PD: Varfëria dhe papunësia si në 2005, faji i Edi Ramës
Partia Demokratike e interpreton raportin e Bankës Botërore, që në skenarin më të keq parashikon që niveli i varfërisë si pasojë e krizës së pandemisë të thellohet deri në 48 për qind të popullsisë, si këmbanë alarmi dhe kthim me 15 vite pas në kohë i vendit.
Opozita e ka të qartë se fajtori për këtë është një dhe vetëm një.
“Për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit gjigant të qeverisë së Edi Ramës, parashikimet e Bankës Botërore për ekonominë tregojnë për përkeqësimin të situatës. Shqipëria do të kthehet 15 vjet mbrapa, duke përhapur varfërinë tek gati gjysma e popullsisë. Banka Botërore thotë se goditjen më të madhe në vend do ta marrin qytetet dhe shtresa e mesme, pasi varfëria pritet të shkojë rreth 48 për qind duke arritur në nivelet e vitit 2005”, deklaroi ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku.
Raporti i Bankës Botërore vëren gjithashtu se kriza e pandemisë ka rritur më shumë se kudo në rajon papunësinë në Shqipëri. Edhe në këtë rast, PD shkaktarin e gjen tek Qeveria.
“Nuk mori masat e duhura dhe lejoi që kriza ekonomike të shndërrohej në epidemi të papunësisë, Banka Botërore paralajmëron edhe rënien e të ardhurave për familjet shqiptare me rreth 12%. Kategoria më e prekur nga braktisja e qeverisë janë të rinjtë, të cilët shikohen si potencial për emigrim të paligjshëm në vendet e zhvilluara europiane”, vijoi Tabaku.
Ish-deputetja demokrate akuzon Kryeministrin Rama se paratë që duhet të përdoret për të mbrojtur vendet e punës i çoi tek oligarkët dhe tenderat e luksit, ndërsa shton se thotë është vetëm një.
“Ka vetëm një rrugë për të rikthyer shpresën – të largohet Rama përmes zgjedhjes dhe votës së lirë. Ka vetëm një rrugë për t’i ikur duarve të hajdutit, për t’i ikur taksave të larta dhe kriminale, vjedhjes së pronës dhe sundimit të oligarkëve. Për çdo qytetar që liritë e tij ngushtohen dita ditës, që biznesi i tij ul qepenin, që punën e tij e humbet pasi kriza ka goditur vendin e tij të punës, zgjidhja është e thjeshtë – largimi i Ramavirusit dhe oligarkisë nga qeveria si dhe mbajtja e përgjegjësisë për çdo vendim të tyre”, deklaroi Tabaku.