale që e dini mirë se ku është. Unë në shtëpi mbyllem në fundjavë”, tha Kryeministri.
Duke iu rikthyer situatës, Rama paralajmëroi një javë të vështirë dhe kërkoi zbatimin e rregullave të kufizimit të lëvizjes.
“Sepse sipas modeleve të statistikave tani hyjmë në fazën e shpërthimit më intensive të bombave në trupat e atyre të prekurve. Mos luani me zjarrin! Nuk e ndalim dot vdekjen të na marrë njerëz, por duhet me çdo kusht të ndalim kërdinë që mund të bëjë për shkak të papërgjegjshmërisë tonë. Do të humbasim njerëz, nuk e di se sa, por nuk duhet të humbasim një mal me njerëz dhe këtë e kemi në dorë ne vetë, duke bërë durim”, deklaroi Kryeministri.
Emigrantë shqiptarë të bllokuar në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë përleshen me policinë në doganën e Kapshticës.
Qëndrimi përballë portave të mbyllura të doganave për orë, madje edhe për ditë me radhë i ka detyruar mjaft emigrantë që të pranojnë “një ofertë të pakërkuar” nga ana e punonjësve të policisë kufitare, si të vetmen rrugë për t’u rikthyer në shtëpi.
Burime të sigurta të gazetës “Si” rrëfejnë se në Kapshticë dhe Kakavijë po luhet këto ditë një lojë si “macja me miun”. Përballë urdhrit të eprorëve që të mos lejojnë askënd që të hyjë në Shqipëri pa marrë më parë një autorizim nga konsullata shqiptare në Greqi, apo pa pasur arsye të forta shëndetësore dhe humanitare, policët kufitarë “udhëzojnë” nën zë personat e bllokuar që të hyjnë ilegalisht në Shqipëri, pra të kalojnë kufirin nga mali.
“Pjesa më e madhe kanë lëvizur me pasaporta dhe kanë mbetur si në çark pasi kanë marrë vulën e daljes nga Greqia. Nuk mund të kthehen mbrapsht, nuk lejohen as të hyjnë këtej”, thonë burimet për gazetën “Si”.
Pasi kalojnë kufirin e gjelbër, emigrantët “kapen” nga policia shqiptare dhe gjobiten me minimumi 10 mijë lek të reja secili dhe më pas shpërndahen nëpër zonat nga janë. Gjoba është “kompromisi” që vetë emigrantët e pranojnë.
“Ça të bëja?! Qëndrova 40 orë atje në të ftohtë. Nuk qëndroja dot më shumë! Kalova nga mali, mora gjobën dhe erdha në shtëpi”, thotë për gazetën “Si” njëri prej emigrantëve që ka përdorur këtë skemë në kushte anonimati.
Vetëm ditën e premte janë gjobitur 18 shtetas në Kakavijë për kalimin e paligjshëm të kufirit dhe shkeljen e masave kufizuese të marra kundër përhapjes së koronavirusit. Ata që këmbëngulin që të hyjnë nga “dera kryesore”, duke shmangur kështu gjobitjen, në Kapshticë janë revoltuar ditën e diel, duke bllokuar kamionët me mallra që të hyjnë në Shqipëri, në shenjë proteste për bllokimin e tyre në tokën neutrale. Të dielën në këtë pikë kalimi kufitar numri i tyre ishte rreth 50 vetë, mes të cilëve edhe gra, pleq e fëmijë.
Numri i atyre personave që mbeten të bllokuar në zonën neutrale ndryshon nga dita në ditë. Një pjesë e mirë e atyre që janë me leje qëndrimi në Greqi rikthehen sërish mbrapsht, ndërsa ata me pasaporta mbeten të zënë në kurth në tokën e askujt dhe pas orësh e deri ditësh pritjeje hyjnë ilegalisht nga kufiri i gjelbër.
Për këto arsye askush nuk mund të japë një shifër të saktë se sa shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në kufi, përveç autoriteteve greke, që në të gjitha rastet kanë regjistruar vulën e daljes. Nga pala shqiptare refuzohet komenti mbi këtë çështje dhe të vetmet deklarata janë reagimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Ministrisë së Brendshme, ku e para kujton se është në fuqi urdhri për mbylljen totale të kufijve dhe e dyta thotë se askush nuk do të lejohet që të shkelë këtë urdhër.
