Videot kryesore
Më 11 prill të 1985 vdiq Enver Hoxha. Vdekja e diktatorit pasoi disa ditë zie kombëtare dhe vajtimet kolektive publike me hir dhe pahir zgjatën deri më 15 prill, ditë kur u varros. Sot, 34 vite më vonë ato ngjarje shihen si një ndër aktet e fundit të tragji-komedisë komuniste shqiptare.
Nën drejtimin e trajnerit, Edi Reja, kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur këtë të mërkurë punën përgatitore për dy ndeshjet e radhës eliminatore të kampionatit europian. Për sfidat me Islandën dhe Moldavinë, ekipi kuqezi e ka nisur punën shumë shpejt. Si rrallë herë më parë, nga tekniku Reja janë thirrur një grup lojtarësh të përzgjedhur nga grupi i ekipit A, që kanë mbyllur kampionatet e tyre dhe lojtarë nga ekipi “Shpresa” që në një të ardhme të afërt mund t’i bashkohen kombëtares.
Partia Demokratike mendon se çështja e pronave në Shqipëri është përkeqësuar qëllimisht nga qeverisja e Edi Ramës. Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi njohën me qëndrimin e opozitës ekspertët e Komisionit të Venecias që mbërritën në Tiranë për të dhënë një mendim mbi ligjin e ri të pronave.
“Shpjeguam me detaje se çfarë ka ndodhur nga 2013 e këtej, duke nisur që me ligjin antikushtetues të kthimit të pronave, që nuk njeh pronarin si pronar të tokës së tij, duke vazhduar me një grup tjetër ligjesh që lidhen me investitorët strategjike dhe ligjin e koorporatës së investimeve, që janë ligje qartazi që bien ndesh me të drejtën e pronarëve, që marrin tokë private dhe publike dhe e lënë këtë në dorë të Edi Ramës për ta shpërndarë. Duke vazhduar me ligjin e kadastrës, ligje që lidhen me të drejtën e Këshillit Bashkiak që ka patur të drejtën për të marrë vendime mbi çështjen e pronave me shumicë të cilësuar prej dy të tretave, që është hequr javën e fundit”, deklaroi Jorida Tabaku para gazetarëve.
Ish-deputetja demokrate tha ligjet po krijojnë norma të pashembullta jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e rajonit dhe kujtoi se çështja e pronave është pjesë e kritereve të vendosura nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Oerd Bylykbashi nga ana tjetër tha se pas të gjitha lëvizjeve, nismave, vendimeve dhe ligjeve të mazhorancës fshihen interesat e oligarkëve.
“Me rëndësi që të shpjegojmë themelin e gjithë mekanizmit djallëzor që ka futur Rama në raport me të drejtën e pronarëve. Qeveria nuk kthen më prona, nuk kompenson dhe ka vënë një mekanizëm që ka rishpronësuar pronarët. I gjithë ky proces që bllokoi kthimin e pronave dhe vë në pikëpyetje titujt e pronësisë që u janë dhënë pronarëve, ka një qëllim të vetëm që përmes këtyre mekanizmave dhe koorporatës së investimeve dhe ligjit për investime strategjike ta marrë këtë pronë dhe t’ja japë oligarkëve për të zhvilluar ata interesat e tyre të biznesit sikur kjo të jetë interes publik”, tha ai.
Bylykbashi shpjegoi se në shërbim të këtij mekanizmi është eleminuar edhe Gjykata Kushtetuese dhe gjithë sistemi i drejtësisë.
“Fikja dhe eleminimi i Gjykatës Kushtetuese, bllokimi i drejtësisë për të vënë në vend të drejtat e pronarëve, është i qëllimshëm në kuadër të këtij mekanizmi, që pronarët të mos kenë mundësi të ankohen në gjykata kundër këtyre ligjeve”, deklaroi ai.
