Videot kryesore
Komisioni Rregullator shpalli moskompetencën për vendosjen e modelit të fletës së votimit dhe ja kaloi këtë detyrë Komisionerit të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.
Rregullatori u mblodh mbrëmjen e kësaj të mërkure në përpjekjen e radhës për të vendosur për njërën nga tre modelet e dorëzuara nga Ilirjan Celibashi për miratim, ku dy janë me emra dhe një me numër.
Përfaqësuesi socialist në këtë mbledhje, Eridian Salianji tha se Rregullatori nuk mund të vendosë për këtë çështje dhe duke cituar nenet e Kodit Zgjedhor u kërkoi anëtarëve të këtij Komisioni që t’ja kthejnë atë sërish Celibashit.
Pas hedhjes në votim nëse kjo ishte apo jo kompetencë e Rregullatorit, anëtarët e këtij komisioni votuan unanimisht që jo.
Ndërkohë, anëtari i Rregullatorit, Dritan Çaka i kërkoi Komisionerit të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi që të nisë menjëherë hetimet në lidhje me dyshimet se vaksinat po përdoren nga mazhoranca për fushatë elektorale.
“Komisioneri të ndalojë menjëherë propagandën dhe përdorimin e burimeve publike në mbështetje të një subjekti zgjedhor. Në aktin normativ për vaksinat parashikohet se vaksinat do të mbulohen nga buxheti, pra nga taksapaguesit shqiptarë. Pra, çfarë merite ka kryetari i PS dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës për vaksinat?! Ftoj Komisionerin të ndëmarrë një hetim të plotë, të thelluar dhe të menjëhershëm”, tha Çaka.
Ilirjan Celibashi iu përgjigj se do ta marrë në konsideratë menjëherë këtë çështje.
Komisioni Rregullator u mblodh edhe gjatë paradites së të mërkurës për të vendosur për modelin e fletës së votimit. Në këtë mbledhje, Celibashi ka deklaruar se i takon Komisionit Rregullator të vendosë.
“Ju kam sjellë tre variante. Dy me emra kandidatësh dhe një ku kandidatët përfaqësohen me numra. Ju takon juve të vendosni”, tha Celibashi.
t
"Kemi ngritur grupet e gatshme. Çdo person që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit. U vra njëri për shkak të shpërndarjes së parave, sot shpëtoi ky. Unë u bëj thirrje të gjithë banorëve të Dibrës që të dalin ta mbrojnë me gjak, me sëpatë, me drunj apo me çfarë të dalë përpara votën”.
Kjo ishte deklarata e një dite më parë e Xhelal Mziut, kryesues i listës së Partisë Demokratike në Qarkun e Dibrës, që nxiti reagime të forta. Mziu foli pasi mbështetës të Partisë Demokratike bllokuan një automjet në zonën e Maqellarës nën dyshimet se po shpërndante para për blerjen e votës për Partinë Socialiste.
Por, një ditë pas këtij mesazhi, Xhelal Mziu ka kërkuar ndjesë dhe duke e cilësuar deklaratën të nxituar për shkak të emocioneve të momentit.
“Me sinqeritetin më të madh, shpreh keqardhjen time dhe pendesën time për komentin tim të panevojshem dje, për shkak të emocioneve të forta të momentit. Dua të jem i qartë: unë mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jam KUNDËR dhunës! Jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve”, thotë Mziu.
Qeveria do t’i propozojë Kuvendit ndryshime në ligjin për noterinë, duke përfshirë kontrollin e pastërtisë së figurës dhe integritetin mes kushteve për të ruajtur dhe marrë licencën për këtë profesion.
Ndryshimet e propozuara janë një formë vettingut që do t’i nënshtrohen të gjithë noterët në vend, edhe ata që gëzojnë aktualisht këtë licencë. Kriteret, ndryshe nga vettingut i prokurorëve dhe gjyqtarëve do të jenë vetëm dy.
