Videot kryesore
Kryeministri Edi Rama hoqi atletet me të cilat u shfaq në samitin e katër vendeve të Vishegradit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe veshi këpucët në takimin e nisur me Kancelaren Angela Merkel rreth orës 09:30.
Takimi mbërrin kur duhet pak më shumë se një muaj nga vendimmarrjan e Bashkimit Europian për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Takimi është thirrur nga kancelarja Angela Merkel dhe pritet të jetë vendimtar në lidhje me qëndrimin e Gjermanisë sa i takon negociatave.
Çështja e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë pritet të nisë të diskutohet që nga java e ardhshme në Parlamentin gjerman, ndërsa vendimi zyrtar do të merret më 24 shtator. Nga sinjalet e dhëna deri më tani nga përfaqësues të qeverisë dhe të Bundestagut gjerman kuptohet qartë që ka një pavendosmëri të Berlinit për çështjen e negociatave vetëm për Shqipërinë, ndërkohë që për Maqedoninë e Veriut vendimmarrja pritet që të jetë pa mëdyshje për hapjen e tyre.
Kryeministri Edi Rama e konfirmoi tërthorazi këtë, kur përmes rrjeteve sociale njoftoi takimin me përfaqësues të Komitetit për Çështjet Europiane të Bundestagut. “Për të kërkuar PO-në e Parlamentit gjerman për Shqipërinë”, shkruan ai, duke vlerësuar se takimi ishte pozitiv.
Para se të takohej me Edi Ramën, Merkel ka pritur në zyrë kreun e Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum. Me Krichbaum, veç takimit në Komitetin për Çështjet Europiane, Rama ka shkëmbyer një bisedë të shkurtër joformale para se të ulej në bisedimet me Kancelaren Merkel. Kreu për Çështjet Europiane në Bundestag është mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë, por nuk bën pjesë në listën e ligjvënësve gjermanë që kërkojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit tonë pa rezerva.
“Nuk mjafton vetëm rekomandimi i Komisionit të BE-së për hapjen e kapitujve të anëtarësimit. Ne, ashtu si Komision i Europës, por edhe unë personalisht duam të konsultojmë edhe raportet e tjera për të marrë këtë vendim, si për shembull raportin e Transparency International, raportin e World Bank dhe raporte të tjera ndërkombëtare. Ne, si grup parlamentar i CDU-CSU, kemi formuluar pika shumë të qarta dhe tani duam të dimë se sa janë plotësuar ato”, deklaronte ai në një intervistë për DW në 2018.
Mes pikave të përcaktuara nga Bundestagu gjerman është përmbyllja e reformës në drejtësi, ndëshkimi i korrupsionit në nivele të larta dhe sidomos lufta ndaj krimit të organizuar.
Policia nisi ditën e premte arrestimet e protestuesve të Unazës së Re, duke argumentuar se kishin hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, që sipas uniformave blu kanë ashpërsuar dënimet për bllokimin e rrugëve.
Në përfundim të takimit me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se kishte biseduar me të për vendosmërinë e opozitës për të dhënë ndihmën e saj në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri sipas 9 kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman dhe zgjedhjeve të parakohshme.
“Përmes reformës zgjedhore dhe zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe të ndershme për të rikthyer legjitimitetin kaq shumë të munguar, që ka lënë pasoja të mëdha në shkatërrimin e kapaciteteve shtetërore për të mirëqeverisur apo edhe për t’iu përgjigjur fatkeqësive natyrore sikurse ishte 26 nëntori”, deklaroi Basha.
Kreu i PD-së tha se tragjedia nxorri në pah se sa i papërgatitur është shteti shqiptar për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga tragjedia, edhe sot e kësaj dite.
“Larg qoftë sikur diçka e tillë të përsëritej, prapë edhe sot jemi të papërgatitur dhe prapë të njëjtat dëme do të kishim dhe prapë në të njëjtën situatë do të ishim. Ky është një rrezik që nuk mund të pranohet. Ndaj, për këtë kam kërkuar dhe dua të insistoj që të kalohet nga fjalët, shfaqjet dhe sjelljet e papranueshme, intimiduese ndaj medias, ndaj gazetarëve, ndaj analistëve, ndaj qytetarëve, duket se janë një produkt me tepricë dhe totalisht i panevojshëm, në këtë kohë krize, të kalohet urgjentisht në veprat të cilat janë detyrë e qeverisë”, tha Basha.
