Videot kryesore
Presidenti Meta ka postuar nje video me te cilen akuzon kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Komisionit te Ligjeve, Ulsi Manja se kane kercenuar anetaret e Keshillit te Emerimeve ne Drejtesi duke bere qe te mos caktohen anetaret e rinj te Gjykates Kushtetuese.
Sirenat e serbëve që sinjalizojnë tubimin në sheshin qendror të qytetit dëgjohen në Mitrovicën e Veriut, ku forcat speciale ROSU të Kosovës kanë ndërmarrë një operacion për arrestimin e elementëve të dyshuar si pjesë e grupeve kriminale dhe kontrabandimit të mallrave.
Aksioni ngjalli reagime në Beograd. Vuçiç foli për operacion për spastrim etnik, ndërkohë që Haradinaj u përgjigj duke deklaruar se aksioni ishte i shtrirë në të gjithë territorin e Kosovës dhe synon vendosjen e ligjit dhe shtetit ligjor.
Komisioni Europian do të paraqesë në fund të muajit maj rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn e konfirmoi këtë dhe thotë se nuk e ka humbur shpresën se Këshilli Europian do të vendosë pozitivisht para pushimeve të verës.
Por, kur vjen puna për progresin, Hahn thekson më fort atë të bërë nga Shkupi, ndërsa për Tiranën vlerëson reformën në drejtësi.
Për të arrestuarit, Basha tha se opozita nuk do të lejojë asnjë prej tyre që të mbahet i arrestuar, duke shtuar se tanimë nuk ka një rrugë të mesme për të zgjedhur.
“Kurrë nuk ka qenë më e qartë dhe e kthjellët zgjedhja! O me juntën, o me popullin e bashkuar për liri dhe demokraci”, shtoi ai.
Që delegacioni i Kosovës shkoi në Berlin i ndarë në qëndrime për dialogun me Serbinë, kjo nuk është më sekret. Por, ndasia mes Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit u reflektua që në pritje nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Ilir Meta thotë se nuk përbën asnjë shkelje ligjore fakti që ai ka firmosur dokumente shtetërore me mbiemrin ‘Meta’ dhe jo ‘Metaj’ siç rezulton i regjistruar në gjendjen civile.
Ish-Presidenti doli në një konferencë për shtyp, ku u pyet nga gazetarët nëse përbënte shkelje ligjore fakti që ka firmosur dokumente zyrtare me një tjetër mbiemër nga ai që është i regjistruar në gjendjen civile.
“Jo, sepse duhet të keni parasysh që çdo dokument e firmë e titullarëve është e shoqëruar me vulë protokolli, vulë institucioni dhe 500 verifikime nga ana formale, që konfirmojnë në mënyrën më të qartë përgjegjshmërinë, apo autenticitetin e personit që ka bërë këtë”, deklaroi Meta.
Kjo ishte gjysma e përgjigjes për pyetjen. Gjysmën tjetër ja kaloi për përgjigje Petrit Vasilit. Ky i fundit u ndal te Edi Rama.
“Pse ndaleni te kjo, ne kemi një rast shumë interesant dhe pak i investiguar. Kemi dekrete Presidenti për emërimin e ish-ministrit të Kulturës, Edi Rama dhe të zgjedhur si kryetar bashkie. Ju e dini që në 2002 Edi Rama e ka ndërruar emrin nga Edvin Kristaq Rama në Edi Rama. Ky është i vetmi njeri që kemi një problem shumë të madh ligjor. Është rasti më tipik Edi Rama dhe i provuar e zeza mbi të bardhë. Një njeri me identitet krejt tjetër ka mbajtur poste shumë të rëndësishme”, u shpreh Vasili.
Ndërkohë, Ilir Meta iu shmang pyetjes nëse ka deklaruar të dy mbiemrat në formularin e dekriminalizimit të dorëzuar në KQZ.
“Unë kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë, Ilir Rexhep Metaj, i lindur më 24 mars në Çepan të Skraparit dhe nuk kam asnjë arsye që të mos jem krenar për emrin e mbiemrin tim”, tha ai.
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se as ministrja Olta Xhaçka, as bashkëshorti i saj dhe as kompania e tij që mori statusin e investitorit strategjik nuk kanë burimet e të ardhurave për të realizuar këtë projekt me kosto 5.5 mln euro.