Gazetarët dhe mediat nuk lejohen nga autoritetet shqiptare që t’i afrohen zonës neutrale dhe i vetmi burim informacioni mbeten vetë emigrantët e bllokuar që postojnë foto dhe video përmes rrjeteve sociale në përpjekje për të ngritur zërin për shqetësimin e tyre.
Kriza me të cilën po kalojnë njerëzit në tokë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri nuk e ka ndaluar Elon Musk që të vazhdojë të shohë nga qielli.
Kompania e tij, Space X lëshoi në hapësirën dërgesën e radhës me satelitë, që miliarderi amerikan thotë se janë pjesë e projektit gjigant “Lidhja e Yjeve” (Starlink), që do të përmirësojë ndjeshëm si mbulimin me internet të globit, ashtu edhe cilësinë e shpejtësinë e internetit.
Këtë radhë bëhej fjalë për rreth 400 satelitë që u hodhën në orbitë duke shfrytëzuar anijen hapësinore “Falcon 9” e cila u ngrit nga Cape Canaveral Air Force Station në Florida. Një pjesë e tyre u pa me sy të lirë edhe nga Tirana, si në videon e mëposhtme.
Kjo është dërgesa më e madhe e hedhur ndonjëherë në hapësirë si pjesë e këtij projekti, që Elon Musk synon që të zgjerohet me 12 mijë satelitë dhe mundësinë që ky numër të shkojë në 42 mijë të tillë.
Musk është i bindur se në përfundim të projektit nuk do të ketë cep të globit pa akses në internet, ndërkohë që kritikuesit e programit e qortojnë duke deklaruar se numri i lartë i satelitëve mund të ndikojë në destabilizimin e klimës në Tokë.
Qindra qytetarë iu përgjigjen thirrjes së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe të opozitës dhe dolën në protestë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në të njëjtin vend ku janë organizuar edhe dy protestat e mëparshme.
Në këtë protestë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatri ka dalë me një peticion me dy kërkesa.
“Së pari, të ndërtojmë teatrin aty ku ishte, ashtu siç ishte dhe së dyti kërkojmë nga drejtësia të zbardhë sulmin terrorist që u krye mbi artistët dhe qytetarët dhe intelektualët. Kemi pamjet si tërhiqen zvarrë intelektualët, sepse donin të mbronin kulturën dhe dinjitetin”, deklaroi gjatë fjalës para të pranishmëve, regjisori Robert Budina.
Budina lexoi edhe një deklaratë të AMT-së ku përsëritet se shembja e teatrit është shembje e themeleve të demokracisë dhe një akt i mirëfilltë terrorist.
“Teatri Kombëtar u sulmua me një akt të mirëfilltë terrorist, me njërëz të armatosur dhe me mjete të rënda goditën ndërtesën me qytetarë brenda në godinë. Është rastësi që sot nuk kemi viktima nga ky akt terrorist. Pas kësaj ngjarjeje qytetarët vërshuan në rrugë për të ndaluar këtë masakër ndaj kulturës, pronës publike dhe të drejtave të njeriut dhe u përballën me dhunën joproporcionale të policisë”, thuhet në deklaratë.
AMT ka dorëzuar dy padi në SPAK kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe zyrtarëve të tjerë të pushtetit vendor, por pak besim ka tek drejtësia e re.
“Këtu drejtësia ka marrë fund! Kontrata me shtetin është thyer! Qytetarët në mëshirë të fatit, në gjendje natyrore primitive ku forca është i vetmi mjet veprimi dhe komunikimi. Pse mbërritëm deri këtu? Sepse kanë rënë institucionet! Tani fjalën e keni ju, e ka sheshi. Nëse nuk ka një reagim të shpejtë nga drejtësia e re, qytetarët legjitimohen të mbrojnë veten dhe pasuritë e tyre me të gjitha format”, vijon deklarata.
