Videot kryesore
Çdo herë e më shumë po rriten shifrat e pacientëve diabetik, sidomos të tipit dy. Kjo sëmundje është shumë e lidhur me stilin e jetesës rastet e të cilës janë dyfishuar në mbarë botën, pas viteve 90. Por, një zbulim teknologjik i kohëve të fundit, ka krijuar një fije shprese për të gjithë këta të sëmurë. Shkencëtarë kanë arritur të zhvillojnë një trajtim i cili kryhet më anë të një mase gjaku të pacientëve. Sipas tyre kjo është një tjetër arritje e madhe e mjekësisë.Trajtimi, i quajtur LeucoPatch, është provuar në më shumë se 200 spitale në Evropë. Ky trajtim kryehet me anë të një sasie gjaku të pacientit.
Gazeta gjermane “Bild”, ka publikuar sot bombën e re të audio-përgjimeve, të cilat lidhin sipas medias së njohur qeverinë shqiptare me mashtrimi elektoral, blerjen e votave dhe shantazhimin e votuesve të opozitës.
“E qartë është zgjidhja që mbështet gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe patjetër edhe shumica dërmuese e popullit shqiptar, që do të thotë se zgjedhjet nuk janë të politikanëve, janë të popullit. Populli ka të drejtë të zgjedh në ditën e përcaktuar nga Kushtetuta dhe nga ligji dhe politikanët kanë detyrë të paraqiten para popullit. Kush nuk paraqitet para popullit është i lirë ta bëjë, por historia ka treguar se jo vetëm nuk fiton asgjë, por përkundrazi paguan një kosto të madhe politike”, deklaroi Kryeministri në një intervistë të dhënë për Radio Europa e Lirë.
Durrësi mardhte mbrëmjen e së enjtes. Jo nga era e ftohtë dhe e shpejtë, as nga shiu që i lagte shpinën, barkun, këmbët dhe sytë qytetit të lashtë, por nga braktisja.
Pas luftës me Bajlozin e Zi, ashtu rreckosur, sakatuar, plagosur deri në palcë, pa shkëlqim dhe hijeshi, Durrësi është strukur nën vete, pa bijtë e tij, i lënë në qoshkë të vajtojë i vetëm.
Tek eci me makinë nëpër Vollgë, aty ku në pikun e sezonit turistik nuk ke vend të hedhësh as një kokërr mollë, ndjen frikë vetmie.
Të ngjan sikur i je futur në bark një qyteti të basdisur dhe të hedhur në plehra. Ndjen ftohtë dhe trishtim të thellë.
Përfaqësues të Partisë Demokratike vizituan dy shkollat e fshatrave Borizanë dhe Thumanë për t’i sjellë ato si shembuj të korrupsionit dhe vjedhjes me tenderat, duke akuzuar për këtë si pushtetin qendror, ashtu edhe atë vendor.
“Tërmeti i 26 nëntorit ka nxjerrë në pah tërmetin e vjedhjes dhe korrupsionit me fondet publike nga qeveria dhe Bashkia e Krujës. Dy shkolla janë shkatërruar plotësisht në Thumanë dhe Borizanë, por dokumentet për tenderat përkatës janë zhdukur nga sistemi”, thotë PD.
Albana Vokshi, Çlirim Gjata dhe Dashamir Hidraliu, sekretari i degës së PD në Krujë, i cili humbi motrën dhe nipin në një nga pallatet e shembur në Thumanë deklaruan se pasojat e tërmetit të vjedhjes me shkollat e fëmijëve janë mbi 1 milionë euro të zhdukura.
PD akuzon se Qeveria nxitoi që të zhdukte gjurmët e vjedhjes, duke prishur me shpejtësi dy shkollat dhe bashkë me inertet e tyre ka zhdukur edhe dokumentet e tenderave. PD i kërkon prokurorisë të mos vonojë hetimin për 1 milion eurot e zhdukura, për këdo që, sipas saj ka vjedhur dhe ka vënë në rrezik jetët e mbi 700 nxënësve dhe mësuesve.
