Lajme

Gazeta Si
18 Shikime · 4 years më parë

Një ekip inxhininerësh dhe shkencëtarësh holandezë testuan me sukses atë që njihet si modeli i avionit të së ardhmes. Bëhet fjalë për modelin “Flying-V”, një dezajn i konceptuar që të jetë më efikas për nga konsumi i karburantit.

“Flying-V” përmbledh tek krahët ambientet për pasagjerët, bagazhet dhe depozitën e karburantit. Ekspertët holandezë shpresojnë që forma e tij aerodinamike redukton konsumin e karburantit me të paktën 20 për qind në krahasim me avionët tradicionalë të sotëm.

Testimi i parë është kryer me anë të një modeli të vogël vetëm 22.5 kilogram si peshë dhe 3 metra gjatësi në një aerodrom në Gjermani.

“Shqetësimi ynë kryesor ishte mundësia që avioni të kishte vështirësi në ulje, nisur nga fakti që sipas përllogaritjeve dhe simulimeve tona kompjuterike manovrimi ishte i vështirë. Inxhinierët tanë e tejkaluan këtë problem përmes një mekanizmi të thjeshtë kontrollues të rrymave ajrore të sinkronizuara në të dy krahët e avionit e që shërbejnë si timon orientues i tij”, tha Roelof Vos pjesëmarrës në këtë studim dhe profesor i inxhinierisë hapësinore në Universitetin e Teknologjisë Delft në Holandë.

Pas projektit qëndrojnë si financues një sërë kompanish të fuqishme në fushën e transportit ajror, si Airbus, KLM e deri tek flota ajrore holandeze.

Gazeta Si
12 Shikime · 4 years më parë

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj përforcoi zërat që flasin për një largim të tij nga qeveria.

“Që nuk do të jem në këtë post është krejt e sigurtë. Patjetër që është e sigurtë. Askush nuk është i përjetshëm në një post”, deklaroi ai para mediave nga Vlora.

Lleshaj ndodhej në Vlorë së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për të prezantuar strukturën e re të forcave “Shqiponja”.

Gazeta Si
10 Shikime · 4 years më parë

Pas mjekëve, Qeveria premton rritje pagash edhe për mësuesit. Synimi u bë me dije këtë të hënë nga vetë Kryeministri Edi Rama në një takim me mësues që gjatë pandemisë dhanë mësim përmes kanalit “RTSH Shkolla” të televizionit publik.

“Do të bëjmë çmos që ta rrisim mbështetjen për mësuesit, edhe pse kushtet nuk janë optimale për të menduar për këtë, por ne mendojmë që për mjekët dhe mësuesit duhet të bëjmë një sforco të madhe”, tha Rama.

Kryeministri tha se Qeveria do të dalë shumë shpejt me një propozim konkret për këtë. Por, ndryshe nga rasti i mjekëve ku foli për një rritje “domethënëse” të pagave mbi 7 për qind, për mësuesit nuk dha asnjë shifër.

Megjithatë, kreu i Qeverisë tha se rritja do të kalojë së bashku me buxhetin e ardhshëm dhe përveçse do të jetë e përgjithshme, pra për të gjithë mësuesit, do të shqyrtohet edhe mundësia e vlerësimit të mësuesve mbi një sistem meritokracie.

"Po mendojmë për një sistem të vlerësimit të mësuesve që po e analizojmë dhe nga viti i ardhshëm shkollor do të jeë gati ku mësuesit më të mirë do të duhet të vlerësohen financiarisht ndryshe”, u shpreh ai.

Gazeta Si
24 Shikime · 4 years më parë

Pierre Gasly fiton në mënyrë surprizë Çmimin e Madh të Italisë, i ndarë në dy akte nga një flamur i kuq në xhiron e 27-të nga një incident i Charles Leclerc. Piloti francez i skuderisë italiane AlphaTauri regjistron kështu fitoren e parë në Formula 1. Gasly mbërriti në finish para Carlos sainz, që nuk u dorëzua deri në fund, dhe Lance Stroll, të cilët kompletojnë podin.

