Videot kryesore
Ambasadorja amerikane në Tiranë njohu përpjekjet e autoritetet shqiptare në luftën kundër korrupsionit, por duke folur në konferencën e prezantimit të raportit të GRECO-s për antikorrupsioni, Yuri Kim tha se vendi përballet ende me një mal me probleme.
“Në lidhje me korrupsioni ka një mal me probleme në Shqipëri dhe përpjekjet e bëra pas reformës në drejtësi nuk duhen marrë si deklarata fitoreje”, u shpreh Kim.
Kryediplomatja amerikane tha se SHBA do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për të çrrënjosur korrupsionin, por kërkoi nga Qeveria që të tregojë më shumë vullnet për t’u anuar nga ana e qytetarëve. Kim foli përmendi që nga korrupsioni më i rëndomtë në zyrat e shtetit, deri tek format më të ndërlikuara të tij me fryrjen e vlerës së tenderave.
“Një nga mënyrat për të çrrënjosur korrupsionin është të punosh në emër të qytetarëve dhe jo në emër të interesave të ngushta. Qytetarët kanë nevojë që paratë e tyre të investohen për përmirësimin e jetës së tyre. Të gjitha qeveritë vuajnë nga një nivel korrupsioni, por qeveritë mund të dënojnë ata që bëjnë korrupsion. Policia, prokurorët dhe gjyqtarët e pavarur janë thelbësorë për një qeverisje të mirë. Do të ketë gjithmonë aktorë të këqinj, por qeveritë duhet t’i dënojnë duke treguar që qeveria është në krahun e njerëzve”, tha ambasadorja.
Edhe Kryeministri Edi Rama i mëshoi reformës në drejtësi si mekanizmi që do të luftojë korrupsionin. Por, ai e cilësoi të gabuar perceptimin se koka e korrupsionit në Shqipëri janë politikanët.
“Koka e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët. Nuk kanë qenë politikanët, pavarësisht se kanë qenë pjesë. Koka ka qenë gjykatësit dhe prokurorët që kanë garantuar pandëshkueshmërinë në këtë sistem. Po të mos kishin qenë këta, nuk do të kishin qenë as korrupsioni spektakolar dhe nganjëherë edhe vrastar i politikanëve. Nëse nuk vendoset në themel të drejtësisë kurbani i korrupsionit 30-vjeçar, që është fiks tek korporata që vettingu po e shpërbën, por nuk mjafton, atëherë ngrehina nuk do të qëndrojë dhe historia do të përsëritet dhe do të përsëritet keq”, tha Rama.
Palët politike rivale të udhëhequra nga Edi Rama majtas dhe Lulzim Basha djathtas janë përshirë në një debat të ethshëm për çështjen e taksave, duke u paraqitur qytetarëve avantazhet e propozimeve të tyre, i pari me taksën progresive dhe i dyti me taksën e sheshtë 9 për qind.
Por, në të gjithë këtë debat të dyja palët po i qëndrojnë larg debatit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për ushqimet bazë të shportës së konsumit të një familjeje. Shqipëria është ndër të paktat vende në Europë që nuk diferencon nga TVSH 20 për qind ushqimet e shportës dhe premtimi për heqjen e këtyre produkteve nga kjo skemë është bërë gjithmonë në opozitë e “harruar” në pushtet.
Një premtim për heqjen e TVSh-së për produktet e shportës është bërë në 2011 nga Edi Rama. Përmes rrjeteve sociale, Rama ilustronte me shembuj se sa do të kursenin familjet nga heqja e TVSh-së për ushqimet e shportës.
“Lejomëni të ndaj me ju një ilustrim të thjeshtë grafik të propozimit tonë për heqjen e taksave të Saliut mbi bukën, qumështin, vezët, ilaçet, duke ju thënë të gjithë atyre që thonë ku e keni programin se ja, kjo është një copëz e programit që prej më shumë se një muaji e kemi shtruar publikisht, por pakkush ndër komentatorët e ka rrokur në brendinë e vet”, sqaronte ai tabelën e çmimeve ilustruese të mësipërme.
Në dhjetor të 2011, socialistët në atë kohë në opozitë dorëzuan në Kuvend një propozim konkret për të hequr TVSh për produktet e shportës duke deklaruar në relacionin shoqërues të nismës se kjo do të ulte çmimet dhe do të ndihmonte shtresën në nevojë. Propozimi ishte pothuajse identik me premtimin elektoral të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2005-ës.
