Videot kryesore
Kryeministri Edi Rama nuk e zgjati shumë fjalën në mbrojtje të vendimit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Kreu i Qeverisë iu përgjigj shkurtimisht pyetjeve të ngritura nga një grup deputetësh të opozitës parlamentare, udhëhequr nga Rudina Hajdari, që e kishin thirrur në një interpelancë për këtë çështje.
Rama mori pak më shumë se gjysmën e kohës prej 20 minutash të vendosur në dispozicion për t’iu përgjigjur pyetjeve të opozitës parlamentare. E nisi duke deklaruar se ai vetë nuk kishte më se çfarë të shtonte nga fjalët që ka thënë për nevojën e teatrit të ri dhe pse godina ekzistuese nuk kishte asnjë vlerë për t’u ruajtur dhe në vend të kësaj citoi deklaratat e artistëve që kërkuan një godinë të re teatri dhe që deklaronin se godina e vjetër nuk kishte asnjë vlerë kulturore dhe historike.
Megjithatë, Rudina Hajdari hodhi akuza se i gjithë procesi, që nga transferimi i godinës së Teatrit në pronësi të Bashkisë së Tiranës e deri tek shembja e saj ka qenë i paligjshëm. Deputetja e grupit parlamentar demokrat tha se përmes një vendimi të vitit 2000, godina ishte pjesë e një ansambli të mbrojtur me ligj dhe hodhi dyshime se përmes një vendimi të Qeverisë në 2017, Kryeministri Edi Rama.
“Në transferimin tek Bashkia e Tiranës është vetëm sipërfaqja e Teatrit Eksperimental, nuk është Teatri Kombëtar që i keni kaluar Bashkisë së Tiranës. Atëherë si u shkatërrua Teatri Kombëtar? Ju nuk ja keni kaluar fare Bashkisë së Tiranës godinën e teatrit kombëtar. Në vitin 2000 keni dashur të merrni Teatrin e Kukullave në pronësi të Bashkisë së Tiranës dhe Gjykata Kushtetuese e ka kundërshtuar këtë transfertë, sepse ka qenë në kundërshtim me nenin 116 të Kushtetutës, për artin dhe kulturën. Teatri Kombëtar është institucion qendror publik që mbrohet me ligj dhe nuk mund t’i transferohet Bashkisë së Tiranës me VKM. Fiksimi juaj do t’u kushtojë rëndë. Me VKM nr. 325 keni përgjysmuar qendrën historike, pse e keni përgjysmuar? Pse e keni dashur atë truall në 2017? Është përgjysmuar trualli në mes të Tiranës”, tha Hajdari.
Presidenti Ilir Meta zgjodhi me kujdes fjalët e përgjigjeve në lidhje me reformën zgjedhore, për të shmangur ndonjë “hatërmbetje” të mundshme dhe ruajtur barazlargësinë mes palëve që diskutojnë në Këshillin Politik.
Por, thelbi i përgjigjeve të tij duket se nuk e fshehu mesazhin drejtuar kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha (me të cilin pranoi se kishte pasur një bisedë telefonike paraditen e së premtes, por që nuk komentoi përmbajtjen e kësaj bisede), që të firmosë marrëveshjen e ofruar nga Yuri Kim.
“Mesazhet e mia kanë qenë të qarta. Mesazhi im për opozitën ka qenë që duhet të jetë e qartë dhe të unifikojë kërkesat e saj dhe të koordinohet me partnerët tanë, me Bundestagun dhe Komisionerin e Zgjerimit. Mesazhi im ka qenë i qartë qëkur u shkatërrua në mënyrë të paligjshme Teatri dhe i kam thënë mos bini pre e provokimit të radhës duke u larguar nga tryeza e reformës, mos paraqisni një listë dëshirash, por qëndrime parimore të qarta dhe bazike për të pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve”, deklaroi Presidenti.
Ambasadorja e SHBA e vizitoi në Presidencë kreun e shtetit, para se ky i fundit të dilte në konferencën për shtyp. Meta refuzoi të komentojë se çfarë është diskutuar mes tyre, por në këto ditë kryetema e Yuri Kim dhe ambasadorëve të tjerë në Shqipëri ka qenë reforma zgjedhore.
“Vendi është në krizë institucionale të madhe dhe është me rëndësi që të shkohet sa më parë në zgjedhje të gjithëpranuara. Por, mesa duket kemi ngelur akoma në detaje që kanë të bëjnë me numërimin dhe çështje që nuk duhet të ekzistonin sot”, u shpreh Presidenti.
