Videot kryesore
“Janë qesharake thirrjet që të hetojë drejtësia (krimet elektorale). Cila drejtësi?! Narkodrejtësia?! Cila mafie në botë heton veten?! Nëse drejtësia do të kishte hetuar, nuk do të ishte kurrë kjo situatë në Shqipëri. Ajo pseudoreformë e George Soros, që do t’i jepte Edi Ramës të gjitha pushtetet e bukosi drejtësinë dhe e ktheu në narkodrejtësi. Mafia nuk heton veten e vet, ndaj ndërkombëtarët të mos u shesin shqiptarëve sapunin për djathtë”, deklaroi këtë të enjte Sali Berisha.
Këshilli i bashkisë së Nju Jorkut organizoi mbrëmë një ceremoni festive për 107 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Me rastin e Ditës së Flamurit, këshilli nderoi disa prej veprimtarëve të dalluar të qytetit. Ne kete video kengetari nga Kosova, Ilir Shaqiri këndon këngën "Rrjedh në Këngë e ligjërime"”,
Përfaqësues të Partisë Demokratike vizituan dy shkollat e fshatrave Borizanë dhe Thumanë për t’i sjellë ato si shembuj të korrupsionit dhe vjedhjes me tenderat, duke akuzuar për këtë si pushtetin qendror, ashtu edhe atë vendor.
“Tërmeti i 26 nëntorit ka nxjerrë në pah tërmetin e vjedhjes dhe korrupsionit me fondet publike nga qeveria dhe Bashkia e Krujës. Dy shkolla janë shkatërruar plotësisht në Thumanë dhe Borizanë, por dokumentet për tenderat përkatës janë zhdukur nga sistemi”, thotë PD.
Albana Vokshi, Çlirim Gjata dhe Dashamir Hidraliu, sekretari i degës së PD në Krujë, i cili humbi motrën dhe nipin në një nga pallatet e shembur në Thumanë deklaruan se pasojat e tërmetit të vjedhjes me shkollat e fëmijëve janë mbi 1 milionë euro të zhdukura.
PD akuzon se Qeveria nxitoi që të zhdukte gjurmët e vjedhjes, duke prishur me shpejtësi dy shkollat dhe bashkë me inertet e tyre ka zhdukur edhe dokumentet e tenderave. PD i kërkon prokurorisë të mos vonojë hetimin për 1 milion eurot e zhdukura, për këdo që, sipas saj ka vjedhur dhe ka vënë në rrezik jetët e mbi 700 nxënësve dhe mësuesve.
Duke sjellë në vëmendje një deklaratë 2016-ës të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për mensat sociale të hapura nga bashkia dhe dokumentacionin që kërkohet aktualisht për të ngrënë në këto mensa, Partia Demokratike thotë se ranë maskat e kryebashkiakut të kryeqytetit, që përdor këto mensa për propagandë.
“Erion Veliaj është kryebashkiaku mashtrues dhe me dy fytyra i Tiranës. Njërën fytyrë e ka për propagandën e shtrenjtë në ekrane, fytyra tjetër është ajo më pranë të vërtetës, shpërfillja e më të pamundurve deri në refuzimin e një pjate supë”, deklaroi nga Selia Blu, Orjola Pampuri.
PD iu referua një investigimit të emisionit “Boom”.
“Faktet e ofruara nga emisioni investigativ “Boom” janë të pakundërshtueshme. Të sigurosh një pjatë në mensat sociale të Erion Veliajt është më e vështirë dhe ka më shumë burokraci sesa të gjesh një punë. Në rrugët e Tiranës në këto ditë të ftohta dimri gjen plot njerëz që enden rrugëve, të pamundur për t’u ushqyer, apo për të siguruar një çati ku të shmangin të ftohtin. Ata i duhen kryemashtruesit të Tiranës vetëm për festa, që të verë përparësen, të marrë garuzhden, e të shesë një realitet të rremë, kur, në të vërtetë, pjatën e ngrohtë e pengon një mal me burokraci”, shtoi Pampuri.
