Videot kryesore
Kryeministri Edi Rama tha se pret një përgjigje zyrtare dhe publike nga Komisioni Europian nëse komisionerët e BE-së kanë të drejtë të bëhen palë në një proces zgjedhor, apo jo. Përgjigjja zyrtare dhe publike, siç Rama e kërkon ndoshta do të mbërrijë në ditën në vazhdim, por një precedent i verës së 2020-ës sinjalizon përmbajtjen e saj.
Bëhet fjalë për debatin e ndezur pas shfaqjes të as më pak dhe as më shumë, por të vetë Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen duke u bërë palë në zgjedhjet qendrore në Kroaci në krah të partisë së kryeministrit Andrej Plenkoviç.
Presidentja e KE-së është filmuar në muajin korrik të 2020-ës, dy ditë para se kroatët të votonin për qeverinë e tyre të re. Ajo shfaqet me në krah zëvendësen e saj, Dubrakva Suica dhe politikanë të tjerë europianë të qendrës së djathtë, si kancelari austriak, Sebastian Kurz teksa përsërisin sloganin e partisë së Kryeministrit Andrej Plenkoviç, “Sigurna Hrvatska”, e përkthyer në shqip “Kroacia e sigurtë”.
Pjesëmarrja e Presidentes së KE, përfshirë këtu dakordësia e dhënë për t’u filmuar nga zyrat dhe selia e Komisionit për të përçuar mesazhin në mbështejte të një pale në zgjedhjet kroate nga ngjalli reagime dhe kritika që mbërritën deri në zyrën e Avokatit të Popullit të BE-së, Emily O’Reilly.
Përmes një letre dorëzuar Komisionit më 14 korrik 2020, O’Reilly e vë në dijeni këtë institucion se kritikat dhe shqetësimet e ngritura ishin të bazuara.
“...dhe nën dritën e këtyre shqetësimeve, përfshirë këtu edhe nga publiku i gjerë, vlerësoj me rëndësi që Komisioni të sqarohet mbi këtë çështje”, thuhej ndër të tjera në letrën e saj.
Avokatja e BE-së ngrinte pyetjet nëse Kodi i Sjelljes dhe Etikës mbi bazën e të cilit ushtrojnë funksionet e tyre komisionerët dhe zyrtarët e tjerë të lartë të këtij institucioni ishte mjaftueshëm i qartë në këtë pjesë? Nëse ishte e nevojshme ndërhyrja tek ky Kod dhe nëse rregullat zbatoheshin nga Presidentja e KE?
Kodi i Sjelljes dhe Etikës u lejon komisionerëve që të marrin pjesë aktive në politikë-bërjen e vendeve anëtare të BE-së, por gjithashtu thekson se “nëse kandidojnë në zgjedhje, ose luajnë një rol aktiv në fushata zgjedhore, duhet që më parë të dorëhiqen, ose pezullohen nga detyra dhe posti që mbajnë te Komisioni përsa kohë zgjat ky aktivitet, ose të paktën përgjatë fushatës zgjedhore”.
Një zëdhënës i von der Leyen reagoi në atë kohë duke u mbrojtur se klipi me mesazhin e përçuar prej saj në mbështetje të hapur për Andrej Plenkoviç në Kroaci ishte përçuar jo në emër të institucionit që ajo drejton, por si qëndrim personal i saj, pavarësisht se në mesazh kjo nuk sqarohej.
Më vonë, Komisioni i thotë Avokates O’Reilly se ishte në përgjegjësinë dhe vlerësimin e çdo anëtari të Komisionit nëse dëshiron që të angazhohet në një fushatë elektorale të një vendi anëtar, por duke plotësuar kushtet e përcaktuara në nenin 9 të Kodit të Sjelljes.
“...mund të bëhen pjesë e politikës së vendeve anëtare, organizatave, ose fushatave elektorale, përfshirë këtu për zgjedhje vendore ose qendrore, por duke siguruar që ky angazhim nuk cenon dhe pengon detyrën e tyre si pjesë e Komisionit”, thuhet në këtë artikull.
Reagimi dhe sqarimi i KE-së u mirëprit, por ndezi debatin për ndërhyrje në Kodin e Sjelljes, ku disa propozime janë që të ndalohet plotësisht pjesëmarrja e tyre në fushatat zgjedhore të vendeve anëtare.