“Të kesh qenë me ‘Reuters’, je kudo”, - thotë Çika, i cili punoi prej 26-vitesh pranë agjencisë më të madhe të botës. Sot ai madje ka arkiva personale me vlera kolosale, ndonëse në përgjithësi Çika thotë se, “për të gjitha periudhat kohore shqiptare, nuk ka arkiva”, duke përmendur “dashje pa dashje”, edhe Arkivin Qendror të Shtetit, apo aty ku edhe ai punoi për vite të tëra, atë të ATSH-së, ku “ishte një arkiv që ruhej, e nuk është më.
Presidenti Ilir Meta dorëzoi personalisht në Prokurorinë e Posaçme padinë ndaj ministres së Drejtësisë dhe dy zyrtarëve të tjerë të lartë të këtij institucioni, që i cilësoi pjesë të një celule të strukturuar, që përmes shkeljes së Kushtetutës dhe falsifikimeve tentuan grushtin e shtetit për t’i rrëmbyer haptazi kompetencat.
Meta tha se shkalla e shkeljeve të gjetura është aq e rëndë sa ishte e domosdoshme që padinë ta dorëzonte personalisht në SPAK me statusin e Presidentit.
“Këto prova dhe fakte tronditëse ishte e domosdoshme t’i sillte vetë Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Padia është dorëzuar për 3 titullarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, me në krye zonjën ministre ende në detyrë”, vijoi Presidenti.
Kreu i shtetit tha se Presidenca është duke mbledhur prova të reja që i mbërrijnë çdo ditë për të çuar deri në fund shpartallimin e të gjithë asj që e quan përpjekje për grusht shteti përmes kapjes dhe kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.
Meta përsëriti thirrjen drejtuar qytetarëve që më 2 mars t’i bashkohen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. “Për të bërë të qartë se shqiptarët janë me Kushtetutën dhe jo me Metën”, deklaroi ai.
Pyetjes së gazetarëve në lidhje me përhapjen e koronavirusit dhe rrezikut që ky virus të mbërrijë në vendin tonë, Presidenti iu përgjigj duke e cilësuar “Rilindjen” murtajë që i ka rënë vendit, ndërsa nismën e pazakontë që një President të thërrasë popullin në shesh kundër Qeverisë e mbron duke thënë se e pazakontë është edhe gjendja në të cilën ndodhet vendi.
“Rreziku më i madh është murtaja që quhet rilindje, jo socialistët. A ka ndonjë republikë në botë dhe Europë, vend anëtar i KiE dhe kandidat për anëtarësim ku në mënyrë mafioze i rrëmbehet kompetenca kushtetuese Presidentit të shtetit? Nuk ka asnjë vend në Europë që të ketë 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese! Nuk ka asnjë vend në Europë që të ketë ngelur një minutë pa Gjykatë të Lartë! Prandaj më 2 mars kundër murtajës që do të zhbëjë të gjithë shtetin në Shqipëri”, mbylli fjalën e tij Presidenti Ilir Meta.
Ushtria e dhe Emergjencat Civile po angazhohen në ndarjen e materialeve bazë ushqimore për familjet në nevojë dhe pensonistët për periudhën e shpallur të vetiziolimit. Pakot që po përgatiten te Rezervat e Shtetit dhe që do t'u shpërndahen pensionistëve kryefamiljarë dhe familjeve në nevojë përmbajnë kryesisht produkte ushqimore bazë dhe detergjentë
Kryeministri Edi Rama pati paralajmëroi se dy javët e para të këtij muaji do të ishin vendimtare në betejën me pandeminë e koronavirusit. Shifrat e raportuar në 24 orët e fundit nga Ministria e Shëndetësisë duket se i japin të drejtë.
“Sot kemi 27 pozitivë! Kemi hyrë në zonën e zjarrit, ku armiku po synon që të na marrë më shumë jetë, pasi rezistenca jonë deri tani e ka ndaluar që të bëjë kërdinë duke na shkatërruar barrikadën e bluzave të bardha”, thotë Rama.
