Ilustrimi kompjuterik i instalimit të minielektrodave me mikroçipet në trurin e njeriut
Gdhendjen e emrit në histori, miliarderi amerikan Elon Musk mund ta ketë arritur falë një miu të vogël në laboratoret e “Neuralink”, kompani që e themeloi dy vite më parë me një kapital fillestar prej 100 milionë dollarësh. Qëllimi dhe ambicia që Musk dhe ekipi i tij i kishin vendosur vetes ishte zbulimi dhe zbatimi i teknikave në gjendje që të lidhin në ndërveprim trurin njerëzor me një kompjuter.
Testimi do të kryhet tek individë të paralizuar që do të dalin vullnetarë, por në rast suksesi basti i Elon Musk është shumë herë më ambicioz. Miliarderi amerikan mendon se në një të ardhme jo fort të largët shumë njerëz do të zgjedhin që të kenë “kibernetikisht” (term që bashkon kibernetikën me gjenetikën) të njësuar mendimet në kokën e tyre me pajisjet kompjuterike, fundja kujt nuk do t’i pëlqentë që të lundronte në kompjuterin, laptopin apo telefonin e vet inteligjent pa shtypur asnjë buton, por vetëm duke menduar?
“Mund të tingëllojë e çuditshme, por do të realizojmë një formë simbioze me inteligjencën artificiale. Kjo nuk është me detyrim. Është diçka që e zgjedh, e do apo jo. Unë mendoj që ky zbulim është një hov gjigant në kapërcimin në një tjetër nivel qytetërimi për ne”, deklaronte i emocionuar vetë Elon Musk.