Videot kryesore
Kryeministri Edi Rama u përpoq që të shmangë komentet mbi ecurinë e bisedimeve me opozitën për reformën zgjedhore, megjithëse tha se ishte në dijeni të të gjithë procesit. Refuzimi për të komentuar propozimet e opozitës, Kryeministri e lidhi me përpjekjet e ndërkombëtarëve për të mundësuar konsensusin.
Megjithatë, Rama këmbëngul se mazhoranca do të qëndrojë brenda kornizave të rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR, sidomos tek depolitizimi i administratës publike dhe tek shtrirja e teknologjisë në procesin e votimit. Këto janë dy nga tre pikat ku ka ngecur dialogu, pasi opozita kërkon shtrirje 100 për qind të identifikimit biometrik të zgjedhësve.
“Ka një sugjerim të kthyer në një kërkesë që nga Bundestagu është përfshirë në dokumentin e Këshillit për një reformë zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, që do të votohet në Parlament. Mbi bazën e këtyre rekomandimeve, gjithçka që nuk është shkencë, ne jemi të hapur deri në fund për çdo gjë. Por, duke qenë se në këtë proces për të ndihmuar janë përfshirë edhe partnerë miq të Shqipërisë, nuk dëshiroj që të bëj komente para sesa të flasin dëshmitarët”, tha ai.
Kryeministri nënkuptoi se brenda 24 orëve do të mësohet nëse ndërmjetësuesit ndërkombëtarë do të jenë të suksesshëm në përpjekjet e tyre për marrëveshje apo jo. Ai i rezervoi vetes të drejtën për të folur më tepër për reformën zgjedhore pas disa orësh dhe me afat maksimal 24 orë.
“Pas disa orësh, maksimumi 24 orësh do të flas”, tha ai.
Afati përkon me mbledhjen e radhës të Këshillit Politik, që është thirrur pasditen e kësaj të marte në orën 17:00.
Rama iu përgjigj edhe kërkesave për ndryshim sistemi.
“Ata që mendojnë se ky sistem, ai sistem mund të bëjë mrekulli nuk është e vërtetë. Është thjesht çështje respektimi standardesh dhe garantimi standardesh. Ne për këtë kemi punuar dhe besoj e kemi bërë detyrën tonë dhe për këtë ka dëshmitarë”, deklaroi ai.
Kryeministri tha se ndjente keqardhje që në 2020 klasa politike shqiptare kishte ende nevojë për ndërhyrjen e ambasadave ndërkombëtarë për të diskutuar një çështje, që thotë se përcakton rregullaat e lojës.
“Duhej ta kishim bërë vetë këtë, por duke qenë se palët e tjera kanë nevojë për këtë element për garanci, nuk ka problem. u jam mirënjohës miqëve që janë përpjekur të na ndihmojnë duke lehtësuar procesin e komunikimit. Nuk bëj koment sot për këtë pasi mendoj që ka akoma të tjerë që duhet të flasin”, u shpreh ai.
Çështjet që qëndrojnë në mes të marrëveshjes
Mes dështimit dhe arritjes së konsensusit qëndrojnë tre çështje. E para lidhet me identifikimin biometrik të votuesve. Opozita kërkon që ky identifikim të zbatohet në të gjithë vendin, ndërsa socialistët propozojnë fillimisht një projekt pilot, që do të përfshijë deri në 10 për qind të elektoratit.
Pika e dytë lidhet me depolitizimin e administratës zgjedhore, që është edhe një rekomandim i OSBE/ODIHR. Socialistët këmbëngulin tek kjo pjesë. PD dhe LSI nga ana tjetër janë tërhequr disi nga qëndrimi fillestar kundër këtij propozimi dhe duken të gatshëm që të japin konsensusin për të, por e kanë kushtëzuar depolitizimin e administratës me identifikimin biometrik 100 për qind.
Pika e tretë lidhet me Kolegjin Zgjedhor. Mazhoranca propozon që anëtarë të këtij kolegji të jenë vetëm gjyqtarët e Apelit që kanë kaluar procesin e vettingut, ndërsa opozita fillimisht propozoi që pjesë e këtij Kolegji të bëheshin gjyqtarë të të gjitha shkallave të gjyqësorit, edhe pa e kaluar vettingun.