Kryeministri përsërit thirrjen që të respektohen masat kufizuese të distancimit social dhe kërkon që mbi përfitimet ekonomike e financiare të momentit të vendoset jeta dhe shëndeti i qytetarëve.
“Ekonomia bie dhe ngrihet prapë, të vdekurit nuk ringjallen më. Sot asgjë nuk vlen më shumë se jeta dhe mbrojtja e jetës është qëllimi, ne jemi mjeti për realizimin e këtij qëllimi njerëzor, qytetar, kombëtar”, thotë ai.
Rama e shoqëron këtë postim me një video që thotë se është nga Irani për të ilustruar idenë se në cilin skenar tragjik do të përfundonte Shqipëria nëse nuk do të ishin marrë masat kufizuese.
“Kur shumë prej jush kanë filluar të mendojnë gabimisht se e keqja tanimë s’është rreziku i vdekjeve masive, por mbyllja në shtëpi, hallet ekonomike, jam i detyruar t’ju jap këtë video rrëqethëse që ta shikoni si do të kishim përfunduar po të mos ishim futur më shpejt se të tjerët në mbrojtje, por edhe se si, mos e dhëntë Zoti, mund të përfundojmë nëse për mustaqet e çelos hapim jo shumë, po pak vrima në barrikadat tona”, shkruan ai.
Një ditë pasi mori në dorëzim çelësat e truallit të Teatrit Kombëtar, Erion Veliaj deklaroi i bindur se ideja për të shembur godinën ekzistuese dhe për të ndërtuar një godinë të re do të vazhdojë përpara, pavarësisht kritikave.
"Tirana do të ketë Teatër të ri. Nuk mund të jenë më të zgjuar sportistët, turistët që shohin Kalanë dhe të jetë artistët që duhet të rrinë në një kolibe tallashi. Për projektin do të flasim në vjeshtë. Le të rrinë te kasollja prej kashte, te kolibja e fashizmit, por kostumet nuk kanë pse i mbajnë peng aty. Nuk ka arsye përse miu të ushqehet me zërin e artistëve”, deklaroi ai.
Veliaj tha se paratë do të sigurohen nga një kredi dhe pagesa për ndërtimin e godinës së re do të kryhet me këste. Në fund do të dalë një vepër, sipas tij, e denjë për kryeqytetin. Për kritikët, përfshirë këtu edhe Presidentin e Republikës i cilësoi pakicë, ndërsa nënkuptoi se padia e Ilir Metës në Gjykatën Kushtetuese nuk e pegon.
“Teatrin e tentuam ta bëjmë me lekët e tjetrit, por meqenëse kërkuan mjete shtese, lamë privatin dhe u bëmë me artistët. Teatrin do ta paguajmë me këste, ashtu si ujësjellësi. Ka ngelur një pakicë e vogël, të gjithë ushtarë të një partie të vogël, që s'kanë alibi, por s'duan asnjë punë në Tiranë. E urrejnë faktin që Shqipëria po bën përpara. Edhe Presidenti ka mbetur pa alibi. I them Presidentit rri me Kushtetutën, nuk ke asnjë arsye të merresh edhe me Astirin, edhe me Teatrin. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese është aq pa lidhje me Teatrin sa çka lidhje Partia Demokratike me demokracinë. Presidenti të mos bëhet brigadier komuneleje. O të bëhet me Robert Ndrenikën, që ka lozur në atë skenë, ose me Lulzim Bashën që ka lozur në një tjetër skenë”, u shpreh ai.
Edi Rama dhe Lulzim Basha pasqyruan krejt ndryshe gjendjen e fermerëve dhe të tregtarëve të fruta-perimeve në takimet që zhvilluan këtë të mërkurë në pak kilometra distancë nga njëri-tjetri. Kryeministri u ndal në tregun agro-ushqimor të Divjakës dhe tek një fermë e mbarështimit të lopëve në zonë, ndërsa kryedemokrati tek tregu agro-ushqimor i Rrogozhinës.