Prindërit e nxënësve të gjimnazit “Janaq Kilica” në qytetin e Fierit, ku një ditë më parë u helmuan 60 gjimnazistë kanë hyrë me forcë në ambientet e shkollës këtë të enjte duke penguar mësimin.
Ata kërkojnë garanci për jetën dhe shëndetin e fëmijëve të tyre, pasi edhe mëngjesin e sotëm dy gjimnazistë shfaqen probleme me frymëmarrjen si pasojë e helmimit, pasi një nxënëse u dërgua në urgjencë për shkak të vështirësive me frymëmarrjen.
Mbetet e paqartë nëse problemet e dy të rinjëve janë pasojë e helmimit me spraj ditën e mërkurë, apo ambientet e shkollës janë të paajrosura ende dhe me gjurmë të gazit që dyshohet se është përdorur nga dy adoleshentë me inicialet A.M. dhe A.H., që të dy 15-vjeç.
Ndërkohë, ndaj dy të adoleshentëve që dyshohet se përdorën gazin helmues policia ka nisur procedimet penale. Burime të gazetës “Si” pohojnë paraprakisht se nga dëshmitë e para të dhëna prej tyre edhe në prani të psikologut 15-vjeçarët fillimisht e kanë mohuar autorësinë, ndërsa më pas e kanë pranuar duke deklaruar se gjithçka e kanë bërë me shaka dhe të pavetëdijshëm për pasojat që mund të shkaktonte spraji helmues që kanë hedhur në drejtim të bashkëmoshatarëve të tyre.
Shteti më i madh në botë për nga popullsia, me mbi 1 miliardë banorë, India ka njoftuar qytetarët që të izolohen në shtëpitë e tyre për 21 ditë, e kjo si masë mbrojtëse nga përhapja e koronavirusit. Për shkelësit e këtij urdhri, policia ka gjetur një mënyrë të re ndëshkimi duke i goditur fizikisht me shkopinj druri ato.
Presidenti Ilir Meta kërkoi mbylljen e fasonerive dhe mbështetjen e punonjësve të tyre me pagesa nga Qeveria, nëse këto të fundit nuk përmbushin dhe garantojnë standardet e parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
“Është me mjaft rëndësi që të respektohen kudo distancat fizike dhe standarde të detyrueshme nga institucionet e shëndetit publik për çdolloj aktiviteti. Çdo nënvlerësim do të ishte me pasoja edhe njerëzore, financiare dhe ekonomike. Duhet përqëndrim më i madh në këtë drejtim për të parandaluar krijimin e vatrave të reja në mënyrë të paparashikuar. Nëse nuk garantohen standardet aktivitete të tilla nuk duhet të lejohen dhe punonjësit duhet të mbështeten nga ana e Qeverisë”, deklaroi në një konferencë për shtyp Presidenti Meta.
Meta komentoi këtë tematikë pas shpërthimit të dy vatrave me koronavirus në Krujë dhe Laç. Në të dyja këto vatra, pjesa dërrmuese e rasteve të reja me Covid-19 janë punonjëse të fasonerive dhe familjarë të tyre.
Mbylljen e fasonerive dhe mbështetjen financiare nga ana e Qeverisë të 70 mijë punonjësve të këtij sektori e ka kërkuar edhe Partia Demokratike. Ish-deputetja Orjola Pampuri tha se shifrat zyrtare konfirmojnë shqetësimin e ngritur që në fillim nga ana e opozitës, që fasoneritë janë “mina me sahat” e pandemisë.
“Të dhënat zyrtare konfirmojnë shqetësimin e Partisë Demokratike se mbajtja hapur me kokëfortësi e fasonerive i ka kthyer ato në vatra të rrezikshme të përhapjes së infeksionit. Në Krujë, sot ka më shumë të infektuar se dje. Janë 18 persona të tjerë që kanë rezultuar pozitiv. Të gjithë punonjës fasonerie, kryesisht gra dhe vajza. Urojmë që të dhënat të pasqyrojnë realitetin dhe virusi të mos jetë përhapur akoma më shumë, por edhe kaq sa është, kemi një situatë shumë problematike”, deklaroi ajo.