Ishte një garë surreale, jo vetëm për mungesën e publikut për shkak të normave anti-Covid. Momenti kyç i garës lidet me një penalitet, një “stop and go” prej 10 sekondash për Lewis Hamilton dhe Antonio Giovinazzi, pasi hynë në bokse në xhiron e 21-të në një fazë të ndaluar. Deri në atë moment Hamilton po dominonte, më pas e pa veten në vend të 7-të.

Mjaft i zoti u tregua Gasly, si faktikisht, ashtu edhe në shfrytëzimin e rastit që iu krijua. I vetmi ferrarist që buzëqesh është ai i së ardhmes, Carlos Sainz, që e mbyll i dyti, duke regjistruar rezultatin më të mirë në Formula 1 pikërisht përpara atij që nga viti 2021, do të jetë publiku i tij. Për spanjollin e McLaren ishte një paraqitje solide, që e bën skuderinë e tij gjithmonë e më bindëse si forca e tretë e botërorit. Pozitive ishte edhe paraqitja e Stroll, që arrin podin e parë sezonal.

Ferrari nuk ekziston, Sebastian Vettel tërhiqet në xhiron e tetë pas një defekti në frena. Për Charles Leclerc, fitues vitin e kaluar në Itali, një përplasje e fortë ndaj barrierave i kushton shtrenjtë. Vazhdon makthi pa fund për skuderinë italiane.

Gazeta Si
17 Shikime · 4 years më parë

Partia Demokratike vijon me denoncimin e rasteve të banorëve të prekur nga tërmeti, që sipas saj, për shkak të keqmenaxhimit dhe keqqeverisjes prej muajsh jetojnë nëpër çadra.

Rasti i fundit i sjellë nga opozita është ai një qytetari nga Kurbini, që denoncon se fëmija i vogël i ka lindur në çadër.

“Unë jam Eduart Hysa, banor i Shpërdhetit. Deri para një jave kam ndenjur në çadër dhe tani po jetoj në shtëpi të shembur. Jam vetë i gjashti, nëntë muaj në çadër”, thotë kryefamiljari i familjes në denoncimin e publikuar nga PD.

Eduarti thotë më tej se mori përsipër rrezikun dhe u rikthye në banesën e krisur keqazi dhe të vlerësuar si në rrezik shembjeje nga grupet e inspektimit për shkak se nuk mund të rrinte më me fëmijët në çadër, më i vogli prej të cilëve vetëm 6 muajsh.

Ai thotë se nuk ka marrë asnjë ndihmë financiare apo formë tjetër mbështetjeje nga shtetit dhe se është invalid me të ardhura prej 10 mijë lekësh në muaj që nuk i mjaftojnë.

Gazeta Si
10 Shikime · 4 years më parë

Sa më shumë fliter për të ardhmen e Lionel Messit, aq më shumë mësohet për të shkuarën e tij.

Në rrjetet sociale kanë vërshuar me shumicë videot e lojtarit argjentinas në hapat e parë me Barcelonën, por vetëm së fundmi ka dalë një filmim i Lionel Messit 12-vjeçar para se të kapërcente oqeanin dhe t’i bashkohej Barcelonës.

Ishte koha kur Messi luante për ekipet zinxhir të Newell’s Old Boys në Argjentinë dhe kur tapeti i fushës nuk ishte ideali. Megjithatë, balta e fushës nuk e mbulon dot talentin e lindur të “Pleshtit”, që në ato kohë binte në sy mes moshatarëve për teknikën dhe vizionin e lojës...dhe jo më kot tifozët e skuadrës argjentinase dolën në protestë për të kërkuar rikthimin e tij në shtëpi kur morën vesh se mund të largohej nga Barcelona.