Por, ditët e fundit opozita ka paraqitur një propozim të ri, sipas të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të marrë kompetencat e Kolegjit Zgjedhor. Socialistët shprehin rezerva për këtë propozim dhe deklarojnë se ky propozim mund të kërkojë ndërhyrjen në Kushtetutë, pasi Kushtetuta i ka të përcaktuara kompetencat e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, palët kanë rënë dakord për një mori çështjet të tjera, duke filluaar që nga kamerat në qendrat e votimit, aktivizimin e SPAK-ut në hetimin e krimit zgjedhor, imunitet penal ndaj personave që denoncojnë krimet zgjedhore, hapje e kutive të votimit me kërkesa të partive, kur ka dyshime të arsyeshme për mospërputhje numri votuesish me fletët e votimit, financimi në fushatë eleketorale dhe vendosja e një perimetri të gjerë sigurie rreth qendrave të votimit.
Ndriçim Jonuzi, njeriu i shpallur në kërkim nga policia si autor i plagosjes së ndodhur në zyrën elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë në ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së hënës, ka reaguar përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, ku mohon se pas këtij sulmi qëndrojnë motive politike.
Jonuzi shprehet se nuk është krenar për çfarë ka bërë, por nga ana tjetër kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me politikën. Ai shpjegon se sherri ka nisur pas provokimit të të rinjve teksa Jonuzi po kalonte në rrugë, ndërsa ata i kishin zënë rrugën një të njohuri të tij, i cili ishte bashkë me të ëmën duke shkuar për të çelur iftarin. Tahiri thotë se ai vetëm u ka thënë ‘Hape rrugën, se sheh që ke një nënë aty me shami?!’.
Më tej, ai shprehet i zhgënjyer nga deklaratat e kreut të PD Lulzim Basha, që e cilësoi si militant të PS. 40-vjeçari shprehet se në fakt ai ka qenë gjithë jetën militant i PD-së dhe se nuk i vjen mirë që Basha i ka hedhur poshtë gjithë ato sakrifica për PD-në. Ai zë me radhë të gjithë ish-kryetarët e ministra të PD me të cilët ka punuar ndër vite, derisa vjen në vitin 2017 ku ka hapur lokalin e tij për simpatizantët e PD. Por jo vetëm kaq, Jonuzi tregon se Lulzim Basha ka qenë në lokalin e tij i cili në 2017 ishte kthyer në një bazë të PD-së për 1 muaj me radhë.
Sekretari i Partisë Demokratike, Bledar Okshtuni i cili u plagos mbrëmjen e së hënës me armë zjarri. Ai ka deklaruar se sherri me Ndriçim Jonuzin ka nisur për një vend parkimi.
Autori i cili është shpallur në kërkim Ndriçim Jonuzi ka pretenduar se makina e 27 –vjeçarit i kishte bllokuar rrugën. “Jonuzi me ka ofenduar, u konfliktuam fillimisht fizikisht e pastaj ai nxori armën”, ka deklaruar Okshtuni.
Bledar Okshtuni u plagos me armë zjarri nga Ndriçim Jonuzin. Fillimisht ata janë konfliktuar verbalisht, ndërsa më pas Jonuzi është futur brenda zyrës së PD-së, e cila ndodhet në qendër të qytetit dhe ka qëlluar më armë zjarri në drejtim të 27-vjeçarit duke e plagosur këtë të fundit në këmbë.
Ndërkohë në kërkim nga policia janë shpallur edhe Markel Shtylla dhe Dorian Troplini.
Fjala hapëse e samitit informal të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian në Bërdo të Sllovenisë u mbajt nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Ai theksoi nevojën për të shfrytëzuar këtë samit për të përçuar dy mesazhe.
