Videot kryesore
Deklarimi i adresave nga ana e shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit është një proces që nuk ka lidhje me procesin e votimit të tyre. Deklarata u bë nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.
“Ngatërrohet regjistrimi i adresave të shtetasve jashtë vendit me listën e votuesve jashtë vendit dhe krijohet ndonjëherë ideja se po s’u bë regjistrimi i adresave nuk mund të ketë aplikim të së drejtës së votës. Nuk është e vërtetë! Sistemi që do të krijohet pranë KQZ-së, sipas modelit të Kosovës, është në aplikim për shtetasit jashtë vendit, të cilët aplikojnë me pasaportë dhe kartë identiteti dhe kjo krijon listën e votuesve. Nuk e krijon adresari listën e votuesve”, deklaroi Majko.
Ministri i Shtetit për Diasporën tha se procesi i votimit për emigrantët është një vendimmarrje ekskluzive e KQZ-së.
Ministri foli në Nënkomisionin Parlamentar për Diasporën, një strukturë në varësi të Komisionit për Politikën e Jashtme në Parlament. Ai ceku edhe çështjen e pensioneve të emigrantëve. Majko tha se pandemia ka vështirësuar punën dhe bisedimet me shtete të ndryshme për t’u njohur siguracionet emigrantëve shqiptarë, por tha se progres është bërë me Italinë.
“Nga përfaqësuesit dhe komunikimi që kemi me përgjegjësit shtetërorë italianë na është thënë që çështja e buxhetit është zgjidhur dhe tani çështja e marrëveshjes për pensionet janë vetëm negociatat”, deklaroi Majko.
Presidenti Ilir meta nuk komentoi përmbajtjen e pjesëve të draftit paraprak të Komisionit të Venecias, që u bënë publike pasditen e së premtes.
Në vend të kësaj Presidenti foli parimisht duke deklaruar se nuk bëhet fjalë për një çështje të Venecias, por për një përplasje për drejtësinë.
“Nuk mendoj se kjo është një çështje e Venecias, sepse Kushtetutën e Shqipërisë e ka shkruar Komisioni i Venecias. Prej 115 ditësh kjo është një çështje e drejtësisë dhe hetimit, që të bëjë veprimet e duhura që askush të mos dalë mbi Kushtetutën dhe ligjin”, tha Presidenti.
Meta nuk komentoi raportin duke deklaruar se mbi dokument ka pasur një konfidencialitet të cilit palët duhet t’i binden. Megjithatë, copëza të draft-raportit u publikuan ditën e premte. Sipas përmbajtjes së tyre, Venecia i jep të drejtë Presidentit të Republikës në betejën e tij me mazhorancën për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Po ashtu, draft-raporti vë në dyshim edhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ndërsa mazhoranca konfirmoi marrjen e një drafti paraprak, nuk rrëzoi përmbajtjen e pjesëve të publikuara, por tha se ato janë shkëputur në mënyrë selektive nga drafti si një i tërë. Në reagimin e tij, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla nënkuptoi se drafti që duhej të ruhej konfidencial ka rrjedhur nga Presidenca.
Armenët e Nagorno-Karabakh po zbatojnë strategjinë e tokës së djegur, duke u vënë flakën shtëpive dhe gjithçkaje tjetër që mund të shfrytëzohet nga azerët në momentin që do të marrin kontrollin e disa fshatrave sipas marrëveshjes së paqes së ndërmjetësuar nga Rusia.
“Ata do të jenë këtu nesër në mëngjes. Le të vijnë dhe të jetojnë këtu, nëse munden”, thotë për agjencinë e lajmeve “Reuters” një armen i identifikuar vetëm me emrin Arsen, teksa i vë flakën shtëpisë së tij.
Korrespondentët e agjencive ndërkombëtare të lajmeve kanë raportuar se me dhjetra raste me shtëpi dhe pemtore në flakë në disa fshatra pranë qytetit Shisha, qyteti i dytë më i madh i Nagorno-Karabakh dhe i marrë nën kontroll nga Azerbajxhani.
“Reuters” ka sjellë pamjet nga një fshat malor i quajtur Charektar. Sipas marrëveshjes, Azerbajxhani do të marrë kontrollin e këtij fshati dhe të zonave të tjera të fituara gjatë luftës 6-javore me armenët duke filluar nga kjo e diel.
“Ata duhet të ndërtojnë shtëpitë e tyre nga hiri, nëse duan të jetojnë këtu”, rrëfen më tej Arsen për Reuters.