Gazeta Si
27 Shikime · 4 years më parë

Pandemia dhe masat kufizuese të lëvizjes kanë nxitur bizneset që të kërkojnë zgjidhje alternative dhe risi në ushtrimin e aktivitetit të tyre. E tillë është edhe ideja e një grupi të rinjsh në Izrael, me ndryshimin e vetëm se sipërmarrja e tyre është ende e paligjshme.

Grupi në fjalë shpërndau me dronë fluturues qindra doza dygramëshe me hashash në një prej shesheve qendrore të Tel Avivit. Dozat u hodhën nga ajri pas një paralajmërimi të bërë nga grupi “Green Drone” në platformën e komunikimit Telegram.

“Bombardimi” me hashash ka shkaktuar amulli në sheshin “Rabin” të kryeqytetit izraelit, ku grupe njerëzish, kryesisht të rinj janë parë duke mbledhur nga toka sa më shumë doza që të ishte e mundur.

Policia izraelit njoftoi arrestimin e dy personave rreth të 30-ave, që dyshon se qëndrojnë pas nismës në fjalë. Ata mendohet se janë pjesë e një grupi aktivistësh që veprojnë kryesisht online duke kërkuar legalizimin e hashashit me sloganin “Legalizoni dashurinë”.

Aktualisht, në Izrael është i ndaluar si prodhimi, ashtu edhe konsumi i hashashit, ndërsa shpërndarja e tij është e ndëshkueshme me burg.

Gazeta Si
25 Shikime · 4 years më parë

U zbuluan nga turistët kosovarë, kapen 50 refugjatë tek Kepi i Rodonit

Gazeta Si
22 Shikime · 4 years më parë

Pas Partisë Demokratike, që është në një fazë të avancuar të përzgjedhjes së kandidaturave për deputet, edhe Partia Socialiste do t’i drejtohet bazës për të marrë mendim për emrat mbi bazën e të cilëve do të kërkojë një mandat të tretë.

Kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar në Elbasan, ku kërkoi që të gjendet metodika dhe rruga se si do të shprehet baza për këto kandidatura dhe tha se procesi duhet të fillojë brenda muajit shtator dhe të përmbyllet në janar të vitit të ardhshëm.

Procesit vlerësues të bazës do t’i nënshtrohen të gjithë, përfshirë këtu edhe deputetë aktualë, apo edhe figura që konsiderohen “historike” brenda socialistëve.

Gazeta Si
24 Shikime · 4 years më parë

I ri, agresiv, ambicioz dhe me shpesh me vetëbesim në kufijtë e arrogancës, aq sa para zgjedhjeve të 30 gushtit ishte gati të vinte dorën në zjarr se ai dhe lëvizja “URA” që drejton do të përcaktonte Qeverinë e re. Dritan Abazoviç ka profilin e një politikani të pashoq në Ballkan.

I lindur në Ulqin, 35-vjeçari ja doli mbanë që pasi e gërreu për vite me radhë pushtetin e Milo Gjukanoviçit, pushtet i akuzuar se është ngritur mbi korrupsionin, lidhjet me krimin e organizuar dhe nepotizmin për vite me radhë ta rrëzonte atë, duke realizuar atë që s’e ka bërë njeri në Mal të Zi në tre dekada.

Se deri ku shtrihen kufijtë e ambicies së Dritan Abazoviçit e tregon koha e shkurtër me të cilën ngriti karrierën e tij politike nga aktivist i përfshirë në lëvizjet qytetarë serbo-malazeze në “kingmaker”. Ai refuzon edhe sot që të cilësohet politikan, pasi me këto fjalë identifikon klasën e vjetër të udhëheqësve malazezë, që i akuzon si të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.

Por, me “piruetat” e bëra në harkun kohor të pesë viteve e kanë bërë më shumë se politikan. 35-vjeçari duket se ka gjetur formulën e një ekuilibri që deri para tij konsiderohej i paarritshëm; të bëjë bashkë malazez, serbë dhe shqiptarë.

