Videot kryesore
Fadromat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ndërhynë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës duke shembur restorantin e Mihal Kokëdhimës në Porto Palermo.
Ndërhyrja është bërë pas verifikimit të dokumentacionit të godinës në fjalë. Në fund të këtij procesi, IKMT ka dalë në përfundimin se objekti ishte pa leje ndërtimore, duke ndërhyrë për shembjen e tij.
Mihal Kokëdhima dhe restoranti i tij “Panorma” u vu në qendër të vëmendjes pas incidentit me një grup turistësh spanjollë për vonesën e porosisë. 51-vjeçari Kokëdhima dhe turistët kanë debatuar në ambientet e këtij restoranti. Më pas, pronari i restorantit është hedhur mbi pjesën e përparme të automjetit me të cilën lëviznin turistët spanjollë dhe dy shoqëruesit shqiptarë të tyre, duke goditur xhamin e përparmë me grushta.
Për 3 kilometra ai ka tmerruar grupin e turistëve, deri kur ka zbritur nga automjeti. Policia e arrestoi pas denoncimit, ndërkohë që në seancën gjyqësore ku u njoh me masën e sigurisë arrest me burg, Mihal Kokëdhima pretendoi se ishte ai viktimë e agresionit të turistëve spanjollë dhe shoqëruesve shqiptarë të tij.
Por, incidentet e ngjashme me këtë rast në restorantin e Mihal Kokëdhimas duket se nuk kanë qenë krejt të pazakonta. Në “TripAdvisor” tashmë ish-restoranti i tij vlerësohej nën nivelin mesatar, madje komente të turistëve që në 2015 e akuzonin pronarin si të dhunshëm ndaj klientëve të pakënaqur me shërbimin e detyruar që u ofronte.
Kryeministri Edi Rama hoqi atletet me të cilat u shfaq në samitin e katër vendeve të Vishegradit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe veshi këpucët në takimin e nisur me Kancelaren Angela Merkel rreth orës 09:30.
Takimi mbërrin kur duhet pak më shumë se një muaj nga vendimmarrjan e Bashkimit Europian për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Takimi është thirrur nga kancelarja Angela Merkel dhe pritet të jetë vendimtar në lidhje me qëndrimin e Gjermanisë sa i takon negociatave.
Çështja e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë pritet të nisë të diskutohet që nga java e ardhshme në Parlamentin gjerman, ndërsa vendimi zyrtar do të merret më 24 shtator. Nga sinjalet e dhëna deri më tani nga përfaqësues të qeverisë dhe të Bundestagut gjerman kuptohet qartë që ka një pavendosmëri të Berlinit për çështjen e negociatave vetëm për Shqipërinë, ndërkohë që për Maqedoninë e Veriut vendimmarrja pritet që të jetë pa mëdyshje për hapjen e tyre.
Kryeministri Edi Rama e konfirmoi tërthorazi këtë, kur përmes rrjeteve sociale njoftoi takimin me përfaqësues të Komitetit për Çështjet Europiane të Bundestagut. “Për të kërkuar PO-në e Parlamentit gjerman për Shqipërinë”, shkruan ai, duke vlerësuar se takimi ishte pozitiv.
Para se të takohej me Edi Ramën, Merkel ka pritur në zyrë kreun e Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum. Me Krichbaum, veç takimit në Komitetin për Çështjet Europiane, Rama ka shkëmbyer një bisedë të shkurtër joformale para se të ulej në bisedimet me Kancelaren Merkel. Kreu për Çështjet Europiane në Bundestag është mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë, por nuk bën pjesë në listën e ligjvënësve gjermanë që kërkojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit tonë pa rezerva.
“Nuk mjafton vetëm rekomandimi i Komisionit të BE-së për hapjen e kapitujve të anëtarësimit. Ne, ashtu si Komision i Europës, por edhe unë personalisht duam të konsultojmë edhe raportet e tjera për të marrë këtë vendim, si për shembull raportin e Transparency International, raportin e World Bank dhe raporte të tjera ndërkombëtare. Ne, si grup parlamentar i CDU-CSU, kemi formuluar pika shumë të qarta dhe tani duam të dimë se sa janë plotësuar ato”, deklaronte ai në një intervistë për DW në 2018.
Mes pikave të përcaktuara nga Bundestagu gjerman është përmbyllja e reformës në drejtësi, ndëshkimi i korrupsionit në nivele të larta dhe sidomos lufta ndaj krimit të organizuar.