I shoqëruar nga kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Kryeministri vizitoi një pikë grumbullimi fruta-perimesh në Divjakë, që me financimet e BE-së në kuadër të programit IPARD ka zgjeruar kapacitetet dhe modernizuar ambientet.
Rama e solli si këtë rast si udhërrëfyes të transformimit të fshatit dhe orientimit të tregut drejt marrëdhënieve privat-privat.
Pas kësaj vizite, po në shoqërinë e ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca Kryeministri Edi Rama u zhvendos në një fabrikë të prodhimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, që me mbështetjen e fondeve IPARD të Bashkimit Europian ka zgjeruar me një të tretën kapacitetin e prodhimit, me mbi 1 mijë kokë lopë.
Edhe këtë rast, Kryeministri e solli si shembull se më shumë sesa vullneti për punë i fermerëve me rëndësi të madhe është orientimi dhe përfshirja në një zinxhir prodhimi e tregtimi më të madh dhe më të sigurtë. Shembullin e orientoi duke pyetur sipërmarrësin e fabrikës.
Por, pak kilometra më në veri, Lulzim Basha bënte një panoramë krejt tjetër nga ajo e Edi Ramës. I ndalur në tregun agro-ushqimor të Rrogozhinës, Basha akuzoi Qeverinë se ashtu si mijëra biznese dhe qytetarë të tjerë ka lënë në mëshirë të fatit edhe fermerët, duke mos ofruar ndihmën e nevojshme financiare për të përballuar krizën e Covid19.
“E vërteta nuk është turp. Turp është për atë që lekët e taksave tuaja ua çon oligarkëve e nuk ua jep ju. Kur vjen dita që t’ju ndihmojë, shteti i merr lekët dhe ia çon oligarkëve, jep tendera e koncensione. Ka lënë gjithë popullin në mjerim”, deklaroi Basha.
Veç Ramës dhe Bashës deklarata kundërshtuese me njëri-tjetrin dhanë edhe fermerët me të cilët ata u takuan. Sipërmarrësit me të cilët u takua Rama në Lushnje u shprehën të kënaqur në lidhje me punën e bërë, investimet në infrastrukturë dhe ndihmën e marrë dhe problematikat kryesore i lidhën përgjithësisht me mungesën e kulturës dhe mentalitetit të fermerit për t’iu bashkuar një zinxhiri prodhimi dhe tregtimi më të madh e që i garanton shitjen.
Të kundërtën shprehën fermerët dhe tregtarët me të cilët u takua Lulzim Basha në Rrogozhinë.
“Shitjet në treg kanë rënë gjysmë për gjysmë. Është krizë e thellë, e hedhim prodhimin që nuk shitet. Asnjë ndihmë nuk kemi marrë”, thanë ata, duke akuzuar drejtpërdrejtë Qeverinë se i ka braktisur në ditët e tyre më të vështira.
“Fletë-rrufe, paçavure dhe brutalitet ndërkombëtar fyes, ndaj të cilit shqiptarët duhet të bashkohen dhe ta kundërshtojnë ndërkombëtarisht”. Ky ishte mesazhi i drejtpërdrejtë që përcolli Edi Rama nga konferenca e shtypit në Prishtinë në përfundim të vizitës dyditore.
Kreu i Qeverisë së Shqipërisë foli për rreth 1 orë e 40 minuta. Në krye të fjalës tha se vizita nuk synonte që të bashkonte klasën politike të Prishtinës, por për të përcjellë mesazhin se nuk bëhet fjalë për një akuzë ndaj dy personave.
“Kush mendon se këtu bëhet fjalë për një akt ndaj disa personave, apo se këtu bëhet fjalë për të shfrytëzuar këtë instrument për pastrimin e skenës politike, apo për çkapjen e shtetit, është ose naiv, ose tejet i verbuar nga mllefi. Nuk ka mundësi tjetër”, tha Rama.