Malazezët e lodhur nga sundimi 30-vjeçar i Milo Gjukanoviçit i joshi me guximin e treguar me akuzat që bënte publike, si në rastin kur e akuzonte, në atë kohë Kryeministër, se kishte futur në xhepat e kompanive të zotëruara prej tij miliona dollarë para të taksapaguesve malazezë.

Në atë kohë nuk i kishte mbushur ende 30 vjeç dhe deputet i partisë “Mali i Zi Pozitiv”. Pati guximin që t’i drejtohej Gjukanoviçit në sallën e Parlamentit për një skandal për të cilin të gjithë kolegët ishin në dijeni, por askush nuk e përmendte publikisht. Nga akuzat e tij, Milo Gjukanoviç e humbi durimin dhe në debat e sipër i kthehet duke i thënë “Turp të kesh! Faqezi!”, duke nënkuptuar se 35-vjeçari kishte tradhtuar elektoratin shqiptar.

Pikërisht përplasja e fortë me Gjukanoviç u hamendësua më vonë edhe si shkak i përçarjes së partisë “Mali i Zi Pozitiv”. Abazoviç, së bashku me disa drejtues serbë të kësaj partie kërkonin një ballafaqim të drejtpërdrejtë dhe agresiv me Gjukanoviçin, deri në rrëzimin e tij. Kjo binte ndesh me “pragmatizmin” e shumicës në këtë fraksion politik, që çoi në largimin e Abazoviçit dhe themelimin prej tij dhe një grupi bashkëpunëtorësh serbë dhe malazezë të lëvizjes qytetare “URA”.

Programi i “URA”-s përafron më shumë me programin e social-demokratëve të Gjukanoviçit. Megjithatë, Abazoviç orientoi katër mandatet e fituara drejt nacionalistëve malazezë dhe partive serbe, në një lëvizje që më shumë se parimore duket se është kushtëzuar nga basti që i riu i kishte vënë vetes për të rrëzuar Gjukanoviçin. Qeveria e re do të ngrihet me ekspertë, sipas kushtit të vendosur prej tij, duke e lënë politikën në Parlament.

Jo aq e papritur

Zgjedhja e bërë prej Dritan Abazoviçit ka lënë jo pak të habitur. Edhe vetë koalicioni nacionalist e proserb, të paktën publikisht, nuk e ka pritur këtë. Por, kjo lëvizje nuk duket edhe aq e papritur për profilin e 35-vjeçarit, që noton prej më shumë se një dekade në ujërat shpesh të trazuara të politikës malazeze.

Me deklaratat dhe qëndrimet e mbajtura në të shkuarën ai ka synuar gjithmonë që të dalë mbi të gjitha etnitë në Mal të Zi. Nuk e kërkoi asnjëherë votën e shqiptarëve si shqiptar, ndoshta duke llogaritur peshën e vogël elektorale dhe përçarjen e madhe të tyre. Por, fitoi besimin e malazezëve të lodhur nga regjimi i Gjukanoviçit dhe simpatinë e serbëve me disa deklarata kontraverse.

Mes tyre është edhe deklarata e bërë për Skënderbeun, me rastin e vendosjes së monumentit të tij në qytetin e Ulqinit, vendlindja e Dritan Abazoviçit. Deklaronte me bindje se Ulqini nuk kishte nevojë për një monument të tillë, por zhurmën e shkaktoi kur nënkuptoi se Skënderbeu ishte serb.

“Edhe fëmijët në çerdhe e dinë që ata që kanë baba dhe mama serbe, nuk mund të jenë shqiptarë”, u përgjigjej ai akuzave që i vinin nga shqiptarët e Malit të Zi dhe jo vetëm mbi një deklaratë të bërë në televizionit malazeze se Skënderbeu ishte serb.

Deklarata e tij nuk ishte e pallogaritur. Ajo mbërrinte pak kohë pasi opozita proserbe e akuzonte se kishte për qëllim përçarjen e elektoratit serb dhe për sulme ndaj Kishës Serbe të Malit të Zi. Me këtë deklaratë ja doli mbanë që të qetësojë serbët, por ndoshta edhe t’i përçajë ata, duke siguruar një grusht të mirë votash në zgjedhjet e fundit.