E në mes të këtij debati, Komisioni njoftoi në fillim të këtij viti se do të rishikojë këto rregulla me synim qartësimin e kushteve dhe rrethanave se kur një komisioner mund të përfshihet në fushata elektorale në vendet anëtare.
Deri më tani, rregullat ende nuk kanë ndryshuar dhe komisionerëve u lejohet pjesëmarrja në fushatat elektorale...të paktën në ato për vendet anëtare. Për vendet kandidate, siç është Shqipëria, nuk ka një parashikim konkret.
Presidenti Ilir Meta nuk e njeh Komisionin Hetimor Parlamentar që u ngrit nga Kuvendi këtë të premte, me objektiv hetimin dhe paralajmëron se nuk do të njohë as një vendim të mundshëm për shkarkimin e tij.
“Në këto kushte, bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë, si dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik”, deklaroi nga Presidenca, Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit.
Blushi e vlerësoi si fiktiv dhe antiligjor të gjithë procesin, ndërsa betejën e Presidentit e cilësoi si betejë për sovranitetin e vendit.
“Që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike dhe nuk meriton vëmendje dhe është nul. Askush nuk mund të fshihet dot, as pas “etikës” dhe as pas “retorikës”, sepse kjo është një çështje sovraniteti”, tha zëdhënësi.
Sipas Presidencës, Meta është shumë qartë në planin e tij dhe e di se çfarë do të ndodhë në vijim
“Garantojmë të gjithë qytetarët, se Presidenti Meta do të ushtrojë me përgjegjësi të plotë, sikundër ka vepruar deri më tani, të gjitha funksionet e tij kushtetuese deri më 24 korrik 2022 dhe nuk do të tolerojë asnjë lloj intimidimi të institucionit të Presidentit nga mafia lokale, rajonale dhe ndërkombëtare”, mbyllet reagimi i Presidencës.
Qeveria do t’i propozojë Kuvendit ndryshime në ligjin për noterinë, duke përfshirë kontrollin e pastërtisë së figurës dhe integritetin mes kushteve për të ruajtur dhe marrë licencën për këtë profesion.
Ndryshimet e propozuara janë një formë vettingut që do t’i nënshtrohen të gjithë noterët në vend, edhe ata që gëzojnë aktualisht këtë licencë. Kriteret, ndryshe nga vettingut i prokurorëve dhe gjyqtarëve do të jenë vetëm dy.
“Ndryshimet që propozohen sot jo vetëm vendosin kritere të reja në profesionin e noterit dhe zv.noterit, por është as më shumë dhe as më pak një proces vettingu për noterët që janë në këtë shërbim dhe që kanë të bëjnë me verifikimin e kontakteve të papërshtatshme, apo lidhje me krimin e organizuar, apo persona të dënuar për kryerjen e veprave të rënda penale, apo që janë pjesë e listës së personave të shpallur sipas legjislacionit në fuqi në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe pastrimit të parave”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Por, nëse për vettingun e prokurorëve dhe të gjyqtarëve u ngritën dy institucione të pavarura, vettingun e noterëve do ta realizojë vetë Qeveria.
“Ligji ka përcaktuar edhe mekanizmat e filtrimit të këtij shërbimi. Është edhe Ministria e Drejtësisë që përmes inspektimeve të planifikuara, apo hetimeve proaktive që do ta bëjë filtrimin e këtij sistemi”, sqaroi ministri Manja.
Projektligji i vettingut për noterët është një ide e hershme e Qeverisë. Ndryshimet janë propozuar që para zgjedhjeve të 25 prillit, duke shkaktuar reagimin kundër të komunitetit të noterëve. Por, në propozimin fillestar mes kritereve të rivlerësimit të noterëve ishte edhe ai i justifikimit të pasurisë, që në projektligjin e miratuar këtë të mërkurë nga Qeveria mungon, të paktën sipas deklaratave të ministrit Ulsi Manja.
Lulzim Basha u prit me protesta nga mbështetësit e Sali Berishës në Fier dhe para se të hynte në teatrin Bylis të qytetit të dyja palët “rivalizuan”; njëri grupim e priti me brohorima, tjetri me “Basha ik”.