Kryeministri foli për një moment kritik në të cilin ndodhen sot shqiptarët, veçanërisht ata në Kosovë, që mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën. Ai tha se qytetarët duhet të kuptojnë se bëhet fjalë për shumë më shumë se një akt-akuzë ndaj dy individëve.
“Nëse në këtë moment nuk ndajmë qartë drejtësinë me padrejtësinë....Qëndrimi im lidhet me padrejtësinë. Për mua ajo komunikatë që lajmëroi botën mbarë se pritet të vijë një akt-akuzë që nuk është formalizuar nga gjykata, përbën jo vetëm një shkelje flagrante të çdo praktike të mirë të drejtësisë ndërkombëtare, por edhe një akt brutal ndaj vetë Kosovës. Sot duhet pak vetëpërmbajtje dhe duhet fokus se ajo fletë-rrufe ka goditur shumë më larg dhe shumë më thellë sesa në ballin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Këtu bëhet fjalë për drejtimin e lartë politik të UÇK-së dhe përpjekje për të vendosur nën akuzë UÇK-në, si të ishte një ushtri e rregullt agresorësh që vinin nga Beogradi”, u shpreh ai.
Rama thotë se ky akt i ndërkombëtarëve nuk duhet nënvlerësuar, edhe për faktin se sipas tij, aleatët që urdhëruan bombardimin e Serbisë gjatë luftës kanë dalë në pension dhe “ndërkombëtarët” e rinj nuk janë familjarë si me krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
“Nëse e nënvlerësojmë sot këtë brutalitet... Nuk e dinë të gjithë se çfarë historie ka drejtësia ndërkombëtare në Kosovë. Ka më pak se 10 vendime nga Haga për Serbinë për deportim të 1 milion njerëzve me dhunë, pa llogaritur 20 mijë raste përdhunimesh dhe pastaj edhe të gjithë të vrarët dhe të zhdukurit dhe sa janë personat e proceduar në të gjitha këto shkallë gjyqesh për UÇK-në. Si ndërtohet ky raport?! Sa janë në Serbi ata që janë gjykuar për krime lufte?! Ka një disproporcion kolosal. Pastaj edhe nivelet e goditjes, ku në Kosovë goditen presidentë e kryeministra”, u shpreh ai.
Padrejtësinë ndërkombëtare ndaj Kosovës Rama e ilustroi edhe përmes procesit të liberalizimit të vizave.
“Për liberalizimin e vizave thanë që duhen plotësuar kushtet. U plotësuan kushtet dhe edhe vetë e pranuan, por më thanë që më parë duhej bërë demarkacioni me Malin e Zi. Se ç’lidhje kishte demarkacioni me liberalizimin e vizave?! Unë nuk di që në atë pjesë të kufirit të Kosovës kishte ndonjë shteg që të çonte në Paris. Pra, ishte një vendim krejtësisht politik. Megjithatë, u zgjidh edhe demarkacioni, por sërish vizat nuk u liberalizuan”, deklaroi Rama.
Për Ramën nuk ka asnjë mëdyshje që Kosova nuk duhet të vetëizolohet dhe dialogun me Serbinë duhet ta vazhdojë me ndërmjetësimin e SHBA, edhe nëse Uashingtoni do ta mbështesë akt-akuzën e ngritur ndaj Hashim Thaçit.
Një panoramë të qëndrimit të Uashingtonit e bëri ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, i sapokthyer nga një vizitë atje ku u takua me të dërguarin e posaçëm të Trump, Richard Grenell dhe zyrtarët e tjerë të lartë të DASH, si Palmer e Reeker.
“Vizita ka qenë e planifikuar më herët dhe nuk lidhej drejtpërdrejtë me Kosovën. Por ju siguroj tre gjera nga bisedat e mia atje, së pari që nuk ka marrëveshje sekrete. Së dyti nuk ka ndarje të Kosovës dhe kush i ka sytë në ballë dhe mend në kokë nuk beson që Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës bën plane për ndarjen e Kosovës. E treta nuk ka nxitim në rastin e Kosovës, për çdo interes elektoral në SHBA. Këto janë qëndrimet që edhe vetë Grenell i ka komunikuar në vazhdimësi. Të tjerat prirje për të shkaktuar keqkuptime të brendshme”, sqaroi Cakaj.
