Videot kryesore
Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur mbrëmjen e të shtunës në Bulqizë, ku për pasojë një person ka ndërruar jetë.
Dy automjete janë përplasur dhe për pasojë ka humbur jetën një 25-vjeçar, i identifikuar si Esmerald Nika. Aksidenti ka ndodhur në rrugën që lidh qytetin e ri me qytetin e vjetër.
Bodrumspor shkon përkohësisht në vendin e parë pas fitores me 5 gola ndaj Istanbulspor. Dy prej tyre u shënuan nga Taulant Seferi (i dyti dhe i katërti) që numëron 9 gola si shënuesi i dytë më i mirë 1.Lig në Turqi duke lënë pas dardanin e Boluspor, Florent Hasani (8 gola).
Pasi protesta e sotme e opozitës përshkallëzoi në akte dhune, Policia e Shtetit ka nisur shoqërimet e protestuesve.
Forca të shumta kanë rrethuar sekretarin organizativ të PD, Sait Dollapi, i cili është qëlluar nga policët, që e kanë marrë me forcë.
Ai ka tentuar të largohet me vrap, por një grup policësh e kanë rrethuar dhe e qëlluar me shkopa gome. Dollapi duket se ka marrë lëndime.
Ndërkohë që edhe protestues të tjerë kanë pasur të njëjtin fat.
Kryeministri Edi Rama ka nisur në Athinë takimin me homologun e tij grek, Qirjakos Mitsotaqis.
Pas pritjes protokollare në hyrje të godinës së Qeverisë greke dhe pas shtrëngimit të duarve dhe shkrepjes së fotove të rastit, dy Kryeministrit dhe delegacionet që i shoqëronin i janë drejtuar sallës së takimit.
Kryeministri Edi Rama shoqërohet nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe Këshilltari Endri Fuga, ndërsa Kryeministri grek, Mitsotaqis shoqërohej nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të tij.
Rama ndodhet në kryeqytetin greke për të marrë pjesë në punimet dyditore të samitit mes vendeve të Bashkimit Europian me vendet e Ligës Arabe.
Përfaqësues të Partisë Demokratike vizituan dy shkollat e fshatrave Borizanë dhe Thumanë për t’i sjellë ato si shembuj të korrupsionit dhe vjedhjes me tenderat, duke akuzuar për këtë si pushtetin qendror, ashtu edhe atë vendor.
“Tërmeti i 26 nëntorit ka nxjerrë në pah tërmetin e vjedhjes dhe korrupsionit me fondet publike nga qeveria dhe Bashkia e Krujës. Dy shkolla janë shkatërruar plotësisht në Thumanë dhe Borizanë, por dokumentet për tenderat përkatës janë zhdukur nga sistemi”, thotë PD.
Albana Vokshi, Çlirim Gjata dhe Dashamir Hidraliu, sekretari i degës së PD në Krujë, i cili humbi motrën dhe nipin në një nga pallatet e shembur në Thumanë deklaruan se pasojat e tërmetit të vjedhjes me shkollat e fëmijëve janë mbi 1 milionë euro të zhdukura.
PD akuzon se Qeveria nxitoi që të zhdukte gjurmët e vjedhjes, duke prishur me shpejtësi dy shkollat dhe bashkë me inertet e tyre ka zhdukur edhe dokumentet e tenderave. PD i kërkon prokurorisë të mos vonojë hetimin për 1 milion eurot e zhdukura, për këdo që, sipas saj ka vjedhur dhe ka vënë në rrezik jetët e mbi 700 nxënësve dhe mësuesve.
Konferencës së Donatorëve në Bruksel i parapriu një mëngjes pune, që Kryeministri Edi Rama thotë se u organizua nga ministri i Jashtëm italian, Luigi di Maio në mbështetje të hapjes së negociatave të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë.