Kryedemokrati përsëriti propozimet e opozitës për daljen nga kriza, mes të cilave edhe anulimi i 10 koncesioneve me vlerë 150 milionë euro. Për anulimin e tyre, Basha tha se Rama mund të përdorë ligjin për emergjencat civile.
Basha ritheksoi qëndrimin e tij se ftesa e Ramës për t’u ulur në një tryezë për situatën aktuale jo vetëm që nuk është e dobishme, por edhe kundërproduktive.
“Dialogu politik për reformën zgjedhore, zhbllokimi i dialogut politik për reformën zgjedhore sipas propozimit të shtatorit. Reforma zgjedhore dhe vullneti i qytetarëve përcaktojnë cilësinë e demokracisë, jo fotot dhe shfaqjet midis kryetarit të qeverisë dhe kryetarit të opozitës”, tha kreu i opozitës.
Pamje tronditëse dhe momente të pabesueshme kur një pilot zbret aeroplanin e tij anash në Aeroportin e Heathrow, Londër, pasi luftoi me erërat e ashpra që shkuan deri në 146 kilometra në orë të shkaktuara nga Stuhia Dennis. Video tregon aeroplanin e Etihad Airways që lufton me stuhinë dhe më në fund bën uljen në Heathrow.
Nuk ishte i vetmi avion që luftuan me kushtet e tmerrshme të motit, ndërsa edhe të tjerë u përpoqën të ulen në mes të stuhisë shkatërruese.
Qindra fluturime janë anuluar, ndërsa video të tjera tregojnë përpjekjet e pilotëve në Aeroportin e Birminghamit dhe aeroporte të tjera të Britanisë së Madhe, për të ulur shëndoshë e mirë pasagjerët e tyre.
Përmbyllja e reformës zgjedhore brenda 15 marsit, afati që i kanë vendosur vetes mazhoranca dhe opozita në Këshillin Politik vihet në pikëpyetje. Shkak është bërë një propozim i Partisë Demokratike për përjashtimin përkohësisht nga procesi i vettingut i gjyqtarëve që do të zgjidhen pjesë e trupës së Kolegjit Zgjedhor, që do të shqyrtojë ankesat për procesin e zgjedhjeve.
Demokratët thonë se me këtë propozim përmbushin një prej rekomandimeve kryesore të ekspertëve të ODIHR.
“Aktualisht është e pamundur që trupa gjyqësore për zgjedhjet të jetë e pandikuar dhe jashtë presionit të vettingut, siç kërkon ODIHR, pasi procesi nuk ka një radhë të fiksuar se kush gjyqtar kalon më vetting, duke bërë që të gjithë të jenë të ekspozuar ndaj vendimit të papritur të Komisionit të Vettingut, ndërkohë që gjyqtari mund të jetë duke marrë një vendim të rëndësishëm për zgjedhjet”, thotë PD.
Por, përse PD nuk propozon që Kolegji Zgjedhor të përbëhet vetëm nga gjyqtarë të Apelit që kanë kaluar vettingun? Së pari, Oerd Bylykbashi tha se numri i këtyre gjyqtarëve është i pakët dhe së dyti shqetësimi i hershëm i opozitës se procesi i vettingut po shfrytëzohet nga Edi Rama si mekanizëm për të kërcënuar gjyqtarë e prokurorë dhe për të kapur drejtësinë.
“Së pari, numri i gjyqtarëve që kanë kaluar vettingun është shumë i vogël dhe së dyti është një proces thelbësisht problematik. Kemi rastin e gjyqtarit Dvorani, që megjithëse nuk justifikon 100 mln lekë e kaloi vettingun dhe askush nuk e ankimoi atë vendim të turpshëm, që bëri më pas të mundur të gjithë këtë që kemi sot”, deklaroi Bylykbashi.
Megjithatë, Partia Demokratike nuk e përjashton vettingun për këta gjyqtarë, por me propozimin e vet u jep një imunitet të përkohshëm 4-vjeçar, aq sa është edhe mandati i Kolegjit Zgjedhor, me qëllim që vettingu të mos mund të përdoret si mjet presioni i mazhorancës ndaj këtyre gjyqtarëve në momentin që janë duke shqyrtuar një ankesë të mundshme zgjedhore.
