Videot kryesore
Ndryshimet cekin disa nene, kryesisht nenet që parashikojnë masat disiplinore për anëtarët e organeve të drejtësisë së re, por edhe nenin 221 të këtij ligji, që përcakton kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët për t’u emëruar në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Mes kushteve ishtë edhe ai që kandidatët duhet të kenë përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Presidenti Meta fajësonte këtë nen që prej fillimit të vitit të kaluar si shkaktar të ngërçit për ngritjen e këtij Këshilli.
Kur emigroi në Amerikë, në vitin 2001, Bobian Demçe ëndërronte që një ditë të kishte biznesin e vet. Iu deshën disa vite, por e realizoi ëndrrën e tij . Sot, është një vjetori i restorantit ‘Dua Kafe’, një restorant tradicional shqiptar, për të cilin kanë shkruar edhe media të njohura amerikane, si Nju Jork Times dhe CBS News.
Merr flakë kisha e Shëlbuemi Zhejë Kurbin në natën e ndërrimit të viteve. Çatia e objektit të kultit është ndezur flakë nga kapsollat e fishekzjarret që dhe pse u ndaluan nga qeveria kudo në Shqipëri ka patur, sidomos në zonën e Kurbinit, ku të shtënat me armë e fishekzjarre kanë qenë të shumta.
Monika Kryemadhi deklaroi se mungesa e reformës zgjedhore është një alibi që Kryeministri Edi Rama e ka përdorur që në pranverë të vitit të kaluar për të mos realizuar zgjedhje të parakohshme.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët të organizuar këtë të enjte, kryetarja e LSI-së thotë se me ngritjen e Këshillit Politik, pjesëmarrjen e opozitës së bashkuar në këtë Këshill dhe miratimi me konsensus i reformës, kjo alibi e Ramës bie.
“Nëse nuk miratohet reforma zgjedhore nuk bëjmë dot zgjedhje. Këtë e ka thënë edhe Edi Rama, që deklaronte se nuk bëj dot zgjedhje të parakohshme se s’kam reformë zgjedhore. Miratimi dhe heqja e këtij hendeku që kërkon të krijojë, e nxjerr Ramën zbuluar. Jemi të gatshëm ta miratojmë nesër këtë reformë, por a është PS e gatshme për ta miratuar këtë reformë që nesër në Parlament?”, deklaroi ajo.
Kryetarja e LSI-së thotë se nuk ka gjetur pakënaqësi në bazën e partisë për vendimin për t’u ulur në tryezë me socialistët.
“Të vetmit të pakënaqur janë ata që kanë dashur të jenë pjesë e lojës dhe të rrisin pazaret e tyre në kurriz të shqiptarëve. Nga takimi që kemi patur këto ditë me bazën, kam vënë re që njerëzit e shikojnë si një mundësi për të ecur përpara. Shqiptarët duan zgjedhje dhe ne si opozitë duam zgjedhje”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, Petrit Vasili, që është edhe pjesë e Këshillit Politik së bashku me Oerd Bylykbashin tha se marrëveshja është një fitore e opozitës së bashkuar dhe reflekton kërkesat e prezantuara prej saj që në tryezën e OSBE-së të paraqitura në vjeshtë të vitit të kaluar.
“Operacioni Forca e Ligjit" është zhvendosur këtë të martë në qytetin e Shkodrës, duke bllokuar jë sërë pasurish që dyshohet se janë produkt i aktivitetit kriminal, kryesisht në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.
Policia njoftoi se mes pronave të sekuestruara jaë edhe ato të Gentian Doçit, person i shpallur në kërkim si organizatori i pengmarrjes së Jan Prengës, në ngjarjen e ndodhur më 17 janar në Kamëz. Policia ka konfirmuar se Jan Prenga ka gjetur vdekjen pas pengmarrjes, por ende nuk ka gjetur trupin e tij.
Veç dyshimeve për pjesëmarrjen në pengmarrjen e Jan Prengës, Gentian Doçi rezulton si person i shpallur në kërkim edhe nga drejtësia italiane për trafik kokaine.
Mësohet se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka firmosur urdhrat e sekuestrimit për pronat e Ardian Doçit, Artan Doçit, Gentian Finiqit, Martin Bletës dhe një personi tjetër me inicialet M.D.
