Up next

Peticioni: Teatri ku ishte, siç ishte! Institucionet kanë rënë, fjalën e ka sheshi!

10 Shikime· 05/20/20
Gazeta Si
Gazeta Si
1 Subscribers
1
In Lajme

Qindra qytetarë iu përgjigjen thirrjes së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe të opozitës dhe dolën në protestë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në të njëjtin vend ku janë organizuar edhe dy protestat e mëparshme.

Në këtë protestë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatri ka dalë me një peticion me dy kërkesa.

“Së pari, të ndërtojmë teatrin aty ku ishte, ashtu siç ishte dhe së dyti kërkojmë nga drejtësia të zbardhë sulmin terrorist që u krye mbi artistët dhe qytetarët dhe intelektualët. Kemi pamjet si tërhiqen zvarrë intelektualët, sepse donin të mbronin kulturën dhe dinjitetin”, deklaroi gjatë fjalës para të pranishmëve, regjisori Robert Budina.

Budina lexoi edhe një deklaratë të AMT-së ku përsëritet se shembja e teatrit është shembje e themeleve të demokracisë dhe një akt i mirëfilltë terrorist.

“Teatri Kombëtar u sulmua me një akt të mirëfilltë terrorist, me njërëz të armatosur dhe me mjete të rënda goditën ndërtesën me qytetarë brenda në godinë. Është rastësi që sot nuk kemi viktima nga ky akt terrorist. Pas kësaj ngjarjeje qytetarët vërshuan në rrugë për të ndaluar këtë masakër ndaj kulturës, pronës publike dhe të drejtave të njeriut dhe u përballën me dhunën joproporcionale të policisë”, thuhet në deklaratë.

AMT ka dorëzuar dy padi në SPAK kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe zyrtarëve të tjerë të pushtetit vendor, por pak besim ka tek drejtësia e re.

“Këtu drejtësia ka marrë fund! Kontrata me shtetin është thyer! Qytetarët në mëshirë të fatit, në gjendje natyrore primitive ku forca është i vetmi mjet veprimi dhe komunikimi. Pse mbërritëm deri këtu? Sepse kanë rënë institucionet! Tani fjalën e keni ju, e ka sheshi. Nëse nuk ka një reagim të shpejtë nga drejtësia e re, qytetarët legjitimohen të mbrojnë veten dhe pasuritë e tyre me të gjitha format”, vijon deklarata.

AMT ka depozituar dy kallëzime në SPAK, ku akuzohen institucione dhe drejtues në nivel qendror e vendor për shpërdorim detyre dhe deri “vrasje e mbetur në tentativë”, pasi në momentin e nisjes së shembjes së godinës së teatrit, brenda saj kishte ende protestues.

“Akuzojmë drejtpërdrejtë, Kryeministrin Edi Rama, kryebashkiakun, nënkryetarin e bashkisë, ministren e Kulturës, drejtorin e TK, drejtorët e bashkisë, këshilltarët, të gjithë titullarët që me veprimet dhe mosveprimet e tyre prodhuan ngjarjen kriminale të 17 majit”, thonë artistët.

Shqipëria, thotë AMT, është futur në një spirale dhune dhe paligjshmërie që mund të degjenerojë në përplasje civile. Si hap të parë për të qetësuar situatën, artistët kërkojnë ndalimin e të gjitha punimeve në truallin e Teatrit Kombëtar.

Grupi i artistëve dhe i aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë mirëpritur mbështetjen e ofruar nga partitë opozitare, por gjatë protestës së të hënës nuk pranuan asnjë emër që nuk kishte lidhje me teatrin që të ngjitej në podium.

Megjithatë, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi në deklaratat e dhëna për mediat kanë përsëritur mbështetjen për protestat e AMT-së. Basha e cilëson shembjen e teatrit si tejkalim i vijës së kuqe dhe shpallja e aktit të luftës nga ana e Edi Ramës. Ai akuzon Ramën dhe Veliaj se janë peng i pazareve të pista me krimin.

Ndërkohë, pak orë para protestës së radhës, Presidenti Ilir Meta përmes postimi në mbrojtje të protestave pas prishjes së Teatrit Kombëtar thotë se të gjithë duhet të jemi të bashkuar deri në fund për të mbrojtur Kushtetutën.

“Kjo dhunë ka vetëm një emër dhe një adresë! Kush hesht dhe nuk guxon ta dënojë është bashkëfajtor dhe nxitës i saj! Kurajë qytetare dhe solidaritet! Demokracia nuk dhurohet, por mbrohet dhe fitohet! Të bashkuar deri në fund, me dashuri për Shqipërinë europiane”, tha Meta.

Më herët, gjatë ditës gjykata liroi protestuesit e ndaluar gjatë protestës së të hënës, mes të cilëve edhe drejtuesin e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Boiken Abazi.

Më shumë

 0 Komente sort   Sort By


Up next