Nga ana tjetër, Rama hoqi të gjitha mëdyshjet edhe nëse ishte tërhequr nga nisma e përbashkët me Aleksandër Vuçiç për shengenin ballkanik, që e mbron si një zhvillim strategjik për shqiptarët. Ai hodhi poshtë si konspirative dhe të pabazuara zërat kundër kësaj nisme, sipas të cilëve nga kjo përfiton vetëm Serbia.
Rama tha se në agjendë kishte planifikuar edhe një takim me Ramush Haradinajn, por ky i fundit e kishte refuzuar për shkak të procesit gjyqësor ku është i paditur për shpifje. Megjithatë, Kryeministri njoftoi se tërheqjen nga kjo padi.
“Unë kam 22 padi për shpifje dhe kjo që kam bërë këtu për Ramushin ka bërë më shumë zhurmë, por janë 22 të tilla me figura politike kryesisht që i kam në proces. Nuk janë bërë publike dhe nuk i kam bërë për t’i bërë publike. Ramushit i kam kërkuar takim si të gjithë të tjerëve, për të shkuar ta vizituar në seli, apo shtëpinë e tij dhe si paditës që shkon tek i padituri besoj që nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën, për më tepër doja të diskutoja edhe me të për këtë çështje që është shumë më e madhe se Haradinaj, Hashimi dhe Kadriu, sepse ndikimet mund të jenë marramendëse për Kosovën në të ardhmen. E kam njoftuar që nuk do të bëj komunikime do të bëj një konferenc ku do të tërheq padinë, jo se ajo është e vogël për mua, por është shumë më e madhe ajo që sot është më e madhe nga të gjithë. Padia do të tërhiqet edhe zyrtarisht”, u shpreh Rama.
Sa më shumë fliter për të ardhmen e Lionel Messit, aq më shumë mësohet për të shkuarën e tij.
Në rrjetet sociale kanë vërshuar me shumicë videot e lojtarit argjentinas në hapat e parë me Barcelonën, por vetëm së fundmi ka dalë një filmim i Lionel Messit 12-vjeçar para se të kapërcente oqeanin dhe t’i bashkohej Barcelonës.
Ishte koha kur Messi luante për ekipet zinxhir të Newell’s Old Boys në Argjentinë dhe kur tapeti i fushës nuk ishte ideali. Megjithatë, balta e fushës nuk e mbulon dot talentin e lindur të “Pleshtit”, që në ato kohë binte në sy mes moshatarëve për teknikën dhe vizionin e lojës...dhe jo më kot tifozët e skuadrës argjentinase dolën në protestë për të kërkuar rikthimin e tij në shtëpi kur morën vesh se mund të largohej nga Barcelona.
Dendias nga ana e tij tha se minoriteti grek në Shqipëri dhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi duhet të shërbejnë si ura lidhëse për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve. Në diskutime është përfshirë edhe çështja e pensioneve, ku Rama deklaroi se palët po përpiqen që të gjejnë një zgjidhje.
Ndërkohë, nga Tirana, Nikos Dendias shënjestroi Ankaranë. Ai tha se Greqia ka kërkuar nga BE tërheqjen nga unioni doganor me Turqinë dhe vendosjen e një embargoje armësh.
"Turqia po shkel kriteret themelore të BE, nga ana politike dhe ekonomike dhe i kemi kërkuar BE që duhet të shqyrtohet marrja e masave. Kam vendosur këtë çështje me keqardhje që Komisioni të vërejë të gjitha shkeljet deri në tërheqjen nga Unionit Doganor. Kam theksuar nevojën që të ndalohet eksporti i materialeve ushtarake përkundrejt Turqisë, sepse këto materiale përdoren për veprime që destabilizojnë rajonin tonë”, tha ai.