Shqipëria mbyll sonte në mbrëmje me sfidën ndaj Francës kualifikueset Euro2020. Kualifikimi është një temë e mbyllur prej kohësh, ndaj ndeshja pritet që t’i shërbejë trajnerit Edi Reja për të testuar “Kuqezinjtë” përballë kampionëve të botës në fuqi, të cilët në ndeshjen e parë na mundën 4-1.
Pavarësisht yjeve që do të ketë përballë, tekniku italian shprehet optimist.
“Nuk mendoj se taktika është më e rëndësishmja në ndeshjen me Francën, janë protagonistët ata që vendosin fatin e saj. Shqipëria ka mënyrën e saj të të luajturit dhe më atë mënyrë kemi mundësitë tona në çdo ndeshje dhe ndaj çdo kundërshtari, edhe ndaj Francës. E kemi të qartë se ku mund të na vërë më shumë në vështirësi Franca, por dimë edhe ku mund ta rrezikojmë ne. E rëndësishme është që të jemi të gatshëm për të shfrytëzuar çdo rast që mund të na krijohet”, deklaroi ai në konferencën për shtyp të shtunën.
Konferenca nisi pasi trajneri priti në stadiumin e ri Kryeministrin Edi Rama, ku mes batutash foli për një defekt të kreut të Qeverisë. “Vetëm një problem ka, është tifoz i Juves”, tha Reja. Më pas, i shoqëruar nga kreu i FSHF-së, Armand Duka, Rama zbriti në fushë ku mori rolin e trajnerit. Nga futbollistët nuk kërkoi fitoren ndaj Francës. “Këtu duhet të jepni maksimumin. Kaq! Rezultati pak rëndësi ka”, u shpreh ai.
Ndeshjes do t’i paraprijë ceremonia 15 minutëshe e përurimit të stadiumit të ri, që mori emrin “Air Albania”. Drejtimi i saj i është lënë Ardit Gjebreas dhe në fushën e blertë do të përformojnë edhe këngëtarët më në zë të muzikës shqiptare. Para tifozëve fillimisht do të dalë Era Istrefi me këngën zyrtare të Kupës së Botës, “Live it up”.
Më pas Flori Mumajesi do të këndojë këngën “Kuqezi je ti”. Kënga e tretë do të jetë “Xhamadani vija vija” dhe do të interpretohet nga Aurela Gaçe, ndërsa Himni Kombëtar i Shqipërisë do të këndohet nga Juliana Pasha.
“La Marseillaise”, Himni i Francës i është besuar Besa Kokëdhimës.Ceremonia mendohet të zgjasë rreth 15 minuta dhe do të fillojë në orën 20:30, ndërsa ndeshja nis në 20.45.
Masat, në stadium nuk lejohen as farat
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë se Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë në Tiranë, kanë deklaruar se do të marrin një sërë masa për të siguruar qetësinë publike. Në kuadër të këtyre masave, policia ka bërë me dije se për të gjithë tifozerinë, si vendase dhe atë të ekipit të Francës do të merren disa masa ndaluese, mbi qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në afërsi të stadiumit. Për lëvizjen e automjeteve në zonën në afërsi të stadiumit “Arena Kombëtare”, do të jenë të lira vetëm akset rrugore “Rruga e Elbasanit” dhe Unaza, në të dy drejtimet e lëvizjes së saj, më pas në të gjitha rrugët e tjera hyrëse në këtë zonë nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve. Ndërkohë, të gjitha automjetet që janë parkuar brenda zonës së mësipërme do të duhet të largohen që nga ora 12:00, ndërsa tifozët do të futen në stadium në orën 18:30.
Për sa u përket automjeteve të autorizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit, ato duhet të jenë të pajisura me shenjën dalluese në xhamin e përparmë dhe do të hyjnë vetëm nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, tek Ura e Lanës, Libri Universitar dhe Presidenca, me drejtim sheshin “Nënë Tereza”. Gjithashtu, do të ketë një kontroll antieksploziv për çdo automjet.
Këto janë masat e sigurisë së Policisë, ndërsa vetë FSHF ka një rregullore të detajuar për tifozët që do të hyjnë në stadiumin e ri, ku mes parashikimeve është edhe ndalimi i farave.
