Videot kryesore
Autoritetet amerikane në shtetin e Xhorxhias janë vënë në punë në përpjekje për të identifikuar beben dhe prindërit e një bebeje të porsalindur të gjetur brenda një qeseje plastike në anë të rrugës.
Të qarat e bebes, që ishte ende me kordonin e kërthizës të pahequr në momentin kur u gjet, kanë tërhequr vëmendjen e banorëve të zonës pranë, të cilët kanë njoftuar zyrën e sherifit të Forsyth County.
“E dëgjova që nga shtëpia. Fëmijët e mi më thanë që është një foshnje, por unë s’u besova dhe u thashë që duhet të jetë ndonjë kafshë”, thotë një banor i zonës që telefonoi policinë.
Foshnja është shoqëruar menjëherë në një spital për kontroll mjekësor. Autoritetet e kanë pagëzuar foshnjen me emrin “Baby India” dhe thonë se gjendja e saj është e shëndetshme. Ndërkohë, zyra e sherifit kërkon ndihmën e qytetarëve për të mësuar më shumë se si ka përfunduar foshnja e hedhur në anë të rrugës e mbështjellë në një qese plastmasi.
E rrethuar nga flakët dhe me tymin e lëshuar prej tyre që i mbushte mushkëritë, një koala u zvarrit në një pemë gjysmë të djegur dhe prej andej lëshonte thirrjet për ndihmë për t’i shpëtuar ferrit që e rrethonte.
Me këtë përshkrim një grua australiane e identifikuar më vonë me emrin Toni rrëfeu për mediat vendase sesi u gjend përpara një dileme; ose të sfidonte flakët duke rrezikuar edhe jetën e vet dhe të shpëtonte koalan, ose të qëndronte në distancë dhe të shihte sesi flakët merrnin jetën e kafshës së gjorë.
Mes të parës dhe të dytës triumfoi e dytë dhe një pjesë nga veprimi heroik i gruas është filmuar nga partneri i saj, që qëndroi në distancë.
Në videon që qarkullon në internet shihet koala që në përpjekje për t’u ikur flakëve dhe tymit kalon në anën tjetër të një rruge. Por, as në anën tjetër situata nuk është më e mirë. Nga lëvizjet e kafshës shihet se shpuza e lënë pas nga flakët po i digjte këmbët, ndërkohë që më herët flakët kishin lënë gjurmë edhe në gjysmën e trupit të saj.
Fill pasi e largon në një distancë sigurie nga zjarri, çifti që e shpëtoi i ofron për të pirë ujë dhe i lag djegiet e shkaktuara nga zjarri. Mediat australiane thonë se çifti e dorëzoi koalan në një spital veterinar, ku kafsha po merr mjekim për djegiet e pësuar.
Uellsi Jugor në Australi është përfshirë prej ditësh nga zjarre masive, që këtë vit mbërritën shumë më herët. Flakët kanë lënë pesë persona të vdekur dhe kanë shkatërruar me qindra hektarë pyll, që shërbente si habitat i koalave.
Katër persona mbetën të plagosur pas një beteje që zgjati disa minuta me një derr të egër në një qytezë në veri-perëndim të Indisë.
Kafsha ka lënë një zonë të pyllëzuar aty afër dhe është parë në rrugët e qytezës. Punonjësit e një pike karburanti u përpoqën që ta kapin. Ky veprim i tyre shkaktoi tërbimin e derrit të egër, që rrëzoi me radhë njëri pas tjetrit punonjësit e pikës së karburantit dhe disa banorë që mbërritën aty për t’i ndihmuar.
Beteja me derrin ka zgjatur përtej këtyre pamjeve filmike, deri në momentin që kafsha ka gjetur një rrugëdalje për t’u rikthyer në andej nga doli.
Një vajzë e prekur nga koronavirusi në Shqipëri ka pranuar të shfaqet publkisht dhe t'i bëjë thirrje shqiptarëve që të kenë kujdes, duke publikuar një video sensibilizuese për të qëndruar në shtëpi. Ajo e njeh veten si pacientja e 69-të e prekur në Shqipëri.