Pasuritë e sekuestruara janë vila, automjete luksoze, resorte turistike dhe sipërfaqe toke në Shkodër dhe rrethinat e saj. Urdhri i sekuestrimit i nxjerrë nga OFL pritet që të dorëzohet në Prokurorinë e Posaçme dhe prej andej SPAK ta paraqesë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas ligjit special të kaluar si akt normativ nga ana e Qeverisë në fund të javës së kaluar, të gjitha procedurat duhet të përmbyllen brenda 30 ditëve. Kjo do të thotë se brenda këtij afati, Gjykata duhet të ketë vendosur nëse do të mbajë në fuqi masën e sekuestros duke përligjur dyshimet e OFL-së se pasuritë në fjalë kanë burim paratë e pista, ose duke hequr masën e sekuestros për mungesë provash.
Një ditë më parë, Operacioni Forca e Ligjit sekuestroi pasuri të Altin Hajrit në Shijak, edhe ky i dyshuar si i përfshirë në pengmarrjen dhe më pas vrasjen e Jan Prengës. Dyshimet e para të policisë në lidhje me këtë pengmarrje janë se ajo lidhet me prishjen e pazarave të drogës të të vëllait të tij, Astrit Prenga.
Veç operacioit të ndërmarrë në Shkodër, po këtë të martë OFL njoftoi se ka dorëzuar kërkesën për të plotësuar formularët e pasurisë Lulzim Berishës në Durrës dhe Ardjan Çapjas në Elbasan.
Presidenti Ilir Meta ftoi qytetarët që pasditen e 2 marsit t’i bashkohen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku tha se do të firmosë dekretin e parë kundër atij që e quan ‘grusht shteti’.
“Më 2 mars do të firmos dekretin e parë kundër grushtit të shtetit para popullit shqiptar në bulevard në një besëlidhje për të shpartalluar regjimin e oligarkëve dhe mafiozëve, që kanë shndërruar vendin në një qendër të pastrimit të parave, bazë operacionale e krimit të organizuar kombëtar dhe ndërkombëtar. Më 2 mars ju presim të gjithëve pasdite në Bulevard, falë popullit shqiptar nuk do të ketë vetëm një institucion që mbron Kushtetutën”, deklaroi ai.
Videoja e një të riu në TikTok është bërë virale pasi një figurë misterioze u vu re në sfond pas tij, pavarësisht se kërcimtari pretendon se ai ishte vetëm në shtëpi. Video u postua nga përdoruesi i TikTok, Reuben, i njohur si @reubix_cube, i cili kërcente me këngën e Doja Cat, “Say So”. Në titullin e postuar krahas videos thuhej mes të tjerash: “Jam vetëm në shtëpi, kështu që mësova një valle të TikTok”.
Por përdorues të tjerë të këtij rrjeti social që panë videon ishin përqëndruar në diçka tjetër përveç lëvizjeve të tij të vallëzimit, pasi ata vunë re një figurë të errët të fshehur në sfond.
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se vendi mund t’i rikthehet karantinës nëse shifrat vazhdojnë me ritmet e tre ditëve të fundit dhe kërkoi nga qytetarët dhe bizneset që t’u përmbahen protokolleve të sigurisë për të mos u mbyllur sërish.
“Nëse vazhdojmë kështu dhe nuk ndryshojmë sjellje, të gjithë menjëherë dhe nëse numrat e të shtruarve vazhdojnë të rriten dhe rritet edhe numri i atyre që kanë nevojë për atë tubin e frymëmarrjes, atëherë me keqardhje, por realisht nuk do të kemi çfarë të bëjmë dhe do të duhet të rifillojmë nga e para”
Prej ditësh, Edi Rama ndodhet nga njëra anë nën presionin e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim që të miratojë në Kuvend pa vonesa dakordësinë e arritur në Këshillin Politik për reformën zgjedhore dhe nga ana tjetër nën presionin e opozitës jashtëparlamentare për ndryshimin e sistemit, hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
Por, Partia Socialiste mendon se ka një ekuilibër për të plotësuar kërkesat e dy opozitave dhe kërkesën e pjesës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, që kërkojnë hapjen e listave. Ekuilibri, sipas socialistëve është miratimi pa asnjë ndryshim i marrëveshjes së 5 qershorit të arritur në Këshillin Politik me PD dhe LSI dhe hapja e listave sipas kërkesës së opozitës parlamentare.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se dy proceset ecin paralelisht dhe nuk cenojnë njëri-tjetrin.
“Procesi i ndryshimeve kushtetuese ecën në mënyrë tërësisht të pavarurr nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Dakordësimi i 5 qershorit nuk do të preket. Më 15 korrik ligjet diskutojnë dhe nuk preket asnjë prej atyre amendimeve dhe dokumenti i plotë sipas marrëveshjes që kemi dakordësuar më 5 qershor. Janë dy procese të pavarura që duhet të përmbyllen sa më shpejt”, u shpreh Balla.