PD thotë se kjo nuk është pengesë për procesin e vettingut në tërësi, pasi numri i gjyqtarëve që do të përjashtoheshin përkohësisht nga ky proces është mjaft i vogël. Në varësi të ndryshimeve që do të ndodhin në Kodin Zgjedhor, opozita e përllogarit këtë numër nga 8 deri në 15 gjyqtarë, sipas formulës që do të bien dakord palët për përbërjen e këtij institucioni. Këto shifra, PD thonë se përbëjnë nga 2 deri në 4 për qind të gjyqtarëve në rang vendi.
PD dhe opozita propozojnë që vetingu për këta gjyqtarë të nisë me mbarimin e mandatit 4 vjeçar në gjykatën e zgjedhjeve. Sipas llogarive të opozitës, moratoriumi prek një numër të papërfillshëm të gjyqtarëve 2-4% të tyre, në varësi të numrit të anëtarëve të kësaj trupe 8 ose 15.
Kodi Zgjedhor aktual përcakton se anëtarët e Kolegjit Zgjedhor zgjidhen me short nga radhët e gjyqtarëve të apelit në të gjithë vendin. Këta gjyqtarë janë në listën parësore të organeve të vettingut, që për opozitën do të thotë se janë edhe nën presionin e vazhdueshëm. Për këtë, PD propozon edhe zgjerimin e bazës së gjyqtarëve që mund të bëhen pjesë e Kolegjit edhe me gjyqtarët e gjykatave të Shkallëve të Para në të gjithë vendin, me kusht që të kenë të paktën 7 vite përvojë në punë.
Propozimi i dytë ka marrë pëlqimin e socialistëve, por jo propozimi i parë, pra ai i përjashtimit përkohësisht nga procesi i vettingut i gjyqtarëve që zgjidhen anëtarë të Kolegjit Zgjedhor. Damian Gjiknuri konfirmoi deklaratën e Oerd Bylykbashit në lidhje me reagimin e socialistëve për këtë propozim. Para mediave ai tha se do të ishte antikushtetuese që të ndalohej procesi i vettingut.
“Nuk mund të vendosim në pikëpyetje të gjithë reformën në drejtësi. Ne jemi gati të gjejmë kompromis, por duke respektuar parimet kushtetuese dhe jo hallet që kemi me reformën në drejtësi t’i kthejmë në tryezë. Nuk duket normale që procesi i vettingut të bllokohet për shkak të formimit të Kolegjit Zgjedhor. Mund të ishte më e arsyeshme që gjyqtarët që kanë kaluar vettingun të jenë pjesë e procesit për Kolegjin Zgjedhor. Pse mos të jenë ata shporta nga e cila të përzgjidhet?! Kushtetuta ka përcaktuar detyrimin që çdo gjyqtar të kalojë në vetting dhe kjo nuk mund të pezullohet”, deklaroi përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri.
Me gjithë këto ndasi në mes, 15 marsi si afat për përfundimin e reformës zgjedhore, i vënë si qëllim në vetvete nga të dyja palët, duket shumë i afërt. Përveç ndasisë për përbërjen e Kolegjit Zgjedhor, palët publikisht janë shfaqur larg dakordësisë edhe në lidhje me disa propozime të tjera të PD-së, mes të cilave edhe ai për qeverinë tranzitore dhe për drejtor të ri të Policisë së Shtetit 100 ditë para zgjedhjeve.
Kolegji aktual zgjedhor përbëhet nga 8 gjyqtarë të Gjykatave të Apelit, por vendimmarrjet për 30 qershorin janë kryer vetëm nga gjashtë prej tyre. Tomor Skreli u dorëhoq para vettingut, ndërkohë që Gjin Gjoni ishte me leje lindjeje 1-vjeçare. Mandati i këtij kolegji përfundon këtë vit dhe po këtë vit duhet të hidhet shorti për përbërjen e kolegjit të ri, që mbetet për t’u parë nëse do të jetë me 8, apo 15 anëtarë, apo me një shifër ndërmjet këtyre dyjave.
Nga propozimi i Partisë Demokratike për moratorium 4-vjeçar për anëtarët e këtij Kolegji mund të përfitojnë “imunitet” të përkohshëm ndaj vettingut emra gjyqtarësh si Gjin Gjoni, Fatmira Hajdari, apo Alaudin Malaj, gjithmonë nëse shorti do t’u buzëqeshë dhe të zgjidhen anëtarë të këtij kolegji.
Në mungesë të një shpjegimi shkencor bindës mbi prejardhjen e koronavirusit të ri teoritë që gëlojnë se nga mbiu virusi që ka shkaktuar pandemi në të gjithë botën dalin edhe përtej Tokës.
