Ushtria mund të marrë nën kontroll Aeroportin
Kontrollorët e aviacionit ushtarak mund të marrin nën kontroll Aeroportin e Rinasit, duke zëvendësuar kështu kontrollorët civilë të AlbControl, që prej paradites së kësaj të mërkure refuzojnë të punojnë, duke kërkuar rikthimin e pagave në nivelin e pandemisë.
Gazeta Si mëson se Qeveria nuk përjashton masën drastike të vendosjes së ekspertëve ushtarakë në kontrollin e aviacionit civil.
Lëvizja mund të diktohet edhe nga fakti që këtë fundjavë mbërrijnë në vendin tonë fluturime me mjete logjistike ushtarake në kuadër të stërvitjes së NATO-s, Defender-Europe 21, ku do të marrin pjesë më shumë se 3 mijë trupa nga vendet anëtare të Aleancës.
Lajmin e marrjes nën kontroll të godinës nga ushtria e dha edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Transportit, Belinda Balluku.
“Nga ky moment për shkak të angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë dhe duke qenë se kontrollorët e trafikut ajror kanë vendosur të mos bëjnë detyrën dhe të ofrojnë shërbimin e tyre, për këtë arsye një ndërtesë e sigurisë së lartë nuk mund të qëndrojë në duart e personave që kanë vendosur dhe deklaruar paaftësi përmes një greve të paligjshme, këta persona nuk mund të qëndrojnë më në këtë detyrë. Nga ky moment, ndërtesa do të merret nën mbikëqyrje nga Forcat e Armatosura”, tha Balluku.
Ministrja foli për një minorancë të kontrollorëve që po përdoren politikisht, me qëllim bllokimin e ardhjes së vaksinave të radhës në vend.
“Disa masha të politikës që kanë hyrë në trafikun ajror. Ju 5 mashat e politikës, se nuk jeni më shumë, e kthyet AlbControl në një dyqan lagjeje! E turpëruat, e bëtë dyqan me tra e me qepen dhe nuk i vutë asnjë tabelë se kur ktheheni dhe kur ikni. Ju të tjerët që nuk jeni masha të politikës, ju lutem që të ktheheni në detyrë.
Mjetet e Policisë Ushtarake janë shfaqur përgjatë perimetrit të aeroportit.
“Aeroporti i Rinasit Nënë Tereza është objekt strategjik me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare. Strukturat tona të Forcave të Armatosura, si pjesë integrale e aeroportit kanë rritur vigjilencën për të garantuar ruajtjen e perimetrit të sigurisë së aeroportit, veçanërisht pas bojkotimit të punës nga kontrollorët e kompanisë së aviacionit civil Albcontrol”, thotë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.