Qëndrimet dashamirëse ndaj serbëve i përforcoi me bërjen publike të idesë së tij për marrëdhëniet me Serbinë dhe për ligjin e miratuar nga Gjukanoviç që sekuestron pronat që kleri fetar në Mal të Zi nuk është në gjendje që të provojë me dokumentacion zotërimin e tyre historik. Abazoviç premton shfuqizimin e këtij ligji dhe kalimin e një ligji tjetër për lirinë e besimit fetar, që premton se do të jetë “i standardeve europiane”.

Po ashtu, në një deklaratë të bërë jo shumë kohë më parë shprehej se Mali i Zi duhet të përpiqej që të ndërtonte politika të fqinjësisë së mirë me të gjithë fqinjët e vet, por sidomos me Serbinë që e shihte si “më të afërt”.

Gazeta Si
8 Shikime · 4 years më parë

Turqia përkujtoi 98-vjetorin e çlirimit nga forcat greke të Anadollit Perëndimor pa një paradë ushtarake për shkak të koronavirusit, por mbi pallatin presidencial të Reçep Taip Erdogan fluturuan 300 dronë ndriçues.

Dronët e kontrolluar nga distanca përmes një programi, që mediat turke thanë se është vepër e inxhinierëve vendas, formuan në qiell simbole patriotike turke, përfshirë këtu edhe siluetën e Mustafa Kemal Ataturkut në foton e famshme në kodrat e Kocatepesë pas fitores përfundimtare ndaj forcave greke në Anadollin Perëndimor, në betejën e Dumlupinarit, që zgjati nga data 26 deri më 30 gusht.

Spektakli i dritave mbi godinën presidenciale mbërrin në një periudhë të rindezur tensionesh mes Ankarasë dhe Athinës për pretendimet që të dyja palët kanë për ujërat në Detin Egje.

Turqia ka paralajmëruar Greqinë se ligji i miratuar që në mes të viteve ’90 nga Asambleja Kombëtare turke, sipas të cilit një vendim grek për t’u zgjeruar me 12 milje në det është një akt i mjaftueshëm që të konsiderohet si akt lufte.

Megjithatë, Greqia ka përjashtuar, të paktën për momentin, zgjerimin e ujërave të veta territoriale në Lindje, por ka deklaruar se do ta ushtrojë këtë të drejtë, që Athina thotë se i buron nga Konventa e OKB-së për ligjin e detit vetëm në Perëndim në Detin Jon.

Gazeta Si
32 Shikime · 4 years më parë

Kompania japoneze “SkyDrive” testoi me sukses prototipin e parë të makinës fluturuese elektrike me një person në bord.

Testimet u kryen në fillim të muajit gusht. Synimi i kompanisë së themeluar në 2013 dhe që ndër vite ka marrë milionë dollarë financime edhe nga Qeveria japoneze është prodhimi i një mjeti fluturues elektrik të sigurtë, të lehtë për t’u drejtuar dhe mbi të gjitha me një çmim të përballueshëm për të gjithë.

Aktualisht, makina mund të fluturojë deri në 10 minuta me baterinë e përdorur gjatë testimeve. Por, “SkyDrive” thotë se kohëzgjatja e fluturimit është një problem që zgjidhet lehtësisht me vendosjen e baterive më të fuqishme.

Gazeta Si
30 Shikime · 4 years më parë

Përmes një video-mesazhi të shprehur në anglisht dhe në gjuhën malazeze, Kryeministri Edi Rama bëri thirrje që të mbështet Milo Gjukanoviç në zgjedhjet që do të mbahen këtë të diel.