Në garë me kohën, armenët kanë ngarkuar gjithçka kanë mundur nëpër kamionë dhe janë zhvendosur më në thellësi të rajonit Nagorno-Karabakh, me një pjesë të madhe të tyre në kryeqytetin e rajonit, Stepanakert.
Të shpërngulurit nuk kanë besim te bashkëjetesa me një fqinj azer. “Keni parë ndonjëherë ndonjë armen që të bashkëjetojë me një azer?! Nuk ka dhe nuk mund të ndodhë”, thonë ata.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kërkoi që Komisioni i Ekonomisë të thërrasë për dëgjesë brenda kalendarit të punimeve 3-javore Autoritetin e Konkurrencës për të shpjeguar rritjen e çmimit të bukës, si dhe rritjen e çmimeve në përgjithësi, sipas saj.
“Besoj që kemi çështje të ndjeshme për të diskutuar dhe besoj kam mbështetjen edhe të kolegëve socialistë përveç të PD për të thirrur Autoritetin e Konkurrencës për rritjen e çmimit të miellit dhe bukës brenda një dite, marrja e një nisme për një hetim në treg pa dalë në një konkluzion dhe raport nga Autoriteti i Konkurencës dhe situata e krijuar në përgjithësi me rritjen e çmimeve na detyron që të jemi të përgjëgjshëm dhe Autoriteti i Konkurrencës të në bëjë një prezantim pse u rrit mielli brenda ditës, të na japë një prezantim mbi situatën e përgithshme të rritjes së çmimeve”, tha Tabaku.
Sipas deputetës së Partisë Demokratike, rritja e çmimit të miellit dhe të bukës nuk varet nga faktorë të jashtëm, ashtu sikundër kanë deklaruar importuesit dhe shoqatat e prodhimit të bukës.
“Kjo është një situatë që nuk varet nga faktorë të jashtëm, por që varet nga faktorë të brendshëm, prandaj brenda këtyre tre javëve të thërrasim Autoritetin e Konkurrencës dhe të hetojmë se çfarë ka ndodhur në treg dhe të jepen sugjerime nëse do të jetë e nevojshme”, u shpreh deputetja e PD.
Kjo ishte mbledhja e parë e Komisionit të Ekonomisë dhe i vetmi komision ku puna vijoi normalisht, me deputetët e opozitës në sallë dhe ata të mazhorancës online. Kreu i Komisionit të Ekonomisë nënkuptoi se kërkesa e Tabakut për të futur në programin trejavor raportimin e Konkurrencës nuk do të pranohet.
“Ka një procedurë sa u takon kërkesave për punimet dhe rendin e ditës që çdo deputet mund ta ndjekë”, u shpreh ai.
Një video e shpërndarë në rrjetet sociale ka tronditur Kosovën. Një infermiere qëllon me shpulla një të grua të moshuar në një qendër private të kujdesit shendetësor të personave të moshës së tretë.
Historia e Antetokounmpo qe u rrit me kulturën greke duke mësuar gjuhën, duke shkuar në shkollë dhe duke filluar të luante basketboll që në moshën 7-vjeçare. Por kur ai ishte në shtëpi me familjen e tij, ai gjithmonë ishte një nigerian, duke i ruajtur edhe traditat e vendit nga vinin prindërit e tij.
Palët politike rivale të udhëhequra nga Edi Rama majtas dhe Lulzim Basha djathtas janë përshirë në një debat të ethshëm për çështjen e taksave, duke u paraqitur qytetarëve avantazhet e propozimeve të tyre, i pari me taksën progresive dhe i dyti me taksën e sheshtë 9 për qind.
Por, në të gjithë këtë debat të dyja palët po i qëndrojnë larg debatit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për ushqimet bazë të shportës së konsumit të një familjeje. Shqipëria është ndër të paktat vende në Europë që nuk diferencon nga TVSH 20 për qind ushqimet e shportës dhe premtimi për heqjen e këtyre produkteve nga kjo skemë është bërë gjithmonë në opozitë e “harruar” në pushtet.
Një premtim për heqjen e TVSh-së për produktet e shportës është bërë në 2011 nga Edi Rama. Përmes rrjeteve sociale, Rama ilustronte me shembuj se sa do të kursenin familjet nga heqja e TVSh-së për ushqimet e shportës.
“Lejomëni të ndaj me ju një ilustrim të thjeshtë grafik të propozimit tonë për heqjen e taksave të Saliut mbi bukën, qumështin, vezët, ilaçet, duke ju thënë të gjithë atyre që thonë ku e keni programin se ja, kjo është një copëz e programit që prej më shumë se një muaji e kemi shtruar publikisht, por pakkush ndër komentatorët e ka rrokur në brendinë e vet”, sqaronte ai tabelën e çmimeve ilustruese të mësipërme.