PD zotohet se me të ardhur në pushtet do të shfuqizojë këto ligje dhe do të ndërmarrë nisma ligjore, sipas saj, për të riparuar dëmet e shkaktuara në këto gjashtë vite çështjes së pronës dhe pronarëve.
Bebe Rexha, këngëtarja shqiptare me famë botërore do të ndërpresë turin me “Jonas Brothers” për t’u ardhur në ndihmë viktimave të tërmetit që goditi Shqipërinë ditën e martë.
Vetë këngëtarja e ka bërë publike këtë lajm përmes një video-mesazhi të shkurtër në llogarinë e saj në Instagram.
“Unë jam shqiptare dhe vendosa që të hap një llogari “gofundme” për të ndihmuar familjet në nevojë. Do të largohem nga turneu dhe personalisht do të fluturoj për në Shqipëri që të ndihmojë njerëzit me ushqime, ujë dhe t’i ndihmoj në rindërtimin e banesave. Do të sigurohem personalisht që paratë të përdoren ashtu siç duhet. Çdo qindarkë mund të ndihmojë!”, thotë këngëtarja shqiptare.
Për ndihmat, Bebe Rexha ka publikuar linkun https://www.gofundme.com/f/aft....er-the-earthquake-he ku deri më tani janë mbledhur mbi 30 mijë dollarë. 10 mijë dollarë janë kontribut i vetë Bebe Rexhës.
Në përfundim të takimit me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se kishte biseduar me të për vendosmërinë e opozitës për të dhënë ndihmën e saj në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri sipas 9 kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman dhe zgjedhjeve të parakohshme.
“Përmes reformës zgjedhore dhe zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe të ndershme për të rikthyer legjitimitetin kaq shumë të munguar, që ka lënë pasoja të mëdha në shkatërrimin e kapaciteteve shtetërore për të mirëqeverisur apo edhe për t’iu përgjigjur fatkeqësive natyrore sikurse ishte 26 nëntori”, deklaroi Basha.
Kreu i PD-së tha se tragjedia nxorri në pah se sa i papërgatitur është shteti shqiptar për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga tragjedia, edhe sot e kësaj dite.
“Larg qoftë sikur diçka e tillë të përsëritej, prapë edhe sot jemi të papërgatitur dhe prapë të njëjtat dëme do të kishim dhe prapë në të njëjtën situatë do të ishim. Ky është një rrezik që nuk mund të pranohet. Ndaj, për këtë kam kërkuar dhe dua të insistoj që të kalohet nga fjalët, shfaqjet dhe sjelljet e papranueshme, intimiduese ndaj medias, ndaj gazetarëve, ndaj analistëve, ndaj qytetarëve, duket se janë një produkt me tepricë dhe totalisht i panevojshëm, në këtë kohë krize, të kalohet urgjentisht në veprat të cilat janë detyrë e qeverisë”, tha Basha.
Kryedemokrati përsëriti propozimet e opozitës për daljen nga kriza, mes të cilave edhe anulimi i 10 koncesioneve me vlerë 150 milionë euro. Për anulimin e tyre, Basha tha se Rama mund të përdorë ligjin për emergjencat civile.
Basha ritheksoi qëndrimin e tij se ftesa e Ramës për t’u ulur në një tryezë për situatën aktuale jo vetëm që nuk është e dobishme, por edhe kundërproduktive.
“Dialogu politik për reformën zgjedhore, zhbllokimi i dialogut politik për reformën zgjedhore sipas propozimit të shtatorit. Reforma zgjedhore dhe vullneti i qytetarëve përcaktojnë cilësinë e demokracisë, jo fotot dhe shfaqjet midis kryetarit të qeverisë dhe kryetarit të opozitës”, tha kreu i opozitës.
Policia e Shtetit pritet që këtë vit t’i nënshtrohet një riorganizimi që do të prekë shumë sektorë. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj sinjalizoi se do të ketë ndryshime strukturore më të rëndësishme sesa vitin e kaluar.