“Se ç’është më e mira për Malin e Zi unë nuk mund të gjykoj pasi nuk jetoj atje. Por ajo që mund të them pa asnjë ngurrim është se çfarë ka bërë Milo Gjukanoviç për Malin e Zi duhet ti bëjë krenarë të gjithë qytetarët e këtij shteti. Milo Gjukanoviç e ka bërë Malin e zi më të fortë dhe me të mirë. Askush në ditët e sotme nuk mund ta shpëtojë Malin e Zi, përveç njeriut qe e ka shpëtuar shumë herë. Milo Gjykanoviç e ka kthyer Malin e Zi në yllin shndritës të rajonit tonë’, thotë Kryeministri shqiptar në mesazhin e shpërndarë edhe nga mediat malazeze.

Thirrja e Edi Ramës duket se bie ndesh me fushatën e “Listës Shqiptare”, një koalicion që ka mbledhur rreth vetes partitë kryesore shqiptare atje me sloganin “Voto Shqip”, në përpjekje për të maksimizuar votën dhe për të shtuar numrin e mandateve në Parlamentin e ri. Nëse elektorati shqiptar atje unifikohet i gjithi rreth kësaj liste, shqiptarët mund të sigurojnë deri në 4 mandate në Kuvendin e ri malazez.

Ky mesazh i Edi Ramës nuk është pritur mirë nga partitë shqiptare në Mal të Zi, një pjesë e të cilave e kanë vlerësuar si të pakonceptueshme thirrjen e tij për të votuar Milo Gjukanoviçin dhe jo partitë shqiptare. Në fakt, ndryshe nga zgjedhjet lokale për Komunën e Tuzit të një viti më parë, Edi Rama nuk ka shfaqur publikisht të njëjtin entuziazëm për bashkimin e shqiptarëve.

Në atë kohë, Rama dhe Hashim Thaçi u qortuan nga Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç për ndërhyrje në punët e brendshme.

Sa i takon Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ai është treguar më i ekuilibruar. Thaçi nuk ka udhëzuar mbështetjen e asnjë partie, por ka kërkuar që shqiptarët të dalin masivisht në votime.

Ndërkohë, Lulzim Basha u ka bërë thirrje shqiptarëve që të votojnë për partitë shqiptare.

“Ju bëj thirrje bashkëkombësve tanë në Mal të Zi që të dalin masivisht në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit dhe të votojnë listat shqiptare. Të dashur motra dhe vëllezër, nëpërmjet votës tuaj për partitë shqiptare, ju mund të siguroni mbrojtjen e të drejtave dhe interesave tuaja dhe të garantoni një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj. Forcimi i përfaqësimit të partive shqiptare në parlament, është një kontribut i shtuar për paqen dhe stabilitetin në vend, për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe për integrimin europian të vendit dhe mbarë rajonit”, tha ai.

Shqiptarët në këto zgjedhje nuk dalin plotësisht të unifikuar. Katër parti janë mbledhur rreth një liste të përbashkët, ndërsa tre subjekte të tjera garojnë më vete. Ndërkohë, tek shqiptarët atje, Milo Gjukanoviç është parë gjithmonë si “e keqja më e vogël” në krahasim me ekstremistët malazez dhe partitë serbe të Malit të Zi. Për këtë arsye, në zgjedhjet e 2018-ës, Gjukanoviç mori edhe mbështetjen e partive shqiptare.

Gazeta Si
22 Shikime · 4 years më parë

Gjashtë bova të reja (shenja dalluese në liqen), 3 prej të cilave me sinjal ndriçues për natën janë vendosur në vijën kufitare me Malin e Zi në liqenin e Shkodrës.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, tha sot se “bovat u vendosën nga helikopterët e Forcës Ajrore në mirëkuptim të plotë me palën malazeze”.