AMT ka depozituar dy kallëzime në SPAK, ku akuzohen institucione dhe drejtues në nivel qendror e vendor për shpërdorim detyre dhe deri “vrasje e mbetur në tentativë”, pasi në momentin e nisjes së shembjes së godinës së teatrit, brenda saj kishte ende protestues.
“Akuzojmë drejtpërdrejtë, Kryeministrin Edi Rama, kryebashkiakun, nënkryetarin e bashkisë, ministren e Kulturës, drejtorin e TK, drejtorët e bashkisë, këshilltarët, të gjithë titullarët që me veprimet dhe mosveprimet e tyre prodhuan ngjarjen kriminale të 17 majit”, thonë artistët.
Shqipëria, thotë AMT, është futur në një spirale dhune dhe paligjshmërie që mund të degjenerojë në përplasje civile. Si hap të parë për të qetësuar situatën, artistët kërkojnë ndalimin e të gjitha punimeve në truallin e Teatrit Kombëtar.
Grupi i artistëve dhe i aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë mirëpritur mbështetjen e ofruar nga partitë opozitare, por gjatë protestës së të hënës nuk pranuan asnjë emër që nuk kishte lidhje me teatrin që të ngjitej në podium.
Megjithatë, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi në deklaratat e dhëna për mediat kanë përsëritur mbështetjen për protestat e AMT-së. Basha e cilëson shembjen e teatrit si tejkalim i vijës së kuqe dhe shpallja e aktit të luftës nga ana e Edi Ramës. Ai akuzon Ramën dhe Veliaj se janë peng i pazareve të pista me krimin.
Ndërkohë, pak orë para protestës së radhës, Presidenti Ilir Meta përmes postimi në mbrojtje të protestave pas prishjes së Teatrit Kombëtar thotë se të gjithë duhet të jemi të bashkuar deri në fund për të mbrojtur Kushtetutën.
“Kjo dhunë ka vetëm një emër dhe një adresë! Kush hesht dhe nuk guxon ta dënojë është bashkëfajtor dhe nxitës i saj! Kurajë qytetare dhe solidaritet! Demokracia nuk dhurohet, por mbrohet dhe fitohet! Të bashkuar deri në fund, me dashuri për Shqipërinë europiane”, tha Meta.
Më herët, gjatë ditës gjykata liroi protestuesit e ndaluar gjatë protestës së të hënës, mes të cilëve edhe drejtuesin e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Boiken Abazi.
Presidenti Ilir Meta doli para gazetarëve jo vetëm për të mbajtur fjalën se dhënë javën e kaluar se do të vendoste një komunikim periodik javor me publikun, por edhe për të prodhuar lajmin se do të firmosë në rastin e parë që do të shohë se i jepet mundësia nga Kodi i ri Zgjedhor dhe Kushtetuta për të caktuar datën e re të zgjedhjeve të përgjithshme, pa u konsultuar me partitë politike.
“Në çdo rast si me konsensus, apo edhe në mënyrë të njëanshme (miratimi i Kodit Zgjedhor), që nuk do të ishte habi, si President do të bëj të qartë që në hapësirën kohore që Kodi do të më lejojë do të shpall ditën e ardhshme të zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri dhe nuk do të bëj konsultime me asnjë forcë politike, sepse jam i sigurt që të gjithë në Shqipëri mezi presin një Parlament legjitim, ose sadopak më legjitim se Parlamenti aktual. Nëse Kodi nuk miratohet me konsensus, e them që janë zero shanse çeljesh negociatash të Shqipërisë me BE, jo deri në zgjedhjet që vijnë, por edhe pas zgjedhjeve që vijnë”, deklaroi Meta.
Komisioni për Sigurinë Kombëtare në Parlament nisi diskutimet nen për nen të ligjit “Për Policinë e Burgjeve”, ku njëra prej pikave që u diskutua ishte edhe depolitizimi i kësaj policie.
Në projektligjin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë, neni 22 që ka të bëjë me të drejtat politike të punonjësve të Policisë së Burgjeve përcakton se kjo strukturë është e depolitizuar dhe në pikën dy, po të këtij neni thuhet se punonjësi i policisë së burgjeve nuk duhet të shprehë publikusht bindjet dhe preferencat politike.