“Investitori strategjik është bërë investitori strategjik që ka përfituar pagë lufte si shtresë në nevojë. Deklarata e pasurisë së bashkëshortit të ministrs, që deklaron se ka marrë pagë lufte 400 mijë lek në periudhën e Covid-it. Ky është investitori strategjik. Pra deklaron se është i papunë dhe si shtresë në nevojë ka marrë 400 mijë lek të vjetra në periudhën e Covid. Vetëm me firmën e Edi Ramës mund të ndodhë që sot të jesh shtresë në nevojë e të marrës pagë lufte dhe nesër të gdhihesh investitor strategjik që do të investosh 5.5 mln euro”, deklaroi Gazment Bardhi.
Kryeministri Edi Rama ftoi Azerbajxhanin që të bëjë në Shqipëri atë që ka bërë në Mal të Zi, ku është një prej investitorëve kryesorë në fushën e turizmit.
Ftesa iu shqiptua Presidentit azer, Ilham Aliyev gjatë takimit që Rama pati me të në Baku.
“Ne kemi të drejtë për të qenë xhelozë në Mal të Zi, sepse aty keni bërë një investim masiv, jo thjesht financiar, por edhe të modelit që është. Shpresojmë që të bëni të njëjtën gjë edhe në Shqipëri dhe pres që të mbani fjalën dhe të vizitoni Shqipërinë, tashmë që Covid është zbutur”, tha Rama.
Portofoli i investimeve azere në Mal të Zi, vetëm në dy vitet e fundit kalon 300 mln eurot, ku më i madh është projekti për ndërtimin e Porto Novit, një port ankorimi jahtesh e resorti luksoz, që ka kushtuar mbi 100 mln euro.
Ndërkohë, Rama tha se bashkëpunimi mund të shtrihet edhe në fusha të tjera, përfshirë këtu infrastrukturën dhe energjitikën. Sa për energjitikën, Presidenti Aliyev vlerësoi bashkëpunimin në kuadër të TAP.
Kryeministri Edi Rama u ndal në zonat e përmbytura nga Lumi i Vjosës në Fier dhe Vlorë, ku në takimet që pati me drejtuesit emergjencave civile, ata të pushtetit vendor dhe qytetarë tha se këto përmbytje janë edhe pasojë e mungesës së hidrocentraleve dhe digave në këtë lumë.
“Për sa kohë ku do të mbahet lumë i egër dhe ne duam ta mbajmë lumë të egër, përsa kohë asnjë hidrocentral dhe digë nuk do të lejohet kjo vetvetiu i ka ato risqet e veta. E bukur shumë është egërsia e lumit, por pastaj....”, tha Rama.
Vjosa është lumi i fundit i egër i Europës, që rrjedh në shtratin e vet natyror pa ndërhyrje devijuese nga dora e njeriut. Për këtë arsye, aktivistë dhe ambientalistë kërkojnë shpalljen e Vjosës Park Kombëtar përgjatë të gjithë gjatësisë së tij.
Megjithatë, në prill të këtij viti Rama është shprehur se Qeveria nuk mund të plotësojë kërkesën e aktivistëve dhe organizatave mjedisore vendore dhe ndërkombëtare për të shpallur Lumin e Vjosës si Park Kombëtar në të gjithë rrjedhën e tij.
Ai tha se ka qenë ai që e ka shtyrë përpara idenë për të mbrojtur këtë lum duke e kategorizuar si zonë të mbrojtur, por vlerëson se shpallja e tij Park Kombëtar në të gjithë rrjedhën është e pamundur.
“Idenë e Vjosës Park Kombëtar kemi qenë ne që e kemi promovuar. Zonë e mbrojtur është një kategorizim që e mbron qartësisht nga ndërhyrjet në shtratin e saj, që nuk lejon ndërtimin e digave për hidrocentrale, ndërsa koncepti Park Kombëtar duhet trajtuar në zonë në mënyrë të kujdesshme, sepse nuk mund të shtrihet në gjithë rrjedhën e saj. Duhet ndarë zona e mbrojtur nga ajo Park Kombëtar, si dhe nga zhvillimi i aktiviteteve që nuk kërcënojnë Vjosën vetë”, thotë Rama gjatë një interviste në “Ëake Up”.
Shoqata vendase e ndërkombëtare dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit kanë ndërmarrë fushatën “Vjosa Park Kombëtar Tani”. Kësaj fushate i janë bashkangjitur edhe emra të njohur, mes të cilëve edhe aktori i famshëm Leonardi Di Caprio. Shpalljen e Vjosës Park Kombëtar në të gjithë rrjedhën e tij e ka mbështetur edhe Presidenti Ilir Meta, ndërsa këtë e ka kërkuar edhe Bashkimi Europian në raportin e fundit të progresit të miratuar nga PE.