Në dhjetor të 2011, socialistët në atë kohë në opozitë dorëzuan në Kuvend një propozim konkret për të hequr TVSh për produktet e shportës duke deklaruar në relacionin shoqërues të nismës se kjo do të ulte çmimet dhe do të ndihmonte shtresën në nevojë. Propozimi ishte pothuajse identik me premtimin elektoral të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2005-ës.
Por, propozimi u rrëzua nga mazhoranca PD-LSI. Kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha deklaronte se TVSh 20 për qind për produktet e shportës mbronte prodhimin vendas dhe se me heqjen e saj tregu do të dyndej nga produktet e importit. Megjithatë, Rama nuk hoqi dorë dhe në 2013 premtimin e përfshiu te platforma qeverisëse të Partisë Socialiste.
Verën e 2015-ës flamurin e këtij premtimi e ngrinte Lulzim Basha.
“Një nga zgjidhjet që duhet të japim është të heqim TVSH-në për miellin, për bukën, për sheqerin, për vajin, për orizin. Të paktën për këto mallra. T’ua bëjmë bukën qytetarëve që ta blejnë 20 për qind më pak se sa çmimi i tregut sot”, deklaronte Basha.
Thuajse gjashtë vite më vonë, ai vjen me propozimin e taksës së sheshtë 9 për qind, ndërsa për zerimin e TVSH-së së shportës, pra ushqimeve bazë të qytetarëve, as ai dhe as Edi Rama nuk flasin më.
TVSh në Shqipëri është në nivelin 20 për qind me një nivel të reduktuar prej 6 për qind, ku nuk bëjnë pjesë ushqimet e shportës. Niveli i reduktuar prej 6 për qind aplikohet prej 2017-ës në sektorin e turizmit dhe agro-turizmit dhe të librave, ndërsa të përjashtuara nga kjo skemë janë eksportet, shërbimet shëndetësore, importi i inputeve dhe makinerive bujqësore etj.
Në rajon, Maqedonia e Veriut aplikon prej 1 janarit të këtij viti një TVSh standarde prej 10 për qind për të gjitha kategoritë që lidhen me furnizimin dhe shitjen e ushqimeve dhe pijeve, ndërsa para këtij ndryshimi aplikonte një taksë me dy nivele, 18 dhe 5 për qind. 18 për qind ishte TVSh në rastet e konsumit të ushqimit në vendin e furnizimit (baret, restorantet, fast food-et, shërbimi “Merre me vete”, etj), ndërsa 5 për qind për miellin, bukën, orizin, vajin, kripën në rastet kur bliheshin në dyqane.
Kosova aplikon një TVSH standarde prej 18 për qind dhe një normë të reduktuar prej 8 për qind për ujin (me përjashtim të ujit të ambalazhuar në shishe), furnizimin me energji elektrike, përfshirë transmetimin dhe shpërndarjen, drithërat dhe nënproduktet e tyre, si mielli, buka dhe produkte të ngjashme, vajin për gatim, kripën, vezën dhe librat.
Me TVSH të reduktuar 8 për qind janë edhe furnizimet mjekësore, farmaceutike dhe shërbimet e ofruara nga industria e turizmit, për këtë të fundit me afat deri më 31 dhjetor të 2021 si nismë e qeverisë për të ndihmuar këtë industri.
Serbia aplikon një TVSh standarde prej 20 për qind, por aplikon nivelin e reduktuar prej 8 për qind për ushqimet bazë, ujin, gazetat, ilaçet, kompjuterat, etj.
Në Greqi, TVSh standarde është 23 për qind, por aplikon dy norma të reduktuara. 13 për qind për ushqimet dhe pijet, ilaçet, transportin dhe 6.5 për qind për hotelet, librat për fëmijë, gazetat dhe të tjera shërbime që klasifikohen si bazike.
Bosnje Herzegovina nuk ka asnjë përjashtim nga skema e TVSh-së standarde që e ka të vendosur në nivelin 17 për qind.
Mjekët e Spitalit Infektiv kanë hedhur poshtë akuzat e bëra nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që tha mbrëmjen e së enjtes se janë manipuluar shifrat e personave që kanë ndërruar jetë nga Covid-19.
Drejtorja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo me në krah kolegët e saj të këtij spitali shpërndau një mesazh, ku i vlerësonte akuzat e Bashës si tronditëse dhe goditje për profesionalizimin dhe përpjekjet e mjekëve në betejën 9-mujore kundër infeksionit.
