Videot kryesore
Gjatë vijimit për operacionin e koduar me emrin “Kryqëzimi” nga Forcat e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Hetimin e Narkotikëve, janë sekuestruar armë zjarri, lëndë narkotike dhe aparate celulare.
Ministri i Jashtëm holandez, Steff Blok hyri në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian me bindjen e qeverisë që përfaqëson se Shqipëria duhet ndarë nga Maqedonia e Veriut sa i takon çështjes së hapjes së negociatave.
“Holanda i qëndron mendimit se çdo vend duhet të gjykohet mbi meritat vetjake. Si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë bërë shumë përpjekje. Sa i takon Maqedonisë së Veriut ne mendojmë se ka një ligj të rëndësishëm që duhet të adoptohet, që është ligji për pavarësinë e prokurorisë dhe mendojmë që sapo të miratohet negociatat duhet të hapen. Për Shqipërinë, mendojmë se duhet ende të tregojë më shumë progres”, deklaroi kryediplomati holandez.
Negociatat kanë dalë në plan të tretë sa i takon agjendës së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, pas Brexit dhe ndërhyrjes turke në Siri.
Kryeministri Edi Rama pranoi se “ndonjëherë standardet e sigurisë së ndërtimit” nuk respektohen as kur bëhet fjalë për një godinë ky mësojnë mbi 900 të mitur.
Rama inspektoi dëmet e tërmetit në Spitallë të Durrësit së bashku me komisionerin e Bashkimit Europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç. Zyrtari i BE-së foli me habi kur pa gjendjen e shkollës 9-vjeçare “Neim Babameto”.
“Kjo është godinë e re”, tha ai.
“Epo e di...ndonjëherë standardet e ndërtimit nuk respektohen”, iu përgjigj Rama.
Këshilla e 3 grupeve ekspertësh që kanë parë nga afër strukturën e kësaj shkolle është shembja dhe më pas rindërtimi.
Kjo shkollë është rikonstruktuar pas vitit 2016. Deri para tërmetit në të mësonin rreth 960 nxënës.
“Operacioni Forca e Ligjit" është zhvendosur këtë të martë në qytetin e Shkodrës, duke bllokuar jë sërë pasurish që dyshohet se janë produkt i aktivitetit kriminal, kryesisht në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.
Policia njoftoi se mes pronave të sekuestruara jaë edhe ato të Gentian Doçit, person i shpallur në kërkim si organizatori i pengmarrjes së Jan Prengës, në ngjarjen e ndodhur më 17 janar në Kamëz. Policia ka konfirmuar se Jan Prenga ka gjetur vdekjen pas pengmarrjes, por ende nuk ka gjetur trupin e tij.
Veç dyshimeve për pjesëmarrjen në pengmarrjen e Jan Prengës, Gentian Doçi rezulton si person i shpallur në kërkim edhe nga drejtësia italiane për trafik kokaine.
Mësohet se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka firmosur urdhrat e sekuestrimit për pronat e Ardian Doçit, Artan Doçit, Gentian Finiqit, Martin Bletës dhe një personi tjetër me inicialet M.D.
Pasuritë e sekuestruara janë vila, automjete luksoze, resorte turistike dhe sipërfaqe toke në Shkodër dhe rrethinat e saj. Urdhri i sekuestrimit i nxjerrë nga OFL pritet që të dorëzohet në Prokurorinë e Posaçme dhe prej andej SPAK ta paraqesë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas ligjit special të kaluar si akt normativ nga ana e Qeverisë në fund të javës së kaluar, të gjitha procedurat duhet të përmbyllen brenda 30 ditëve. Kjo do të thotë se brenda këtij afati, Gjykata duhet të ketë vendosur nëse do të mbajë në fuqi masën e sekuestros duke përligjur dyshimet e OFL-së se pasuritë në fjalë kanë burim paratë e pista, ose duke hequr masën e sekuestros për mungesë provash.
Një ditë më parë, Operacioni Forca e Ligjit sekuestroi pasuri të Altin Hajrit në Shijak, edhe ky i dyshuar si i përfshirë në pengmarrjen dhe më pas vrasjen e Jan Prengës. Dyshimet e para të policisë në lidhje me këtë pengmarrje janë se ajo lidhet me prishjen e pazarave të drogës të të vëllait të tij, Astrit Prenga.