Kjo deklaratë e tij u mirëprit me një “faleminderit” të thënë në greqisht dhe turqisht nga ana e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, si për të treguar se për Shqipërinë si Greqia, ashtu edhe Turqia janë partnerë strategjikë.
Presidentja në Detyrë dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës përcolli dy mesazhe kryesore në fjalën e mbajtur para Kuvendit të Shqipërisë. Mesazhi i parë ishte miratimi i rezolutës që dënon krimet serbe në Kosovë.
“Po i bëj thirrje këtij Kuvendi që ashtu siç e kemi bërë në Kosovë, që të votojmë rezolutën që dënon gjenocidin serb, sepse vetëm atëherë kur jemi të bashkuar ato do të dëgjohen edhe përtej Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Osmani.
Mesazhi i dytë ishte për heqjen e pengesave në ndërlidhjen mes dy vendeve. Kryetarja e Kuvendit nuk e përmendi në emër, por qartas iu referua traut të vendosur në “Rrugën e Kombit”.
“Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Kjo është kundër frymës së lëvizjes së lirë, na lini të vimë në Shqipëri ashtu siç deshën të parët tanë, ashtu siç duam ne dhe siç do të duan fëmijët tanë”, vijoi ajo.
Osmani u bëri thirrje të rinjve që të aktivizohen në politikë, ndërsa me fjalët e Faik Konicës kërkoi nga shqiptarët në Shqipërie e Kosovë që të heqin dorë nga kulti i individit.
Gjatë fjalës në Kuvendin e Shqipërisë të kryetares së Kuvendit dhe Presidentes në Detyrë të Kosovës ra në sy mungesa e Kryeministrit Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama doli në konferencë për shtyp me temë bujqësinë, por përballë pyetjeve të gazetarëve foli gjatë edhe për përgjimet e anti-mafias italiane dhe akuzat e hedhura për përfshirjen e “Ndraghetas” në Shqipëri.
Ai i quajti “tymnaja të neveritshme të hedhura nga opozita dhe mediet, që sipas Ramës, citojnë në mënyrë selektive përfundimet e prokurorisë italiane. Sipas këtyre përfundimeve, Rama thotë se hetuesit italianë thonë se mafia italiane dështoi në përpjekjet e saj për zgjerimin e aktivitetit në Shqipëri.
"Nuk do të them për këtë duhet të flasë drejtësia, sepse në këtë rast ka folur qartësisht duke dhënë konkluzion ekipi italian he po ua lexoj për të thënë pse është turp për të gjithë ju që në vend te merreni me fakte, bëni dezinformim. Në konkluzion, citoj prokurorinë italiane, pas më shumë se një viti udhëtimesh në Tiranë dhe bisedimesh me njeri-tjetrin për investimet që do të bëheshin në Shqipëri ata dështuan totalisht dhe i vetmi investim është një dyqan i vogël, që në vitin 2018, sipas bilanceve të publikuara në QKB ka shitur mallra për 5 milionë lekë të reja dhe humbi në fund të atij viti rreth 400 mijë lekë të reja, ndërsa në vitin 2019 siguroi 4 milionë lekë të ardhura dhe 1.8 milionë lekë humbje”, tha Rama.
Kryeministri thotë se nuk ka asnjë provë dhe se përgjimet e anti-mafias italiane po përdoren për qëllime politike.
“Kjo për mua është një provë spektakolare e katandisë së opozitës dhe të mediave. Nuk e imagjinoj dot që të merret kohë nga koha e njerëzve për t'iu hedhur në fytyrë këtë lloj gjelle kuturbuese budallallëku dhe poshtërsie.. Është një mënyrë më e ulët se s'ka për të kërkuar avantazhe duke 'ia bërë nënë këtij vendi' përsëri, si gjithmonë”, deklaroi ai.
Në përgjimet e palës italiane përmendet edhe emri i Ilir Kullës, këshilltar i Presidentit Ilir Meta. Rama nënkuptoi se përmendja e emrit nuk e bën fajtor.
