Videot kryesore
Kriza me të cilën po kalojnë njerëzit në tokë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri nuk e ka ndaluar Elon Musk që të vazhdojë të shohë nga qielli.
Kompania e tij, Space X lëshoi në hapësirën dërgesën e radhës me satelitë, që miliarderi amerikan thotë se janë pjesë e projektit gjigant “Lidhja e Yjeve” (Starlink), që do të përmirësojë ndjeshëm si mbulimin me internet të globit, ashtu edhe cilësinë e shpejtësinë e internetit.
Këtë radhë bëhej fjalë për rreth 400 satelitë që u hodhën në orbitë duke shfrytëzuar anijen hapësinore “Falcon 9” e cila u ngrit nga Cape Canaveral Air Force Station në Florida. Një pjesë e tyre u pa me sy të lirë edhe nga Tirana, si në videon e mëposhtme.
Kjo është dërgesa më e madhe e hedhur ndonjëherë në hapësirë si pjesë e këtij projekti, që Elon Musk synon që të zgjerohet me 12 mijë satelitë dhe mundësinë që ky numër të shkojë në 42 mijë të tillë.
Musk është i bindur se në përfundim të projektit nuk do të ketë cep të globit pa akses në internet, ndërkohë që kritikuesit e programit e qortojnë duke deklaruar se numri i lartë i satelitëve mund të ndikojë në destabilizimin e klimës në Tokë.
Gjendja e fatkeqësisë natyrore përfundon ditën e martë (23 qershor) dhe një ditë më vonë, të paktën juridikisht vendi kthehet në normalitet. Megjithatë, shtimi i infeksioneve të reja të raportuara përgjatë ditëve të fundit ka shtuar zërat për një zgjatje të gjendjes së jashtëzakonshme.
Nga Qeveria dhe mazhoranca kjo temë është anashkaluar për momentin, por në fillim të muajit qershor, atëherë kur vendi u hap thuajse plotësisht, Kryeministri Edi Rama nuk përjashtonte zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zona të caktuara të vendit.
Në këtë deklaratë, Kryeministri nënkuptonte zonat bregdetare dhe e interpretonte mundësinë e zgjatjes së gjendjes së fatkeqësisë në mënyrë që Qeveria të kishte në dorë instrumentet për të luftuar përhapjen e infeksionit, duke qenë se rritja e temperaturave do të zhvendoste gjithnjë e më shumë njerëz në drejtim të bregdetit.
Pa kaluar as dhjetë ditë nga kjo deklaratë, Kryeministri Edi Rama doli me një paralajmërim për rikthimin e karantinës dhe zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme, që tha se ishte i detyruar që ta ndërmerrte nëse shifrat me infeksione të reja vazhdonin me ritmet e regjistruara në dhjetë ditët e para të qershorit.
Prej asaj dite, shifrat kanë qenë të larta e po ashtu, sipas raportimeve ditore të Ministrisë së Shëndetësisë është rritur edhe numri i pacientëve që janë shtruar në spital. Përballë këtyre zhvillimeve dhe me përfundimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, çfarë duhet të presin shqiptarët të mërkurën; zgjatje të përgjithshme të gjendjes së jashtëzakonshme, apo gjendje të jashtëzakonshme vetëm në bregdet?
U bënë ca ditë që qytetarëve u serviren dy realitete të kundërta; realiteti i Lulzim Bashës dhe realiteti i Edi Ramës për fermerët.
Basha thotë se se sot fshati është i harruar nga dora e shtetit dhe gjendja e banorëve të tij është në kufijtë e mbijetesës, ndërsa Rama kundërpërgjigjet herë vetë, herë përmes ministrit të Bujqësisë, Blendi Çuci me shembuj, sipas tij, të një blegtori e bujku të fshatit shqiptar që është shndërruar në një sipërmarrës të suksesshëm, ashtu si në modelet perëndimore.
Modeli i fshatarit të Lulzim Bashës dhe modeli i fermerit të Edi Ramës jo vetëm që nuk kryqëzohen askund, por ecin paralel dhe në kahe të kundërta me njëri-tjetrin. Në takimet e kreut të PD-së ka pakënaqësi e revoltë me Qeverinë, shtetin dhe të gjitha institucionet e tij.
Kryeministri Edi Rama do t’u kërkojë shqiptarëve më 25 prill mandatin e tretë duke u mbështetur tek platforma për nxitjen e punësimit dhe tek projektet infrastrukturore, që mund të ndërtohen falë paketës prej 20 miliard euro për rajonin të Bashkimit Europian.