Në këndvështrimin e Brukselit janë disa projekte të Qeverisë shqiptare që cenojnë zonat e mbrojtura dhe theksi vihet tek Valbona në veri dhe Vjosa në jug.
“I kërkojmë Qeverisë që të minimizojë ndikimin tek biodiversiteti duke ndaluar projektet për ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, sidomos në zonat pranë lumenjve Valbonë dhe Vjosë”, thuhet në raport.
Valbona është shpallur Park Kombëtar dhe i njëjti status bëhet thirrje që t’i jepet Vjosës përgjatë të gjithë rrjedhës së tij.
“Të vendoset sa më shpejt shpallja e Vjosës Park Kombëtar përgjatë të gjithë rrjedhës së tij në përputhje me zotimin e bërë”, thotë raporti.
KE shpreh shqetësim se disa projekte kanë bërë dëm në mjedis në zonat e mbrojtura dhe i kërkon Qeverisë që të konsultohet ngushtë me shoqërinë civile dhe komunitetet vendore para se të vendosë për projekte të tilla në të ardhmen.
Deputeti i Partisë Socialiste i qarkut të Fierit, Bujar Çela uroi të dielën kolegët e tij në grupin ËhatsApp të Komisionit të Sigurisë për festën e Pavarësisë me një foto të flamurit kombëtar, por që shoqërohej me në krah fotografinë e Enver Hoxhës.
Rasti u denoncua nga deputetët e opozitës, që e cilësuan skandal dhe papërgjegjshmëri. Ata i kërkuan në grup deputetit në fjalë që të kërkonte falje dhe ta tërhiqte mbrapsht atë urim.
Një ditë më vonë, Taulant Balla me statusin e dyfishtë si drejtues politik i socialistëve në qarkun e Fierit dhe njëkohësisht si kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste e mbrojti deputetin duke thënë se “Bujar Çela e ka njoftuar se dikush tjetër e ka dërguar atë fotografi përmes telefonit të tij”.
“Unë kam marrë një sqarim nga deputeti në fjalë, që bëhet fjalë për përdorim të aparatit të tij celular nga persona të tjerë”, u shpreh ai.
Balla siguroi se e gjitha kjo “do të jetë pjesë e një verifikimi në aspektin e kodit të sjelljes dhe etikës brenda grupit parlamentar dhe çdo masë ndëshkimore do të merret në momentin që do të ketë verifikime. PS ka të gjithë instrumentet e nevojshme për të ndërmarrë çdo lloj hapi apo mase disiplinore”, u shpreh ai.
Por, ende pa u shpërndarë mirë nëpër media kjo deklaratë e Ballës, Bujar Çela e ka nxjerrë bllof eprorin e tij të dyfishtë. Deputeti i Lushnjes ka pranuar se ka qenë pikërisht ai që e ka dërguar atë foto, ka mbrojtur vendimin dhe ka bërë thirrje për rishikim të historisë dhe rehabilitim të figurës së Enver Hoxhës.
“I përkas atyre që e njohin luftën. Mendoj që figura e Enver Hoxhës nuk mund të quhet nul. Ka edhe kontribut në luftë, përderisa ne nuk kemi nxjerrë udhëheqës tjetër në luftë. Po që se ka ndonjë tjetër që pretendon se gjyshja apo gjyshërit ka në luftë, të shprehet, historianët janë aty, letrat janë aty. Shumë herë kemi bërë padrejtësisht, armiq dhe kriminelë dhe pastaj kemi reflektuar. Këto fakte janë nga më të ndryshmet. Që nga Balli Kombëtar, Legaliteti dhe pastaj armiqtë janë rreshtuar tek kampi fitues”, tha Çela.
Ai e mbylli deklaratën me një thumbim, me gjasë në drejtim të Enkelejd Alibeajt, që është anëtar i Komisionit të Sigurisë, duke e quajtur atë “nip të Isa Toskës”, udhëheqësit ballist në Luftën e Dytë Botërore, i ekzekutuar nga partizanët në Fier me akuzën e bashkëpunimit me fashistët.