Por, ndryshe nga Presidenti, opozita thotë se nga këqyrja që ka bërë në terren është e pamundur që të respektohet distanca fizike mes punonjësve dhe protokollet e tjera të sigurisë anti Covid.
“Ne ishim atje, kemi parë kushtet, kemi biseduar me sipërmarrësit dhe me punonjësit. Është e pamundur që në një mjedis të tillë aq të vogël të ruhet distanca sociale dhe të respektohen standardet e kërkuara. Duhet mbyllja e tyre, e shoqëruar me një mbështetje financiare. Sa më shpejt, aq më mirë!”, vijon ajo më tej.
PD është e bindur se pas qëndrimit të Qeverisë për të mos mbyllur fasoneritë është këmbëngulja e Edi Ramës për të mos anuluar tendera dhe koncesione, që opozita i cilëson si korruptive.
“Ka vetëm një arsye pse Edi Rama është i gatshëm të luajë bixhoz me jetën dhe shëndetin e 70 mijë nënave dhe motrave. Ai nuk do që të sakrifikojë nga paratë që ndan me një grusht oligarkësh për disa koncesione korruptive. Anulimi i pagesave për inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit mbulon koston e pagesës minimale për 70 mijë gra e vajza të fasonerive”, tha Pampuri.
U bënë ca ditë që qytetarëve u serviren dy realitete të kundërta; realiteti i Lulzim Bashës dhe realiteti i Edi Ramës për fermerët.
Basha thotë se se sot fshati është i harruar nga dora e shtetit dhe gjendja e banorëve të tij është në kufijtë e mbijetesës, ndërsa Rama kundërpërgjigjet herë vetë, herë përmes ministrit të Bujqësisë, Blendi Çuci me shembuj, sipas tij, të një blegtori e bujku të fshatit shqiptar që është shndërruar në një sipërmarrës të suksesshëm, ashtu si në modelet perëndimore.
Modeli i fshatarit të Lulzim Bashës dhe modeli i fermerit të Edi Ramës jo vetëm që nuk kryqëzohen askund, por ecin paralel dhe në kahe të kundërta me njëri-tjetrin. Në takimet e kreut të PD-së ka pakënaqësi e revoltë me Qeverinë, shtetin dhe të gjitha institucionet e tij.
Në mesazhin e urimit me rastin e Kurban Bajramit, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu apelon që kjo festë të shërbejë për të ripërtërirë ndjenjën e dashurisë, respektit, vëllazërisë faljes dhe përkujdesjes mes njerëzve.
“Kurban Bajrami është dita kur ne me buzëqeshje, gëzim e paqe, shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit. T’i shohim të gjithë njerëzit me syrin e dashurisë, ashtu siç na sheh ne Zoti dhe le të bëhemi pjesë e gëzimit të tyre duke ndarë së bashku mirësitë e Kurban Bajramit”, thotë Spahiu.
Për shkak të pandemisë, këtë vit pelegrinazhi i Hashit nuk mundësohet dhe kreu i KMSh-së bën thirrje për përkujdes maksimal që festimet të mbahen duke respektuar të gjitha masat e duhura për parandalimin e Covid.
“Gjatë këtyre ditëve të jemi të kujdesshëm në festimet tona, duke marrë të gjitha masat e duhura për të shmangur infektimet e mundshme nga Covid-19. Shëndeti dhe jeta kanë një rëndësi të veçantë në fenë tonë. Kështu që e kemi për detyrë të kujdesemi për veten, familjen, dhe për të gjithë njerëzit që na rrethojnë. Me lutjet drejtuar Allahut dhe me kujdesin tonë edhe kjo pandemi do të largohet nga mesi ynë”, tha ai.
Kreu i KMSh-së deklaron se Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit.