“Nuk është kurrësesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga COVID-19 dhe themi me përgjegjësi të plotë që kjo jo vetëm është praktikisht dhe teorikisht e pamundur. Çdo pacient që ndërron jetë, përcillet për në morg së bashku me kartelën shoqëruese. Kartela bashkëshoqëruese përmban dhe arsyen e vdekjes së qytetarit, firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale e ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit nga mjeku që ka konstatuar vdekjen e personit”, thuhet në deklaratën e mjekëve.
Mjekët kërkojnë nga politika që t’i japë fund lojës me vdekjet dhe paralajmërojnë se nëse akuza të tilla përsëriten, do t’i drejtohen prokurorisë.
“Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes, e jo më pastaj një ekip i tërë mjekësh të mund të parafytyrohet dhe akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet me përmasat e deklaruara. Bëjme me dije se nëse kjo akuzë do të përsëritet, do të ftojmë organet kompetente që të verifikojnë çdo kartelë mjekësore. Nuk do të lejojmë kurrsesi këtë cënim që na bëhet në dinjitetin tonë njerëzor dhe profesional”, vijon deklarata.
Trupat ruse kanë hyrë në tre fronte në Ukrainë, nga lindja, jugu dhe nga veriu duke përdorut territorin bjellorus.
Avancimi i tyre sipas raportimeve të përplasjeve në pak orë është i madh, duke përfshirë edhe zonat përreth Kievit.
Por, ushtria ukrainase njofton se rezistenca vazhdon dhe përmes një serio fotosh e video raporton për rezistencë të fortë, sidomos në frontin verior dhe jugor të vendit.
Ukraina thotë se po përdor predhat antitank për të goditur kolonat me tanket ruse, si dhe dronët turq Bayraktar TB2
Qeveria është ende duke studiuar planin për një masë, që Rama thotë se do të jetë e përkohshme, rritjeje të çmimit të energjisë elektrike për familjet e pasura.
Rama nuk dha shumë detaje se si do të jetë skema që do të përcaktojë se kush është i pasur, e rrjedhimisht duhet të paguajë më shumë për një kilovat energjie elektrike, por përjashtoi zbatimin e një fashe konsumi, ashtu siç ishte para 2014-s.
“Nuk do ta rrisim çmimin e energjisë elektrike për asnjë familje shqiptare. Ministria e Energjisë po bën një studim për familjet e pasura, jo për të rikthyer ato fashat e tmerrshme që na çuan në katastrofë totale dhe praktikisht na lanë në buzë të humnerës në 2013-ën, por për të parë nëse mund të bëjmë një ndarje të përkohshme, ku ata që kanë më shumë të paguajnë më shumë në faturën e energjisë”, deklaroi Rama.
Për pjesën tjetër, Rama tha se nuk do të ketë rritje të faturës së energjisë elektrike, ku qeveria do të vazhdojë të paguajë diferencën në çmim.
Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Kryeministri përsëriti gjithashtu qëndrimin se nuk do të heqë asnjë taksë nga nafta.
“Taksat nga nafta nuk do të lëvizin, as me fakte alternative të fabrikuara për luftë politike, as me shpifje e as me protesta. Ajo që ka rëndësi për ne është që të mos lëvizë çmimi i energjisë për familjet, pensionistët, shtresat në nevojë dhe për biznesin e vogël. Kjo ka shumë rëndësi, sepse nëse ne rrisim energjinë për biznesin e vogël, kostoja mesatare e ulët është 35-45 mijë lek, që do të thotë automatikisht i heqim një vend pune. Kjo do të thotë 95 mijë të papunë direkt”, tha Rama.
Fasha mbrojtëse, që u hoq nga Rama në mandatin e parë qeverisës, në atë kohë ishte 300 kw për orë. Familjet që harxhonin energji më pak se kjo shifër e paguanin atë me 7 lek kilovati, ndërsa familjet që e tejkalonin atë e paguanin me 13.5 lek kilovati.
Rama e hoqi këtë fashë në mandatin e parë, duke e mesatarizuar çmimin e energjisë elektrike për të gjithë në 9.5 lek kilovati.
Edi Rama foli për afro dy orë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Peshën kryesore të fjalimit të mbajtur u mundua që ta përqëndrojë tek projektet dhe premtimet për mandatin e tretë qeverisës, por minuta të mira u kushtoi edhe kundërshtarëve politikë.
Ajo që ra në sy është se thuajse gjatë të gjithë fjalimit “kurseu” Lulzim Bashën dhe u përqëndrua më fort tek Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Fillimisht Metës i refuzoi ftesën për debat.