Kryediplomati italian tha në fjalën e tij se në Ballkanin Perëndimor nuk është në lojë vetëm besueshmëria, por edhe vetë e ardhmja e Bashkimit Europian si aktor dhe faktor global.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se çfarë është në lojë, përfshi edhe besueshmërinë e BE si aktor global. Integrimi europian i Ballkanit Perëndimor mbetet investimi ynë kyç për të përforcuar paqen, stabilitetin, pajtimin dhe zhvillimin në Europë”, deklaroi ai.
Di Maio u kujtoi të pranishmëve se hapja e negociatave është vetëm fillimi i një procesi të vështirë dhe jo përfundimi i këtij procesi. Këtë ai e sheh si kurorëzim të përpjekjeve të vendeve anëtare që prej muajit dhjetor për të transformuar dhe çuar përpara procesin e zgjerimit përmes miratimit të metodologjisë së re për këtë qëllim.
“Shtetet anëtare dhe Komisioni janë angazhuar në një përpjekje të përbashkët për të çuar më tej procesin e zgjerimit dhe për të rivendosur besimin e ndërsjellë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor dhe për të konfirmuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian”, deklaroi ministri i Jashtëm italian.
Ministria e Shëndetësisë kërkoi 400 mln euro shtesë për t’u përballur me koronavirusin. Kërkesa është miratuar.
“Kemi vendosur në dispozicion të situatës së emergjencës, edhe financat përkatëse dhe një fond tjetër prej 400 milionë lekësh, sipas kërkesave të bëra nga Ministria e Shëndetësisë. Është në dispozicion për të plotësuar disa nevoja të kësaj faze në sistemin shëndetësor”, tha Rama.
Kryeminstri deklaroi se të gjitha masat janë marrë në konsultim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se fondi në fjalë do të përdoret kryesisht për shtimin e kapaciteteve dhe masave parandaluese dhe pajisjeve mbrojtëse për stafin mjekësor.
Një dyqan i vogël në qytetin e Manzës është shndërruar në varkën e shpëtimit për katër të moshuar, që u jep ushqime falas në këto kohë izolimi, megjithëse vetë lista e borxheve që i kanë i rrezikon falimentin.
Pronari i dyqanit të vogël tregon në këtë video të siguruar nga gazeta “Si” bllokun e borxheve që banorët e qytezës së vogël në rrugën që të çon për tek Gjiri i Lalëzit.
Ai thotë se lista e borxheve është e gjatë dhe se rrezikon që të falimentojë dhe ta mbyllë edhe atë pak aktivitet që ka në këtë periudhë.
“Jemi bërë që të flasim me veten edhe neve si tregtarë. Ça të bëjmë”, thotë ai.
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka bërë me dije se në fund të prillit do të merret një vendim lidhur me vitin shkollor. Me anë të një prononcimi, Shahini u shpreh se qeveria ka gati dy skenarë, por e gjitha varet nga vendimi që do të marrë Task Forca.
Edhe njëherë ministrja përsëriti se në Maturën Shtetërore nuk do të ketë pyetje nga mësimet e marra gjatë periudhës së koronavirusit, ndërsa lidhur me studentët Shahini tha se gjithçka do të vendosej nga vetë Univeritetet.
“Ju falenderoj që keni qëndruar në shtëpi. Nuk ka ende një vendim final për mbylljen e vitit shkollor. Do ta kemi në fund të prillit pra punë ditësh. Thjesht po shohim situatën e koronavirusit dhe po presim një vendim nga Task Forca. Sidoqoftë i kemi të gjithë skenarët gati, për të dyja rastet. Maturantët na pyesin se kur do t’i pyblikojmë programet orientuese për ta. Gjithashtuy në fund të prillit. Nuk do përmbajnë temat që nuk janë zhvilluar në kushte shkolle. Studentët pyesin gjithashtu për mënyrën sesi do të mbyllet viti akademik. Ata kanë një fleksibilitet të shtuar duke qënë se provimet i kanë në korrik por po punojmë shumë ngushtë me dekanët dhe rektorët. Në fund të ditës vendimin e marrin Universitetet. Disa maturantë na kanë shkruar edhe se kur do të mbyllet viti dhe nëse do tëkenë mundësi për të aplikaur jashtë vendit. Plani ynë është që gjithçka të përfundojë në kohë dhe të mos ketë pengesa për aplikimin jashtë vendit, shumë shpejt merret vendimi. I kemi gati skenarët dhe mësuesit. Maturantët kanë një pako të veçantë dhe përfshihet edhe një udhëzues sesi të punohet me ta. Pjesa e punës tek ta do të jetë e përqëndruar tek përsëritja. Na shkruani nëse kemi pyetje,”-tha Shahini.
