“Lasgushi” do të rikthejë në atdhe shqiptarët e bllokuar nëpër botë
Shqiptarët që kanë mbetur të bllokuar në Europë për shkak të pandemisë së koronavirusit do të riatdhesohen nga “Air Albania” duke filluar që prej javës së ardhshme.
Kryeministri Edi Rama njoftoi se i gjithë operacioni do të nisë ditën e hënë me leje të posaçme fluturimesh “charter”.
“Të hënën nisin fluturimet për t’i sjellë në atdhe. Nesër publikojmë politikat përkatëse, ku do të bëjmë imbarkimin e personave. Këto misione do të jenë pa pagesë nga ana e individëve. “Lasgushi” do të sjellë njerëzit tanë në shtëpi”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se i kishte kërkuar kompanisë “Air Albania” që i gjithë operacioni i riatdhesimit të kryhej pa pagesë.
“Air Albania është kompania e flamurit kuqezi. I kam kërkuar kompanisë që të marrë përsipër barrën e kthimit të shqiptarëve dhe të mos kërkojë lek për kryerjen e këtij misioni humanitar., Gatishmëria e kompanisë ka qenë e menjëhershme”, tha ai.
Rama njoftoi gjithashtu se Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit po punon për sigurimin e lejeve speciale për fluturimet e këtij lloji.