Veç operacioit të ndërmarrë në Shkodër, po këtë të martë OFL njoftoi se ka dorëzuar kërkesën për të plotësuar formularët e pasurisë Lulzim Berishës në Durrës dhe Ardjan Çapjas në Elbasan.
Kryeministri Edi Rama në cilësinë e drejtuesit të Kryesisë së OSBE-së zhvilloi vizitën e parë zyrtare në Moskë, duke u takuar me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov. Takimin me kryediplomatin rus, Rama e nisi duke e përgazuar për ndryshimet mahnitëse, që tha se kishin ndodhur në Moskë.
“Vij këtu për herë të parë pas 15 vitesh, kur ishte hera e fundit që vizitova këtë qytet, në atë kohë si kryetar bashkie (Tiranës), këtë herë si Presidenti i OSBE-së dhe do të filloja duke ju komplimentuar të gjithëve në këtë qytet, megjithëse e di që është një punë e kryebashkiakut, ndryshimi këtu është mahnitës”, deklaroi Rama.
Zgjidhja e krizës në Ukrainë ishte në fokusin e bisedimet në mes dy delegacioneve të OSBE-së që kryesohet nga Rama dhe ministrit të Jashëmë, Lavrov. Kryediplomati rusi ka deklaruar në këtë takim se Rusia mbështet marrjen e kryesisë së OSBE nga Shqipëria për të krijuar kushte për punë konstruktive në kushtet kur retorika konfrontuese mbizotëron në organizatë.
“Është e panevojshme të thuhet se situata në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk është e thjeshtë. Kjo ndikon plotësisht në aktivitetet e OSBE-së, ku, për fat të keq, retorika konfrontuese dhe dëshira për të krijuar polemika në vend që të kërkojnë kompromis. Themelet e konsensusit për punë konstruktive mbizotërojnë. Sigurisht, në këtë situatë, roli i kryetarit është veçanërisht i rëndësishëm. Kryetari mund dhe duhet të kontribuojë në krijimin e kushteve për punë konstruktive, dhe unë jam i kënaqur të vërej se në fjalimet tuaja publike, si kryetari i OSBE-së, ju keni deklaruar “Ne e mbështesim plotësisht këtë””, tha Lavrov.
Agjencia e lajme TASS bën të ditur se Lavrov ka shtuar se takimi aktual gjithashtu do të jetë i dobishëm për sa i përket mundësisë së shkëmbimit të vlerësimeve të marrëdhënieve bilaterale. Nga ana tjetër, Rama theksoi se megjithëse OSBE u krijua 45 vjet më parë, parimet e saj themelore mbeten të pandryshuara.
“Duke pasur parasysh se siguria dhe njerëzit janë gjëja kryesore, unë mendoj se ne të gjithë mund të përpiqemi të bëjmë më shumë dhe shpresoj se më së miri se si do të arrihet. Rusia është një aktor kryesor në një numër formatesh negociatash që duhet të zgjidhin konfliktet në rajonin e OSBE-së. Unë erdha këtu me besimin se ju dhe vendi juaj i bukur të përdorë ndikimin e tyre në këto formate për të lëvizur sa më afër botës aq shumë të nevojshme”, tha ai.
Më pas Rama dhe Lavrov kanë dhë një konferencë për shtyp ku u janë përgjijgur pyetjeve të gazetarëve jo vetëm në lidhje me konfliktit me Krimenë, por edhe për marrëdhëniet mes dy shteteve dhe për çështjen e Kosovës dhe marrëdhëniet me Serbinë.
“Ne kemi folur për Kosovën dhe ne kemi theksuar nevojën për rinisjen për bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit”, deklaroi kryeministri Rama duke theksuar për një zgjidhje të përbashkët për marrëdhëniet mes dy shteteve.
Konferenca mes Ramës dhe Lavrov ka zgjatur 45 minuta dhe në fokus kanë qenë edhe marrëdhëniet mes dy shteteve.
Gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit të OKB, Rama tha se zgjidhja e konfliktit Rusi-Ukrainë, për zonën e Krimesë është një nga prioritetet e tij kryesore në krye të OSBE. Rama është kryeministri i dytë që viziton Moskën, pasi në vitin 1995 ka qënë Aleksandër Meksi, i cili është pritur nga Kryeministri rus i asaj kohe.
Lulzim Basha thotë se paketa e ndihmës së ofruar nga Qeveria për njerëzit e vetëngujuar dhe në nevojë, për sipërmarrjen e vogël dhe bizneset familjare është e pamjaftueshme dhe kërkon që menjëherë të detajohet plani i ndihmës së paketës aktuale dhe të hartohet një paketë e dytë.