Ndërkohë mësimi për të gjithë nxënësit vijon online, pasi ministrja e Shëndetësisë ka lëshuar urdhërin që të gjitha institucionet arsimore publike dhe private të mbyllen për një kohë të pacaktuar deri në normalizimin e gjendjes së koronavirusit.
Rudina Hajdari bën bashkëfajtore si Qeverinë, ashtu edhe opozitën në prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Përmes një videomesazhi të shpërnarë në rrjetet sociale, deputetja e grupit parlamentar demokrat hedh dyshimet për një marrëveshje të fshehtë mes dy palëve.
Sot në Teatër është vënë një skenë nga klasa politike teatrale. Teatri sot u prish në marrëveshje të plotë mes tyre. Koha është tani të çlirojmë vendin nga ata. Ju uroj shumë forcë dhe kurajo sepse ne do ia dalim këtij qëllimi”, u shpreh ndër të tjera Hajdari.
“Në Teatër është vënë një skenë nga klasa politike teatrale. Teatri sot u prish në marrëveshje të plotë mes tyre. Koha është tani të çlirojmë vendin nga ata. Ju uroj shumë forcë dhe kurajo, sepse ne do ia dalim këtij qëllimi”, deklaroi Hajdari.
Hajdari thotë se me vendimin për prishjen e godinës u shkel ligji për pushtetin vendor, sepse vendimi nuk kishte hyrë ende në fuqi. Ajo akuzon se është tjetërsuar një trashëgimi kulturore dhe se godina e Teatrit Kombëtar duhej ruajtur.
“Ata e quajnë si godinë tallashi, ju kujtoj që Gjermania po ruan kampet e nazizmit. Ajo godinë duhet të ruhej të mos harrojmë se si ka qenë arti shqiptar”, thekson ajo.
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim e bëri fakt të kryer marrëveshjen për reformën zgjedhore dhe ja pasoi topin kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke thënë se tashmë gjithçka varet nga vendimi i tij.
Por, duket se Basha e ka refuzuar këtë marrëveshje duke u përpjekur që ta hedhë sërish topin në tryezën e negociatave. Ai pranoi se është bërë progres drejt dakordësisë për reformën zgjedhore, por foli për një çështje të pazgjidhur ende.
“Është bërë progres drejt dakordësisë për administrimin zgjedhor. Ka mbetur një çështje pa zgjidhur. Dua t’i sigurojë shqiptarët se opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për të siguruar votën e lirë dhe të ndershme”, u shpreh kreu i PD-së pas deklaratës së ambasadores amerikane dhe përfundimit të mbledhjes maratonë të Këshillit Politik.
Kësaj deklarate të shkurtër të Bashës i parapriu edhe një takim i tij me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
Në daljen më të parë publike sapo mësoi lajmin se Hashim Thaçi mund të akuzohej për krime lufte, Kryeministri Rama ishte në Parlament. Në kostumin tij rrinte mbëthyer medalja e “Komandantit të Legjionit të Nderit”, të urdhëruar nga Presidenca franceze. Nuk ishte Macron, por paraardhësi i tij. Atë ditë ky detaj dukej i rastësishëm, me tej kur Rama foli nga Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” firgura legjendare dhe baca i luftës së UÇK-së, ai medaljon ndoshta nuk ishtë vënë fare rasësisht.
Kur në Prishtinë Edi Rama kërkoi bashkimin e të gjithë shqiptarëve për të kundërshtuar ndërkombëtarisht akt-akuzën, e ngritur ndaj Presidentit të Kosovës e kërkoi këtë me këmbëngulje si një domosdoshmëri, që nuk lidhet vetëm me fatin e një, dy apo disa personave, por me fatet e kombit shqiptar.