Por, propozimi u rrëzua nga mazhoranca PD-LSI. Kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha deklaronte se TVSh 20 për qind për produktet e shportës mbronte prodhimin vendas dhe se me heqjen e saj tregu do të dyndej nga produktet e importit. Megjithatë, Rama nuk hoqi dorë dhe në 2013 premtimin e përfshiu te platforma qeverisëse të Partisë Socialiste.
Verën e 2015-ës flamurin e këtij premtimi e ngrinte Lulzim Basha.
“Një nga zgjidhjet që duhet të japim është të heqim TVSH-në për miellin, për bukën, për sheqerin, për vajin, për orizin. Të paktën për këto mallra. T’ua bëjmë bukën qytetarëve që ta blejnë 20 për qind më pak se sa çmimi i tregut sot”, deklaronte Basha.
Thuajse gjashtë vite më vonë, ai vjen me propozimin e taksës së sheshtë 9 për qind, ndërsa për zerimin e TVSH-së së shportës, pra ushqimeve bazë të qytetarëve, as ai dhe as Edi Rama nuk flasin më.
TVSh në Shqipëri është në nivelin 20 për qind me një nivel të reduktuar prej 6 për qind, ku nuk bëjnë pjesë ushqimet e shportës. Niveli i reduktuar prej 6 për qind aplikohet prej 2017-ës në sektorin e turizmit dhe agro-turizmit dhe të librave, ndërsa të përjashtuara nga kjo skemë janë eksportet, shërbimet shëndetësore, importi i inputeve dhe makinerive bujqësore etj.
Në rajon, Maqedonia e Veriut aplikon prej 1 janarit të këtij viti një TVSh standarde prej 10 për qind për të gjitha kategoritë që lidhen me furnizimin dhe shitjen e ushqimeve dhe pijeve, ndërsa para këtij ndryshimi aplikonte një taksë me dy nivele, 18 dhe 5 për qind. 18 për qind ishte TVSh në rastet e konsumit të ushqimit në vendin e furnizimit (baret, restorantet, fast food-et, shërbimi “Merre me vete”, etj), ndërsa 5 për qind për miellin, bukën, orizin, vajin, kripën në rastet kur bliheshin në dyqane.
Kosova aplikon një TVSH standarde prej 18 për qind dhe një normë të reduktuar prej 8 për qind për ujin (me përjashtim të ujit të ambalazhuar në shishe), furnizimin me energji elektrike, përfshirë transmetimin dhe shpërndarjen, drithërat dhe nënproduktet e tyre, si mielli, buka dhe produkte të ngjashme, vajin për gatim, kripën, vezën dhe librat.
Me TVSH të reduktuar 8 për qind janë edhe furnizimet mjekësore, farmaceutike dhe shërbimet e ofruara nga industria e turizmit, për këtë të fundit me afat deri më 31 dhjetor të 2021 si nismë e qeverisë për të ndihmuar këtë industri.
Serbia aplikon një TVSh standarde prej 20 për qind, por aplikon nivelin e reduktuar prej 8 për qind për ushqimet bazë, ujin, gazetat, ilaçet, kompjuterat, etj.
Në Greqi, TVSh standarde është 23 për qind, por aplikon dy norma të reduktuara. 13 për qind për ushqimet dhe pijet, ilaçet, transportin dhe 6.5 për qind për hotelet, librat për fëmijë, gazetat dhe të tjera shërbime që klasifikohen si bazike.
Bosnje Herzegovina nuk ka asnjë përjashtim nga skema e TVSh-së standarde që e ka të vendosur në nivelin 17 për qind.
Ky video-përgjim po qarkullon së fundmi në rrjetet sociale. Në dëgjohet biseda mes dy personave për blerjen e votave për Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Njëri prej personave të regjistruar është identifikuar si shtetasi Etien Joka, i njohur si aktivist i LSI-së. Joka ka reaguar duke e cilësuar këtë video si montazh.
Kryeministri Edi Rama ndau me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një video të shkurtër nga bashkëbisedimet me aplikantët e nismës së ndërmarrë prej tij, “Gati për Shqipërinë”.
“Ky cikël sesionesh online sipas fushave, na mundëson njohjen me të interesuarit dhe eksplorimin së bashku të mundësive e formave të bashkëpunimit me ta”, shkruan kreu i Qeverisë.
