Videot kryesore
Sirenat e serbëve që sinjalizojnë tubimin në sheshin qendror të qytetit dëgjohen në Mitrovicën e Veriut, ku forcat speciale ROSU të Kosovës kanë ndërmarrë një operacion për arrestimin e elementëve të dyshuar si pjesë e grupeve kriminale dhe kontrabandimit të mallrave.
Aksioni ngjalli reagime në Beograd. Vuçiç foli për operacion për spastrim etnik, ndërkohë që Haradinaj u përgjigj duke deklaruar se aksioni ishte i shtrirë në të gjithë territorin e Kosovës dhe synon vendosjen e ligjit dhe shtetit ligjor.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka hapur ende garën për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Megjithatë, Albcontrol ka hapur garën për masterplanin të navigimit ajror të këtij aeroporti.
Fondi i limit i vënë në dispozicion është 198 milionë lekë. Tek shtojca e specifikimeve teknike, Albcontrol kërkon përgatitjen, rishikimin dhe dorëzimin e konceptit të kullës që do të ndërtohet në aeroportin e vlorës, kërkesat teknike të detajuara për ndërtimin e kësaj kulle dhe masterplanin e zhvillimit navigacional si dhe studimin e fizibilitetit për shërbimet navigacionale që do të kryhen në këtë aeroport.
Lloji i procedurës së prokurimit është hapur me mjete elektronike dhe afati i fundit është data 11 shtator i këtij viti. Hapja e këtij tenderi nga Albcontrol nuk do të thotë se do të nisë puna për ndërtimin e kullës, apo masterplanit të navigimit për Aeroportin e Vlorës, por sinjalizon se puna për ndërtimin e këtij aeroporti pritet të nisë brenda disa muajve.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi në muajin prill hapjen e garës për ndërtimin e kësaj vepre pas dështimit të negociatave me një konsorcium prej tre kompanishë turke, për këtë aeroport.
Puna për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës duhej të niste në qershor të vitit 2018. Në janar të këtij viti, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë në atë kohë, Damian Gjiknuri doli para mediave për të njoftuar kalimin me procedurë të përshpejtuar në qeveri të projektligjit që u hapte dritën jeshile negociatave me konsorciumin e kompanive turke.
Qershorin 2018 si afat e dha Kryeministri Edi Rama, ndërsa vetë Gjiknuri foli me bindje se brenda atij viti punimet do të nisnin. Por, punimet nuk nisën as në qershor dhe as me mbylljen e 2018, madje nuk kanë nisur ende. Arsyet e mosnisjes së tyre, Kryeministri Edi Rama i shpjegoi gjatë një takimi elektoral për zgjedhjet e qershorit në zonën e Finiqit, ku premtonte një tjetër aeroport.
“Nuk dua të jap data dhe afate, sepse e mësova dhe unë që data dhe afate jep vetëm për punët që i ke të gjitha në dorë, pasi kur është fjala për partnerë të tjerë siç është rasti i Aeroportit të Vlorës, që kishim të bënim me partner të tjerë, sado seriozë dhe pastaj negociatat nuk dolën me sukses, sepse ne donim një kontratë më të avantazhua. Atëherë s’po jap data dhe afat, por po ju them se pa asnjë diskutim brenda mandatit të Kristaqit këtu aeroporti do ketë nisur nga puna kantier real. Dëshira ime dhe puna që do bëjmë është që ta përfundojmë. Po më mirë të jemi të kujdesshëm dhe po përfundoi para afatit do na doni më shumë. Më mirë të na doni më shumë kur të përfundojë para afatit sesa të rrudhni buzët më shumë nëse shkelet afati”, tha Rama.
Në këtë video shihet qartë dhuna ndaj zyrtarëve të ndeshjes Kastrioti-Egnatia, e luajtur fundjavën e kaluar. Konkretisht, dhuna ushtrohet ndaj gjyqtarit të katërt, Endrit Zhuli, por skandaloze është që kjo dhunë vjen nga drejtuesit e klubit, nga administratori i Kastriotit, Gazmend Vogli.
