IKMT prish ndërtesa në Unazë të Re, i hapet rruga ndërtimit të Lotit 2
Inspektoriati Kombëtar i Mjedisit nisi në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte prishjen e ndërtesave në lotin 2 të Unazës së Re, në aksin që lidh “Pallatin me Shigjeta” me “Rrethrrotullimin Shqiponja”.
Fadromat e IKMT-së u shfaqën në zonë rreth orës 06:00, ndërsa më herët forca të shumta policie kishin zbarkuar, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve në këtë aks me dendësi të lartë trafiku, si dhe për të shmangur çdo përplasje mes punonjësve të IKMT-së dhe banorëve që kundërshtojnë prishjen e ndërtesave të tyre.
Rezistenca e banorëve ishte e vakët dhe fadromat e IKMT-së nisën prishjen e objekteve rreth orës 07:00. Banorët akuzojnë autoritetet se nuk u kanë njoftuar asnjë projekt, asnjë vendim dhe asnjë letër zyrtare të vlefshme për prishjen e ndërtesave të tyre. Ata thonë se po nxirren në rrugë të madhe për t’u hapur rrugë ndërtimit të pallateve.
Këto akuza i përsëriti edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, që ndodhej në krah të banorëve. Ai tha se shtëpitë e qytetarëve po prishen për t’u hapur rrugë ndërtimit të pallateve të oligarkëve. Balliu akuzoi se bashkia dhe ARRSh kanë shkelur ligjet dhe Kushtetutën e vendit dhe përsëriti se PD i qëndron marrëveshjes së nënshkruar disa muaj më parë nga Lulzim Basha me banorët e “Unazës së Re”. Marrëveshja, sipas opozitës, dy ka pikat kryesore.
“Ndëshkim për të gjithë personat e përfshirë në këtë aferë dhe dëmshpërblim deri në qindarkën e fundit dhe me çmimin e tregut të të gjitha banorëve të prekur këtu”, tha Balliu.
Prishjet po zbatohen në lotin 2 të segmentit 2.2 kilometra që fillon nga “Pallati me Shigjeta” dhe mbyllet tek “Rrethrrotullimi Shqiponja”. Në lotin 1, që fillon nga “Shqiponja” dhe përfundon tek ura e Lanës objektet janë prishur dhe ndonëse me ritme të ngadalta vazhdon puna për rikonstruksionin e këtij aksi.
Ndërkohë, në lotin 2, ku fituese e tenderit është shpallur kompania “Salillari” banorët kishin nisur prej ditësh të boshatisnin ndërtesat e përdorura për biznes dhe shtëpitë, ndonëse kundërshtonin prishjen e tyre.
Tenderi për rindërtimin e këtij aksi në të treja lotet është përllogaritur që të kushtojë në rreth 40 milionë euro, një shifër e qortuar si tejet e fryrë për 2.2 kilometra gjatësi dhe e akuzuar nga opozita si aferë korruptive. Loti 1 u fitua fillimisht nga kompania ‘DH Albania’, por pas zbulimit se kjo kompani kishte falsifikuar dokumentacionin ai u anulua dhe gara u rihap, ku fituese u shpall kompania “Salillari” bashkë me kompaninë “Bajrami N”.
Loti 2 është fituar vetëm nga kompania “Salillari”, ndërsa në lotin 3 fituese është shpallur kompania “Victoria Invest”.