Meta kujtoi se në lidhje me këtë çështje duhet një vendim para datës 8 qershor, që t’i ofrohet Komisionit Europian një material për t’ua shërbyer vendeve anëtare të BE si progres të Shqipërisë, kur do të mblidhet për të vendosur mbi udhërrëfyesin e negociatave. Por, ai kujtoi gjithashtu edhe se çdo hap pas mund të penalizojë jo vetëm në mospërmbushjen e objektivave të vendosura, por edhe në revokimin e arritjeve të deritanishme.
“Dëshiroj dhe apeloj për konsensus, sepse është detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, që duhet të kenë sa më shumë siguri që vota e tyre do të jetë e lirë, detyrim i padiskutueshëm ndaj procesit të integrimit europian dhe data 8 qershor ëshë me shumë rëndësi dhe shpresoj që të arrihet marrëveshja para kësaj date, që KE të shënojë një zhvillim pozitiv para vendeve anëtare. Duhet të kuptojmë se qasja e re e metodologjisë së BE, pas propozimit francez rrezikon jo vetëm perspektivën e shpejtë të negociatave, por edhe këto arritje formale që kemi deri më tani, sepse asgjë nuk është më tani si e mirëqënë. Nëse bëjmë hapa prapa humbasim shumë nga këto mundësi që kemi fituar deri më tani nga ky proces”, u shpreh ai.
Presidenti foli për mungesë vullneti politik për të realizuar një reformë me qëllime të mira dhe me “qëllime të mira” nënkuptoi edhe ndryshimin e sistemit.
“Fakti që u shty kaq kohë tregon mungesën e vullnetit për të bërë ndryshime thelbësore në sistem, megjithatë…i dini qëndrimet e mia për sistemin që në 2008 kur u bënë ndryshimet kushtetuese, e dini se si kryetar i një partie të re në 2005 dhe i sulmuar në atë kohë nga të dyja partitë unë nuk e kam vendosur emrin në listën e proporcionalit, por vetëm tek mazhoritari. Askush nuk duhet të ketë frikë nga humbja! Churchill fitoi Luftën e Dytë Botërore dhe më pas humbi zgjedhjet, por u rikthye”, vijoi ai.
Presidenti mirëpriti angazhimin e ndërkombëtarëve për reformën zgjedhore, por nuk fshehu as pakënaqësitë me qëndrimet e mbajtura prej tyre në të shkuarën për çështje të tjera.
“Roli i ndërkombëtarëve ka qenë dhe është i mirëpritur gjithmonë. Dje në Parlament një përfaqësues i mazhorancës tha se ç’i duhet BE që merret me punën e zgjedhjeve në Shqipëri. Mendoj se të gjithë ambasadorët e BE kanë të drejtë të shprehen për çdo cenim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, sepse e detyron Shqipërinë që të respektojë standardet që kemi rënë dakord me BE që të hedhim hapa të tjerë përpara. Do të ishte mirë që çdo ambasador i BE të denonconte publikisht sa herë që vëren shkelje të MSA dhe jo heshtja, apo më keq deklarata që më shumë shkaktojnë konfuzion”, u shpreh ai.
OSBE ka rrëzuar nismën e opozitës parlamentare për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Përfaqësuesit e këtij institucioni u shprehën në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe të Komisionit të Ligjeve se koha nuk premton për realizimin e kësaj nisme.
Eksperti i OSBE-së tha se institucioni që ai përfaqëson nuk përfshihet në debatet mbi sistemet zgjedhore, pasi është një vendim sovran i vendeve anëtare. OSBE është e gatshme që të mbështesë procesin e ndryshimeve ligjore e kushtetutese nëse do të jetë nevoja. Megjithatë, në rastin e Shqipërisë, OSBE kujton një rekomandim të Këshillit të Europës, që thotë se diskutimet për ndryshimin e sistemeve zgjedhore duhet të nisin të paktën një vit para zgjedhjeve.
“Në rastet kur një vend anëtar i OSBE-së kërkon ndryshimin e sistemit zgjedhor, ne si organizatë ofrojmë mbështetje për procesin përmes të cilit ky ndryshim kryhet. Ky proces, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe të theksuara me forcë nga Këshilli i Europës, duhet të nisë të paktën 1 vit para zgjedhjeve të radhës dhe duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent”, thotë OSBE.