Se çfarë është diskutuar në bisedën me dyer të mbyllura mes Lulzim Bashës dhe Yuri Kim në selinë e Partisë Demokratike pak persona mund të jenë në dijeni, por në publik kreu i opozitës dhe kryediplomatja amerikane në Tiranë lanë të kuptohej se biseda është përqëndruar vetëm tek reforma zgjedhohre.
Ambasadorja Kim kërkoi që politika t’i përmbahet zotimit që u ka bërë shqiptarëve për përmbylljen e kësaj reforme brenda 31 majit.
“Diskutimi ynë ishte përqëndruar për të vendosur për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. Në veçanti folëm për rëndësinë e rolit të udhëheqësve politikë për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, ashtu siç kanë premtuar për të përmbyllur reformën zgjedhore brenda 31 majit. Ky nuk është afat i vendosur nga SHBA, apo nga ndonjë faktor tjetër ndërkombëtar. Ky është afati i vendosur prej atyre vetë”, deklaroi Ambasarorja.
Nga 31 maji na ndajnë pak ditë dhe për gjetjen e një marrëveshjeje mes palëve në Këshillin Politik janë disa çështje të nxehta, për të cilat të paktën publikisht, socialistët dhe demokratët kanë shfaqur diferenca të mëdha. Pikërisht për këtë, Kim thotë se opozita ka një detyrë shumë të vështirë përpara, por u shpreh e inkurajuar nga mesazhi që kishte marrë nga Lulzim Basha për të përmbyllur këtë reformë.
Vetë Lulzim Basha falenderoi ambasadoren amerikane për mbështetjen që i ka dhënë reformës zgjedhore dhe u zotua se vullneti i opozitës për të përmbyllur brenda afateve këtë reformë dhe çuar vendin në zgjedhje të reja të lira dhe të ndershme sa më parë nuk ndryshon.
“Është përparësi e opozitës dhe shqiptarëve që t’u drejtohen kutive të votimit dhe të zgjedhin me vullnetin e lirë të pandikuar nga krimi dhe shit-blerja e votës. Ne do të bëjmë gjithçka që brenda 31 majit reforma të ketë përfunduar dhe gjithçka që të garantojmë vullnetin politik për të zbatuar ligjin, që është problemi numër një i zgjedhjeve në Shqipëri”, tha Basha.
Si Ambasadorja, ashtu edhe kryetari i PD-së shmangën komentet e mëtejshme dhe mbetet e paqartë nëse mes tyre janë diskutuar tema të tjera, siç është ajo e reformës në drejtësi, reformë e cila duket se ka rindezur përplasjet mes selisë së Rrugës së Elbasanit dhe Presidentit Ilir Meta.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cilësoi fabrikime akuzat e hedhura ndaj tij nga Gjykata Speciale dhe është i bindur në pafajësinë e tij dhe ashtu si Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e të tjerë bashkëluftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dalë i pafajshëm nga akuzat për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe tortura.
“Bashkëluftëtarët e mi, me disa prej të cilëve paqja na ka ndarë shpesh në taborë të ndryshëm politikë, i kanë sfiduar me forcën e madhe të së vërtetës shumë fabrikime të ulëta dhe në fund pafajësia e tyre ka shkëlqyer mbi plehun e akuzave monstruoze. Njëjtë do të jetë edhe me mua dhe me vëllain tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli”, deklaroi Thaçi.
Presidenti i Kosovës iu adresua për herë të parë qytetarëve dhe jo vetëm atyre. Ai kërkoi unitet mbarëkombëtar përballë kësaj situate, ndërsa tha se në ditët në vazhdim do të konsultohet me udhëheqësit politikë të Kosovës. Ai garantoi se nëse akuzat zyrtarizohen nga gjykata dhe ai merret i pandehur do të japë dorëheqjen dhe në procesin gjyqësor nuk do të dalë si President i Kosovës.
“Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, u shpreh ai.
Në video-mesazh ai hodhi poshtë akuzat e prokurorëve të Gjykatës Speciale në Hagë, që e akuzuan se së bashku me Kadri Veselin janë përpjekur të sabotojnë punën e tyre.
“Sot, kush thotë se qenkam bërë pengesë, madje edhe sabotues i kësaj gjykate, në rastin më të mirë është i keqinformuar dhe në rastin më të keq është tendencioz”, u shpreh ai.
Thaçi foli për standarde të dyfishta nga ana e drejtësisë ndërkombëtare sa u takon krimeve të luftës në Kosovë.
“Por, nga ana tjetër, dikush duhet ta bëjë bilancin e këtyre 21 viteve hetime, procese dhe gjykime për krimet e luftës në Kosovë. Unë do të isha njeriu më i lumtur nëse do të shihja se bashkësia ndërkombëtare aplikon standarde të njëjta mes Kosovës e Serbisë në adresimin e krimeve të luftës. Fatkeqësisht, jo vetëm që nuk e shoh këtë standard e proporcionalitet, por shoh të kundërtën e tij. Serbia ecën në rrugën e negocimeve për anëtarësim evropian, ndërsa Kosova nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë!”, vijoi ai.
Presidenti thotë se nuk e sheh këtë si formë komploti ndaj Kosovës, por qasja e ndryshe e ndërkombëtarëve është lehtësisht e dallueshme. Ai tha se gabimet që ka bërë lidhen vetëm me aktivitetin si politikan dhe jo si luftëtar i UÇK-së.
“Por asnjë faj a gabim i yni apo i imi, nuk e justifikon faktin që Kosova qe 21 vjet vazhdon me proceset e ballafaqimit me krime lufte në hapësirën e saj, e në anën tjetër në Serbi ka rënë heshtja e varrit për krimet e luftës. Këtë heshtje të Serbisë e bën edhe më të rëndë heshtja e bashkësisë ndërkombëtare”, vijoi Thaçi.
Presidenti i Kosovës i qëndron bindjes për dialog dhe paqe me Serbinë, pavarësisht akuzave dhe këmbëngul se të vetmet ligje që ka shkelur kanë qenë ligjet e Sllobodan Millosheviçit.
“Nuk pajtohem as nuk e pranoj dot faktin që për mijëra shqiptarë të zhdukur nga makineria vrastare e Sllobodan Millosheviçit, eshtrat e të cilëve janë në dheun e Serbisë, të mos ketë as deklarata të ndërkombëtarëve. A mos vallë duhet të presim edhe ditën kur të na thuhet se duhet t'i kërkojmë falje Serbisë për të zhdukurit tanë, për nënat e motrat tona ta përdhunuara, për spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër nesh?! Kjo pyetje absurde lind natyrshëm pasi askujt në Serbi më nuk i kërkohet llogari për krimet e luftës!”, shtoi Presidenti.
Thaçi tha se politikës iu fut me drojë dhe e sfiliti më shumë sesa lufta për liri. Por, nënkuptoi se nuk do të heqë dorë prej saj, as nga posti i Presidentit, pavarësisht akuzave me të cilat përballet.
“Sot nuk dua të rendis të arriturat e karrierës sime, sepse ky nuk është as një mesazh lamtumire, as një moment bilanci pune për mua. Dua vetëm t'ju them se kam mbajtur mbi kurriz shumë akuza dhe shumë ofendime gjatë tërë këtyre viteve. Por, një gjë është e sigurt: nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë qoftë edhe një provë të vetme në adresën e Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji. Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviçit”, u shpreh ai.
Presidenti i Kosovës thotë se politikën nuk e ka parë asnjëherë si burim jetese, por si mision për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve. Me akt-akuzën e publikuar nga Gjykata Speciale e pranon se Kosova po hyn në një kapitull të ri vështirësish të panjohura, edhe për vetë atë.