Dhe akoma më keq, zyrtari i ndeshjes goditet para syve të policit dhe zyrtarëve të tjerë të FSHF-së, delegatit dhe vëzhguesit, të cilët, të ndodhur nën presion, nuk e kanë raportuar ngjarjen. Për Kastriotin është një rast i përsëritur. Ka ndodhur sezonin e fundit në disa ndeshje të tjera, madje para ndeshjes me Skënderbeun janë goditur edhe lojtarë të ekipit kundërshtar.
Gjithsesi, Federata ka marrë masa shumë të buta dhe mbetet të shihet tani se çfarë do të ndodhë. Për dhunë ndaj arbitrave Kamza u përjashtua nga aktivitetet dhe zbriti dy kategori më poshtë, ndërsa krutanët duken “imunë” në këtë aspekt, si për çudi.
Inspektoriati Kombëtar i Mjedisit nisi në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte prishjen e ndërtesave në lotin 2 të Unazës së Re, në aksin që lidh “Pallatin me Shigjeta” me “Rrethrrotullimin Shqiponja”.
Fadromat e IKMT-së u shfaqën në zonë rreth orës 06:00, ndërsa më herët forca të shumta policie kishin zbarkuar, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve në këtë aks me dendësi të lartë trafiku, si dhe për të shmangur çdo përplasje mes punonjësve të IKMT-së dhe banorëve që kundërshtojnë prishjen e ndërtesave të tyre.
Rezistenca e banorëve ishte e vakët dhe fadromat e IKMT-së nisën prishjen e objekteve rreth orës 07:00. Banorët akuzojnë autoritetet se nuk u kanë njoftuar asnjë projekt, asnjë vendim dhe asnjë letër zyrtare të vlefshme për prishjen e ndërtesave të tyre. Ata thonë se po nxirren në rrugë të madhe për t’u hapur rrugë ndërtimit të pallateve.
Këto akuza i përsëriti edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, që ndodhej në krah të banorëve. Ai tha se shtëpitë e qytetarëve po prishen për t’u hapur rrugë ndërtimit të pallateve të oligarkëve. Balliu akuzoi se bashkia dhe ARRSh kanë shkelur ligjet dhe Kushtetutën e vendit dhe përsëriti se PD i qëndron marrëveshjes së nënshkruar disa muaj më parë nga Lulzim Basha me banorët e “Unazës së Re”. Marrëveshja, sipas opozitës, dy ka pikat kryesore.
“Ndëshkim për të gjithë personat e përfshirë në këtë aferë dhe dëmshpërblim deri në qindarkën e fundit dhe me çmimin e tregut të të gjitha banorëve të prekur këtu”, tha Balliu.
Prishjet po zbatohen në lotin 2 të segmentit 2.2 kilometra që fillon nga “Pallati me Shigjeta” dhe mbyllet tek “Rrethrrotullimi Shqiponja”. Në lotin 1, që fillon nga “Shqiponja” dhe përfundon tek ura e Lanës objektet janë prishur dhe ndonëse me ritme të ngadalta vazhdon puna për rikonstruksionin e këtij aksi.
Ndërkohë, në lotin 2, ku fituese e tenderit është shpallur kompania “Salillari” banorët kishin nisur prej ditësh të boshatisnin ndërtesat e përdorura për biznes dhe shtëpitë, ndonëse kundërshtonin prishjen e tyre.
Tenderi për rindërtimin e këtij aksi në të treja lotet është përllogaritur që të kushtojë në rreth 40 milionë euro, një shifër e qortuar si tejet e fryrë për 2.2 kilometra gjatësi dhe e akuzuar nga opozita si aferë korruptive. Loti 1 u fitua fillimisht nga kompania ‘DH Albania’, por pas zbulimit se kjo kompani kishte falsifikuar dokumentacionin ai u anulua dhe gara u rihap, ku fituese u shpall kompania “Salillari” bashkë me kompaninë “Bajrami N”.
Loti 2 është fituar vetëm nga kompania “Salillari”, ndërsa në lotin 3 fituese është shpallur kompania “Victoria Invest”.