“Foto në Komision? Në atë komision ka persona që janë nipër të Isa Toskës. Unë nuk jam nip i Enver Hoxhës, por jam si të gjithë shqiptarët që nuk mund të harrojë historinë nga e cila kemi ardhur ne si Komb”, tha Çela.
Isa Toska akuzohet nga historia komuniste për krime “makabre ndaj popullsisë në zonat e Mallakastrës, Fierit, Lushnjes dhe Vlorës”.
Kryeministri Edi Rama tha se pret një përgjigje zyrtare dhe publike nga Komisioni Europian nëse komisionerët e BE-së kanë të drejtë të bëhen palë në një proces zgjedhor, apo jo. Përgjigjja zyrtare dhe publike, siç Rama e kërkon ndoshta do të mbërrijë në ditën në vazhdim, por një precedent i verës së 2020-ës sinjalizon përmbajtjen e saj.
Bëhet fjalë për debatin e ndezur pas shfaqjes të as më pak dhe as më shumë, por të vetë Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen duke u bërë palë në zgjedhjet qendrore në Kroaci në krah të partisë së kryeministrit Andrej Plenkoviç.
Presidentja e KE-së është filmuar në muajin korrik të 2020-ës, dy ditë para se kroatët të votonin për qeverinë e tyre të re. Ajo shfaqet me në krah zëvendësen e saj, Dubrakva Suica dhe politikanë të tjerë europianë të qendrës së djathtë, si kancelari austriak, Sebastian Kurz teksa përsërisin sloganin e partisë së Kryeministrit Andrej Plenkoviç, “Sigurna Hrvatska”, e përkthyer në shqip “Kroacia e sigurtë”.
Pjesëmarrja e Presidentes së KE, përfshirë këtu dakordësia e dhënë për t’u filmuar nga zyrat dhe selia e Komisionit për të përçuar mesazhin në mbështejte të një pale në zgjedhjet kroate nga ngjalli reagime dhe kritika që mbërritën deri në zyrën e Avokatit të Popullit të BE-së, Emily O’Reilly.
Përmes një letre dorëzuar Komisionit më 14 korrik 2020, O’Reilly e vë në dijeni këtë institucion se kritikat dhe shqetësimet e ngritura ishin të bazuara.
“...dhe nën dritën e këtyre shqetësimeve, përfshirë këtu edhe nga publiku i gjerë, vlerësoj me rëndësi që Komisioni të sqarohet mbi këtë çështje”, thuhej ndër të tjera në letrën e saj.
Avokatja e BE-së ngrinte pyetjet nëse Kodi i Sjelljes dhe Etikës mbi bazën e të cilit ushtrojnë funksionet e tyre komisionerët dhe zyrtarët e tjerë të lartë të këtij institucioni ishte mjaftueshëm i qartë në këtë pjesë? Nëse ishte e nevojshme ndërhyrja tek ky Kod dhe nëse rregullat zbatoheshin nga Presidentja e KE?
Kodi i Sjelljes dhe Etikës u lejon komisionerëve që të marrin pjesë aktive në politikë-bërjen e vendeve anëtare të BE-së, por gjithashtu thekson se “nëse kandidojnë në zgjedhje, ose luajnë një rol aktiv në fushata zgjedhore, duhet që më parë të dorëhiqen, ose pezullohen nga detyra dhe posti që mbajnë te Komisioni përsa kohë zgjat ky aktivitet, ose të paktën përgjatë fushatës zgjedhore”.
Një zëdhënës i von der Leyen reagoi në atë kohë duke u mbrojtur se klipi me mesazhin e përçuar prej saj në mbështetje të hapur për Andrej Plenkoviç në Kroaci ishte përçuar jo në emër të institucionit që ajo drejton, por si qëndrim personal i saj, pavarësisht se në mesazh kjo nuk sqarohej.
Më vonë, Komisioni i thotë Avokates O’Reilly se ishte në përgjegjësinë dhe vlerësimin e çdo anëtari të Komisionit nëse dëshiron që të angazhohet në një fushatë elektorale të një vendi anëtar, por duke plotësuar kushtet e përcaktuara në nenin 9 të Kodit të Sjelljes.
“...mund të bëhen pjesë e politikës së vendeve anëtare, organizatave, ose fushatave elektorale, përfshirë këtu për zgjedhje vendore ose qendrore, por duke siguruar që ky angazhim nuk cenon dhe pengon detyrën e tyre si pjesë e Komisionit”, thuhet në këtë artikull.