“Kjo nuk është asgjë e re, pasi historia jonë ka pasur shumë periudha të vështira. Ky është një kapitull i ri edhe për mua dhe në këto momente ende nuk e di se sa i vështirë do të jetë. Por, unë jam gati ta shkruaj këtë kapitull me të vërtetën time përballë kujtdo qoftë”, thotë ai.
Thaçi nuk është i sigurtë nëse publikimi i akt-akuzës së tij gjatë në momentin që po udhëtonte në drejtim të Uashingtonit për t’u takuar me Vuçiçin në Shtëpinë e Bardhë në dialogun e ndërmjetësuar nga SHBA është rastësi, apo intrigë ndërkombëtare.
“Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që – në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar. A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës? Rrugën ma prenë. Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës”, thotë ai.
Publikimin e akt-akuzës, Thaçi e konsideroi si skandal ndërkombëtar.
“Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh. Asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo, nuk e justifikon linçimin publik. Asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë”, u shpreh ai.
Presidenti i Kosovës nënkupton se ka një dorë që i ka interesuar ngutja për të publikuar akt-akuzën ndaj tij, por thotë se kjo do të shtjellohet në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, ndërsa shton se njoftimi i Gjykatës Speciale hodhi në erë mundësinë e një marrëveshjeje historike në Shtëpinë e Bardhë.
“Ajo komunikatë hodhi në erë dhe pamundësoi takimin shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë goditje të fortë mundësisë së arritjes së paqes Kosovë-Serbi. Prandaj apeli me të cilin dua ta mbyll ketë mesazh sonte është: Kosova duhet të sigurojë funksionimin stabël të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë”, u shpreh ai.
Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi forumin ekonomik “Europa Park” në Mynih të Gjermanisë për të përçuar një mesazh drejtuar Bashkimit Europian.
“Nuk ka krim shqiptar, krimi i organizuar është ndërkombëtar. Si është e mundur që të dhënat për kriminalitetin janë të shkëputura? Në Holandë shqiptarët tashmë janë bërë gjëja më e keqe. Një gazetë me titull të madh se një bandë shqiptarësh ishte shkatërruar. 9 ishin arrestuar, 3 holandezë, një belg, dy nga Polonia, dikush nga Maroku dhe në të ishin dy shqiptarë 65-vjeçarë që ruanin magazinat ku kultivohej droga, por për politikën ishte mirë që ta paraqiste si bandë shqiptare”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi nisjen sa më parë të negociatave.
“Ne jemi të verbuar nga dashuria për Europën dhe ajo na thotë se do të martohet me ne, por si mund të martohemi kur Europa nuk na flet?! Negociatat janë gjëja më e rëndësishme për vendet tona. Anëtarësimi do të vijë për pasojë të tyre. T’u privosh vendeve këtë instrument është pa kuptim”, u shpreh ai.
Sa i takon pjesës ekonomike, Rama ftoi investitorët gjermanë që të investojnë në Shqipëri, duke u premtuar se vendi ka një legjislacion mjaft joshës, krah të lirë pune dhe pozicion strategjik gjeografik.
“Ne mendojmë se kemi një legjislacion mjaft të favorshëm dhe jemi të mirëpozicionuar sa u takon burimeve natyrore. Jemi i vetmi vend në rajon që furnizohet plotësisht me energji të pastër, në të njëjtën kohë jemi pjesë e një hapësire ku kalon gazsjellësi TAP. Jemi një vend mjaft i mirë për të gjithë ata që duan të zhvillojnë prodhimin për shkak të kostos së punës, që është mjaft konkurruese. Jemi të bindur që ofrojmë një mjedis joshës për kompanitë që duan të investojnë”, u shpreh ai.
Akuzave të opozitës së nuk ka një program qeverisës për vendin, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj duke prezantuar më në hollësi atë që e quan “Plan veprim 2030” për pagat, taksat dhe biznesin dhe duke akuzuar programin e Partisë Demokratike si të parealizueshëm dhe tufë premtimesh për vota.