Të shtënat midis një polici dhe një gruaje me ngjyrë në Nashville, Amerikë kanë shkaktuar një tjetër debat të madh në vend.
Nika Holbert përplasi makinën e saj pasi oficeri Josh Baker e qëlloi nga një distancë e afërt pas një ndalimi trafiku të premten në mëngjes. Gruaja 31-vjeçare më vonë vdiq nga plagët e marra. Baker pritet të shërohet. Por ishte gjithçka që ndodhi ajo që ka hapur një debat të madh se kush kishte faj.
Baker ndaloi Holbert sepse makina që ajo po ngiste ishte e regjistruar në emrin e një burri me precedent penale.
Këtu filloj gjithçka. Baker lejoi Holbertin të përdorte telefonin e saj celular dhe të bënte një telefonatë. Kur Baker shkoi për të prangosur Holbert pasi gjeti një qese të vogël me "pluhur" ajo rezistoi dhe iku, rreth makinës së saj dhe pastaj përsëri në anën e shoferit, ku ajo hyri.
Gjithë ngjarja u kap nga kamera e trupit të Bake dhe kamera që ndodhet në makinën e tij të policisë.
Pamjet tregojnë se Baker po i afrohej Holbert, e cila në fillim ishte e qetë dhe e lejoj oficerin të kontrollonte çantën e saj i cili gjeti një qese të vogël mariuhanë. Baker e mori atë, i ktheu shpinën Holbert për të shkuar te makina e tij për të siguruar qesen e mariuhanës para se të kthehej te shoferja, e cila po qëndronte atje duke e pritur.
Në këtë moment Holbert tentoj të largohej duke hipur në makinën e saj.
Me derën akoma të hapur, Baker përdori paralizuesin e tij për ta ndaluar por pa sukses. Ky është momenti kur, sipas Departamentit të Policisë Metropolitane në Nashville, Holbert zgjati dorën për një armë, duke e nxitur Baker të nxirrte armën e tij dhe të qëllonte mbi të nga rreth dy metra larg. Departamenti tha se Holbert gjuajti gjithashtu me armë dhe goditi Baker në bark me një të shtënë që kaloi nën jelekun e tij antiplumb.
Kamera nga kroskoti i Baker tregoi Holbert që hidhte një armë dhe largohej përpara se të përplasej aty pranë. Nuk është e qartë nëse dëmtimet vdekjeprurëse u bënë gjatë përplasjes apo nga të shtënat e Bakerit.
Departamenti lëshoi pamjet më vonë të njëjtën ditë të premten.
Ndërsa shumë njerëz thonë se Holbert duhej të respektonte ndalimin, të tjerë në mediat sociale thonë se nuk kishte nevojë që ndalimi të ishte përshkallëzuar deri aty.
Zyra e Prokurorit të Qarkut në Nashville njoftoi verën e kaluar se nuk do të ndiqte më penalisht për posedim të më pak se 14 gram mariuhanë. Sasia që Holbert kishte dukej se ishte një sasi e vogël. Meqenëse Holbert nuk ishte personi që Baker dyshonte se po ngiste makinën, Baker madje mund të dëgjohet duke thënë në radio policie se "ai nuk është këtu", po ata kritikë të mediave sociale thonë që oficeri duhej ta kishte lënë të shkonte me një paralajmërim ose më së shumti një gjobë.
Të tjerët argumentuan se Baker humbi mundësi të shumta për të kapur në mënyrë adekuate dhe të sigurt Holbertin në vend që ta lejonte atë të bënte siç dëshironte, të tilla si të hynte dhe dilte nga makina e saj në disa raste para se të ndodhnin të shtënat.
Sipas ligjit në Nashville, shoferët "duhet të qëndrojnë në automjetet e tyre në çdo kohë, përveç nëse u thuhet të bëjnë ndryshe dhe nuk mund të kundërshtojnë".
Argumenti është se nëse Baker do e kishte kapur në kohën e duhur, ajo kurrë nuk do të kishte qenë në gjendje të ikte, aq më pak të hynte në makinën e saj, t'i rezistonte paralizuesit, të zgjaste një armë dhe ta qëllonte atë.