Ai tha se sot shqiptarët janë përballë brezit të ri të ndërkombëtarëve. “Gjenerata që ka bërë luftën nuk janë më aty. Pjesa dërrmuese e tyre janë në pension, flas në botën ndërkombëtare. Të tjerët ca i dinë, por të gjithë po ju them nuk e dinë fare, flas në nivelet më të larta, se çfarë historie ka drejtësia ndërkombëtare në Kosovë dhe çfarë historie ka drejtësia ndërkombëtare mbi luftën e Kosovës me Serbinë”, deklaroi Rama.
Kryeministri refuzoi që të përgjigjet se kush qëndron pas akt-akuzës së Hashim Thaçit, por tërthorazi mund të ketë zbuluar se cili është burimi “anti-shqiptar” në Bashkimin Europian.
“Nuk më rezulton që kishte ndonjë rrugë në atë zonën e kufirit që lidhte Prishtinën me Parisin, ose me Londrën. Nëse ju dini ndonjë shteg atje që mund të shkoje nga Prishtina për në Londër dhe Paris ma thoni”, tha Rama duke argumentuar se vendosja e kushtit të demarkacionin me Malin e Zi për liberalizimin e vizave për Kosovën ishte një vendim plotësisht politik.
Londra është shfaqur në mos plotësisht mbështetëse, më neutrale në qëndrimet e saj karshi Shqipërisë dhe shqiptarëve. Po Parisi? Prej 2017-ës, me zgjedhjen në Elize të Emmanuel Macron, perceptimi i krijuar është ai i një France që për hir të luftës së brendshme në BE me Gjermaninë ka bllokuar proceset integruese të vendeve të Ballkanit.
Por, jo të gjitha vendet e Ballkanit janë “ndëshkuar” njësoj nga qëndrimet e Macron. Serbia dhe Mali i Zi nuk kanë qenë pjesë e “Jo”-ve të shpeshta të tij, përkundrazi, Beogradi mbetet sot i vetmi kryeqytet ballkanik i vizituar nga Presidenti francez.
Rastësi apo jo, sot është fakt se viktima të Macron janë dy shtetet shqiptare, pra Shqipëria dhe Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ku përsëri jeton një pjesë e konsiderueshme shqiptarësh. Shqipërisë Macron i refuzoi hapjen e negociatave me arsyetimin se disa mijë shqiptarë aplikonin për azil në një vend 70 milionë banorësh. Ishte po i njëjti Macron që i mohoi Kosovës liberalizimin e vizave, këtë herë duke përmendur kërkesat e larta për azil të shqiptarëve të Shqipërisë.
Këtë qëndrim bllokues e konfirmoi së fundmi edhe raportuesja për Kosovën në PE, Viola von Cramon, vetëm pak ditë më parë, kur tha se duhet pyetur Emmanuel Macron se përse nuk po liberalizohen vizat për shqiptarët.
“Është në dorën e Këshillit Europian që ta trajtojë këtë çështje. Por, nëse dëshironi që të keni një rol konstruktiv për të, merrni në telefon Presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe pyeteni. Do të befasoheni nga përgjigja e tij”, ka shkruar Cramnon-Taubadel.
Kur kryeministri Rama u takua gjatë samitit të Triestes me presidentin francez macron sihte me atle dhe kostum. Shumë e kritikuan këtë sfaqje për mungesë serioziteti ndaj francës. Sicd duket se rodhën ngjarjet pas , ndoshta Rama ka patur të drejtë për të mos e “respektuar” shqiptarisht zotin Macron më shumë sesa e meriton.
Dy vjet më vonë, në vjeshtën e vitit 2019 , Rama pranoi se nuk mundi ta bindë Macron për të dhënë dritën jeshile për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe se Shqipëria nuk ishte në “sferën e tij të interesit.