Ndryshimet parashikojnë ngritjen e katër njësive të reja të specializuara për katër fusha të ndryshme.
Njësia e parë, do të jetë “Njësia E”. Detyra kryesore e kësaj njësie do të jetë hetimi i krimit ekonomik. Për veçoritë e këtij krimi synohet që si pjesë e kësaj njësie të rekrutohen njerëz të specializuar e trajnuar që janë aktualisht në radhët e Policisë së Shtetit, por edhe të tjerë.
Njësia e dytë do të jetë “Njësia I”. Kjo njësi do të ketë rolin e një “shërbimi informativ” brenda radhës së Policisë së Shtetit. Ministri Lleshaj thotë se këtu kërkohet një ndryshim thelbësor, që rrjetet e informacionit të kthehen në rrjete profesionale.
Njësia e tretë është parashikuar “Njësia C”. Kjo njësi do të ketë për detyrë hetimin e krimit kibernetik. Lleshaj e cilëson të pamundur dhe të panevojshme që çdo drejtori vendore policie të jetë e pajisur me ekspertë kundër kësaj forme paligjshmërie, ndaj propozon ngritjen e një strukture qendrore të specializuar.
Njësia e katërt është “Njësia K”. Detyra e kësaj njësie do të jetë kapja e personave në kërkim, me prioritet emrat që vlerësohen me rrezikshmëri të lartë dhe që ndodhen edhe në listat e personave të shumëkërkuar të vendeve partnere. “Kjo njësi është prapë një strukturë e specializuar, e cila është një strukturë gjahtarësh që do të ketë detyrë kapjen e personave të listës prioritare”, deklaroi Lleshaj.
Në këtë takim u shpalosën edhe dy prioritetet e punës së Policisë së Shtetit për 2020. I pari lidhet me krimin e organizuar.
“Personat, që janë dënuar për veprimtari në fushën e krimit rë organizuar, të krimeve të rënda, të korrupsionit etj., pra janë disa nene të Kodit Penal, nëqoftëse janë dënuar për këto vepra, brenda apo jashtë shtetit, që janë hetuar apo janë proceduar për këto vepra, nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit, Policia ka detyrën t’i shkojë dhe t’i trokasë në derë, t’i thotë: - ti ke bërë 10 vjet (burg) për trafik droge? Po. Ke dhe këtë hotelin këtu. Tani, hoteli sekuestrohet, i vihet shiriti dhe ti shkon në gjykatë dhe provoje që është i yti”, deklaroi Lleshaj.
Prioriteti i dytë lidhet me sigurinë rrugore. Ministri i Brendshëm paralajmëroi ndërhyrje në Kodin Rrugor për ashpërsimin e masave.
“Siguria rrugore na vret më shumë njerëz se sa krimi i organizuar. Jo më shumë, por 5 herë më shumë. Çfarë do të bëjmë? Do të ndryshojmë Kodin Rrugor, do të ashpërsojmë masat, do të ashpërsojmë kontrollet, do të modernizojmë kontrollet, do të luftojmë fort për integritetin e punonjësve. Pra do të punojmë në të gjitha drejtimet, do të punojmë shumë për edukimin e qytetarëve nëpërmjet medias, përmes shkollës, përmes aktiviteteve të tjera”, deklaroi ministri Lleshaj.
Njoftimin e ngritjes së këtyre njësive dhe të shpalosjes së prioriteteve për 2020, ministri i Brendshëm e bëri gjatë analizës vjetore me drejtuesit e 12 drejtorive të policisë nëpër qarqe. Në krah të Lleshajt, në këtë takim ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, për të cilin në korridoret e Ministrisë së Brendshem janë shtuar zërat që flasin për një largim të tij.
Mësimi nga shtëpia ka nisur. Në video shfaqet një nxënëse e kalsës së tretë që studion në në shkollën EFIT - Ecole Française International de Tirana duke zhvilluar mësimin në shtëpi përmes skype.
