Dhjetra ndërtesa raportohen të shembura plotësisht në qytetin e Izmirit, frikë për viktima
Një tërmet i fuqishëm me një magnitudë prej 7.0 ballësh ka goditur sot Egjeun, në veri të ishullit grek të Samosit, duke u ndjerë në Turqi dhe Greqi.
Epiqendra e tërmetit ishte 17 km larg brigjeve të provincës perëndimore të Izmirit dhe u ndje nga Athina deri në Stamboll.
Lëkundjet kanë shkaktuar dëme dhe kaos në qytetin e Izmirit.
Tërmeti ra në orën lokale 1.50, dhe 19 kilometra në veri-veriperëndim nga kryeqyteti i ishullit të Samosit, në një thellësi prej 10 kilometrash.
Qendra Sizmologjike Europiane-Mesdhetare tha se tërmeti kishte një madhësi paraprake prej 6.9, por Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se magnituda ishte 7.0.
Mediat kanë ngritur alarmin edhe për cunami, pasi në shumë pjesë të bregdetit ka patur dallgë të fuqishme.
Mediat turke janë duke publikuar pamje të ndërtesave të shkatërruara në provincën perëndimore të Izmirit. Guvernatori tha se nuk kishte informacion të menjëhershëm për viktima.
Mediat turke thonë se tërmeti u ndje në të gjithë rajonet e Egjeut dhe Marmara, ku ndodhet edhe Stambolli. Guvernatori i Stambollit tha se deri tani nuk kishte raporte për dëmtime.
Tërmeti u ndje po ashtu në të gjithë ishujt lindorë grekë. Media greke thonë se banorët e Samosit dhe ishujve të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre, ndërsa u raportuan disa rënie gurësh. Në ishuj deri tani nuk ka raporte të menjëhershme për viktima.