Organizata kujton se në shtator të vitit të kaluar zhvilloi një tryezë të nivelit të lartë për çështjen e sistemit zgjedhor dhe u shpreh e gatshme që t’u vendosë në dispozicion deputetëve përfundimet dhe rekomandimet e dala prej atij takimi.
Nga opozita parlamentare, Myslim Murrizi kundërshtoi ekspertin e OSBE-së, duke i thënë se në 2008-ën, kjo organizatë ka rekomanduar sistemin proporcional kombëtar me lista të hapura për Shqipërinë.
“Ka ndryshuar kurs OSBE, apo është mbledhur në kompetencat e saj dhe është tkurrur në zyrën e ambasadorit Borchardt dhe nuk merret më me këtë punë? Në 2008 ka dy rekomandime thelbësore, së pari që sistemi të mos përfshihet në Kushtetutë dhe ne po kërkojmë që ta heqim dhe dy që sistemi më i mirë është proporcional kombëtar me lista të hapura”, tha Murrizi.
Përfaqësuesi i OSBE-së u përgjigj duke deklaruar se organizata u referohet gjithmonë raporteve zyrtare që dalin në përfundim të vëzhgimit të zgjedhjeve dhe jo opinioneve që jepen në periudha jozgjedhore.
Presidenti Donald Trump votoi të shtunën në shtetin e
Floridas, ndërsa rivali i tij demokrat ishte në Pensilvania në një aktivitet
fushate.
Presidenti Trump ndryshoi vitin e kaluar regjistrimin nga
Nju Jorku në Florida, duke e bërë banesën e tij verore në Florida adresën e tij
kryesore gjë që bën të mundur që ai tani të votojë në Florida.
Deklarimi i adresave nga ana e shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit është një proces që nuk ka lidhje me procesin e votimit të tyre. Deklarata u bë nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.
“Ngatërrohet regjistrimi i adresave të shtetasve jashtë vendit me listën e votuesve jashtë vendit dhe krijohet ndonjëherë ideja se po s’u bë regjistrimi i adresave nuk mund të ketë aplikim të së drejtës së votës. Nuk është e vërtetë! Sistemi që do të krijohet pranë KQZ-së, sipas modelit të Kosovës, është në aplikim për shtetasit jashtë vendit, të cilët aplikojnë me pasaportë dhe kartë identiteti dhe kjo krijon listën e votuesve. Nuk e krijon adresari listën e votuesve”, deklaroi Majko.
Ministri i Shtetit për Diasporën tha se procesi i votimit për emigrantët është një vendimmarrje ekskluzive e KQZ-së.
Ministri foli në Nënkomisionin Parlamentar për Diasporën, një strukturë në varësi të Komisionit për Politikën e Jashtme në Parlament. Ai ceku edhe çështjen e pensioneve të emigrantëve. Majko tha se pandemia ka vështirësuar punën dhe bisedimet me shtete të ndryshme për t’u njohur siguracionet emigrantëve shqiptarë, por tha se progres është bërë me Italinë.
“Nga përfaqësuesit dhe komunikimi që kemi me përgjegjësit shtetërorë italianë na është thënë që çështja e buxhetit është zgjidhur dhe tani çështja e marrëveshjes për pensionet janë vetëm negociatat”, deklaroi Majko.
Loja “macja me miun” në korridoret dhe sallat e Kryesisë së Kuvendit mes mazhorancës dhe opozitës vijoi edhe këtë të mërkurë.
Deputetët e opozitës vijuan të zbatojnë vendimin politik të grupit të tyre parlamentar për pjesëmarrje fizike në punën e këtyre komisioneve, ndërsa ata të mazhorancës të respektojnë vendimin e Konferencës së Kryetarëve për mbajtjen online të tyre.
Në kalendarin e punimeve, këtë të mërkurë ishte mbledhja dhe konstituimi i tre komisioneve, atij të arsimit, të veprimtarive prodhuese dhe atij të ekonomisë. Dy të parët duhej të mblidheshin në orën 10:00, i treti në orën 11:00.
Pamjet e publikuara nga PD nga brenda sallës tregojnë momentin kur nënkryetari demokrat i këtij Komisioni, Helidon Bushati i kërkon kryetarit socialist, Arben Pëllumbi që të organizojë mbledhjen e komisionit fizikisht.
“(deputetët e PS) Të ndërpresin udhëtimet jashtë vendit dhe shopingun dhe të vijnë në sallë për të kryer detyrën”, tha Helidon Bushati.