“Plani ynë është program qeverisës, programi i tyre elektoral një menu dëshirash të miletit që ta hajë kush ta hajë, si gjithmonë në të gjitha etapat dhe ndeshjet zgjedhore në këto 30 vite. Ne e themi në planin tonë të veprimit atë që do të bëjmë dhe kohën kur do ta bëjmë. Ne kemi një program qeverisës për të jetësuar premtimet në 2030, ata thonë gjithçka për elektorat anë e kënd. Shembulli perfekt është ulim kontributet dhe rrisim pensionet; joshje elektorale me premtime kap ça të kapësh në votime”, deklaroi Kryeministri.
Në këndvështrimin e Ramës shqiptarët e kanë shumë të thjeshtë të zgjedhin më 25 prill.
“Përballë shqiptarët kanë një vizion për Shqipërinë e vitit 2030 dhe një program elektoral i njëjtë si sot e 30 vite. Ne kemi plan veprimi 2021-2025, ndërsa programi i tyre elektoral mbështet nga e njëjta nevojë në 30 vite, nevoja për pushtetin si qëllim në vetvete dhe jo si mjet për realizimin e qëllimeve të mëdha kombëtare dhe shoqërore”, tha ai.
Në peshore vendosi edhe taksën progresive dhe propozimin për taksën e sheshtë 9 për qind që qëndron si një nga shtyllat e programit të Partisë Demokratike.
“Taksa e sheshtë është rreziku më i madh për ata që paguhen nën 1.2 mln lek në muaj. Bëni kujdes me taksën e sheshtë 9 për qind të propozuar nga KÇK. Do të duhet të paguajnë për shtetin më shumë se ç’paguajnë sot nga paga e tyre falë taksimit progresiv”, tha ai.
Rama kërkon votën edhe përmes bilancit të reformave të ndërmarra. Ai thotë se vetëm Partia Socialiste është në gjendje që të ndërmarrë reformat e vështira që duhet të ishin kryer shumë vitë më paarë.
“Reforma e energjisë, reforma administrative e territoriale, reforma e shërbimeve për qytetarët përmes revolucionit digjital, reforma e pronës që është futur në rrugë të drejtë përmes ligjit të ri për pronën mbështetur qartësisht edhe nga Strasburgu, reforma e reformave, ajo e drejtësisë që ka hapur më në fund shtegun e daljes nga kthetrat e gjykatave të korruptuara nga paraja e zezë dhe interesat e lidhura me politikën”, u shpreh Kryeministri.
Vrasja e nënkomisar Saimir Hoxhës është filmuar nga kamera e vendosura në zonën e Kune Vainit, për qëllim vëzhgimin e zonës së mbrojtur natyrore.
Nga pamjet shihet momenti kur policia ka ndaluar automjetin që po e ndiqte, ku ndodhej edhe Aldi Rama. Ky i fundit i ulur në sediljen e pasme të makinës ka shkrepur pistoletën në drejtim të Hoxhës dhe sipas policisë më pas ka kaluar në timonin e makinës dhe është larguar prej andej me shpejtësi.
Ministria e Financave pranon mundësinë që pagesat për shkak të humbjes së proceseve gjyqësore në gjykatat ndërkombëtare të Arbitrazhit të shkojnë deri në 450 milionë euro dhe thotë se në buxhetin e vitit të ardhshëm ka të parashikuara pagesat e këtyre vendimeve, kur ato të jenë të jenë përfundimtare.
“Ne me transparencë të plotë kemi publikuar të gjitha rastet që janë në Arbitrazh. Është Avokatura e Shtetit institucioni që merret me procedurat e Arbitrazhit dhe në përfundim të procedurave totale i drejtohet Ministrisë së Financave me shkresë që të nisë pagesa”, tha para Komisionit të Ligjeve, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj.
Ministrja shpjegoi se kjo nuk do të thotë se të gjitha këto pagesa do të kryhen në 2022, por paratë janë vënë në dispozicion për të qenë në gjendje që në rastin hipotetik të humbjes së proceseve gjyqësore ky institucion të jetë gati për t’i paguar.