Reagimi dhe sqarimi i KE-së u mirëprit, por ndezi debatin për ndërhyrje në Kodin e Sjelljes, ku disa propozime janë që të ndalohet plotësisht pjesëmarrja e tyre në fushatat zgjedhore të vendeve anëtare.
E në mes të këtij debati, Komisioni njoftoi në fillim të këtij viti se do të rishikojë këto rregulla me synim qartësimin e kushteve dhe rrethanave se kur një komisioner mund të përfshihet në fushata elektorale në vendet anëtare.
Deri më tani, rregullat ende nuk kanë ndryshuar dhe komisionerëve u lejohet pjesëmarrja në fushatat elektorale...të paktën në ato për vendet anëtare. Për vendet kandidate, siç është Shqipëria, nuk ka një parashikim konkret.
Jakup Krasniqi hodhi poshtë akuzat e ngritura nga Gjykata Speciale e Hagës duke i cilësuar ato si të rreme dhe fyese, jo vetëm për të, por për të gjithë popullin shqiptar dhe shqiptarët e Kosovës në përpjekjet e tyre për liri.
Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kreu i Kuvendit për dy mandate doli para gjykatës në seancën paraprake për t’u njohur me akuzat dhe për t’u vetëdeklaruar jo fajtor. Krimet e përmendura në akuzë janë në periudhën mars 1998-shtator 1999 dhe gjykata thotë se ato janë kryer ndaj personave që perceptoheshin se kishin bashkëpunuar me ushtrinë serbe, ose që konsideroheshin si kundërshtarë, ose që nuk mbështesnin linjën e UÇK-së.
“Në aktakuzë na quani ndërmarrje kriminale: deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit, as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë. Kurrë në jetën time nuk kam trajtuar njerëz në këtë mënyrë. Qëllimi im ka qenë lufta për liri. E ndjej veten më shumë se mirë dhe kurrë nuk do të dëshiroja të jem nën petkun e njerëzve me shpirt krimineli. Jam intelektual. Kam luftuar Serbinë politikisht, asnjëherë në deklarata nuk kam drejtuar gishtin ndaj popullsisë civile”, tha ai.
Krasniqi e cilësoi aktakuzën fyese dhe se ajo përçan shqiptarët mbi bazën e përkatësisë fetare të tyre.
“Në aktakuzë përpiqeni të ndani shqiptarët në katolikë dhe myslimanë. Unë jam shqiptar, as katolik dhe as mysliman! Kjo është fyese për mua!”, vijoi ai.
Ish-kreu i Kuvendit hodhi poshtë edhe cilësimin e UÇK-së si “ndërmarrje kriminale” dhe e vlerësoi procesin edhe më të padrejtë se sa proceset gjyqësore të organizuara nga serbët ndaj shqiptarëve në vitet para luftës, ku edhe vetë e ka vuajtur një të tillë.
“Cilësimi i prokurorit se ne qënkemi ndërmarrje kriminale për mua dhe shokët e mi, familjen time që luftuam gjatë...nuk ka diçka më fyese. Mua më ka dënuar regjimi jugosllav pse kam lexuar libra dhe pse kam folur dhe më besoni se ata më kanë akuzuar dhe dënuar me shumë më të drejtë se këtu”, u shpreh ai.
Krasniqi tha se e ndjente veten krejtësisht të pastër dhe se nuk kishte nevojë për avokat, por se e kishte marrë atë për shkak të presionit familjar dhe të miqëve të tij. Hodhi poshtë përgjegjësinë për krimet e pretenduara në akuzë, duke deklaruar se detyra e tij si zëdhënës i UÇK-së ka qenë publike.
“Nuk mbaj asnjë përgjegjësi të vetme me këtë që akuzohem, as të veprimit dhe as të mosveprimit. Detyra ime ka qenë publike, kryesorja ka qenë zëdhënës i UÇK-së. Gjithçka që kam bërë ka qenë publike dhe jo vetëm shqip, por edhe gjermanisht, anglisht, italisht e frëngjisht. I kam dhënë zë luftës së UÇK-së. Kishim të drejtë të luftonim për liri dhe në sajë të asaj të drejte morëm edhe mbështetjen ndërkombëtare, pa të cilën nuk do ta çlironim dot Kosovën”, vijoi Krasniqi.
Ish-zëdhënësi i UÇK-së tha se po mbahej me pa të drejtë dhe se në javët dhe muajt në vazhdim do ta provojë pafajësinë e tij.