Pika dy është kundërshtuar nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, që gjatë procesit të konsultimeve publike ka kërkuar heqjen e saj, duke deklaruar krijonte premisa diskriminimi të të drejtave të njeriut.
Por, Komisioni i Sigurisë e rrëzoi këtë kërkesë dhe la në fuqi detyrimin që punonjësit e Policisë së Burgjeve nuk mund të jenë anëtarë të partive politike. Ndërkohë, vërejtje për këtë nen ka pasur edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, por për pikën tre të nenit 22.
Në variantin e dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë në Kuvend thuhej se “punonjësi i Policisë së Burgjeve nuk duhet të shprehë publikisht bindjet, apo preferencat e tij politike, përveçse në rastet që nuk lidhen me kohën dhe ushtrimin e funksioneve publike”.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkoi qartësimin e togfjalëshit “që nuk lidhen me kohën”. Komisioni i Sigurisë e mori parasysh këtë vërejtje duke e hequr fare këtë togfjalësh nga parashikimi i pikës tre të nenit 22.
Në Bibliotekën Digjitale të Gjermanisë Ambasada gjermane në Tiranë ka publikuar fotot dhe videot nga mësymja në territorin e saj 3 dekada më parë.
Fotot shpjegojnë në mënyrë kronologjike, që nga momenti kur një grup i vogël njerëzish u grumbulluan para portës me kangjella të Ambasadës, momentin kur çahet muri dhe një grup prej 63 personash hyjnë brenda në Ambasadë, e deri tek rritja e numrit deri në 3200 shqiptarë që kërkonin shpëtim dhe momenti kur mësojnë se do të lejoheshin të udhëtonin me autobusë në drejtim të Portit të Durrësit, për t’u nisur më pas për në vendet e Bashkimit Europian.
Në këtë kolazh shihen vështirësitë që kanë kaluar refugjatët për 10 ditë me radhë, duke qëndruar në ambiente të ngushta, ujë dhe bukë me orar dhe kushte higjiene të vështira.
Fotogaleri tregon edhe xhipat dhe automjetet e Sigurimit të Shtetit, që vazhdimisht u bëri thirrje qytetarëve që kishin kërkuar shpëtim në Ambasadën Gjermane, që të dilnin prej andej dhe të përballeshin me akuzat e ngritura nga regjimi.
Në fund, edhe me ndërhyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ata që fituan ishin refugjatët. Regjimi ra dakord që të organizonte dhe lejonte transportin e tyre në drejtim të Portit të Durrësit. Nisjet u bënë me autobusë gjatë orëve të natës së 12 korrikut.
Donald Trump, apo Joe Biden? Pyetja se cili do të jetë Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka marrë ende një përgjigje dhe sa më shumë kohë të kërkojë, aq më fort përforcohen tre skenarë.
I pari është se procesi mund të zgjasë për ditë me radhë. Sipas BBC, ky duket edhe skenari me më shumë gjasa, teksa beteja është zhvendosur tek votat postare, që mbeten ende për t’u numëruar në shtetet kyçe si Miçigani, Uiskonsin dhe Pensilvania.
Në lojë mund të futet Gjykata Supreme. Donald Trump kërcënoi se do të sfidojë në këtë gjykatë rezultatin dhe procesin e numërimit nëse nuk fiton zgjedhjet. Kjo do të thotë se amerikanët mund të presion me javë të tëra për të mësuar Presidentin e ri të tyre.
Pasiguria mund të shkaktojë revolta. Sinjalet e para janë dhënë për një pasiguri mes amerikanëve, për shkak të përçarjes së thellë që karakterizoi fushatën dhe tashmë po karakterizon edhe procesin e numërimit, ku Donald Trump bëhet i pari President në historinë moderne të SHBA që flet për “manipulim votash”. Pra, pasiguria ekziston, por është ende herët për të folur për revolta dhe trazira.
Demokratët akuzojnë Trump: Autoritar dhe i rrezikshëm
Deklaratat e pabazuara ende në rezultat të Donald Trump, ku ai shprehet se ‘sinqerisht, i ka fituar zgjedhjet’, shkaktuan reagim të fortë në radhët e demokratëve.
