Pronat, PD: Rama, plan djallëzor për t’ua dhënë oligarkëve
Partia Demokratike mendon se çështja e pronave në Shqipëri është përkeqësuar qëllimisht nga qeverisja e Edi Ramës. Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi njohën me qëndrimin e opozitës ekspertët e Komisionit të Venecias që mbërritën në Tiranë për të dhënë një mendim mbi ligjin e ri të pronave.
“Shpjeguam me detaje se çfarë ka ndodhur nga 2013 e këtej, duke nisur që me ligjin antikushtetues të kthimit të pronave, që nuk njeh pronarin si pronar të tokës së tij, duke vazhduar me një grup tjetër ligjesh që lidhen me investitorët strategjike dhe ligjin e koorporatës së investimeve, që janë ligje qartazi që bien ndesh me të drejtën e pronarëve, që marrin tokë private dhe publike dhe e lënë këtë në dorë të Edi Ramës për ta shpërndarë. Duke vazhduar me ligjin e kadastrës, ligje që lidhen me të drejtën e Këshillit Bashkiak që ka patur të drejtën për të marrë vendime mbi çështjen e pronave me shumicë të cilësuar prej dy të tretave, që është hequr javën e fundit”, deklaroi Jorida Tabaku para gazetarëve.
Ish-deputetja demokrate tha ligjet po krijojnë norma të pashembullta jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e rajonit dhe kujtoi se çështja e pronave është pjesë e kritereve të vendosura nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Oerd Bylykbashi nga ana tjetër tha se pas të gjitha lëvizjeve, nismave, vendimeve dhe ligjeve të mazhorancës fshihen interesat e oligarkëve.
“Me rëndësi që të shpjegojmë themelin e gjithë mekanizmit djallëzor që ka futur Rama në raport me të drejtën e pronarëve. Qeveria nuk kthen më prona, nuk kompenson dhe ka vënë një mekanizëm që ka rishpronësuar pronarët. I gjithë ky proces që bllokoi kthimin e pronave dhe vë në pikëpyetje titujt e pronësisë që u janë dhënë pronarëve, ka një qëllim të vetëm që përmes këtyre mekanizmave dhe koorporatës së investimeve dhe ligjit për investime strategjike ta marrë këtë pronë dhe t’ja japë oligarkëve për të zhvilluar ata interesat e tyre të biznesit sikur kjo të jetë interes publik”, tha ai.
Bylykbashi shpjegoi se në shërbim të këtij mekanizmi është eleminuar edhe Gjykata Kushtetuese dhe gjithë sistemi i drejtësisë.
“Fikja dhe eleminimi i Gjykatës Kushtetuese, bllokimi i drejtësisë për të vënë në vend të drejtat e pronarëve, është i qëllimshëm në kuadër të këtij mekanizmi, që pronarët të mos kenë mundësi të ankohen në gjykata kundër këtyre ligjeve”, deklaroi ai.
PD zotohet se me të ardhur në pushtet do të shfuqizojë këto ligje dhe do të ndërmarrë nisma ligjore, sipas saj, për të riparuar dëmet e shkaktuara në këto gjashtë vite çështjes së pronës dhe pronarëve.