Për të parën, Rama tha se sot vendi ka mundësi për të ndezur motorë të rinj të ekonomisë falë rritjes së fuqisë së brendshme të tij.
“Pse dhe si do ta bëjmë Shqipërinë të vrapojë në mandatin e tretë pasi ka ecur dhe ka ecur jo pak në këtë mandat, duke rimarrë veten nga lëngimi dhe paraliza ku ne e gjetëm në mandatin e parë? Faktet thonë që ne kemi dy krahë, kemi krahun e fuqisë sonë të brendshme që sot është shumë më e madhe seç ishte dhe përmes këtij krahu kemi sot para syve tanë një sërë motorësh të rinj për t’i ndezur ekonomisë dhe për të nxitur jo thjesht punësimin në numra, por një punësim ku vlera e pagës edhe në sektorin privat do të rritet”, u shpreh ai.
Krahu tjetër është paketa financiare prej 20 ml eurosh e premtuar nga Bashkimi Europian për rajonin në infrastrukturë, energji dhe digjitalizim.
“Kemi krahun tjetër të ri që është shumë i fuqishëm që është plani i ri europian, që bazohet tek ai që ka qenë vizioni që për fatin tim të madh dhe nderin tim të madh ju e keni përqafuar të gjithë, vizioni i shengenit rajonal. Ka qenë ai vizion që ka avancuar me vështirësi vit pas viti dhe që është bërë baza sot e planit masiv europian pas ndryshimit të Komisionit Europian dhe ka qenë edhe këmbëngulja jonë për të këmbëngulur që integrimi europian individualisht mund të marrë kohë dhe rajoni duhet mbështetur. Komisioneri për Zgjerimin erdhi këtu dhe tha për një plan prej 9 mld euro grante për vendet e rajonit dhe 20 mld të tjera kredi të garantuara nga 1 mld në 9 mld”, u shpreh Rama.
Por a është në gjendje Shqipëria që të përthithë fondet e BE-së? Rama foli i bindur që po.
“Na takon ne që të bëjmë projektet dhe t’i kthejmë këto para në investime. Ne e kemi treguar që dimë ta bëjmë këtë. Paratë për bujqësinë ishin aty prej vitesh. U desh vota e 2017 që ne të merrnim kreditimin për agjencinë dhe sot ne jemi vendi i parë në rajon për thithjen e fondeve të BE-së për bujqësinë”, deklaroi Kryeministri.
Në lidhje me projektet infrastrukturore, Rama premtoi ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, ndërtimin e aeroporteve në Vlorë e Sarandë dhe përfundimin e aeroportit të Kukësit. Sa u takon porteve, Kryeministri premtoi ndërtimin e portit të jahteve në Vlorë, portin e ri në Sarandë dhe portin e mallrave në Porto Romano, duke e shndërruar në port vetëm për pasagjerë portin e Durrësit. Po ashtu, ai tha se do të shqyrtohet mundësia bashkë me Qeverinë e Kosovës për portin e Shëngjinit.
Sa u takon projekteve në rrugë, Rama deklaroi se shpejt do të nisë puna për autostradën Milot-Fier dhe do të vazhdohet me Milot-Muriqan, si pjesë e “Korridorit Blu” dhe premtoi mbylljen e punimeve në Rrugën e Kombit.
Shqipëria feston për të dytin vit me radhë në kushte aspak të zakonta Ditën e Flamurit. Nëse një vit më parë, vendi ishte në zi kombëtare pas tërmetit të 26 nëntorit që la pas 51 të vdekur dhe mbi 900 të tjerë të plagosur, këtë vit është pandemia e Covid.
Ceremonitë e bujshme zyrtare dhe festimet mungojnë për shkak të masave të vendosura kundër përhapjes së koronavirusit, mes të cilave edhe ajo e ndalimit të grumbullimit të më shumë se 10 personave, si në ambientet të mbyllura, ashtu edhe në ambientet e hapura.
Për këtë arsye, mesazhi i përçuar nga ministrja e Shëndetësisë ishte kujdesi dhe respektimi i masave parandaluese anti-Covid.
“Patriot është ai që qëndron në shtëpi dhe mbron familjen nga infektimi”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Kryesocialisti Edi Rama u kërkon qytetarëve që të lënë menjanë ndasitë e tifozllëkun dhe të votojnë për Shqipërinë më 25 prill, që sipas tij, vetëm Partia Socialiste mund ta bëjë.