“Mazhoranca e sotme po kërkon ta kthejë parlamentin në tallava. Po kërkon që të kalojë ligje me deputetë që janë në bare, në avion apo në shopping center nëpër Europë. Kjo është e patolerueshme, ky është një turp për parlamentarizmin shqiptar”, deklaroi më pas para mediave, deputeti Bushati.
Deputetët e PD u paraqitën fizikisht edhe në Komisionin e Arsimit, i cili drejtohet nga deputeti Agron Gjekmarkaj. Këtu situata ishte më e qetë, por përbërja e komisionit nuk u konstituua.
“Gjendemi përballë një situate absurde, por jo rastësore, të vetëdijshme. Mazhoranca nuk u paraqit, nuk u paraqit sepse nuk do ballafaqimin me opozitën. Kukullat e Edi Ramës nuk kanë fuqi të përballën me opozitën. Nuk duan të diskutojnë për çëhtjet e arsimit në Shqipëri, për fëmijët që braktisin Shqipëri, për shkollat që mbyllen”, tha Gjekmarkaj.
“Ne do të jemi këtu për betejë të përditshme me Qeverinë, me regjimin që ka dalë nga shitblerja e votave. Nuk do ta ketë të lehtë Edi Rama përballjen me opozitën e Shqipërisë. I bëj thirrje kryetares së Parlamentit, zonjës Lindita Nikolla mos të bëhet certifikuese e dëshirave të Edi Ramës, por të ndjekë shembujt më të mirë të parlamentarizimit shqiptar, Pjetër Arbnori e Servet Pëllumbi, jo ata shembuj që kanë denigruar dhe dhunuar opozitën, sepse edhe nëse ata duan nuk do t’ia dalin dot. Opozita i ka të gjitha instrumentet që të reagojë dhe të vetëmbrohet. Por, mbi të gjitha të vetëmbrohet në emër të shoqërisë shqiptare që kërkon ndryshim dhe kërkon respektimin e ligjeve të vendit.tha para mediave deputeti Gjekmarkaj.
Kryeministri Edi Rama nuk paragjykon tre propozimet e PD për amendimin e Kushtetutës, që lidhen me vettingun e politikanëve, rikthimin e koalicioneve parazgjedhore siç ishin para ndryshimeve të njëanshme të korrikut të vitit të kaluar dhe rikthimin e komunave.
Megjithatë ai u tregua i gatshëm që të ulet në bisedime me opozitën.
“Nuk dua të jap opinione para se t’i jap këtij dialogu një mundësi reale dhe të kemi fuqi që t’i ballafaqojmë . Cilësia e një bashkëjetese, në çdo instancë nuk përcaktohet nga sa shpesh biem dakord por nga mënyra se si nuk biem dakord. Opozita ka bërë 3 propozime, ne kemi detyrën që t’u japim mundësinë këtyre diskutimeve pa dëmtuar këtë proces diskutimi duke dhënë paraprakisht opinione përfundimtare”, tha Rama.
Kryeministri u pyet gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca. Ky i fundit i dorëzoi raportin e progresit të vendit për 2021. Rama e shfrytëzoi kohën e marrë për përgjigje duke caktuar një kusht për dialogun, që nuk lidhet me përmbajtjen e propozimeve të opozitës, por me formatin e procesit.
“Një gjë do ta përsëris edhe në sy të ambasadorit, nuk ka më dialog në anglisht me opozitën. Nuk kemi pse fusim në siklet dhe miqtë tanë. Dialogje më anglisht mes shqiptarësh…mund të ketë, por jo përsa kohë drejtoj unë Kryeministrinë”, u shpreh ai.
Sa për përmbajtjen e propozimeve, nuk përjashtoi asgjë nga ndryshimet e mundshme të Kushtetutës.
“Vetëm Biblën dhe Kur’anin nuk mund të ndryshojmë, çdo gjë tjetër po nëse biem dakort. Mund të ketë vend për diskutim, por asgjë që nuk është e pandryshueshme”, u shpreh ai.
Rëndësisë së dialogut politik, sidomos në Kuvend i mëshoi edhe ambasadori i BE, Luigi Soreca, por duke shtuar se BE mbetet e gatshme që të ofrojë ndihmën e saj në lehtësimin e këtij dialogu, pavarësisht se Rama përjashtoi “dialogun në anglisht me opozitën”.
“Kuvendi është foltorja ku bëhen diskutimet, ku dialogu dhe negociatat duhet të ndodhin. Ne inkurajomë të dyja palët të ulen në tryezë e të diskutojnë temat që janë për diskutimi. Nëse do të na kërkohet për asistencë do të shohim nëse kjo gjë është e mundshme dhe do ndihmojmë në spekterin politik siç kemi bërë gjithmonë”, deklaroi Ambasadori.