“Samiti është një mundësi e mirë për ne, që nga njëra anë të konfirmojmë perspektivën europiane për Ballkanin Perëndimore dhe nga ana tjetër ta bëjmë të qartë se jemi gati që të mobilizojmë miliona euro për të investuar te gjashtë vendet, për të mbështetur reformat e nevojshme ekonomike dhe ato kundër korrupsionit dhe përmirësimit të qeverisjes. Duam lidhje më të ngushta me këto vende”, deklaaroi Michel.
Deklarata bie disi ndesh me pritshmëritë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm afërsia për to nuk mjafton më dhe kërkohet nga Brukseli që të japë një sinjal të qartë më shumë politik se sa ekonomik.
Durimi i Ballkanit Perëndimor mund të soset edhe për shkak të një dokumenti të brendshëm që qarkullon në BE, sipas të cilit disa vende anëtare propozojnë që me rajonin të ndërtohet një partneritet strategjik, por jo anëtarësim.
Njëra prej këtyre vendeve raportohet se është Holanda. Në këtë samit merr pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, që nga pamjet e shpërndara nga zyra e Kryeministrisë shfaqet në ceremoninë e pritjes duke diskutuar pikërisht me Kryeministrin holandez, Mark Rutte dhe udhëheqës të tjerë të vendeve të BE.
Duke pasur parasysh këtë, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli përmes një mesazhi u kërkoi udhëheqësve të BE që të tejkalojnë ngërçin aktual dhe të ecin përpara me procesin e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Samiti mbahet në kohën më të mirë të mundshme. Sot, më shumë se kurrë procesi i anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor ka nevojë për një stimul të ri dhe të fortë. Është koha që vonesat dhe bllokadat të tejkalohen”, tha ai.
Para nisjes së samitit, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen u takuan me kryeministrin slloven, Janes Jansa, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministrin bullgar, Rumen Radev. Bullgaria ka vendosur në dy raste veton ndaj Maqedonisë së veriut dhe përpjekjet po bëhen që Sofia të ndryshojë qëndrim.
Kriza e çmimeve dominoi debatin parlamentar në seancën e kësaj të enjteje. Mazhoranca dhe opozita u përplasën mbi mënyrën e menaxhimit të kësaj krize nga ana e Qeverisë.
Deputetja Jorida Tabaku akuzoi qeverinë se në një kohë që vazhdon kryen pagesat në afera korruptive, si ajo e inceneratorëve në anën tjetër ka lënë familjet shqiptare në mëshirë të çmimeve të rritura në treg.
Për të ilustruar idenë e saj, deputetja demokrate iu referua raportit të INSTAT mbi inflacionin në muajin maj. Ajo shmangu inflacionin e përgjithshëm për këtë muaj dhe lexoi pjesën e raportit ku flitet për ndryshimet vjetore të çmimeve në grupet kryesore të tyre.
Në këtë pjesë, INSTAT thotë se “vajra dhe yndyrna” u rritën me me 29,1 për qind, pasuar nga nëngrupet “bukë dhe drithëra” me 18,6 për qind dhe “qumësht, djathë dhe vezë” me 18,4 për qind.
Deputetes demokrate iu përgjigj vetë Kryeministri Edi Rama. Ai shmangu pjesën e inflacionit për vajrat dhe yndyrnat dhe u përqëndrua te inflacioni i përgjithshëm, që siç tha Kryeministri, është më i ulti në rajon.
Nën drejtimin e trajnerit, Edi Reja, kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur këtë të mërkurë punën përgatitore për dy ndeshjet e radhës eliminatore të kampionatit europian. Për sfidat me Islandën dhe Moldavinë, ekipi kuqezi e ka nisur punën shumë shpejt. Si rrallë herë më parë, nga tekniku Reja janë thirrur një grup lojtarësh të përzgjedhur nga grupi i ekipit A, që kanë mbyllur kampionatet e tyre dhe lojtarë nga ekipi “Shpresa” që në një të ardhme të afërt mund t’i bashkohen kombëtares.
Partia Demokratike publikoi dokumentet, sipas saj, autentike të marra nga sistemi italian i drejtësisë, ku provohen akuzat e saj se Valdrin Pjetri është dënuar në 2003 në Firence dhe për rrjedhojë është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi doli në një konferencë për mediat me dokumentin në dorë.