“Ndryshimet që propozohen sot jo vetëm vendosin kritere të reja në profesionin e noterit dhe zv.noterit, por është as më shumë dhe as më pak një proces vettingu për noterët që janë në këtë shërbim dhe që kanë të bëjnë me verifikimin e kontakteve të papërshtatshme, apo lidhje me krimin e organizuar, apo persona të dënuar për kryerjen e veprave të rënda penale, apo që janë pjesë e listës së personave të shpallur sipas legjislacionit në fuqi në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe pastrimit të parave”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Por, nëse për vettingun e prokurorëve dhe të gjyqtarëve u ngritën dy institucione të pavarura, vettingun e noterëve do ta realizojë vetë Qeveria.
“Ligji ka përcaktuar edhe mekanizmat e filtrimit të këtij shërbimi. Është edhe Ministria e Drejtësisë që përmes inspektimeve të planifikuara, apo hetimeve proaktive që do ta bëjë filtrimin e këtij sistemi”, sqaroi ministri Manja.
Projektligji i vettingut për noterët është një ide e hershme e Qeverisë. Ndryshimet janë propozuar që para zgjedhjeve të 25 prillit, duke shkaktuar reagimin kundër të komunitetit të noterëve. Por, në propozimin fillestar mes kritereve të rivlerësimit të noterëve ishte edhe ai i justifikimit të pasurisë, që në projektligjin e miratuar këtë të mërkurë nga Qeveria mungon, të paktën sipas deklaratave të ministrit Ulsi Manja.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, sipas asaj që tha deputeti Arbi Agalliu nuk i ka vendosur asnjë ultimatum Lulzim Bashës për të dhënë dorëheqjen.
Agalliu foli këtë të enjte nga oborri i Kuvendit, ku tha se kërkesa për një hap pas ndaj Lulzim Bashës është as më shumë dhe as më pak veçse dorëheqja.
“Personalisht kam kërkuar nga zoti Basha një hap pas, që do të thotë dorëheqje. Hapa që ai do të marri të jenë në një afat kohor të caktuar në raport me zhvillimet. Ne nuk kemi vendosur asnjë ultimatum”, tha ai.
Por, një afat kohor për Bashën nuk është vendosur, sipas Agalliut.
“Nëse nuk reagon në kohën e arsyeshme të gjykuar nga ne, ne do të ndërmarrim hapat tanë si grup parlamentar dhe në bazë të statutit të partisë”, u shpreh ai.
Partia Socialiste ka nisur diskutimet konkrete me opozitën për të identifikuar një emër që mund të marrë konsensus si pasues i Ilir Metës në Presidencë.
“Pati një informacion nga grupi i posaçëm që kemi ngritur dhe sot kanë nisur bisedimet zyrtare me palët e tjera në Kuvendin e Shqipërisë në përpjekje për të identifikuar një kandidaturë që mund të ketë një konsensus më të gjerë se sa shumica jonë”, tha në përfundim të mbledhjes së kryesisë së PS-së, Edi Rama.
Duke qenë se procesi i konsultimeve refuzohet nga Sali Berisha, konsensusi nuk pritet që të jetë i plotë, por mund të arrihet në një masë që do të kalojë shumicën socialiste në Kuvend. Për këtë, Rama tha se shanset janë të mëdha.
“Shanset janë shumë të mira. Jemi të gatshëm që të jemi sa më të hapur në funksion të zgjedhjes së një presidenti që të garantojë mbylljen me sukses të një kapitulli çmendurie në krye të shtetit”, tha Rama.
Kryeministri përsëriti qëndrimin e vet karshi raportit të “Reporterëve pa Kufij” për gjendjen e medias, ndërsa në lidhje me kërkesën e Zelenskit për të kufizuar turistët rusë tha se qëndrimi i Shqipërisë do të jetë në të njëjtën linjë me atë të Bashkimit Europian.