Për të shmangur përplasjen mes dy grupimeve, në Fier mbërritën edhe forca nga Policia e Vlorës, ndërsa i pranishëm ishte edhe një grup i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
“Basha në Fier i shoqëruar nga forcat speciale nën mbrojtjen e Edi Ramës! Po nga kush të mbron Rama z. Basha? Nga demokratët, që të kanë mbështetur me vite të tera? Janë po të njëjtët, që kanë qenë para Kryeministrisë. Janë ata, që mbyte me gaz, para shtëpisë tonë në 6 janar, janë ata, që kanë përballuar vetë, të gjitha fushatat, me financat e tyre, me kontributin e tyre, me kohën e tyre, janë ata, që më parë i mbyste Rama me gaz dhe tani i mbyt ti!”, deklaroi ish-kreu i degës së PD së Fierit, Luan Baçi.
Nga brenda sallës, pasuesi i tij, Agron Kapllanaj tha se kundërshtarët e Bashës kishin dalë në protestë kundër tij të detyruar.
“Sepse mbrëmë në 11 të natës ish-kryetarin e degës (Luan Baçin) e ka marrë në telefon Sali Berisha dhe i ka thënë që do t’i nxjerrësh me zor njerëzit atje kundër Lulzim Bashës. Sali Berisha është një komunist, një ish-sekretar partie”, tha Kapllanaj.
Vizat turistike dhe ato të biznesit që shtetasit shqiptarë marrin për në SHBA do të kenë afat 10-vjeçare, jo më 3-vjeçar sa është aktualisht. Lajmi është dhënë nga Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.
Hyrja në fuqi e këtij ndryshimi fillon me vizat e reja që do të lëshohen pas datës 1 prill.
“Çdo vite e më shumë shqiptarë po vizitojnë SHBA, ashtu si gjithnjë e më shumë amerikanë po vizitojnë Shqipërinë. Tashmë do të bëjmë më të lehtë për shqiptarët të cilët duan të vizitojnë miqtë dhe familjen në Amerikë, të shohin vendin tonë dhe të ndërtojnë marrëdhënie biznesi. Duke filluar nga data 1 prilli, vlefshmëria e një vize të re, turistike apo biznesi zgjatet nga tre në dhjetë vjet”, tha Ambasadorja Yuri Kim.
Kushtet dhe rregullat e tjera për këto dy kategori vizash mbeten të pandryshuara, duke filluar që nga qëndrimi maksimal për një afat prej 6 muajsh në SHBA, deri te rregulli që me këto viza nuk mund të sigurohet as qëndrim i përhershëm, as vende pune.
“Ju do të keni mundësi të udhëtoni për në SHBA në bazë të ligjeve dhe rregullave përkatëse pa pasur nevojë që të rinovoni vizën tuaj deri në vitin 2032. Vendimi i SHBA p[ër të zgjatur vlefshmërinë e vizës në dhjetë vite pasqyron faktin që shqiptarët gjithnjë e më shumë po ndjekin rregullat kur vizitojnë SHBA. Shpresoj të gjejmë ende më shumë mënyra për të afruar shqiptarët dhe amerikanë së bashku”, deklaroi Ambasadorja Kim.
Prej 2014-s, çdo shtetas shqiptarë që përfitonte një vizë turistike, apo biznesi për në SHBA e kishte atë me afat 3-vjeçar.
“Kosova është zemra e Shqipërisë”, ka qenë thirrja që më së shumti është kënduar sot rrugëve të Tiranës, në prag të nisjes së ndeshjes kundër Polonisë, të vlefshme për kualifikueset e “Euro 2024”.
Më të zëshëm duket se kanë qenë tifozët nga Kosova të cilët kanë oshëtirë me thirrjet “UÇK, UÇK” dhe “Kosova është zemra e Shqipërisë”, deri sa janë futur pak përpara orës 20.45 në Stadiumin “Air Albania”
Në Tiranë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, janë grumbulluar që gjatë paradites mijëra tifozë të Shqipërisë, që me këngë patriotike kanë pritur orën për t'u futur në stadium dhe për të parë ndeshjen.
Hyrja për në impiant ka nisur pak më vonë se ora 17:00.