Por, hapja e listave, siç deklaroi Kryeministri Edi Rama, do të duhet të shoqërohet me ndalim të koalicioneve parazgjedhore për çështje praktike.
“Listat e hapura e bëjnë të pamundur formulën aktuale të koalicioenve, se i bie që të kemi në një fletë votimi, llogariteni, artimetikisht, 40 parti këtej dhe 40 andej, nga 35 kandidatë në Tiranë, një fletë votimi që do të ishte një qilim nga universiteti deri te monumenti i Skënderbeut. Por kjo nuk do të thotë se kemi ndonjë tendencë, apo qëllim që të pengojmë marrëveshjet, kjo është çështje e tyre”, u shpreh Rama.
Për të ilustruar se nisma për hapjen e listave nuk prek sistemin zgjedhor, Rama solli qëndrimet e Venecias.
“…(Venecia) thotë se janë tre elementë që përbëjnë një sistem zgjedhor; sistemi në vetvete, ne kemi sot një proporcional rajonal dhe kjo nuk preket dhe pavarësisht se nga ana e opozitës parlamentare është kërkuar kombëtar, që do të thotë ndryshim sistemi. Së dyti, madhësia e zonave zgjedhore, nuk preket dhe së treti KQZ. Kjo preket, por si rezultat i marrëveshjes së 5 qershorit, jo prekje e sistemit që vjen jashtë konsensusit të 5 qershorit, pra produkt i kësaj”, deklaron ai.
Kryeministri mendon se nuk ka arsye se përse Partia Demokratike ta refuzojë hapjen e listave për mungesë kohe, përsa kohë ka pranuar ndryshimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Ky (ndryshimi i KQZ-së) është një ndryshim esencial, shumë më esencial se hapja e listave dhe derisa bëjmë këtë s’ka pengesë që të bëjmë tjetrën. Qoftë Venecia, apo instancat e tjera çështje si lista të hapura, lista të mbyllura, apo pragu kaq e aq, i konsiderojnë mekanizma korrektues të një sistemi”, u shpreh ai.
Rama sqaroi edhe kohën kur i lindi bindja se listat duhen hapur.
“Vendimi reflekton bindjen se hapja e listave përkon me dëshirën e një mase shumë të madhe qytetarësh shqiptarë që shkon shumë përtej një shumice, apo pakice qeverisëse. E di që ka një përpjekje që kjo gjë të tregohet, sikur është një shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit, por marrëveshjen e 5 qershorit ne e kemi realizuar me vullnetin më të mirë duke shkelur edhe mbi veten, sepse ambicia jonë ka qenë e shprehur vazhdimisht depolitizimi i administratës zgjedhore”, deklaroi ai.
Kryeministri iu përgjigj edhe shqetësimeve se nisma për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve mund të shkaktojë reagimin e ndërkombëtarëve, që ndërmjetësuan marrëveshjen e 5 qershorit me Partinë Demokratike.
“Adresimi i shqetësimit është korrekt nga ana e të gjithë miqëve tanë dhe po kaq korrekte është edhe përgjigjia e Partisë Socialiste: marrëveshja e 5 qershorit nuk do të preket”, tha ai.
Ndryshimet sipas marrëveshjes së 5 qershorit janë futur në kalendarin e punimeve për në seancën e 23 korrikut, ndërkohë që më 30 korrik është vendosur diskutimi i nismës së opozitës parlamentare për ndryshimet kushtetuese dhe kërkesa për hapjen e listave.
Socialistët kanë sugjeruar më herët edhe një marrëveshje trepalëshe, me shpresën e gjetjes së një dakordësie për hapjen e listave. Por, hapja e listave u kundërshtua nga Partia Demokratike ditën e enjte, me arsyetimin se nuk ka më kohë për ta realizuar një gjë të tillë.
I ri, agresiv, ambicioz dhe me shpesh me vetëbesim në kufijtë e arrogancës, aq sa para zgjedhjeve të 30 gushtit ishte gati të vinte dorën në zjarr se ai dhe lëvizja “URA” që drejton do të përcaktonte Qeverinë e re. Dritan Abazoviç ka profilin e një politikani të pashoq në Ballkan.
I lindur në Ulqin, 35-vjeçari ja doli mbanë që pasi e gërreu për vite me radhë pushtetin e Milo Gjukanoviçit, pushtet i akuzuar se është ngritur mbi korrupsionin, lidhjet me krimin e organizuar dhe nepotizmin për vite me radhë ta rrëzonte atë, duke realizuar atë që s’e ka bërë njeri në Mal të Zi në tre dekada.