“Sakrifica që ju kërkohet sot shqiptarëve ka nevojë për një mbështetje të madhe. Qeveria të mos vonojë detajimin e ndihmës që ka shpallur dhe të bëjë gati një paketë tjetër, sepse është e qartë që kjo paketë është e pamjaftueshne. Të gjithë ata që kanë mbyllur bizneset dhe kanë lënë punën duhet të paguhen”, tha Basha përmes një videomesazhi të përcjellë nga rrjetet sociale.
Kreu i opozitës kërkoi nga Qeveria ndërprerjen e të gjitha transferimeve të thesarit për degët e tjera dhe përqëndrimin e tyre vetëm tek shëndeti dhe nevojat emergjente të qytetarëve.
“Të ndërpritet çdo transferim nga Thesari dhe të gjitha paratë të shkojnë për shëndetin e shqiptarëve dhe nevojat akute të qytetarëve. Këto janë kohërat më të vëshitra që kemi jetuar prej një kohe të gjatë”, kërkoi ai.
Basha përsëriti thirrjen për të mbyllur të gjitha fasoneritë, call centera-at dhe bizneset e tjera të prodhimit ku afërsia e punonjësve përbën rrezik për transmetimin e virusit.
Megjithatë, Basha u shpreh optimist se Shqipëria do të tejkalojë vështirësitë materiale, fizike dhe shpirtërore, ndërsa përsëriti thirrjen që qytetarët të respektojnë distancimin social.
Një kamion çisternë për pak përshkallëzoi tragjedinë e protestave që kanë shpërthyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vdekjes së George Floyd. Mjeti i rëndë u fut me shpejtësi në mes të një grupi prej mijëra protestuesish që kishin bllokuar një autostradë në dalje të Mineapolisit.
Nga pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë dhe telefonat e një pjese të protestuesve shihet mjeti teksa frenon me vonesë, në përpjekje për të shmangur përplasjen e personave që ndodheshin ende në rrugë.
Fatmirësisht, asnjë prej protestuesve nuk u godit, ndërkohë që vetë këta të fundit kanë rrethuar më pas kabinën e kamionit dhe pasi i kanë thyer xhamat kanë nxjerrë andej drejtuesin e mjetit, duke e goditur me grushta dhe sende të tjera të forta, para se t’ja dorëzonin të gjakosur dhe gjysmë të zhveshur një patrulle policore që ndodhej aty pranë.
Në ditën e parë të rihapjes së shkollave, një prej emrave të Qeverisë “Rama” që përflitej se do të largohet nga kabineti ka dhënë dorëheqjen.
Besa Shahini është larguar beftas nga drejtimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve duke ja lënë këtë post Evis Kushit, deputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit.
Shahini ka qenë një prej emrave më të shënjestruar nga ana e opozitës për menaxhimin e situatës së Covid-19 në institucionet arsimore dhe për ndërhyrjen, sipas Partisë Demokratike, në autonominë e universiteteve.
Vetë ministrja Shahini e paralajmëroi largimin, kur në një intervistë televizive deklaroi se do të largohej në fund të mandatit nga Shqipëria dhe se nuk do të angazhohej në fushatën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit.
A mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme rregullat themelore që rregullojnë konkurrencën zgjedhore, veccanërisht rregullat në lidhje me transformimin e votave në mandate mes konkurentëve pasi të ketë filluar procesi zgjedhor dhe vetëm 6 muaj para datës së zgjedhjeve? Sa e rëndësishme është qëndrueshmëria e legjislacionit zgjedhor dhe njohja e ligjit nga konkurrentët zgjedhorë mjaftueshëm kohë përpara zgjedhjeve për vetë cilësinë dhe besueshmërinë e procesit të zgjedhjeve?
Nëse rregullat, veccanërisht ato që kanë të bëjnë me transforimin e votave në mandate midis konkurrentëve ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe shumë afër datës së zgjedhjeve në mënyrë që të sigurojnë avantazh për partinë që ka paraqitur ndryshimet, a dëmtojnë, ose ndikojnë këto ndryshime parimet e qëndrueshmërisë së ligjit, sigurisë juridike dhe rregullave të barabarta të lojës së konkurrimit që janë kycce për të përmbushur angazhimet e OSBE-së për zgjedhje demokratike? A e kompromentojnë këto ndryshime procesin zgjedhor? A kompromentojnë ato stabilitetin politik nëse bëhen në kundërshtim me konsensusin e 24 janari dhe 5 qershorit të arritur nga shumica e partive politike?