Peshkatarët shqiptarë dhe malazezë, por edhe policitë kufitare të të dy vendeve do ta kenë më të lehtë të orientohen dhe të dallojnë vijën kufitare gjatë lundrimit në liqenin e Shkodrës

Gazeta Si
21 Shikime · 4 years më parë

Ministria e Arsimit nuk ka një strategji konkrete në lidhje me vitin e ri shkollor, nëse do të zhvillohet nëpër banka, apo do të jetë në distancë. Përmes një video-mesazhi, ministrja Besa Shahini tha se institucioni që ajo drejton është i përgatitur për çdo skenar, por se vendimi final i takon Komitetit të Ekspertëve.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini, nëpërmjet një video-mesazhi është shprehur mbi çështjen e fillimit të ri shkollor duke nënvizuar se vendimi mbi skenarin e tij do të merret nga Task-Forca për Koronavirusin në varësi të ecurisë së pandemisë:

“Ne, stafi i MASR, agjencitë tona vartëse, disa nga drejtorët e shkollave, disa nga mësuesit, jemi duke bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Në korrik, kemi ndërtuar edhe një draft-udhëzues me skenarë të mundshëm për fillimin e vitit të ri shkollor duke synuar gjithmonë që të kthehemi në bankat shkollore. Por, nëse këtë, do ta bëjmë me orar të plotë, me orar të pjesshëm apo duke e kombinuar edhe me mësim në kushte shtëpie, këtë vendim e merr Task-Forca për Koronavirusin kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor në varësi të situatës me përhapjen e koronavirusit të ri”, deklaroi Shahini.

Ministrja tha se po mbikëqyren me kujdes përvojat nga vendet e tjera.

“Gjermania, tashmë i ka hapur shkollat, por ka qenë e detyruar t’i mbyllë disa për shkak të shpërndarjes së virusit. Turqia ka vendosur të mos i hapë shkollat, por të punojë vetëm në kushte shtëpie fillimisht. Ndërsa Shqipëria do ta marrë këtë vendim kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor”, cilëson ajo.

Në fund të mesazhit të saj, Shahini thotë se MASR do të vendosë për strategjinë që do të ndjekë në momentin e parë që do të marrë orientimin nga task-forca e ngritur për koronavirusin.

Gazeta Si
19 Shikime · 4 years më parë

Një zjarr që përfshiu këtë të hënë kodrat e Kasharit, pranë kryeqytetit u vu nën kontroll edhe falë ndërhyrjes së helikopterit të ushtrisë, të pajisur me kovat e posaçme për operacione të tilla.

Gazeta Si
9 Shikime · 4 years më parë

Presidenti Ilir Meta fajësoi plotësisht Qeverinë për mosushtrimin e përgjegjësive të saj në krizën e shkaktuar në Kakavijë, që sipas kreut të shtetit mund të ishte shmangur nëse do të veprohej në kohë përmes informimit të qytetarëve dhe testimit anti-Covid falas të tyre.

“Situata e krijuar në Kakavijë ka të bëjë me përgjegjësitë e paushtruara në kohën e duhur nga ana e Qeverisë shqiptare ndaj shtetasve të saj. Qeveria gjen justifikmet duke drejtuar gishitn nga ana tjetër e kufirit, ndërkohë që është përgjegjësia e saj parësore, që të marrë të gjitha masat dhe të kujdeset në kohën e duhur për shtetasit e saj”, tha Meta.

Presidenti ngriti disa pyetje drejtues Ministrisë së Jashtme dhe ekzekutivit.

“Çfarë informacioni dhe sqarimi u është dhënë njerëzve që udhëtojnë jashtë vendit dhe në mënyrë të veçantë atyre që udhëtojnë për në Greqi? Çfarë paralajmërimesh dhe parashikimesh në kohën e duhur ka bërë Qeveria shqiptare? A ka patur ndonjë njoftim zyrtar nga ana e Ministrisë së Jashtme mbi kuotën e kalimit prej 700 personash në ditë? Përgjegjësia është vetëm mbi Qeverinë shqiptare dhe shtetin”, u shpreh Meta.

Presidenti deklaroi se kriza ishte e parashikueshme, nisur nga fakti që radhë të gjata në Kakavijë krijohen çdo muaj gusht edhe në situata normale dhe ishte e pritshme që këto radhë të krijoheshin më të theksuara në këtë situatë pandemie.