“Hajde në debat thotë Meta, Luli thotë në debat, Monika thotë në debat vetëm saliu nuk më do në debat. Iliri të bëjë debatin me Monikën kush është kryetari i LSI-së. Të dalë të bëjë debatin, se që iliri punon për LSI fshehurazi ky është fakt. Pasi të mundë Monikën në debat, pastaj të bëjë debatin me Lulin kush është kryetar i opozitës. Pasi të ketë fituar debatin me Lulin dhe të bëhet kryetar i opozitës dhe pastaj shohim”, tha Rama.
Tonet e përdorura ndaj LSI-së ishin një deja-vu e fushatës zgjedhore të 2017-ës, duke e quajtur “kancer”.
“Ajo është një organizatë që funksionon vetëm me një parim, njësoj si qelizat e kancerit që shtohen vetëm për ta vdekur organizmin që kapin. Me LSI nuk ka mundësi të behet më shumë seç kemi bërë në mandatin e parë. Unë nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë më parë. Kam qenë partizan i bashkimit me LSI dy herë. Mund të kishim bërë shumë më tepër gjëra dhe kemi dhënë atë që qoftë PS, qoftë PD është detyruar të japë kur je në koalicion me LSI, një pjesë të shpirtit”, u shpreh ai.
Më pas ironizoi edhe letrën e drejtuar nga Ilir Meta Asamblesë së PS-së, në të cilën e quan Ramën “refugjat”. “Ajo që më ka bërë përshtypje është që Ilir Meta thotë që juve më keni marrë mua refugjat dhe më keni bërë Kryeministër. Kjo është shprehje që në thelb tregon se sa i do Meta emigrantët”, vijoi Rama.
Meta e sfidoi më herët që të paraqesë një provë të vetme që është takuar me persona që janë subjekte të OFL-së. Rama tha se video nuk ka, por është i sigurtë që takimi ka ndodhur.
“Iliri do video, se është mësuar me video. Unë me video nuk merrem, por është e sigurtë që President në botë dhe në Shqipëri, as Saliu, as ka për të pasur më që dergjet skutave për të bërë fushatë kundër qeverisë për zgjedhjet e ardhshme. Kjo është e sigurtë. Kë takon ai nëpër skuta, ai e di vetë. Fakti që futet nëpër skuta, nëpër kthesa e mbikalime për të rrëzuar qeverinë sikur të ishte më i votuari dhe i kërkuari nga populli opozitar, është në vetvete kriminal”, u shpreh Rama.
Mes agjendës së ngjeshur të vizitës së Presidentit Erdogan në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama i shkëputi pak minuta kohë për t’i dhuruar një punim artistik të punuar nga vetë ai.
“E kam bërë vetë me këto dy duar”, i thotë Rama Erdogan.
Kryeministri ka hedhur në rrjetet sociale një video të shkurtër nga momenti i dorëzimit të veprës te Presidenti turk. Erdogan shfaqet i habitur dhe i drejtohet përkthyesit që ta pyesë nëse e ka bërë vetë Rama vërtet atë?
“Jam artist serioz unë! Si...!”, i përgjigjet Rama.
Më pas, Kryeministri i kërkon që ta ruajë veprën në shtëpi duke i thënë se ka vënë re që Zonja e Parë e Turqisë, bashkëshortja e Erdogan e kupton më mirë artin e tij se sa Presidenti turk.
“Do ta mbaj dhe ta ruaj në vendin më të mirë”, i thotë Erdogan.
Një i ri shqiptar në Itali ka bërë një akt të jashtëzakonshëm trimërie dhe humanizmi. Elton Zefi, 32 vjeç, nuk hezitoi as për një sekondë kur pa një makinë të zhytet në ujërat e kanalit Battaglia në Padova. Ai u hodh menjëherë në ujë dhe arriti t’i shpëtojë jetën një biznesmeni 85-vjeçar, i cili rrezikonte të mbytej brenda automjetit të tij.
Ngjarja ndodhi të enjten, më 20 nëntor, pak pas orës 11:00. Giuseppe Salvalajo, një sipërmarrës i njohur padovan dhe themelues i një kompanie të specializuar në restaurime arkitektonike, humbi kontrollin e makinës dhe përfundoi në kanal për arsye ende të paqarta. Automjeti nisi të fundosej me shpejtësi, ndërsa Salvalajo mbeti i bllokuar brenda, në gjendje shoku.
Në atë çast, Elton Zefi, i cili atë ditë festonte ditëlindjen, pa skenën dramatike dhe u hodh menjëherë në ujë, bashkë me një tjetër burrë që ndodhej aty pranë dhe e shpëtuan 85-vjeçarin nga vdekja e sigurt.