A shkelet përfundimisht parimi i garancive proceduriale nëse ndryshime të tilla në ligjin zgjedhor të miratuara njëanshmërisht dhe me nxitim bëhen në mungesë të një gjykatë kushtetuese funksionale, e cila mund të kontrollojë përpuethshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Ndërsa ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë të Kodit Zgjedhor të 30 korrikut dhe 5 tetorit nuk ishin pjesë e rekomandimeve të hershme të OSBE/ODIHR për Shqipërinë, a është procedura urgjente një motiv i ligjshëm për të justifikuar ndyrshimet e njëanshme nga një Parlament i kontestuar që nuk plotëson kuorumin kushtetues prej 140 deputetësh? A kishte ndonjë nevojë kushtetuese sipas standardeve ndërkombëtar për t’i modifikuar ato në mënyrë të njëanshme?
A është dispozita e futur rishtasi në Kodin Zgjedhor për të drejtën e kryetarit të një partie politike për të kandiduar në 4 qarqe zgjedhore në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe veccanërisht me parimin e mosdiskriminimit mes kandidatëve dhe votuesve?
A e pengojnë rregullat aktuale në fuqi për mbledhjen dhe shndërrimin e tyre në mandate mes konkurrentëve, veccanërisht ato në lidhje me koalicionet zgjedhore dhe formulën përkatëse për ndarjen e mandateve, futjen e listave të hapura dhe përzgjedhjen e kandidatëve nga votuesit? Në rast se legjislacioni miraton listat e hapura, ndërsa mekanizmi ekzistues i koalicioneve zgjedhore dhe formula përkatëse për ndarjen e mandateve për koalicionet mbeten ashtu sicc janë aktualisht në fuqi, a do të ishte legjislacioni përkatës shqiptar në përputhje me angazhimet e OSBE-së?
A i dëmton të drejtat e partive politike dhe elektorateve të tyre imponimi i njëanshëm i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në lidhje me koalicionet zgjedhore për të kandiduar me një listë unike?
Duke pasur në konsideratë situatën, cila do të ishte një zgjidhje e pranueshme për të garantuar një proces zgjedhor me standarde europiane për zgjedhje demokratike dhe të dakordësuara nga të gjitha aktorët kryesorë politikë dhe subjektet zgjedhore në mënyrë që të shmanget një krizë tjetër zgjedhore dhe politike.
Mbyllja e pikave fizike të basteve sportive në të gjithë Shqipërinë në 2019-ën nuk ka çrrënjosur fenomenin, madje muajt e fundit është vënë re një shtim i aktivitetit bastvënës përmes faqeve online, që e ofrojnë këtë shërbim edhe përmes një telefoni të thjeshtë inteligjent. Pra, bastet u hoqën nga rruga, por u futën në xhepat e shqiptarëve.
Gazeta “Si” identifikoi një faqe me emrin “HahaSport”. Nëse kërkohet në Google me këtë emër të shfaqen linqe me domeine malazeze (.me), domeine nga Tonga (.to), territoret britanike në Oqeanin Indian (.io) e deri tek domeini .eu që është domien i Bashkimit Europian.
Përmes kësaj videoje, gazeta “Si” ilustron se sa e lehtë është që të hapesh jo vetëm faqen, por edhe llogarinë në një kompani ofruese bastesh. Madje aty gjen edhe mënyrat e rimbushjes, e deri tek kontaktet e kujdesit për klientët. Kontakti telefonik është një numër britanik.
Në momentin që hapet kjo faqe, të ofron automatikisht përmes një njoftimi edhe mundësinë për të instaluar aplikacion bastesh, Android dhe iOS. Në të dyja rastet, instalimi ofrohet përmes dosjeve APK, që anashkalojnë kanalet zyrtare të Google (Play Store) dhe Apple (App Store).
Burime të gazetës “Si” nga krimi kibernetik në Policinë e Shtetit dhe ekspertë të sigurisë kibernetike pohojnë se gjatë muajve të karantinës në pranverë dhe në vazhdim është vënë re një shtim i trafikut tek faqet që ofrojnë baste sportive online, megjithëse edhe kjo formë është e ndaluar më ligj.