“Valdrin Pjetri, lindur më 18 shtator 1982, në Shqipëri është arrestuar në flagrancë më 27 janar 2003 në Firence. Më 28 janar 2003 ai ka pranuar kryerjen e krimit dhe fajësinë duke nënshkruar marrëveshjen për dënimin e menjëhershëm sipas legjislacionit italian. Më 12 qershor 2003, ai u dënua me 18 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale, shpërndarje dhe trafikim të lëndëve narkotike. Për shkak të marrëveshjes me autoritetet italiane, më 3 shkurt 2003, Valdrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më 4 shkurt është marrë masa e dëbimit nga shteti italian. Këto të dhëna zyrtare provojnë se Valdrin Pjetri është subjekt i dekriminalizimit”, tha Bardhi.
PD akuzon Kryeministrin Edi Rama se është në dijeni të këtij fakti qëkur këto informacione i mori edhe PD, para se ta emëronte Pjetrin drejtues politik të qarkut të Shkodrës, por e mbron atë pikërisht për shkak të lidhjeve me krimin. Bardhi kërkoi nga Prokuroria që të nisë menjëherë hetimet ndaj kryetarit të bashkisë së Shkodrës të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Një ditë më parë, pankarta kundër Valdrin Pjetrit si kryetar bashkie në Shkodër janë shpërndarë në rrugët dhe lagjet e qytetit. “Narko Valdrini jashtë Bashkisë!”, shkruhej në pankartat në fjalë, që shoqërohen me logon e deformuar të Partisë Socialiste, ku në vend të trëndafilit është vendosur gjethja e hashashit.
Partia Demokratike thotë se shkodranët kanë nisur reagimin e tyre kundër kandidatit të Ramës, të cilin e akuzon prej javësh si të ndaluar për trafikim të lëndëve narkotike dhe të dëbuar nga Itali në vitin 2003.
Vetë Pjetri i mohon akuzat e Partisë Demokratike. Ai i cilëson ato si politike, ndërkohë që fletëpalosjet e shpërndara ditën e hënë kundër zgjedhjes së tij në krye të Bashkisë së Shkodrës i cilëson trakte të shpërndara gjatë natës nga një grup prej 4-5 personash.
Shkodra së bashku me Lezhën janë dy bashkitë e fundit të djathta, ku kandidatët e PS-së në zgjedhjet e 30 qershorit nuk kanë marrë ende detyrën. “Kalaja” e fundit e demokratëve që u mor ishte Bashkia e Kamzës, ku Rakip Suli zuri vendin e Xhelal Mziut.
Zëvendësimi i kryebashkiakëve të opozitës nisi në Devoll. Këtu PD bëri rezistencë disaditore, por në fund e la këtë institucion. Rrotacioni, ku me forcë e ku në orët jashtë orarit zyrtar të punës vazhduan pa ndonjë rezistencë madhore nga ana e opozitës, përveç deklaratave, që e cilësojnë të paligjshëm 30 qershorin dhe marrjen e detyrës nga kryebashkiakët e rinj si uzurpim të pushtetit vendor.
Kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, Voltana Ademi, ashtu si Xhelal Mziu më herët deklaron se nuk do ta lirojë zyrën e saj. Megjithatë, për Shkodrën opozita po përpiqet që të mos shkohet deri në ditën kur Pjetri të marrë detyrën, por përmes dekriminalizimit ta largojë atë.
Atë e kanë zili pothuajse të gjithë, por më shumë “të çuditur” mbeten ata që nuk kanë provuar ende të ngjisin qoftë edhe një mal, e të kuptojnë atë lumturinë që do të ndiejnë duke “e pushtuar” atë. Ndonëse është 8 vjeç, e mbase siç thotë edhe gjyshja e tij, – Ladi Sulo, që të gjithë e përngjajnë me mishërimin femëror të Dashnor Dikos (i famshmi i “Bananes”) – “Markus nuk e kupton realisht se çka po bën, por kur të rritet, do falënderojë nënën e veten, duke u ndier krenar”. Maja e Jezercës, Korabi apo maja e Çikës e Shëndëllia janë disa nga arritjet e këtij “fëmije” 8-vjeçar, – atë që shumë alpinistëve, u duhen muaj stërvitjeje (një shoqatë ka disa muaj që stërvit alpinistët dhe dashamirësit e maleve me majat e larta, duke u thënë se po përgatitemi të pushtojmë malin më të lartë në Shqipëri, Korabin).
