Up next

Çuçi: Shumica e vendeve të OECD kanë legalizuar kanabisin

29 Shikime· 04/29/22
Gazeta Si
Gazeta Si
1 Subscribers
1
In Other

⁣“Pothuaj 90 për qind e vendeve të OECD e kanë të legalizuar këtë. Vendet e OECD janë vende me standard perëndimor sot në botë. Këto vende kanë të legalizuar tashmë kanabisin jo vetëm për qëllime mjekësore dhe industriale, por shumica prej tyre edhe për qëllime rekreative, kështu që nuk ka nevojë për studime shumë të thelluara në këtë pikë”.

Kështu deklaroi ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ku u pyet në lidhje me legalizimin e kanabisit në Shqipëri, nëse qeveria kishte ndërmarrë ndonjë studim mbi efektet sociale dhe ekonomike që mund të sjellë ky vendim.

Ministri iu referua vendeve anëtare të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD) si shembull. Por, as shifra e dhënë prej tij për rreth 90 për qind të tyre që kanë legalizuar kanabisin për qëllime mjekësor dhe as pjesa kur thotë se shumica e këtyre vendeve kanë legalizuar kanabisin për përdorim rekreativ nuk është e saktë.

Organizata përbëhet nga 38 vende, që nga Japonia në Lindje, deri te Kili në Perëndim. Politikat e ndërmarra nga secili shtet anëtar i organizatës ndryshojnë dhe janë komplekse, që nga ato më liberalet, deri te ato më konservatoret.

Si shembull, kanabisi lejohet të konsumohet në Holandë, por jo të kultivohet e tregtohet. Në Kili lejohet kultivimi për qëllime vetjake, por jo për treg. Japonia ndalon plotësisht si kultivimin, ashtu edhe konsumin, ndërsa Hungaria ka ligjet më të ashpra, duke e përfshirë kultivimin dhe konsumin e kanabisit në të njëjtën shkallë të narkotikëve si heroina.

Larmishmëria e mënyrës se si po menaxhojnë vendet e OECD kanabisin është e madhe. Por, nga 38 vende anëtare të OECD, vetëm gjashtë prej tyre e kanë të legalizuar konsumin vetjak dhe dy të tjera e kanë të dekriminalizuar këtë vepër dhe e ndëshkojnë vetëm me gjobë.

Vendet ku lejohet konsumi janë Belgjika, Holanda, Spanja, Kanadaja, Kili, Portugalia dhe Meksika, ndërsa në Itali dhe Luksemburg konsumimi dhe posedimi në sasi minimale është i dekriminalizuar, por ndalohet në publik dhe gjobitet.

Mes vendeve anëtare, SHBA është rasti më kompleks. Ligji federal ndalon si kultivimin, ashtu tregtimin edhe konsumin vetjak të kanabisit, qoftë mjekësor, qoftë rekreacional. Por, përmes një memoje të 2013-s, Departamenti i Drejtësisë i hapi rrugë kultivimit për qëllime mjekësore dhe rekreacionale. Në këtë dokument udhëzohej se administrata federale do të toleronte fenomenin me kusht që te vendet të cilat e legalizonin të mos shkaktonte rritje të kriminalitetit.

Ndërkohë, 14 vende nga 38 vende anëtare të OECD (si Gjermania, Franca, Suedia), ose rreth 36 për qind e tyre e ndalojnë plotësisht kanabisin, 16 lejojnë kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Bashkë me gjashtë vendet që e kanë të legalizuar dhe dy që e kanë dekriminalizuar, shifra e vendeve që kanë politika liberale ndaj kanabisit shkon në rreth 64 për qind, pra shumë larg 90 përqindëshit që thotë ministri Çuçi.

Zgjidhja me ligj që u kanë dhënë vendet ndryshon nga rasti në rast, ndërsa se çfarë mase do të lejojë ligji që po mendon qeveria shqiptare për legalizimin e kanabisit mbetet shpejt për të folur. Por, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dha disa detaje.

“Ne do t’i përgjigjemi miratimit që morëm nga këshillimi kombëtar për ta legalizuar kanabisin për qëllime mjekësor dhe industriale dhe këtë do ta bëjmë me një ligj të posaçëm. Ky ligj do të përcaktojë rregulla shumë strike për mënyrën se si do të mbillet, kush do ta mbjellë dhe si merret licenca. Ligji do të përcaktojë edhe bashkëpunimin me vendet e tjera të OECD-së. Disiplinimi me ligj do të jetë shumë strik dhe nuk do të ketë fare të bëjë me një hapësirë për çdokënd që do të mbjellë në mënyrë të jashtligjshme kanabisin”, deklaroi ai.

Më shumë

 0 Komente sort   Sort By


Up next