Burimet thonë se organizatorët përdorin domaine që ndryshojnë shpesh dhe automatikisht, çka e bën thuajse të pamundur për strukturat ligjzbatuese, si të Policisë së Shtetit, ashtu edhe të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare që të gjurmojnë dhe bllokojnë ato.
“Janë faqe të vendosura në servera të fshehur dhe IP që ndryshojnë vazhdimisht. Kjo do të thotë se gjurmimi është i kotë, pasi njëherë faqet mund të dalin me IP nga Brazili, pastaj nga Gjermania, apo Qipro e Britania e Madhe. Pra, janë IP të rreme”, thonë burimet.
Ofrimi i IP të rreme për të mbuluar IP reale nuk është një biznes i paligjshëm, madje në shumë vende të botës ofrohet kundrejt pagesave të ligjshme, duke shfrytëzuar parashikimet ligjore në këto vende për të drejtën e privatësisë së qytetarit.
Megjithatë, kjo e drejtë në Shqipëri po përdoret për të tejkaluar lehtësisht të gjitha pengesat teknike që mund të nxjerrë AKEP për të bllokuar bastet online. Nga AKEP thonë se kjo është një betejë e humbur.
“Mund të bllokojmë një IP, pastaj një tjetër, një tjetër, një tjetër e kështu me radhë, por ato shfaqen sërish pasi bëhet fjalë për një sistem të ndërlikuar ndërkombëtar të ndryshimit automatik të IP. Pra është e pamundur për ne, si përsa u takon burimeve njerëzore, ashtu edhe teknologjike që t’i bllokojmë”, thonë burime të gazetës “Si” nga AKEP.
Si në Policinë e Shtetit, ashtu edhe tek AKEP janë të vetëdijshëm edhe për lehtësinë me anë të së cilës mund të aksesohen këto faqe. Njëra formë për një vizitor të ri është përmes “Pop up”-eve me linqe që të adresojnë automatikisht në faqe që ofrojnë shërbimin e basteve. Linqet zakonisht gjenden në platformat apo faqet që ofrojnë transmetim online të ndeshjeve të futbollit në mënyrë pirate.
Procesi i numërimit të votave në Kosovë po shkon drejt fundit. Sipas tabelave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kur janë numëruar mbi 98 për qind e tyre, Vetëvendosje kryeson me 48.17 për qind e tyre, ndjekur më pas me radhë nga PDK, LDK dhe AAK.
Aktualisht janë duke u numëruar votat me postë dhe votat me kusht. Pas Vetëvendosjes PDK ka marrë 17.3 për qind dhe LDK 13.1 për qind. E treta renditet AAK me 7.4 për qind.
Nisma e Fatmir Limajt nuk e ka kapur pragun prej 3 për qind për të hyrë në Kuvend. Të gjitha partitë politike e uruan Vetëvendosjen për fitoren, ndërsa procesi është vlerësuar si shembullor nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
“Ky referendum për drejtësi, punë dhe kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit, u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, tha Kurti në një konferencë për media të dielën mbrëma.
Ai u zotua se qeveria e tij nuk do të hakmerret me askënd, por do të kërkojë llogaridhënie. Lideri i LVV-së tha se fitorja “është vetëm mundësia për të filluar ndryshimin që e duam. Na presin shumë punë dhe shumë angazhim sepse vendi është në kriza të shumëfishta”.
Kurti falënderoi kundërshtarët për garën e drejtë dhe i ftoi që të reformohen. I pyetur për mundësinë e koalicioneve, sipas tij, rezultati zgjedhor sugjeron se ata mund të krijojnë vetë qeverinë.
“Ky rezultat tani ne na e konfirmon se nuk kemi nevojë, e nuk kemi interes për ata që duhet të reformohen në opozitë”, theksoi Kurti.
Ndërkaq, Vjosa Osmani, që garon për postin e Presidentes tha se fitorja në zgjedhje nënkupton punën në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe në punën për luftimin e korrupsionit.
“Misioni ynë mbetet fuqizimi i shtetësisë sonë dhe rrugëtimi drejt anëtarësimit në strukturat atlantike si dhe miqësia jonë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani.
Partia Demokratike e Kosovës, që ka dalë e dyta dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që është e treta, kanë deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë. Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që sipas rezultateve preliminare radhitet e treta, ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, sa i përket koalicioneve të mundshme qeverisëse.
