Presidenca: Qeveria po kap reformën në drejtësi
Përveç ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, Kuvendi rrëzoi këtë të premte edhe 10 dekrete të Ilir Metës, që riktheu për rishqyrtim ndërhyrjet e mazhorancës në ligjet e reformës në drejtësi.
Pas këtij vendimi të Kuvendit, këshilltari juridik i Presidencës, Bledar Dervishaj doli në një konferencë për shtyp, ku tha se ndryshimet janë antikushtetuese, të pakonsultuara, jotransparente dhe që deformojnë reformën në drejtësi.
Këshilltari juridik i Presidentit Meta ceku me radhë një sërë problematikash, që tha ai se shkërmoqin të gjithë dakordësinë për miratimin e reformës në drejtësi në 2016-ën. Synimi, sipas Presidencës, është që t’i hapet rrugë emërimit pa kaluar më parë vettingun në Gjykatën e Lartë të ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve që duan të rikthehen në sistem.
“Synohet që KLD të emërojë në Gjykatën e Lartë ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë pa kaluar më parë vettingun. Kushtetuta e thotë qartë për të gjithë ata që duan të rikthehen në sistemin e drejtësisë që duhet t’i nënshtrohen vettingut”, tha ai.
Dervishaj tha se aq problematike janë këto ndryshime sa Parlamenti nuk ka respektuar as formalisht procedurat, ndërkohë që shprehet se ndryshimet janë kamufluar në Kuvend si nisma të deputetëve për të shmangur konsultimin publik, ndërkohë që në të vërtetë janë nisma të Qeverisë.
“Kushdo kupton që ky është një veprim që Qeveria të rrëmbejë drejtësinë, si dhe të mbulojë gjithë paligjshmërinë në implementimin e saj, duke shkelur çdo parim dhe duke e kthyer atë në Drejtësi të Qeverisë, dhe jo Drejtësi për qytetarët”, tha ai.