Procesi i numërimit të votave në Kosovë po shkon drejt fundit. Sipas tabelave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kur janë numëruar mbi 98 për qind e tyre, Vetëvendosje kryeson me 48.17 për qind e tyre, ndjekur më pas me radhë nga PDK, LDK dhe AAK.
Aktualisht janë duke u numëruar votat me postë dhe votat me kusht. Pas Vetëvendosjes PDK ka marrë 17.3 për qind dhe LDK 13.1 për qind. E treta renditet AAK me 7.4 për qind.
Nisma e Fatmir Limajt nuk e ka kapur pragun prej 3 për qind për të hyrë në Kuvend. Të gjitha partitë politike e uruan Vetëvendosjen për fitoren, ndërsa procesi është vlerësuar si shembullor nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
“Ky referendum për drejtësi, punë dhe kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit, u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, tha Kurti në një konferencë për media të dielën mbrëma.
Ai u zotua se qeveria e tij nuk do të hakmerret me askënd, por do të kërkojë llogaridhënie. Lideri i LVV-së tha se fitorja “është vetëm mundësia për të filluar ndryshimin që e duam. Na presin shumë punë dhe shumë angazhim sepse vendi është në kriza të shumëfishta”.
Kurti falënderoi kundërshtarët për garën e drejtë dhe i ftoi që të reformohen. I pyetur për mundësinë e koalicioneve, sipas tij, rezultati zgjedhor sugjeron se ata mund të krijojnë vetë qeverinë.
“Ky rezultat tani ne na e konfirmon se nuk kemi nevojë, e nuk kemi interes për ata që duhet të reformohen në opozitë”, theksoi Kurti.
Ndërkaq, Vjosa Osmani, që garon për postin e Presidentes tha se fitorja në zgjedhje nënkupton punën në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe në punën për luftimin e korrupsionit.
“Misioni ynë mbetet fuqizimi i shtetësisë sonë dhe rrugëtimi drejt anëtarësimit në strukturat atlantike si dhe miqësia jonë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani.
Partia Demokratike e Kosovës, që ka dalë e dyta dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që është e treta, kanë deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë. Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që sipas rezultateve preliminare radhitet e treta, ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, sa i përket koalicioneve të mundshme qeverisëse.
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, tha nga ana tjeter se Kosova ka përmbyllur një proces të rregullt zgjedhor. Sipas tij, kjo tregon për kulturën demokratike që është vendosur në procese zgjedhore, që siç thotë Hoti, është përmbushje e standardeve evropiane.
Ai thotë se pret që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përmbyllë sa më parë procesin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, që t'i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të vendit. Qeveria në detyrë, shtoi Hoti, do të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
“Rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kemi pritur. Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutojmë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë. Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha Hoti.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një postim në Facebook, ka shkruar se në ditët në vijim, do të bëjnë një analizë të thellë të zgjedhjeve.
“Z. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si kryeministër, por edhe gjatë fushatës. Çfarëdo të jetë, LDK e respekton rezultatin e zgjedhjeve”, ka shkruar Mustafa.
Partia Demokratike e Kosovës ka uruar nga ana tjetër Kurtin për fitoren, por paralajmëroi se nuk do të formonte një qeveri me Vetëvendosjen. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër ka bërë të ditur se partia e tij, nuk do të jetë pjesë e qeverisë.
“PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që kemi dallime të mëdha në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe në të cilat qëndron PDK-ja. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që do të jemi faktor i stabilitetit si parti në opozitë ”, tha Hoxhaj në një konferencë për media.
Në përpjekje për të mbrojtur Ilir Metajn nga fakti që ka firmosur me një mbiemër tjetër në Presidencë dhe poste të tjera shtetërore që ka mbajtur, deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili pa dashje nxorri edhe akuzën që mund të ngrihet ndaj ish-Presidentit.