Kongresistja, Alexandria Ocasio-Cortez, që parashikohet të rizgjidhet në Nju Jork dënoi këto deklarata duke i cilësuar si “jolegjitime, të rrezikshme dhe autoritare”. “Numëroni votat! Respektoni rezultatin”, shkroi ajo.
Përfaqësuesja e Minesotas, Ilhan Omar e quajti Trump një “njeri të rrezikshëm”. “S’mund të ndalosh numërimin e votave! Këtu nuk jemi në diktaturë”, tha ajo.
Amy Klobuchar, senatore demokrate po nga shteti i Minesotas ishte më e moderuar në reagimin e saj. “Të gjitha votat duhen numëruar. Jemi në demokraci”, tha ajo.
Deklaratat e fitores së Trump, kur janë për t’u numëruar ende edhe miliona vota kanë vënë në siklet edhe vetë republikanët.
Ish-guvernatori i Nju Xhersit dhe këshilltari i Trump, Chris Christie e quajti fjalimin e Presidentit si të gabuar, qoftë si hap strategjik në garën me Biden, qoftë nga kostumi presidencial.
“Ishte një vendim strategjik i gabuar! Një vendim politik po aq i gabuar”, tha ai në një intervistë për televizionin amerikan, ABC News.
Ish-senatori republikan i Pensilvanisë, Rick Santorum tha se ishte në siklet nga komentet e Trump. “Përdorimi i fjalës manipulim, mendoj se është i gabuar”, tha ai për CNN.
Pasiguria që ushqen rezultati i ngushtë dhe gara e fortë ka nxjerrë mbështetësit e dy palëve në rrugë, me raportime për protesta në Los Anxheles, Karolinën e Jugut, Portland, Oregon dhe në Nju Jork.
(Video)
Mijëra dyqane në qytetet amerikane ulën qepenat dhe përforcuan dyert mbrojtëse nga frika e trazirave.
Socialistët miratuan në Komisionin e Ligjeve ndryshimin e kontratës që zgjat me 13 vjet koncesionin e Aeroportit të Rinasit, pas blerjes së këtij të fundit nga ana e kompanisë “Kastrati”.
Pyetjes së deputetëve të Komisionit të Ligjeve se përse ky ndryshim kontrate me zgjatjen e afatit të saj bëhet në këtë periudhë, ministrja e Infrastrukturës dhe Transportit, Belinda Balluku iu përgjigj duke thënë se nuk bëhej fjalë për favorizimin e një kompanie, por se tani ishte krijuar mundësia ligjore për të ndërhyrë.
Zgjatjen e koncesionit, ministrja e justifikoi edhe me pandeminë, që sipas saj ka zhytur këtë sektor në krizë që do të ketë ndikim deri në 10 vitet e ardhshme.
“Shtyrja është mirëanalizuar, si nga ana financiare, ashtu edhe nga ana juridike, duke marrë parasysh edhe pandeminë, e cila ka futur në ngrirje, apo në negativitet të plotë financiar këtë industri për minimalisht për 7-10 vitet e ardhshme”, tha Balluku.
Sipas Ballukut, shteti shqiptar ka forcuar pozitat nga ana ligjore në këtë koncesion, duke përcaktuar se investimi i kompanisë private do të jetë rreth 100 mln euro.
“Përveç të mirave ekonomike që do të kenë qytetarët, në këtë koncesion kemi edhe investimin fillestar, pasi ishte një koncesion që investimi fillestar nuk ishte shprehur kurrë. Kemi pasur një kontratë që nuk thoshte se sa ishte investimi i koncesionarit”, tha Balluku.
Ministrja zbuloi gjatë fjalës së saj para Komisionit të Ligjeve se kompania “Kastrati” ka shfaqur interes për blerjen e këtij koncesioni, duke kërkuar edhe pasqyrat financiare të një auditimi që iu krye këtij koncesioni gjatë periudhës kur zotërohej nga kompania kineze “Everbright”.
Sipas Ballukut, “Kastrati” është zotuar që të kryejë të gjitha investimet që refuzoheshin nga kinezët me arsyetime ligjore dhe kostot financiare,
Gjatë një interviste televizive mbrëmjen e së enjtes, Presidenti Ilir Meta u pyet në lidhje me çmimin e dhënë nga Departamenti i Shtetit për ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
DASh e vlerësoin Dvoranin me titullin “Kampion i luftës kundër Korrupsionit”.