“Ju e dini se sa i gatshëm jam ta mbroj Metën aty ku nuk mbrohet, por nëse përmendet aty me emër dhe mbiemër, nëse këshilltari i tij që njihet si tregtar lajmesh të rreme, e provuar nga gjykata italiane për t’i bërë nënë vendit këtu, është aty, unë kam të njëjtin qëndrim edhe për ata; po pastaj? Ata mund të kenë njohje direkte me ata njerëz, po pastaj? Prokuroria italiane e ka dhënë këtë konkluzion. Nuk ka fakte dhe as prova”, deklaroi ai.
Në “mbrojtje” mori edhe Bashën.
“Ai deputet dihet që është mik i Lulzim Bashës dhe PD dhe lidhjet e këtyre njerëzve janë me të djathtën. Po pastaj?! Çfarë duhet të them unë që Lulzim Basha priste këta njerëz që i çonin mafiozët dhe u jepte fjalën që do të ndihmonte mafiozët?! S’e them dot kurrë!”, tha Rama.
Në lidhje me këto përgjime një mbrëmjen e së hënës ka reaguar edhe ambasada italiane në Shqipëri, duke bërë thirrje që çështja t’i lihet në dorë drejtësisë. SPAK nga ana tjetër ka deklaruar se po të hënën do të vihej në kontakt me autoritetet italiane për këtë çështje.
Fillesa e përgjimeve janë pas një operacioni të antimafias italiane, ku u ekzekutuan 50 masa ndalimi me akuzën për korrupsion dhe mashtrim në vlerën e 250 milionë eurove në kuadër të grupit mafioz "Ndrangheta". Aksioni pasoi një periudhë disavjeçare përgjimesh, që datojnë prej 2016-ës. Mes përgjimeve janë edhe telefonatat mes disa të arrestuarve për investime në Shqipëri.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zëvendësuar 13 vëzhguesit e KZAZ-së numër 30 në Tiranë, që u shndërrua në orët e mbrëmjes së të hënës në arenë të një sherri masiv mes përfaqësuesve të palëve politike rivale.
Komisioneri Celibashi u ndal në këtë KZAZ pas mesnatës dhe njoftoi vendimin e heqjes së akreditimit për 13 vëzhguesit e të gjitha partive politike dhe kandidatëve të pavarur, pas këtij sherri dhe zëvendësimin e tyre me 13 emra të rinj.
Procesi i numërimit u pezullua për disa orë, për të rinisur pas zëvendësimit të protagonistëve të zënkës masive, që u raportua se ishin përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Zënka u qetësua me ndërhyrjen e policisë, që tha se fillimisht janë përleshur një vëzhgues dhe një numërues dhe më pas sherri është përshkallëzuar në masë, ku nuk janë kursyer as karriget dhe sende të tjera të forta.
KQZ nuk raporton dëmtim të materialeve zgjedhore nga ky incident.
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka urdhëruar nisjen e hetimeve në lidhje me kryetaren e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, pas publikimit të një serie videosh në rrjetet sociale, ku dyshohet se gjyqtarja përdor korridoret dhe zyrën e institucionit që drejton si pasarelë për të treguar luksin.
ILD thotë se është njohur me materialet filmike të shpërndarë në media ditën e diel dhe fill pas kësaj, kreu i këtij institucioni, Artur Metani ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor.
Mbetet për t’u parë përfundimi i këtij hetimit të nisur, nëse ILD do t’i kërkojë Këshillit të Lartë Gjyqësor shkarkimin e saj. Ajo që dihet është se gjyqtarja Kapedani është në krye të gjykatës në një nga rrethet më problematikë sa i takon rendit e sigurisë.
Enkeleda Kapedani ka marrë drejtimin e Gjykatës së Elbasanit në shtator të vitit të kaluar, ndërsa si emër është përfolur në disa raste për vendime të dyshimta, si në rastin e 2019-ës, kur liroi nga burgu Viktor Ymerin, anëtar i bandës së Gaxhait.