“Presidentin e Francës s’e ndikon as Gjykata Kushtetuese në Shqipëri, e as reforma jonë zgjedhore, nuk kanë lidhje. S’janë në sferën e interesave e të vëmendjes së tij. Nuk jam në gjendje të them cili do të jetë qëndrimi i Francës. Po mirëkuptoj plotësisht, që Franca është një vend i madh, ka të drejtë të shohë ndryshe raportin me BE dhe ka të drejtën të mos e ketë mendjen te ne, pavarësisht sa e padrejtë na duket ne kjo”, deklaronte Kryeministri.
Nga kjo deklarata kanë kaluar vetëm pak muaj dhe vështirë se Shqipëria dhe shqiptarët janë në përfshirë në “sferën e interesit” të Emmanuel Macron, por ama as jashtë sferës së inateve që këtej nga Shqipëria i thonë se “për inat të sime vjehrre, shkoj të fle me mullxhinë”.
Rama na dha ca detaje për këtë në Prishtinë kur na tregoi se dhe për COVID-in ka vende që i mbyllnë kufijtë e lëvizjes së shqiptarëve në BE, sikundër i lejon marrëveshje për liberalzimin e vizave, pa u bazuar tek shifrat, por vetëm e vetëm që qytetarë të Shqipërisë, apo Turqisë të mos jenë aty mes tyre...
Presidenti Ilir Meta thotë se është informuar nga mediat dhe njoftimet zyrtare publike greke në lidhje me dakordësinë e gjetur mes qeverive të dy vendeve për të dërguar në Gjykatën e Hagës çështjen e detit.
Ai deklaroi se Kryeministri Edi Rama nuk është konsultuar me të para se të ndërmerrte një vendim të tillë.
“Nuk është konsultuar me mua, po duhet të jetë konsultuar me ndonjë President tjetër vërdallë. Falenderoj mediat greke dhe autoritetet greke për informacionin që e kanë bërë publik”, u shpreh ai.
Në lidhje me dërgimin e kësaj çështjeje në Hagë ka folur më herët edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai e mirëpret si një rrugë zgjidhjeje, por tha se Edi Rama nuk ka legjitimitetin që ta dërgojë këtë çështje, duke kërkuar që procesi të vijojë pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Ndërkohë, Ksenofon Krisafi, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe ish-anëtar i grupit negociator shqiptar në bisedimet me Greqinë për çështjen e detit ka deklaruar se edhe për Hagën kërkohet plotfuqishmëria e Metës, pasi sipas tij, nuk bëhet fjalë për një marrëveshje mes dy qeverive, por për një marrëveshje shtetërore.
Legalizimi i kanabisit në Maqedoninë e Veriut nuk ka dhënë efektet e pritura financiare në ekonominë e vendit.
Deklarata u bë nga ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, i cili ndodhej në Tiranë këtë të hënë për një vizitë zyrtare.
“Nuk ka dhënë rezultatet e duhura për shkak të legjislacionit që kemi në fuqi, ku lejohet vetëm prodhimi dhe eksporti i vajit të kanabisit dhe nuk kemi teknologjinë dhe tregun e duhur nga ana e investitorëve që janë duke bërë investimet për këtë. Pothuajse nuk ekziston eksporti i këtij produkti. Duhet ndërhyrje në rregullore dhe legjislacion për të lehtësuar tregtinë për këtë produkt”, deklaroi Bekteshi në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Financave, Delina Ibrahimaj.
Ibrahimaj tha se nuk ka ende një draft për legalizimin e kanabisit, por deklaroi se po punohet dhe ai do të përmbyllet deri në korrik.
“Qeveria ka nisur punën për legjislacionin që do të shoqërojë legalizimin, s’kemi draft të përfunduar, ta përmbyllim brenda këtij sesioni parlamentar”, tha ajo.
Ministri i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi shprehu gatishmërinë që Shkupi të ofrojë përvojën e vet në hartimin e këtij ligji dhe rregulloreve përkatëse, duke qenë se e ka legalizuar kultivimin e kanabisit që në 2016-n.