Një rast i veçantë në basketbollin amerikan. Hjuston është përpara 102-89 dhe përpiqet ta administrojë lojën ndaj San Antonios, që në mesin e periodës së tretë është 22 pikë prapa. Harden ngadalëson hapat dhe pastaj zhyt topin në kosh. Topi hyn dhe pastaj, për një lëvizje të pazakontë të rrjetës, del. Ylli i Rokets hutohet dhe për një moment kujton se ka humbur dypikëshin më të lehtë të karrierës, pastaj sheh në ekran dhe kupton që topi ka hyrë në kosh dhe rezultati shkon 104-89. Vetëm se për arbitrat topi nuk ka hyrë kurrë në kosh dhe në fund ndeshja është fituar nga San Antonio Spërs 135-133, pas dy shtesave.
Përfaqësues të komuniteteve fetare në vendin tonë i kërkuan Kryeministrit Edi Rama që të shqyrtohet mundësia e hapjes së kishave dhe xhamive për besimtarët, sipas një protokolli sigurie higjieno-sanitare dhe distancimi fizik.
Kërkesa i është bërë personalisht Kryeministrit Rama gjatë një bashkëbisedimi online që kreu i Qeverisë pati me përfaqësues të klerit fetar. Bashkëbisedimi është kërkuar pas një peticioni të besimtarëve drejtuar Komunitetit Mysliman që të hapeshin xhamitë për pjesën e mbetur të Muajit të Ramazanit.
Megjithatë, Kryeministri këmbënguli se hapja do të jetë graduale dhe xhamitë e kishat përfshihen në fazën pas 18 majit. Për këtë ai kërkoi nga komunitetet fetare që të hartojnë protokollet e sigurisë dhe të distancës fizike.
Rama tha se propozimet e tyre do të shqyrtohen në Komitetin e Ekspertëve që do të kenë fjalën e fundit për të vendosur për hapjen ose jo të tyre.
"Besoj që më 18 maj ku do të jetë konfiguruar me kufizimet e veta i gjithë projekti i fazës së dytë të mund të japim edhe disa indikacione konkrete për komunitetet fetare. Të fillojmë nga puna sot, të na propozoni me ide konkrete, si mund të mblidhen komunitete fetare duke ruajtur distancat. Nëse jeni dakord ne menjëherë pas këtij takimi do ju kontaktojnë nga zyra dhe sigurisht do të ballafaqohemi me komitetin e ekspertëve sepse ai do të vendosë ", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama akuzon një pjesë të sipërmarrësve që janë takuar me Lulzim Bashën, e që kanë denoncuar se nuk kanë marrë asnjë formë mbështetjeje nga Qeveria, se kanë gënjyer para kamerave.
Rama poston këtë video me shënimin “Të qash, a të qeshësh”, ndërsa akuzon edhe Lulzim Bashën se ka bazuar alternativën e tij qeverisëse tek shpifja.
“Faktet nuk janë opinione dhe shpifjet nuk janë alternativë qeverisëse”, thotë Kryeministri.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu thotë se Shqipëria është e përgatitur për tre skenarë, që shkojnë deri në trajtimin e 1600 pacientëve të shtruar me Covid në të njëjtën kohë, duke përfshirë edhe spitalet rajonale.
Në skenarin e parë, Ministria parashikon përballimin e fluksit të pacientëve nga spitalet Covid 1 dhe Covid 2, pra infektivi dhe “Shefqet Ndroqi”.
Skenari i dytë përfshin hapjen e spitaleve Covid 3 dhe 4 duke e rritur kapacitetin e shtrimeve në 550 pacientë.
“Në strategjinë tonë vjeshtë-dimër ne jemi të përgatitur për 3 skenarë me struktura të dedikuara për trajtimin e pacientëve me Covid. Aktualisht kemi Covid 1 dhe 2 dhe kemi gati Covid 3 dhe 4. Kemi të shtruar 234 pacientë me Covid 3 dhe 4 kapaciteti shkon në 550”, deklaroi Manastirliu.
Skenari i tretë është përfshirja graduale të 11 spitaleve rajonale.
“Të tre skenarët parashikojnë përfshirjen e spitaleve rajonale nëse plotësohen 550 shtretër, në skenarin e parë hapen 5 spitale rajonale, ku shtohemi me 600 shtretër. Në skenarin e dytë hapim 3 spitale të tjerë rajonale, me 240 shtretër dhe në skenarin e tretë përfshirjen e 3 spitaleve rajonale dhe shtohemi me 148 shtretër. Në total do të kemi në dispozicion për pacientët Covid rreth 1600 shtretër, të pajisur me të gjitha elementët e nevojshme për të trajtuar rastet”, tha Manastirliu.
Ministrja garantoi se Shqipëria ofron në masën 100 për qind të gjitha terapitë që ofrohen nga vendet e zhvilluara perëndimore, si terapia me plazmën e gjakut, apo ajo me remdesivir.