Në videon në fjalë janë shqiptarë të suksesshëm jashtë vendit në fusha të ndryshme, kryesisht në fushën e teknologjisë, që japin idetë dhe hedhin propozime për projekte përkatëse në Shqipëri.
Nisma “Gati për Shqipërinë”, sipas Ramës, synon që të tërheqë dhe aktivizojë të rinjtë ekselentë për më shumë aktivizëm në vendimmarrjet e qeverisë.
Aplikimet për këtë vazhdojnë dhe ato priten në adresën [email protected].
Mes agjendës së ngjeshur të vizitës së Presidentit Erdogan në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama i shkëputi pak minuta kohë për t’i dhuruar një punim artistik të punuar nga vetë ai.
“E kam bërë vetë me këto dy duar”, i thotë Rama Erdogan.
Kryeministri ka hedhur në rrjetet sociale një video të shkurtër nga momenti i dorëzimit të veprës te Presidenti turk. Erdogan shfaqet i habitur dhe i drejtohet përkthyesit që ta pyesë nëse e ka bërë vetë Rama vërtet atë?
“Jam artist serioz unë! Si...!”, i përgjigjet Rama.
Më pas, Kryeministri i kërkon që ta ruajë veprën në shtëpi duke i thënë se ka vënë re që Zonja e Parë e Turqisë, bashkëshortja e Erdogan e kupton më mirë artin e tij se sa Presidenti turk.
“Do ta mbaj dhe ta ruaj në vendin më të mirë”, i thotë Erdogan.
Partia Demokratike ka ripublikuar një video përgjim të dosjes 184 në Dibër, për të treguar se prokurorja që mbylli dosjen e zgjedhjeve te kontestuara nga PD (Belina Zeneli) është bashkëshortja e kandidatit të propozuar nga primaret e Berishës, Premtim Kryemadhi
“Kandidimi në Dibër i bashkëshortit të prokurores që mbrojti bandën e Edi Ramës, duke mos hetuar dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, është poshtërsi dhe tallje me dibranët dhe demokratët dibranë që masakrën zgjedhore e provuan të parët në 2016.
Janë rreth 200 ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë që janë dorëhequr, ose shkarkuar nga komisionet e vettingut me akuzat e fshehjes së pasurisë, deklarim i pjesshëm, ose deklarim i rremë i tyre.
Për këto vepra, Kodi Penal parashikon parashkrimin, pra pushimin e ndjekjes penale pas një afati të caktuar kohor. Kësaj i mëshoi në konferencën për shtyp ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
“Ka afate për ushtrimin e ndjekjes penale. Po t’u referohemi këtyre afateve, për deklarim të rremë dhe fshehje të pasurive, për shkak të mos hetimit, rrezikojnë të parashkruhet ndjekja penale. Për çfarë e bëmë vetingun ne? Thjesht një proces për të pushuar disa gjyqtar dhe prokurorë? Jo. Vettingu duhej që qytetarët të kishin besim te drejtësia", tha Manja.
Ministri kërkoi veprimin si nga SPAK, ashtu edhe nga prokuroritë e zakonshme, që një pjesë të këtyre akuzave i kanë në juridiksion, para se afatet të parashkruhen dhe ky grup ish-gjyqtarësh dhe ish-prokurorësh, që sipas Manjës, janë bërë miliarderë të mos i shpëtojnë drejtësisë prej mosveprimit.
Por, çfarë parashikon Kodi Penal? Kodi thotë se nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar tre vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim gjer në dy vjet burgim dhe dy vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me gjobë.
Akuza për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurive nga nëpunësve dënohet me gjobë ose burgim deri në tre vjet. Vettingu është në vitin e pestë të tij. Kjo do të thotë se për gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar në dy vitet e para të tij nuk mund të ketë ndjekje penale për deklarim të rremë, apo fshehje pasurie, megjithëse ata ende mund të hetohen për korrupsion.
Ministri Manja tha se 179 gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar për deklarim të rremë, fshehje pasurie dhe mungesë të burimeve financiare për pasuritë e krijuara dhe 51 të tjerë kanë dhënë dorëheqjen për shkak të procesit të vettingut.
Skuadra e Tiranës udhëtoi mëngjesin e sotëm drejt Gjeorgjisë, ku do të zhvillojë ndeshjen e kthimit të raundit të parë eliminator të Conference League, përballë Dinamo Batumit. Takimi i parë në në "Air Albania" u mbyll në barazim, 1-1, falë golit të Regi Lushkjes në minutën e 93-të.