Presidenti përsëriti gjithashtu edhe thirrjet për testim falas të qytetarëve që udhëtojnë jashtë, pasi siç tha ai, shuma prej 120 eurosh për një person është e papërballueshme për shumicën e familjeve shqiptare.

Gazeta Si
25 Shikime · 4 years më parë

Partia Demokratike kërkon fillimin e menjëhershëm të hetimeve penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, që sipas opozitës po kërcënon me metoda mafioze të gjitha mediat dhe gazetarët kritikë ndaj tij.

Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi publikoi disa mesazhe, që sipas saj janë të kryebashkiakut Veliaj.

“Mesazhet e Erion Veliajt dëshmojnë mekanizmin dhe metodat mafioze e përdorura nga Kryetari i paligjshëm i Bashkisë së Tiranës për të kërcënuar dhe shantazhuar median që nuk i nënshtrohet makinerisë së stërmadhe të propagandës që paguhet me miliona Euro të zhvatura qytetarëve të Tiranës nga taksat e rritura”, tha Vokshi.

Për opozitën mesazhet në fjalë përbëjnë prova ligjore të një akti të dënueshëm kriminal dhe sipas Vokshit, ato nxjerrin në pah kryebashkiakun e Tiranës si një politikan mafioz dhe armik të lirisë së medias.

“Gjuha e egër, denigruese dhe e urrejtjes ndaj një gruaje gazetare, mesazhet kërcënuese “se nuk ka për t’ia falur” Beti Njumës pse u dha zë artistëve kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, provojnë se Erion Veliaj përbën një kërcënim të rëndë për fjalën e lirë, i gatshëm të eliminojë këdo që cenon pushtetin e tij, duke u thënë qytetarëve të vërtetën”, vijoi Vokshi.

Gazeta Si
7 Shikime · 4 years më parë

Partia Demokratike thotë se kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit ka shembur fasadën e propagandës në sistemin e shëndetësisë.

“Në “shëndetësinë falas” të Edi Ramës, shqiptarët blejnë vetë nga ushqimi deri tek respiratorët. Pandemia nga COVID ka shfaqur para syve të të gjithëve sa e mjeruar është gjendja në spitalet tona, sa i madh është dështimi i qeverisë, sa e rrezikshme është kjo qeveri për shqiptarët. Kontrasti mes propagandës së qeverisë dhe realitetit është i jashtëzakonshëm”, tha ish-deputetja e PD-së, Orjola Pampuri.

Ish-deputetja demokrate e shoqëron këtë reagim me një video, që thotë se janë dëshmitë e të afërmve të pacientëve që po kuron ndaj Covid-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Sipas këtyre dëshmive, situata në këtë spital është krejt tjetër nga ajo që pretendon Qeveria.

“Kryeministri dhe ministrja e Shëndetësisë flasin për spitale si në Zvicër, por qytetarët në hall në dyert e spitaleve tregojnë të vërtetën e dështimit të “shëndetësisë falas”. Ata blejnë vetë nga ushqimi i përditshëm deri tek respiratorët”, vijoi Pampuri.

PD thotë se Shqipëria është e fundit për numrin e testimeve për 1 milion banorë dhe ndër katër vendet e para për vdekje ditore dhe numrin më të lartë të përhapjes së infeksionit.

Gazeta Si
20 Shikime · 4 years më parë

Një 71-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor të ndodhur në orët e mëngjesit në rrugën Tiranë-Fushë Krujë.

Viktima është shtetasi Halim Tufa. Ai është përplasur për vdekje nga një autoveturë tip Mercedes Benz. 71-vjeçari po udhëtonte me një motozape (mjet bujqësor) kur është goditur dhe marrë zvarrë për rreth 50 metra nga autovetura.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vendin e njohur si kryqëzimi i Rinasit.

Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit tip Benz, Luan Koçi, 37 vjeç, ndërsa thotë se po vazhdon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.




Showing 23 out of 24