Vasili u kthye 20 vite pas në kohë, për të sjellë si shembull ndryshimin e emrit të Kryeministrit Rama, që në 2002 e bëri nga Edvin në Edi.
“Kemi dekrete për emërimin e ish-ministrit të Kulturës, Edi Rama dhe të emërimit dhe zgjedhur si kryetar bashkie, ndërkohë që në 2002, Edi Rama ka ndërruar emrin nga Edvin Kristaq Rama në Edi Rama. I vetmi njeri që kemi në nivelet më të larta të politikës që kemi problem shumë të madh formal dhe ligjor, sepse është edhe objekt i legjislacionit të përvetësimit të postit shtetëror përmes mashtrimit me gjeneralitet. Është rasti më tipik, që kemi Edi Ramën dhe i provuar e zeza mbi të bardhë. Një njeri me një identitet krejt tjetër ka mbajtur poste shumë të rëndësishme. Këtu duhet kërkuar ky problem”, deklaroi Vasili.
Sipas këtij përkufizimi të dhënë nga Petrit Vasili, personi objekt hetimi për përvetësimin e postit shtetëror dënohet sipas nenit 246 të Kodit Penal.
Sipas parimit ligji është i barabartë për të gjithë, i njëjti nen, që Vasili thotë se përfshin Edi Ramën, përfshin edhe Ilir Metajn. Ky i fundit e pranon që mbiemrin e ka Metaj, por në dokumentet zyrtare që ka firmosur ndër vite, përfshirë këtu edhe gjatë kohës që drejtonte Presidencën, e ka bërë me mbiemrin Meta.
Dallimi është vetëm një shkronjë, por ligji nuk e ndan ndryshimin në ‘pak’ apo ‘shumë’. Për ligjin është njësoj, si në rastet kur ndryshimi i emrit e mbiemrit është vetëm me një shkronjë, si në rastet kur ndryshimi është i gjithë.
Nëse Ilir Metaj ka marrë vendime, nxjerrë urdhra e dekrete në gjithë karrierën e vet politike me një tjetër mbiemër dhe pretendon se nuk ka asnjë shkelje, qytetarët janë sfilitur dyerve të gjykatave në raste të ngjashme për të marrë pensionin, shpërblimin, pronën e deri edhe diplomat.
Raste të tilla, kur për një gabim në emër apo mbiemër janë me dhjetra. Por, si shembuj po sjellim dy raste publike. Në 2017-n, Rolanda Zengo denoncoi në Fiks Fare se prej dy vitesh nuk po tërhiqte dot kompensimin e pronës prej 21 mln lekësh, pasi i kishin ngatërruar emrin nga Rolanda në Roland nga ana e Hipotekës së Tiranës.
Një vit më vonë, në Çaush Muskallari iu drejtua emisionit investigativ ‘Boom’ për të denoncuar se prej katër vitesh nuk tërhiqte dot pensionin, prej një ngatërrese mbiemri që i kishin bërë në regjistrin e kooperativës bujqësore ku figuronte me 25 vite punë.
Nga Muskallari mbiemrin ja kishin venë Xhafka. Datëlindja dhe atësia nuk ndryshonin, por ndryshonte mbiemri. Autoritetet e këshilluan që për të korrigjuar këtë gabim në regjistër i duhej të hapte një proces gjyqësor. Ai iu drejtua medias për të kërkuar ndihmë financiare për mbulimin e shpenzimeve gjyqësore, pasi vetë e kishte të pamundur.
Nëse do të ndiqet i njëjti standard mes rastit të pensionistit dhe Ilir Metajt, atëherë në Shqipëri duhet të nisë një proces i madh gjyqësorë që të verifikojë, vërtetojë e konfirmojë të gjithë vendimmarrjen në zyrat e shtetit që Ilir Metaj ka firmosur me mbiemrin Meta.