Presidenti Ilir Meta zgjodhi me kujdes fjalët e përgjigjeve në lidhje me reformën zgjedhore, për të shmangur ndonjë “hatërmbetje” të mundshme dhe ruajtur barazlargësinë mes palëve që diskutojnë në Këshillin Politik.
Por, thelbi i përgjigjeve të tij duket se nuk e fshehu mesazhin drejtuar kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha (me të cilin pranoi se kishte pasur një bisedë telefonike paraditen e së premtes, por që nuk komentoi përmbajtjen e kësaj bisede), që të firmosë marrëveshjen e ofruar nga Yuri Kim.
“Mesazhet e mia kanë qenë të qarta. Mesazhi im për opozitën ka qenë që duhet të jetë e qartë dhe të unifikojë kërkesat e saj dhe të koordinohet me partnerët tanë, me Bundestagun dhe Komisionerin e Zgjerimit. Mesazhi im ka qenë i qartë qëkur u shkatërrua në mënyrë të paligjshme Teatri dhe i kam thënë mos bini pre e provokimit të radhës duke u larguar nga tryeza e reformës, mos paraqisni një listë dëshirash, por qëndrime parimore të qarta dhe bazike për të pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve”, deklaroi Presidenti.
Ambasadorja e SHBA e vizitoi në Presidencë kreun e shtetit, para se ky i fundit të dilte në konferencën për shtyp. Meta refuzoi të komentojë se çfarë është diskutuar mes tyre, por në këto ditë kryetema e Yuri Kim dhe ambasadorëve të tjerë në Shqipëri ka qenë reforma zgjedhore.
“Vendi është në krizë institucionale të madhe dhe është me rëndësi që të shkohet sa më parë në zgjedhje të gjithëpranuara. Por, mesa duket kemi ngelur akoma në detaje që kanë të bëjnë me numërimin dhe çështje që nuk duhet të ekzistonin sot”, u shpreh Presidenti.
Meta kujtoi se në lidhje me këtë çështje duhet një vendim para datës 8 qershor, që t’i ofrohet Komisionit Europian një material për t’ua shërbyer vendeve anëtare të BE si progres të Shqipërisë, kur do të mblidhet për të vendosur mbi udhërrëfyesin e negociatave. Por, ai kujtoi gjithashtu edhe se çdo hap pas mund të penalizojë jo vetëm në mospërmbushjen e objektivave të vendosura, por edhe në revokimin e arritjeve të deritanishme.
“Dëshiroj dhe apeloj për konsensus, sepse është detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, që duhet të kenë sa më shumë siguri që vota e tyre do të jetë e lirë, detyrim i padiskutueshëm ndaj procesit të integrimit europian dhe data 8 qershor ëshë me shumë rëndësi dhe shpresoj që të arrihet marrëveshja para kësaj date, që KE të shënojë një zhvillim pozitiv para vendeve anëtare. Duhet të kuptojmë se qasja e re e metodologjisë së BE, pas propozimit francez rrezikon jo vetëm perspektivën e shpejtë të negociatave, por edhe këto arritje formale që kemi deri më tani, sepse asgjë nuk është më tani si e mirëqënë. Nëse bëjmë hapa prapa humbasim shumë nga këto mundësi që kemi fituar deri më tani nga ky proces”, u shpreh ai.
Presidenti foli për mungesë vullneti politik për të realizuar një reformë me qëllime të mira dhe me “qëllime të mira” nënkuptoi edhe ndryshimin e sistemit.
