Ekonomia, Qeveria e parashikon dy herë me keq se FMN: Mund të tkurret deri në 10 për qind
Qeveria ka një parashikim dy herë më të zymtë se Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore mbi rënien e ekonomisë për 2020. Dy institucionet financiare ndërkombëtare parashikojnë që ekonomia shqiptare të tkurret me 5 deri në 5.5 për qind për këtë vit.
Por, Kryeministri Edi Rama zbuloi këtë të mërkurë se parashikimet e Qeverisë shkojnë në një tkurrje deri në 10 për qind. Megjithatë, ai refuzoi që ta cilësojë këtë recesion.
“Ne besojmë që goditja do të jetë më e thellë dhe këto do ta shikojmë. Kemi vënë disa instrumenta për përballimin e kësaj faze të parë. Nuk flitet më për jetesë normale, por për mbijetesë sa më normale. Ne parashikojmë mes 8 dhe 10 përqindëshit për këtë vit do të kalojmë në negativ. Nuk ka asnjë që do të qëndrojë në pozitiv. Nuk quhet recesion, por është goditje momentale e ekonomisë”, tha Rama në një intervistë dhë për “ABC e Mëngjesit”.
Kryeministri u shpreh optimist se ekonomia do të ringrihet. Lidhur me turizmin, Rama paralajmëroi se në javët e ardhshme do të ketë një vendim për masën e hapjes që do të vendoset duke marrë parasysh edhe vendimet e vendeve të tjera, përfshirë këtu vendet fqinje. Lidhur me likuiditetin në këtë sektor, kreu i Qeverisë tha se është vënë në dispozicion një instrument garancie, ndërsa nuk përmendi stimuj të tjerë financiarë, duke argumentuar se aktualisht industria e turizmit ka taksat më të ulta në rajon.
“Po përpiqemi që të gjejmë një zgjidhje për turizmin. Dilema është që a duhet apo jo të hapemi gjerësisht për të përfituar nga mbyllja e të tjerëve, apo do të jemi të kujdesshëm. Sa i takon likuiditetit kemi vënë në dispozion një instrument të fuqishëm garancie që u mundëson operatorëve që të fuqizojnë kapitalin qarkullues përmes këtij instrumenti, ndërsa për taksat ka taksa më të ulta sot që flasim”, u shpreh ai.