Up next

⁣PS rrëzon hetimin parlamentar të investimeve strategjike: Është antikushtetuese

5 Shikime· 23 Jun 2022
Gazeta Si
Gazeta Si
5 subscribers
0
In Other

Socialistët rrëzuan përfundimisht në seancë plenare si antikushtetuese kërkesën e përsëritur të Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar me objekt hetimin e procedurave të dhënies së statusit të investitorit strategjik nga Qeveria.

“Kërkesa është antikushtetuese dhe rrezikon zhvillimin ekonomik të vendit. Të kërkosh të hetosh në një kohë që asnjë kontratë nuk është nënshkruar, kur të gjithë janë kandidatë për të investuar do të thotë të kesh krijuar një makth të pandreqshëm në perceptimin e një investitori të huaj”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Duke cituar parime kushtetuese vendase dhe të së drejtës ndërkombëtare, kreu i grupit parlamentar socialist tha se kërkesa e demokratëve cenonte parimin e ndarjes së pushteteve, pra cenonte punën e Qeverisë. Këtu përmendi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“Objekti i kërkesës nuk mund të jetë i pakufizuar”, tha Balla.

Por, për Partinë Demokratike arsyeja e vërtetë e refuzimit të kërkesës për hetim është fshehja e aferave korruptive.


“Janë 36 projekte që kanë statusin e investitorit strategjik, 4.6 mld euro, 80 për qind në turizëm ku Edi Rama pa garë u ka vënë në dispozicion pasuri publike, brigje deti dhe plazhet më të bukura të vendit. Nuk ka asnjë investitor të huaj. Janë 10 individë, ku secili ka 3 apo 4 projekte të përfituara. Pjesa dërrmuese janë abuzive, klienteliste dhe korruptive. Janë po ata që kanë përfituar në 9 vite çdo koncesion, PPP dhe tender të madh të marrë shto këtu edhe ministrja Olta Xhaçka dhe aktori Gaz Paja”, deklaroi deputeti Gazment Bardhi.

Sipas Bardhit, ajo që po shkel Kushtetutën është mazhoranca me vendimin për ta refuzuar këtë komision.

“Ligji për investimet strategjike është shndërruar nga Edi Rama në një plaçkë për të shpërblyer me pasuri publike miqtë, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij. Fakti që dhunon Kushtetutën duke rrëzuar komisionin hetimor, tregon se ai është arkitekti i shndërrimit të këtij ligji në një ligj abuziv”, vijoi Bardhi.

Kjo ishte hera e parë që socialistët rrëzuan komisionin hetimor për investimet strategjike duke kundërshtuar objektin e tij. Në dy rastet e mëparshme në konferencën e kryetarëve, rrëzimi është bërë mbi bazën proceduriale dhe formale të kërkesave, pavarësisht se objekti ishte i njëjtë.

Më shumë

 0 Komente sort   Sort By


Up next