“Kjo që po bëj unë nuk është politikë, por thjesht dhe vetëm thirrja për t’i lënë mënjanë ndasitë, për t’i lënë mënjanë tifozllëkun dhe përçarjen dhe për të menduar si ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë ku fëmijët të mos jenë krenarë vetëm për historinë, për bukuritë e natyrës, për traditën familjare, për mikpritjen, për nënën dhe për babën, po të jenë krenarë për kushtet e shtëpisë”, deklaroi kryesocialisti gjatë fjalës së mbajtur në një takim elektoral në Përrenjas.
Alternativën përballë, Rama e sheh si kërcënim, jo personalisht për të, por për të gjithë qytetarët. Ai ftoi biznesin e vogël që sipas tij, të mos gënjehet me premtimin për taksën e sheshtë.
“Thonë që do të rikthejnë taksën e sheshtë. Atëherë unë u them sipërmarrësve të vegjël, si ka mundësi, taksën e keni sot zero, TVSH-në e keni sot zero, doni taksën e sheshtë 9%? Për çfarë? Jeni demokratë, nuk po ju them të bëheni socialistë, po ju them që në 25 prill të mendoni si shqiptarë, si familjarë, si njerëz që interesin e vendit dhe interesin e tyre e bëjnë bashkë dhe nuk bien pre e interesave të politikës të njërit apo tjetrit”, tha ai.
Rama u ndal edhe në Librazhd, ku kërkoi votëbesimin për mandatin e tretë si e vetmja rrugë për Shqipërinë.
Ceremonia e nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit Shtetëror të Miçiganit, ku në mes ishin studentë afganë pasoi thumbime të Kryeministrit Edi Rama në adresë të Ambasadores së SHBA, Yuri Kim.
Rama tha se shqiptarët i hapën dyert për afganët pa pritur asgjë në këmbim prej tyre, por e lexoi bashkëpunimin mes universiteteve, që përfshin 12 studentë afganë në mes si një shenjë falenderimi. Duke komentuar procesin e strehimit të përkohshëm të afganëve në Shqipëri, Rama tha se procesi është stabilizuar. Por, këtu Kryeministri duke vlerësuar procesin e strehimit të përkohshëm dhe më pas largimit të afganëve thumboi SHBA.
“Më vjen shumë mirë që studentët afganë këtu kanë gjetur një hapësirë ku ndjehen mirë. Pas pak do të shkojnë matanë oqeanit, shpresoj që mos të mërziten se nuk do t’i trajtojnë kaq mirë sa i trajtojmë ne këtu, por do të mësojnë edhe ata të mos i trajtojnë mirë të tjerët dhe në rregull do të jenë. Ndërkohë, nuk diskutohet që është kënaqësi që të gjithë ata që erdhën, disa mijëra këtu kanë marrë atë për të cilën erdhën, të tjerë mund të vijnë prap, por është normalizuar gjithë sistemi. Kanadaja ka marrë një pjesë të madhe dhe SHBA po marrin, jo aq sa kanë premtuar, por një pjesë se e kanë çik zakon që premtojnë më shumë, por bëjnë më pak kur vjen puna te gjërat konkrete.
Kur vjen puna te standardet dhe vlerat pastaj, aty na japin pa pushim gjatë të gjithë kohës...po ne i marrim me kënaqësi. Po qe puna për vlera, standarde e predikime nuk ka ditë e natë, i kemi këtu na japin me bujarinë më të madhe se çfarë duhet të bëni dhe kur vjen puna te këto gjërat konkrete japin, po çik më me kujdes se nuk kanë të shkretët. Nuk janë në pozitë që të japin shumë.
Na vjen shumë mirë që sot jemi të gjithë bashkë këtu. Më pëlqeu shumë ajo pjesa që tha rektori: “Ju garantojmë zonja Ambasadore...” M’u kujtua koha kur vinte Sekretari i Partisë këtu dhe u thoshte ai dekani i vjetër: “Ju garantojmë shoku Sekretar i Komitetit të Partisë që ne do të punojmë që partia dhe populli të jenë krenarë për ne. Kaq kisha unë, edhe suksese dhe rroftë miqësia shqiptaro-afgane”, tha Rama.
Ky fjalim i Ramës shkaktoi të qeshura në sallë, ndërsa ambasadorja e SHBA, Yuri Kim në qeshje e sipër reagoi.
Kim: Çfarë nuk shkon me ty? Jam e sigurtë që përkthimi nuk ishte i saktë. Dëgjova diçka të çuditshme.
Rama: Sigurisht! Sigurisht! Është faji i përkthyesit. Thjesht shkarkoje! (përkthyesin)