“Në Kuranin famëlartë Allahu na mëson që tek Ai nuk arrin as mishi as gjaku i kurbanit, por përkushtimi ynë që kemi për të. Pra Kurbani është një mjet që na afron më shumë me Zotin dhe duke ndarë mishin e kurbanit me njerëzit në nevojë ne jemi më afër pëlqimit të Tij”, vijon mesazhi i urimit.
Spahiu bëri thirrje për përkujdesje ndaj njerëzve në nevojë dhe të moshuarve.
Procesi i numërimit të votave në Kosovë po shkon drejt fundit. Sipas tabelave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kur janë numëruar mbi 98 për qind e tyre, Vetëvendosje kryeson me 48.17 për qind e tyre, ndjekur më pas me radhë nga PDK, LDK dhe AAK.
Aktualisht janë duke u numëruar votat me postë dhe votat me kusht. Pas Vetëvendosjes PDK ka marrë 17.3 për qind dhe LDK 13.1 për qind. E treta renditet AAK me 7.4 për qind.
Nisma e Fatmir Limajt nuk e ka kapur pragun prej 3 për qind për të hyrë në Kuvend. Të gjitha partitë politike e uruan Vetëvendosjen për fitoren, ndërsa procesi është vlerësuar si shembullor nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
“Ky referendum për drejtësi, punë dhe kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit, u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, tha Kurti në një konferencë për media të dielën mbrëma.
Ai u zotua se qeveria e tij nuk do të hakmerret me askënd, por do të kërkojë llogaridhënie. Lideri i LVV-së tha se fitorja “është vetëm mundësia për të filluar ndryshimin që e duam. Na presin shumë punë dhe shumë angazhim sepse vendi është në kriza të shumëfishta”.
Kurti falënderoi kundërshtarët për garën e drejtë dhe i ftoi që të reformohen. I pyetur për mundësinë e koalicioneve, sipas tij, rezultati zgjedhor sugjeron se ata mund të krijojnë vetë qeverinë.
“Ky rezultat tani ne na e konfirmon se nuk kemi nevojë, e nuk kemi interes për ata që duhet të reformohen në opozitë”, theksoi Kurti.
Ndërkaq, Vjosa Osmani, që garon për postin e Presidentes tha se fitorja në zgjedhje nënkupton punën në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe në punën për luftimin e korrupsionit.
“Misioni ynë mbetet fuqizimi i shtetësisë sonë dhe rrugëtimi drejt anëtarësimit në strukturat atlantike si dhe miqësia jonë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani.
Partia Demokratike e Kosovës, që ka dalë e dyta dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që është e treta, kanë deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë. Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që sipas rezultateve preliminare radhitet e treta, ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, sa i përket koalicioneve të mundshme qeverisëse.
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, tha nga ana tjeter se Kosova ka përmbyllur një proces të rregullt zgjedhor. Sipas tij, kjo tregon për kulturën demokratike që është vendosur në procese zgjedhore, që siç thotë Hoti, është përmbushje e standardeve evropiane.
Ai thotë se pret që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përmbyllë sa më parë procesin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, që t'i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të vendit. Qeveria në detyrë, shtoi Hoti, do të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
“Rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kemi pritur. Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutojmë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë. Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha Hoti.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një postim në Facebook, ka shkruar se në ditët në vijim, do të bëjnë një analizë të thellë të zgjedhjeve.
“Z. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si kryeministër, por edhe gjatë fushatës. Çfarëdo të jetë, LDK e respekton rezultatin e zgjedhjeve”, ka shkruar Mustafa.
Partia Demokratike e Kosovës ka uruar nga ana tjetër Kurtin për fitoren, por paralajmëroi se nuk do të formonte një qeveri me Vetëvendosjen. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër ka bërë të ditur se partia e tij, nuk do të jetë pjesë e qeverisë.
“PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që kemi dallime të mëdha në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe në të cilat qëndron PDK-ja. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që do të jemi faktor i stabilitetit si parti në opozitë ”, tha Hoxhaj në një konferencë për media.