Familja e Holbert thuhet se i ka kërkuar Departamentit të Policisë Metropolitane Nashville të hetojë Bakerin për "përdorimin e forcës së tepruar ndërsa bënte një ndalim trafiku", duke treguar pamjet video si provë.
Të shtënat në Nashville erdhën disa ditë pas publikimit të një raporti që zbuloi se shumica e rasteve të dhunës vdekjeprurëse të policisë në ShBA vitin e kaluar ndodhën gjatë rasteve kur nuk u raportua anjë krim, si me rastin e Holbert. Më shumë se 120 njerëz u vranë pasi një oficer i ndaloi ata për një shkelje të trafikut në vitin 2020.
Kuvendi u mblodh në seancë plenare me disa çështje të rëndësishme për të diskutuar, që nga dekrete të Presidentit për kthim ligjesh, te kandidaturat e anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës, deri te komisionet hetimore.
Por, një episod që përfshiu Lulzim Bashën dhe Eduard Shalsin që në fillim të seancës përcaktoi diskursin mes Bashës dhe Ramës. Përplasja nisi kur deputeti i PD, Luçiano Boçi kërkoi fjalën për procedurë, kërkesë që u refuzua nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Në vend të tij ajo ja dha fjalën kreut të Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi.
Shalsi e nisi fjalën duke qortuar deputetët e opozitës që po flisnin nga vendi. “Keni një zakon të tmerrshëm, durimi për të dëgjuar. Është çështje edukate. Nëse nuk do të jeni në gjendje të duroni, të mësoni, prandaj jeni katandisur kështu”, tha ai.
Kjo shkaktoi reagimin e ashpër të Lulzim Bashës. “Pushoni mor plehra. Ta kërcas kokës. Dilni flisni këtu si derra. Hajdut! Plehër! Gjysma juaj duhet të jetë në burg! Je bërë uturaku i atij sipër (Ramës). Fundërrinë! Plehrë! Qelbësirë!”, tha Basha.
Përgjigjen nuk e mori nga Shalsi, por nga Kryeministri Edi Rama, që u shfaq “i zhgënjyer” nga fjalori i Bashës. Rama e këshilloi Bashën që të mos imitojë Sali Berishën.
“Mos hy në garë me atë të foltores duke e bërë gojën qenef, se në atë fushë është më i mirë ai se ty, se ai është origjinali, ti je kopja. Për qenefe ai është botërisht qenefi i Shqipërisë. Mos bëj konkurrencë qenef me qenef se nuk je. Si ai nuk bëhesh dot dhe nuk bëhesh kurrë. Ngrihu në lartrësinë e flokëve të krehura me kujdes dhe buzëqeshjes. Je i dalluar se i fsheh mirë ato që mendon, por të paktën jo me gojë. Nuk mund të bëhesh ti goja më shthurur e këtij Parlamenti. Për mua njëherë që të konsideroj mik, këto janë zhgënyese”, tha Rama.
Kryeministri akuzoi se gjuha e përdorur mund të jetë edhe e kushtëzuar nga përplasja e brendshme në PD me Sali Berishën. “Ai është halli yt! E di që e ke hall, por ne nuk ta zgjidhim dot. Atë hall zgjidhe vetë”, tha Rama.
Basha u kundërpërgjigj duke deklaruar se Berisha nuk është halli i tij, por është halli i Edi Ramës.
“E ka mendjen te dikush tjetër dhe flet për dikë tjetër. Zemra i rreh, por ustait që ja ka kaluar në të gjitha nuk i është afruar asnjëherë për gjërat e mira, por ça ka pas gjëra të këqia dhe vese ja ka kaluar me shumëfish”, tha Basha.
Partia Socialdemokrate (PSD) protestoi kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke hedhur flakadanë që krijuan tym të madh pranë një hoteli në Prishtinë, ku ajo po mbante takim me shoqërinë civile. Më pas aktivistët kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Policia arrestoi disa prej anëtarëve të kësaj partie, e cila nuk përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës, mes tyre edhe kryetarin Dardan Molliqaj.