Presidenti tha se ky vlerësim për ish-kreun e KED nuk i ndryshon mendimin, që për të, Dvorani duhej të ishte në burg.
Meta nënkuptoi se ky titull është blerë nga Edi Rama.
Po në këtë intervistë, Meta shtjelloi edhe se çfarë nënkupton me togfjalëshin “mafie ndërkombëtare”, që thotë se ka kapur vendin.
Disa orë pas këtyre deklaratave të Presidentit, përfaqësitë kryesore ndërkombëtare në Tiranë, që këto ditë janë përqëndruar më fort tek fushata zgjedhore dhe mesazhet për një proces të paqtë, të rregullet e të ndershëm, iu rikthyen temës së reformës në drejtësi.
Ambasada e SHBA përshëndeti procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të BKH-së, ndërsa Ambasasdorja Yuri Kim tha se reforma në drejtësi nuk mund të ndalet nga “djemtë e këqinj”.
“SPAK po heton më shumë, po sekuestron më shumë asete dhe po vendos kriminelë më shumë pas hekurave. Gjykata Kushtetuese është funksionale, Gjykata e Lartë ka nisur shqyrtimin e dosjeve, vettingu vazhdon. Inspektorët e BKH-së po trajnohen! Reforma nuk është e lehtë, e shpejtë dhe as perfekte, por po ecën përpara, pavarësisht se djemtë e këqinj nuk e duan”, shkruan Kim.
Edhe Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca përshëndeti përzgjedhjen e anëtarëve të parë të BKH-së.
“Mirëpresim përfundimin e procesit të verifikimit për kandidatët e parë si hetues në BKH. Ata do të nisin trajnimet e specializuara. Me rëndësi hapja e një thirrjeje të dytë. BE vazhdon të mbështesë SPAK”, thuhet në mesazhin e Soreca-s.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kërkoi që Komisioni i Ekonomisë të thërrasë për dëgjesë brenda kalendarit të punimeve 3-javore Autoritetin e Konkurrencës për të shpjeguar rritjen e çmimit të bukës, si dhe rritjen e çmimeve në përgjithësi, sipas saj.
“Besoj që kemi çështje të ndjeshme për të diskutuar dhe besoj kam mbështetjen edhe të kolegëve socialistë përveç të PD për të thirrur Autoritetin e Konkurrencës për rritjen e çmimit të miellit dhe bukës brenda një dite, marrja e një nisme për një hetim në treg pa dalë në një konkluzion dhe raport nga Autoriteti i Konkurencës dhe situata e krijuar në përgjithësi me rritjen e çmimeve na detyron që të jemi të përgjëgjshëm dhe Autoriteti i Konkurrencës të në bëjë një prezantim pse u rrit mielli brenda ditës, të na japë një prezantim mbi situatën e përgithshme të rritjes së çmimeve”, tha Tabaku.
Sipas deputetës së Partisë Demokratike, rritja e çmimit të miellit dhe të bukës nuk varet nga faktorë të jashtëm, ashtu sikundër kanë deklaruar importuesit dhe shoqatat e prodhimit të bukës.
“Kjo është një situatë që nuk varet nga faktorë të jashtëm, por që varet nga faktorë të brendshëm, prandaj brenda këtyre tre javëve të thërrasim Autoritetin e Konkurrencës dhe të hetojmë se çfarë ka ndodhur në treg dhe të jepen sugjerime nëse do të jetë e nevojshme”, u shpreh deputetja e PD.
Kjo ishte mbledhja e parë e Komisionit të Ekonomisë dhe i vetmi komision ku puna vijoi normalisht, me deputetët e opozitës në sallë dhe ata të mazhorancës online. Kreu i Komisionit të Ekonomisë nënkuptoi se kërkesa e Tabakut për të futur në programin trejavor raportimin e Konkurrencës nuk do të pranohet.
“Ka një procedurë sa u takon kërkesave për punimet dhe rendin e ditës që çdo deputet mund ta ndjekë”, u shpreh ai.