Rama vë në dyshim shifrat e INSTAT: Nuk kanë ikur lopët, qumështi është rritur
Kryeministri Edi Rama vuri në dyshim shifrat e INSTAT për numrin e bagëtive në vend, duke pretenduar se sot numri i tyre është më i lartë se në vitet e shkuara dhe këtë e argumentoi me faktin që, sipas tij, aktualisht prodhimi vendas mbulon 97 për qind të nevojave të tregut vendas.
“Nëse e shikojmë realitetin me shifrat e konsumit, atëherë ne na dalin pyetje të tjera. Si bëhen statistikat? Si janë regjistruar ato miliona lopë që më pas u zhdukën dhe kanë ikur dhe kanë ngordhur”, tha Rama.
Deklarata e Kryeministrit u referohet akuzave të hedhura në vitet e kaluara për fiktivitet në numrin e bagëtive që regjistroheshin nëpër drejtoritë rajonale të bujqësisë me qëllim përfitimin e subvencioneve që ndaheshin për krerë.
Veç kësaj, deri në 2018, TVSh për qumështin dhe nënproduktet e tij ishte 6 për qind. Në 2018-n u vendos rritja në 20 për qind dhe u prezantua rimbursimi i TVSh-së në bazë të litrit të qumështit. Njëri prej kundërshtarëve të kësaj skeme ishte deputeti socialist, Erion Braçe. Ndryshe nga Rama, ai nuk vë në dyshim shifrat e INSTAT, por fajëson pikërisht ndryshimet e 2018-s.
“Nga 31 dhjetori janë 65 mijë lopë më pak, 250 mijë dele më pak, 100 mijë dhi më pak, 131 mijë tonë qumësht më pak”, shkruan Braçe.