Një astrobiolog britanik ka hedhur së fundmi idenë se koronavirusi i ri është alien. Ai thotë se virusi është impotuar në tokë nga një meteor që goditi Kinën në provincën Hubei në muajin tetor të vitit të kaluar.
Profesori Chandra Wickramasinghe nga Qendra e Astrobiologjisë në Buckingham thotë se shpërthimi i meteorit shpërndau në hapësirë “copëza virale”.
“Shpërthimi i beftë i koronavirusit të ri me gjasa ka një lidhje me hapësirë. Dy janë hipotezat e guximshme që hedh Ëickramasinghe. E para, thotë ai, është që virusi të jetë bartur për vite me radhë nga meteori në hapësirë dhe e dyta që meteori ta ketë marrë atë nga rrymat ajrore në pjesën e sipërme të atmosferës së Tokës, për ta përplasur në Kinë.
Meteori në fjalë goditi Kinën veri-lindore në datën 11 tetor të 2019-ës.
“Ne e vlerësojmë shumë seriozisht mundësinë që shpërthimi në sipërfaqen e tokës të ketë hedhur në atmosferë triliarda copëza virale, që më pas u përhapën në formën e pluhurit karbinik.
Teorinë e tij, profesor Ëickramasinghe e përforcon me rastësinë se shpërthimi i parë i epidemisë u vu re pikërisht në rajonin më të afërt të populluar pranë vendit ku ra meteori.
Por, si i mbijetoi koronavirusi i ri nxehtësisë prej mijëra gradë celcius që është shpërthyer si pasojë e fërkimit të meteorit me atmosferën e Tokës? Astrobiologu Wickramasinghe e shpjegon edhe këtë.
“Forma bazë e virusit ka mbijetuar në bërthamen e meteorit, që është shkatërruar gjatë përplasjes. Përplasja e ka ndihmuar virusin që të çlirohet në hapësirë. Ne besojmë se agjentë të panumërt infektues janë në gjendje që t’u mbijetojnë kushteve ekstreme të hapësirës dhe që hyjnë në Tokë përmes troposferës. Këta agjentë, besojmë ne, kanë shkaktuar në të shkuarën epidemi të shumta mes njerëzve”, thotë ai.
Megjithatë, pjesa më e madhe e ekspertëve e hedhin poshtë këtë teori. Ata thonë se nëse koronavirusi i ri do të ishte një agjent alien për Tokën, atëherë ai nuk do të kishte ngjashmërinë e madhe që ka me viruset e tjera të së njëjtës familje, si SARS-i, apo MERS-i.
Rreth 50 mijë biznese me rreth 87 mijë punonjës kanë aplikuar për të përfituar pagesën e ndihmës financiare, të ofruar nga Qeveria në kuadër të paketës ekonomike kundër koronavirusit.
Kryeministri Edi Rama thotë se nga kjo listë deri më tani janë verifikuar 42 për qind e aplikimeve, ndërsa 58 për qind e tyre janë në proces verifikimi.
Nga pjesa që është verifikuar, 24 për qind kanë nisur të përfitojnë, ose do të përfitojnë në ditët në vazhdim ndihmën financiare, ndërsa 18 për qind u është refuzuar kjo ndihmë. E përkthyer në shifra, për 15 mijë e 153 të vetëpunësuar, ose punonjës të një sipërmarrjeje që ka aplikuar për të përfituar ndihmë financiare, kjo ndihmë është refuzuar.
Në total ndihma është miratuar për 20636 punonjës, nga të cilët Drejtoria e Tatimeve thotë se 17231 e kanë marrë pagesën, ndërsa pjesa tjetër është në procedura.
Duke shpërndarë të dhënat e Drejtorisë së Tatimeve, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi zgjerimin e paketës edhe me biznese që nuk janë mbyllur për shkak të masave anti-Covid19, por që nuk kanë xhiro për shkak të izolimit.
“Biznese të tjerë të vogla të regjistruara si taksi, servise makinash, lavazhe, rrobaqepësi, bojaxhi, hidraulik, elektriçist, fizioterapi e të tjerë do të përfshihen në paketën e zgjeruar”, shkruan ai.
Veç kësaj kategoria, Rama thotë se paketa e zgjeruar do të përfshijë edhe individë, apo qiradhënës që nuk kanë të ardhura të tjera veç qirasë, apo individë të punësuar në një kompani të regjistruar si kompani e madhe, por që u është pamundësuar puna për shkak të masave.