“Arsyeja pse ne i publikojmë këto vendime, që janë në proces dhe që i kemi pjesë të projektbuxhetit si kontigjencë janë për përgjegjshmërinë që kemi ne si Ministri e Financave, që në rast se do të materializohet 1,2, 3 apo do të përfundojë në total procesi i këtyre proceseve të Arbitrazhit ne t’i përfshijmë në buxhet në rastin më të parë”, tha ajo.
Deklarata e ministres u bë gjatë mbrojtjes së projektbuxhetit para Komisionit të Ligjeve, si përgjigje ndaj pyetjeve të ngritura nga deputetët e opozitës. Mes këtyre pyeteve, opozita ngriti shqetësimin për gjashtë çështje që ndodhen në Arbitrazh, që nga Becchetti, Valeria Srl, Actor e Copri, Dondi e Cubotta, Arca Energy dhe Kurum, pretendimet e të cilave në total shkojnë rreth 450 milionë euro.
Deklarata e Ramës për referendumin e bashkimit me Kosovën “bie” në veshët e ndjeshëm të eurodeputetit grek
“Nëse me pyesni në lidhje me hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën do të votoja pro, që të jemi të qartë. Në rast se më pyesni a do të ndodhë kjo a, po, unë them se do të ndodhë, por se kur nuk e di. Por, që do të ndodhë një ditë, unë them që po. E atyre që bërtasin për Shqipërinë e Madhe iu them se fallxhorët nuk gjykohen, pasi ky është një fall”.
Kjo deklaratë e bërë nga Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me Albin Kurtin pas mbledhjes së shtatë të përbashkët të dy qeverive, mbajtur në Elbasan më 26 nëntor ka “goditur” veshët e ndjeshëm të deputetëve ekstremistë grekë në Parlamentin Europian.
Manolis Kefalogiannis, eurodeputeti i “Demokracisë së Re”, partia në pushtet sot në Athinë e cilëson këtë deklaratë si ekstremiste e nacionaliste, që bie ndesh, sipas tij, me parimet dhe vlerat e Bashkimit Europian.
Kefalogiannis thotë se kjo deklaratë është vazhdimësi e qëndrimeve të Tiranës që dëmtojnë marrëdhëniet e mira dhe bën thirrje për “Shqipërinë e Madhe”.
“Ai ka shprehur në të shkuarën pikëpamjet se dy vendet duhet të kenë një politikë të jashtme të unifikuar dhe një President të vetëm. Kjo natyrisht reflekton qëndrimet e nacionalistëve shqiptare me thirrjet e tyre për Shqipërinë e Madhe, që pretendon territore edhe nga Shkupi dhe Greqia”, deklaron eurodeputeti grek.
Sipas tij, këto qëndrime bien ndesh me përpjekjet e Bashkimit Europian për pajtim dhe bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe i kërkon Komisionit që të detyrojë udhëheqësit e rajonit që të vetëpërmbahen nga deklarata dhe veprime që mund të minojnë këto parime.
“Shqipëria po pret hapjen formale të negociatave, nddërsa Kosova, megjithëse zyrtarisht nuk njihet nga 5 vende anëtare të BE mbetet një kandidate potenciale për anëtarësim”, vijon eurodeputeti grek.
Mazhoranca dhe opozita u përplasën në interpretimin e kompetencave të Kuvendit sa i takon kërkesës së Partisë Demokratike për mandatin e deputetes dhe ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Nga mazhoranca kërkesa u kundërshtua në përmbajtjen formale dhe proceduriale të saj.
Nga Partia Demokratike thanë se në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi është i ddetyruar që ta çojë këtë çështje për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Në fund, dy palët ranë dakord që të thërrasin për të dëgjuar ministren Olta Xhaçka në mbledhjen e radhës të Këshillit. Ministrja nuk është e detyruar ligjërisht që të përaqitet para këshillit, ose mund të paraqitet me avokat, apo përfaqësues të saj.