Se deri ku shtrihen kufijtë e ambicies së Dritan Abazoviçit e tregon koha e shkurtër me të cilën ngriti karrierën e tij politike nga aktivist i përfshirë në lëvizjet qytetarë serbo-malazeze në “kingmaker”. Ai refuzon edhe sot që të cilësohet politikan, pasi me këto fjalë identifikon klasën e vjetër të udhëheqësve malazezë, që i akuzon si të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.
Por, me “piruetat” e bëra në harkun kohor të pesë viteve e kanë bërë më shumë se politikan. 35-vjeçari duket se ka gjetur formulën e një ekuilibri që deri para tij konsiderohej i paarritshëm; të bëjë bashkë malazez, serbë dhe shqiptarë.
Malazezët e lodhur nga sundimi 30-vjeçar i Milo Gjukanoviçit i joshi me guximin e treguar me akuzat që bënte publike, si në rastin kur e akuzonte, në atë kohë Kryeministër, se kishte futur në xhepat e kompanive të zotëruara prej tij miliona dollarë para të taksapaguesve malazezë.
Në atë kohë nuk i kishte mbushur ende 30 vjeç dhe deputet i partisë “Mali i Zi Pozitiv”. Pati guximin që t’i drejtohej Gjukanoviçit në sallën e Parlamentit për një skandal për të cilin të gjithë kolegët ishin në dijeni, por askush nuk e përmendte publikisht. Nga akuzat e tij, Milo Gjukanoviç e humbi durimin dhe në debat e sipër i kthehet duke i thënë “Turp të kesh! Faqezi!”, duke nënkuptuar se 35-vjeçari kishte tradhtuar elektoratin shqiptar.
Pikërisht përplasja e fortë me Gjukanoviç u hamendësua më vonë edhe si shkak i përçarjes së partisë “Mali i Zi Pozitiv”. Abazoviç, së bashku me disa drejtues serbë të kësaj partie kërkonin një ballafaqim të drejtpërdrejtë dhe agresiv me Gjukanoviçin, deri në rrëzimin e tij. Kjo binte ndesh me “pragmatizmin” e shumicës në këtë fraksion politik, që çoi në largimin e Abazoviçit dhe themelimin prej tij dhe një grupi bashkëpunëtorësh serbë dhe malazezë të lëvizjes qytetare “URA”.
Programi i “URA”-s përafron më shumë me programin e social-demokratëve të Gjukanoviçit. Megjithatë, Abazoviç orientoi katër mandatet e fituara drejt nacionalistëve malazezë dhe partive serbe, në një lëvizje që më shumë se parimore duket se është kushtëzuar nga basti që i riu i kishte vënë vetes për të rrëzuar Gjukanoviçin. Qeveria e re do të ngrihet me ekspertë, sipas kushtit të vendosur prej tij, duke e lënë politikën në Parlament.
Jo aq e papritur
Zgjedhja e bërë prej Dritan Abazoviçit ka lënë jo pak të habitur. Edhe vetë koalicioni nacionalist e proserb, të paktën publikisht, nuk e ka pritur këtë. Por, kjo lëvizje nuk duket edhe aq e papritur për profilin e 35-vjeçarit, që noton prej më shumë se një dekade në ujërat shpesh të trazuara të politikës malazeze.
Me deklaratat dhe qëndrimet e mbajtura në të shkuarën ai ka synuar gjithmonë që të dalë mbi të gjitha etnitë në Mal të Zi. Nuk e kërkoi asnjëherë votën e shqiptarëve si shqiptar, ndoshta duke llogaritur peshën e vogël elektorale dhe përçarjen e madhe të tyre. Por, fitoi besimin e malazezëve të lodhur nga regjimi i Gjukanoviçit dhe simpatinë e serbëve me disa deklarata kontraverse.
Mes tyre është edhe deklarata e bërë për Skënderbeun, me rastin e vendosjes së monumentit të tij në qytetin e Ulqinit, vendlindja e Dritan Abazoviçit. Deklaronte me bindje se Ulqini nuk kishte nevojë për një monument të tillë, por zhurmën e shkaktoi kur nënkuptoi se Skënderbeu ishte serb.
“Edhe fëmijët në çerdhe e dinë që ata që kanë baba dhe mama serbe, nuk mund të jenë shqiptarë”, u përgjigjej ai akuzave që i vinin nga shqiptarët e Malit të Zi dhe jo vetëm mbi një deklaratë të bërë në televizionit malazeze se Skënderbeu ishte serb.