“Fakti që u shty kaq kohë tregon mungesën e vullnetit për të bërë ndryshime thelbësore në sistem, megjithatë…i dini qëndrimet e mia për sistemin që në 2008 kur u bënë ndryshimet kushtetuese, e dini se si kryetar i një partie të re në 2005 dhe i sulmuar në atë kohë nga të dyja partitë unë nuk e kam vendosur emrin në listën e proporcionalit, por vetëm tek mazhoritari. Askush nuk duhet të ketë frikë nga humbja! Churchill fitoi Luftën e Dytë Botërore dhe më pas humbi zgjedhjet, por u rikthye”, vijoi ai.
Presidenti mirëpriti angazhimin e ndërkombëtarëve për reformën zgjedhore, por nuk fshehu as pakënaqësitë me qëndrimet e mbajtura prej tyre në të shkuarën për çështje të tjera.
“Roli i ndërkombëtarëve ka qenë dhe është i mirëpritur gjithmonë. Dje në Parlament një përfaqësues i mazhorancës tha se ç’i duhet BE që merret me punën e zgjedhjeve në Shqipëri. Mendoj se të gjithë ambasadorët e BE kanë të drejtë të shprehen për çdo cenim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, sepse e detyron Shqipërinë që të respektojë standardet që kemi rënë dakord me BE që të hedhim hapa të tjerë përpara. Do të ishte mirë që çdo ambasador i BE të denonconte publikisht sa herë që vëren shkelje të MSA dhe jo heshtja, apo më keq deklarata që më shumë shkaktojnë konfuzion”, u shpreh ai.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj doli në interpelancë këtë të enjte, i thirrur nga deputeti Lefter Maliqi për çështjen e sigurisë në vend.
Lleshaj tha se Shqipëria sot po përjeton situatën më të mirë në historinë e saj në fushën e sigurisë.
“Sipas një vlerësimi të pavarur të kryer për llogari të qeverisë suedeze nga një institucion prestigjoz, 75 për qind e shqiptarëve ndjehen të sigurtë. Refuzoj përpjekjet për të krijuar artificialisht një psikozë pasigurie, në një kohë që niveli i sigurisë në vend është më i miri që kemi pasur në dekada”, u shpreh ai.
Ministri i Brendshëm foli edhe për prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Ai thotë se në 2019-2020 Shqipëria është çkanabizuar.
“Sasia e kanabisit e kapur në Itali dhe në Greqi kanë mbërritur në nivelet më të ulta historike. 1.4 ton janë kapur në brigjet italiane në vitin 2019, ndërkohë që në 2020 deri më tani janë kapur vetëm 900 kilogram...dhe ju vini kujën për kanabizim të vendit! Jo! E kundërta është e vërtetë, vendi është çkanabizuar dhe fenomeni është shkatërruar”, tha Lleshaj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zëvendësuar 13 vëzhguesit e KZAZ-së numër 30 në Tiranë, që u shndërrua në orët e mbrëmjes së të hënës në arenë të një sherri masiv mes përfaqësuesve të palëve politike rivale.
Komisioneri Celibashi u ndal në këtë KZAZ pas mesnatës dhe njoftoi vendimin e heqjes së akreditimit për 13 vëzhguesit e të gjitha partive politike dhe kandidatëve të pavarur, pas këtij sherri dhe zëvendësimin e tyre me 13 emra të rinj.
Procesi i numërimit u pezullua për disa orë, për të rinisur pas zëvendësimit të protagonistëve të zënkës masive, që u raportua se ishin përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Zënka u qetësua me ndërhyrjen e policisë, që tha se fillimisht janë përleshur një vëzhgues dhe një numërues dhe më pas sherri është përshkallëzuar në masë, ku nuk janë kursyer as karriget dhe sende të tjera të forta.
KQZ nuk raporton dëmtim të materialeve zgjedhore nga ky incident.
Kryeministri Edi Rama së bashku me homologun e Malit të Zi, Dritan Abazoviç kanë mbërritur në kryeqytetin e Ukrainës në Kiev.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, ata pritet të takohen me presidentin Volodimir Zelenskij në një vizitë që do të zgjasë disa orë.