Paralelizmi i gabuar i Ramës, pse SHBA-Japoni s’mund të krahasohet me Serbi-Kosovë
Kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur bashkëpunimin me Serbinë në kuadër të Ballkanit të Hapur duke iu referuar shpesh shembujve nga historia. Shembulli i preferuar i tij është ai mes Gjermanisë dhe Francës pas Luftës së Dytë Botërore.
Lufta e Dytë Botërore ishte kulmimi i armiqësisë shekullore mes dy vendeve, që vendosën të themelojnë Bashkimin Europian, pasi ndër shekuj kishin pushtuar njëra-tjetrën duke vrarë e prerë. Ky krahasim i Ramës u kritikua nga disa si i pavend me arsyetimin se Franca e Gjermania përgjatë historisë së tyre konfliktuale kanë qenë herë agresore, herë viktima, ndërsa Kosova e shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë agresorë të Serbisë, por vazhdimisht viktima të politikave shoviniste të Beogradit me spastrime etnike, i fundit prej të cilëve vetëm dy dekada më parë.
Megjithatë, veç rastit Francës e Gjermanisë, nga samiti i Ohrit në kuadër të Ballkanit të Hapur, Kryeministri Rama solli një shembull tjetër, që tha se nuk ishte i veti, por i diplomatit amerikan, Christopher Hill.
“Ambasadori Chris Hill më tha diçka që në fakt s’e kisha menduar asnjëherë. Shumë thjesht: SHBA kanë hedhur dy bomba atomike në Japoni dhe një nga aleancat strategjike më të forta dhe miqësitë më të ngushta sot në arenën ndërkombëtare është aleanca e SHBA me Japoninë...pas dy bombave atomike dhe urdhëroni se ku është sot Japonia dhe nuk do të ishte sot aty nëse do të qëndronte me kurriz nga SHBA, duke kërkuar më parë që SHBA të uleshin në gjunjë për bombat atomike”, deklaroi Rama.
Por, as krahasimi me marrëdhënien Japoni-SHBA nuk është i duhur. Dy bombat atomike amerikane mbi Japoni ishin kulmimi i një lufte të ashpër mes tyre në Paqësor dhe vende të treta, si Tajlandë, Filipine e Kinë. Për më tepër, ishte Japonia ajo e para që sulmoi SHBA në Pearl Harbour.
Sulmi me dy bombat bërthamore më 6 dhe 9 gusht ishte i pari i amerikanëve në Japoni. Më 15 gusht, Japonia shpalli kapitullimin dhe më 2 shtator të 1945-s u zyrtarizua ky kapitullim. Sipas termave të caktuara nga fituesi, SHBA dhe aleatët e saj australianë, britanikë e neozelandezë do të qëndronin në Japoni si pushtues. Kjo është hera e parë dhe e vetme kur është pushtuar vendi ishullor.
Por, qëllimi i SHBA dhe aleatëve të saj nuk ishte spastrimi etnik në Japoni, siç ishte për një shekull qëllimi e politika e serbëve në Kosovë. Qëllimi i amerikanëve ishte ndryshimi i krejt sistemit dhe mënyrës së qeverisjes japoneze.
Nën udhëheqjen e gjeneralit Douglas MacArthur SHBA detyruan Perandorin Hirohito që të hiqte dorë nga imazhi prej ‘hyu’ që kishte krijuar në shoqërinë vendase. Heqja dorë nga ‘hyjnia’ ishte hapi i parë i progresit të shoqërisë. Ushtria u shpërnda, politikanët e Luftës së Dytë Botërore u ndaluan nga punësimi në qeveri, u shkatërruan konglomeratet që kontrollonin ekonominë, u ndërmor reforma agrare që shpërndau toka për njerëzit e thjeshtë, u legalizuan unionet e punonjësve, iu dha e drejta e votës grave dhe mbi të gjitha u decentralizuan dhe demokratizuan institucionet arsimore.
Shumë prej këtyre ndryshimeve u vendosën në Kushtetutë para se SHBA dhe aleatët e saj të largoheshin nga Japonia në vitin 1952, jo si të detyruar nga bombardimet e një shteti, apo aleance ushtarake. Ajo që lanë pas ishte një Japoni të transformuar dhe gati për të ecur vetë, por tani me rregulla krejtësisht të reja e më të drejta, duke lënë pas mbylljen shekullore, që kishte shërbyer si katalizator i agresioneve japoneze në Paqësor.
Po në Kosovë? Për një shekull përpjekjet serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës kanë qenë të përhershme e në forma herë të heshtura, herë agresive e ushtarake. Spastrimi i heshtur realizohej përmes mungesës së investimeve në infrastrukturë, ekonomi, arsim, shëndetësi e çdo fushë tjetër për t’u vështirësuar jetën shqiptarëve.
Ushtarakisht dy kanë qenë spastrimet e mëdha, fillimisht në përfundim të Luftës së Parë Ballkanike dhe me luftën e vitit 1999. Përgjatë gjithë kësaj periudhe shqiptarët u vranë, u dëbuan. Atyre që mbetën iu mohua arsimimi në gjuhën amë, u zhvendosën me forcë për t’u zëvendësuar nga kolonët serbë, u përjashtuan nga vendimmarrja, u lanë jashtë institucioneve për të mos folur.
Pra, nëse SHBA la pas një Japoni më të demokratizuar e zhvilluar vetëm në 7 vjet, ato që Serbia mbolli në Kosovë për një shekull ka qenë vetëm shkatërrimi, terrori, genocidi e spastrimi etnik. Për më tepër, SHBA nuk e mohoi asnjëherë shtetësinë e Japonisë, as në vitet kur e mbajti të pushtuar.
Serbia vijon ta mohojë shtetin e Kosovës, madje pak ditë para se të merrte pjesë në samitin e Ohrit për Ballkanin e Hapur, Vuçiç u betua se do ta mbajë Kosovën si pjesë të territorit të Serbisë. Këto janë dallimet mes dy shembujve të sjellë nga Kryeministri Rama dhe këto dallime ndoshta janë të mjaftueshme për të nxitur mosbesimin te Serbia në Prishtinë.
Besimi fitohet dhe për ta fituar këtë, gjëja e parë që Serbia duhet të bëjë para se të ftojë Kosovën në Ballkanin e Hapur është njohja si shtet. Të tjerët do të pasojnë...