Deklarata e tij nuk ishte e pallogaritur. Ajo mbërrinte pak kohë pasi opozita proserbe e akuzonte se kishte për qëllim përçarjen e elektoratit serb dhe për sulme ndaj Kishës Serbe të Malit të Zi. Me këtë deklaratë ja doli mbanë që të qetësojë serbët, por ndoshta edhe t’i përçajë ata, duke siguruar një grusht të mirë votash në zgjedhjet e fundit.
Qëndrimet dashamirëse ndaj serbëve i përforcoi me bërjen publike të idesë së tij për marrëdhëniet me Serbinë dhe për ligjin e miratuar nga Gjukanoviç që sekuestron pronat që kleri fetar në Mal të Zi nuk është në gjendje që të provojë me dokumentacion zotërimin e tyre historik. Abazoviç premton shfuqizimin e këtij ligji dhe kalimin e një ligji tjetër për lirinë e besimit fetar, që premton se do të jetë “i standardeve europiane”.
Po ashtu, në një deklaratë të bërë jo shumë kohë më parë shprehej se Mali i Zi duhet të përpiqej që të ndërtonte politika të fqinjësisë së mirë me të gjithë fqinjët e vet, por sidomos me Serbinë që e shihte si “më të afërt”.
Kryeministri Edi Rama do t’u kërkojë shqiptarëve më 25 prill mandatin e tretë duke u mbështetur tek platforma për nxitjen e punësimit dhe tek projektet infrastrukturore, që mund të ndërtohen falë paketës prej 20 miliard euro për rajonin të Bashkimit Europian.
Për të parën, Rama tha se sot vendi ka mundësi për të ndezur motorë të rinj të ekonomisë falë rritjes së fuqisë së brendshme të tij.
“Pse dhe si do ta bëjmë Shqipërinë të vrapojë në mandatin e tretë pasi ka ecur dhe ka ecur jo pak në këtë mandat, duke rimarrë veten nga lëngimi dhe paraliza ku ne e gjetëm në mandatin e parë? Faktet thonë që ne kemi dy krahë, kemi krahun e fuqisë sonë të brendshme që sot është shumë më e madhe seç ishte dhe përmes këtij krahu kemi sot para syve tanë një sërë motorësh të rinj për t’i ndezur ekonomisë dhe për të nxitur jo thjesht punësimin në numra, por një punësim ku vlera e pagës edhe në sektorin privat do të rritet”, u shpreh ai.
Krahu tjetër është paketa financiare prej 20 ml eurosh e premtuar nga Bashkimi Europian për rajonin në infrastrukturë, energji dhe digjitalizim.
“Kemi krahun tjetër të ri që është shumë i fuqishëm që është plani i ri europian, që bazohet tek ai që ka qenë vizioni që për fatin tim të madh dhe nderin tim të madh ju e keni përqafuar të gjithë, vizioni i shengenit rajonal. Ka qenë ai vizion që ka avancuar me vështirësi vit pas viti dhe që është bërë baza sot e planit masiv europian pas ndryshimit të Komisionit Europian dhe ka qenë edhe këmbëngulja jonë për të këmbëngulur që integrimi europian individualisht mund të marrë kohë dhe rajoni duhet mbështetur. Komisioneri për Zgjerimin erdhi këtu dhe tha për një plan prej 9 mld euro grante për vendet e rajonit dhe 20 mld të tjera kredi të garantuara nga 1 mld në 9 mld”, u shpreh Rama.
Por a është në gjendje Shqipëria që të përthithë fondet e BE-së? Rama foli i bindur që po.
“Na takon ne që të bëjmë projektet dhe t’i kthejmë këto para në investime. Ne e kemi treguar që dimë ta bëjmë këtë. Paratë për bujqësinë ishin aty prej vitesh. U desh vota e 2017 që ne të merrnim kreditimin për agjencinë dhe sot ne jemi vendi i parë në rajon për thithjen e fondeve të BE-së për bujqësinë”, deklaroi Kryeministri.
Në lidhje me projektet infrastrukturore, Rama premtoi ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, ndërtimin e aeroporteve në Vlorë e Sarandë dhe përfundimin e aeroportit të Kukësit. Sa u takon porteve, Kryeministri premtoi ndërtimin e portit të jahteve në Vlorë, portin e ri në Sarandë dhe portin e mallrave në Porto Romano, duke e shndërruar në port vetëm për pasagjerë portin e Durrësit. Po ashtu, ai tha se do të shqyrtohet mundësia bashkë me Qeverinë e Kosovës për portin e Shëngjinit.
Sa u takon projekteve në rrugë, Rama deklaroi se shpejt do të nisë puna për autostradën Milot-Fier dhe do të vazhdohet me Milot-Muriqan, si pjesë e “Korridorit Blu” dhe premtoi mbylljen e punimeve në Rrugën e Kombit.