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, tha nga ana tjeter se Kosova ka përmbyllur një proces të rregullt zgjedhor. Sipas tij, kjo tregon për kulturën demokratike që është vendosur në procese zgjedhore, që siç thotë Hoti, është përmbushje e standardeve evropiane.
Ai thotë se pret që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përmbyllë sa më parë procesin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, që t'i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të vendit. Qeveria në detyrë, shtoi Hoti, do të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
“Rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kemi pritur. Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutojmë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë. Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha Hoti.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një postim në Facebook, ka shkruar se në ditët në vijim, do të bëjnë një analizë të thellë të zgjedhjeve.
“Z. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si kryeministër, por edhe gjatë fushatës. Çfarëdo të jetë, LDK e respekton rezultatin e zgjedhjeve”, ka shkruar Mustafa.
Partia Demokratike e Kosovës ka uruar nga ana tjetër Kurtin për fitoren, por paralajmëroi se nuk do të formonte një qeveri me Vetëvendosjen. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër ka bërë të ditur se partia e tij, nuk do të jetë pjesë e qeverisë.
“PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që kemi dallime të mëdha në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe në të cilat qëndron PDK-ja. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që do të jemi faktor i stabilitetit si parti në opozitë ”, tha Hoxhaj në një konferencë për media.
Loja “macja me miun” në korridoret dhe sallat e Kryesisë së Kuvendit mes mazhorancës dhe opozitës vijoi edhe këtë të mërkurë.
Deputetët e opozitës vijuan të zbatojnë vendimin politik të grupit të tyre parlamentar për pjesëmarrje fizike në punën e këtyre komisioneve, ndërsa ata të mazhorancës të respektojnë vendimin e Konferencës së Kryetarëve për mbajtjen online të tyre.
Në kalendarin e punimeve, këtë të mërkurë ishte mbledhja dhe konstituimi i tre komisioneve, atij të arsimit, të veprimtarive prodhuese dhe atij të ekonomisë. Dy të parët duhej të mblidheshin në orën 10:00, i treti në orën 11:00.
Pamjet e publikuara nga PD nga brenda sallës tregojnë momentin kur nënkryetari demokrat i këtij Komisioni, Helidon Bushati i kërkon kryetarit socialist, Arben Pëllumbi që të organizojë mbledhjen e komisionit fizikisht.
“(deputetët e PS) Të ndërpresin udhëtimet jashtë vendit dhe shopingun dhe të vijnë në sallë për të kryer detyrën”, tha Helidon Bushati.
“Mazhoranca e sotme po kërkon ta kthejë parlamentin në tallava. Po kërkon që të kalojë ligje me deputetë që janë në bare, në avion apo në shopping center nëpër Europë. Kjo është e patolerueshme, ky është një turp për parlamentarizmin shqiptar”, deklaroi më pas para mediave, deputeti Bushati.
Deputetët e PD u paraqitën fizikisht edhe në Komisionin e Arsimit, i cili drejtohet nga deputeti Agron Gjekmarkaj. Këtu situata ishte më e qetë, por përbërja e komisionit nuk u konstituua.
“Gjendemi përballë një situate absurde, por jo rastësore, të vetëdijshme. Mazhoranca nuk u paraqit, nuk u paraqit sepse nuk do ballafaqimin me opozitën. Kukullat e Edi Ramës nuk kanë fuqi të përballën me opozitën. Nuk duan të diskutojnë për çëhtjet e arsimit në Shqipëri, për fëmijët që braktisin Shqipëri, për shkollat që mbyllen”, tha Gjekmarkaj.
“Ne do të jemi këtu për betejë të përditshme me Qeverinë, me regjimin që ka dalë nga shitblerja e votave. Nuk do ta ketë të lehtë Edi Rama përballjen me opozitën e Shqipërisë. I bëj thirrje kryetares së Parlamentit, zonjës Lindita Nikolla mos të bëhet certifikuese e dëshirave të Edi Ramës, por të ndjekë shembujt më të mirë të parlamentarizimit shqiptar, Pjetër Arbnori e Servet Pëllumbi, jo ata shembuj që kanë denigruar dhe dhunuar opozitën, sepse edhe nëse ata duan nuk do t’ia dalin dot. Opozita i ka të gjitha instrumentet që të reagojë dhe të vetëmbrohet. Por, mbi të gjitha të vetëmbrohet në emër të shoqërisë shqiptare që kërkon ndryshim dhe kërkon respektimin e ligjeve të vendit.tha para mediave deputeti Gjekmarkaj.