Sa i takon gjetjeve të raportit, Kryeministri tha se ai është udhërrëfyesi më i mirë për qeverinë dhe vlerësuesi më objektiv i përparimit të vendit. Rama mbrojti patronazhistët, tha se ishte krenar për ta, ndërsa u shpreh i hapur që të gjitha akuzat në lidhje me të dhënat personale të qytetarëve të hetohen.
Sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, raporti njeh një progres të lehtë, por vë theksin te nevoja për ta luftuar sidomos korrupsionin në nivele të larta.
Tridhjetë ditë pas nisjes nga toka, teleskopi më i fuqishëm i ndërtuar ndonjëherë nga njeriu, “James Webb” ka mbërritur në atë që do të jetë shtëpia e tij e re për të paktën pesë vitet e ardhshme 1.5 milion kilometra larg: pika Lagrange 2.
Pas pozicionimit në këtë orbitë, inxhhinierët dhe shkencëtarët nga Toka do të shpenzojnë tre muajt e ardhshëm për “kolaudimin” e teleskopit dhe aktivizimin e tij. Detyrat kryesore dhe më të vështira janë hapja dhe aktivizimi i katër instrumenteve të tij, bashkë me pasqyrat, në veçanti pasqyrën e madhe 6.5 metër të gjerë, që do të shërbejë si reflektuese.
“Do të kemi shumë punë për të bërë bashkë 18 segmentet dhe shndërruar ata nga gjendja aktuale drejt funksionimit si një pasqyrë e madhe e vetme, si dhe për të optimizuar pasqyrën e dytë në kushtet më të mira”, tha Charlie Atkinson, kryeinxhinieri i “Webb” në Northrop Grumman, kompania amerikane që bashkëudhëhoqi këtë projekt me NASA-n.
“Webb”, konsideruar si trashëgimtari i denjë i “Hubble” u lëshua më 25 dhjetor nga Guaiana Franceze përmes raketës së Agjencisë Hapësinore Europiane, Ariane 5. Objektivi i tij është kapja e yjeve në një distanca prej miliona vitesh dritë larg, që praktikisht në Tokë do ta shndërronte teleskopin një mekanizëm që na kthen pas në kohë.
Mes imazheve mund të jenë edhe fotografi të 13 miliardë viteve më parë, që nëse shkencëtarët do t’i kenë në dispozicion mund t’i ndihmojë të kuptojnë më mirë se çfarë forcash të jashtëzakonshme krijuan yjet, galaktikat, vrimat e zeza dhe planetët, duke përfshirë botët përtej Tokës që mund të mbështesin jetën.
Pika “Lagrange 2” është njëra nga pesë pikat e ekuilibrit gravitacional mes Diellit dhe Tokës, ku satelitët artificialë mund të ruajnë pozicionin e tyre me pak kosto e shpenzime karburanti për korrigjimin e trajektores.
Avantazhi tjetër është se në këtë pikë, Webb shmang temperaturat dhe dritën e fortë të Diellit, siç e pësojnë teleskopët e tjerë që vendosen në pozicione shumë më afër Tokës dhe Diellit. Kjo konsiderohet thelbësore në suksesin e këtij misioni, që është projektuar të skanojë universin me drita infrared, që kërkojnë kushte super të ftohta për të funksionuar.
Dritat infrared kanë valë më të gjata se drita e duksshme, që do t’i krijojë mundësinë teleskopit që të shohë përtej pluhurit kozmik dhe të gjejë yje, që me dritën normale do të ishin të padukshëm.
Webb tashmë do të orbitojë në pikën L2, duke ruajtur Tokën dhe Diellin në një vijë pothuajse të drejtë.
“L2 është pothuajse e qëndrueshme. Ekipi i operacioneve të Webb po përgatitet dhe do të ndërmarrë operacione të korrigjimit të trajektores, sipas përllogaritjeve tona çdo 20 ditë”, thotë Jean-Paul Pinaud, që drejton ekipin e inxhinierëve të Northrop përgjegjës për mbajtjen në trajketore të Webb.
Optika dhe instrumentet e tjera të Webb, të fshehura pas një mburoje kundër rrezeve të Diellit do të ftohen deri në -230 gradë celciues. Disa sektorë dhe instrumente të teleskopit, sipas inxhinierëve e kanë arritur tashmë këtë temperaturë.