“Për përcaktimin e masës së kësaj mbështetjeje me Bonusin e Luftës, do të vendoset duke ndjekur dinamikën e luftës në 3/4 ditët në vijim”, thotë ai.
Çështja e teatrit ka ndërlikuar tryezën mes socialistëve dhe demokratëve për reformën zgjedhore, dhe deri më tani duket se rikthimi i shpejtë palëve në tryezën e Këshillit Politik për reformën zgjedhore është një mision i pamundur, por jo i pashpresë.
Kryeministri i ktheu përgjigje nismës së AMT-së për peticionin ku kërkohet rindërtimi i teatrit të ri ashtu siç ishte dhe në vendin ku ishte, si dhe sfidoi kreu e Partisë Demokratike gjatë protestës së organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit duke i kërkuar që të rikthehej në tryezën e reformës zgjedhore, ta përmbyllnin atë dhe më pas të fitojë zgjedhjet për të mbajtur premtimin e rindërtimit të godinës së teatrit aty ku ishte, ashtu siç ishte.
“10 mijë veta, 20 mijë veta, 30 mijë, 50 mijë, 100 mijë, 200 mijë artistë mund të gjenden për të firmosur dhe nëse çështja është kaq e madhe, kaq artistike, kaq shekspiriane, opozita le të vijë të bëjmë reformën zgjedhore, ta kryejmë atë, të përcaktojmë rregullat e lojës. Kur të shkojmë në zgjedhje, të gjitha bijat dhe bijët e Shekspirit e sjellin opozitën në Qeveri dhe opozita del me alternativën do të ndërtoj teatrin siç ishte dhe merr mbështetjen e popullit për të rindërtuar siç ishte dhe kështu zgjidhen gjërat në demokraci. zgjidhje me muskuj dhe vija të kuqe as ka pasur, as ka dhe as do të ketë të paktën përsa kohë do të jem unë në këtë detyrë”, tha Rama në një intervistë dhënë për Euroneës Albania.
Rama foli pas takimit me përfaqësues të ambasadave ndërkombëtare në Tiranë, mes të cilëve edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim. Ai tha se theksi i bisedës është vënë tek reforma zgjedhore. Në media qarkulluan artikuj se SHBA ka paraqitur një draft. Lulzim Basha tha se nuk është njohur me këtë draft, por tha gjithashtu se 17 maji, dita e prishjes së godinës së teatrit tregon qartë vullnetin e mazhorancës për këtë reformë.
“Partia Demokratike dhe Opozita kanë pasur dhe kanë treguar vullnet për Reformën Zgjedhore pikërisht sepse duhet që një orë e më parë shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit. Sot nuk është përgjegjësia e jonë. Me atë që ndodhi me 17 maj Partia Socialiste dhe Edi Rama kanë hedhur në erë besimin në një proces që pa besim nuk është asgjë. Opozita nuk mund të jetë fasadë! Përgjegjësia është e Edi Ramës”, deklaroi Basha.
Megjithatë, Basha e la të hapur se për çështjen e reformës zgjedhore vendimi do të merret në ditët në vazhdim.
“Në ditët në vijim Partia Demokratike dhe opozita do të përvijojnë hapat e mëtejshëm me qëllim që synimi ynë i kahershëm për t’u dhënë shqiptarëve lirinë e votës, pa të cilën nuk mund të ketë as ekonomi, as zhvillim, as punësim dhe as Europë, të realizohet një orë e më parë dhe t’u mundësojmë atyre t’i drejtohen kutive të votimit për të shporrur me një votë plebishitare dhe popullore një qeveri uzurpatore të institucioneve, një hajdut ordiner dhe një kriminel të faktuar para gjithë botës si i tillë me krimin e 17 majit, që do të përpiqemi me të gjitha forcat tona të jetë krimi i fundit i kësaj qeverie të babëzisë dhe korrupsionit”, u shpreh ai.
Basha tha gjithashtu se opozita është gati për lista të hapura dhe ndryshim sistemi, duke plotësuar një prej kushteve të opozitës parlamentare.
“Ju e dini idenë time për maxhoritar të pastër dhe dy dhoma, për kufizimin e mandateve të deputetëve, kryeministrit, por asgjë nuk do të ketë kuptim sa kohë që kujdestare e zgjedhjeve është hajdutja e zgjedhjeve dhe hajduti i zgjedhjeve Edi Rama”, u shpreh Basha në përfundim të protestës së zhvilluar këtë të mërkurë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.