Meta rikujton deklaratën e 2015-s: Basha më sulmon se kam respekt për Berishën
Lulzim Basha kërkoi dy herë dorëheqjen e Ilir Metës në 2015-n, kur ky i fundit ishte kryetar i Kuvendit. Në njërin rast kërkesa për largimin e kreut të LSI-së në atë kohë u bë pas akuzave të Tom Doshit, që foli për një atentat të Metës ndaj tij, ndërsa hera e dytë pas daljes së lajmit se në çështjen me CEZ Ilir Meta kishte marrë rryshfet.
Në të dyja rastet Ilir Meta e shpërfilli kërkesën e opozitës, madje aludoi në atë kohë se kërkesa e Lulzim Bashës për dorëheqjen e tij lidhej me “respektin” që ai si kryetar Kuvendit kishte treguar e tregonte ndaj demokratëve dhe sidomos ish-kryetarit të tyre, Sali Berisha.
“Lidhur me risitë dhe çuditë që po sjell në politikën shqiptare kryetari i PD nuk ka nevojë të jap shumë sqarime. Është i vetmi kryetar opozite, që në vend që të kërkojë dorëheqjen e Kryeministrit kërkon vetëm dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit dhe unë e kuptoj se kush është arsyeja e tij e vërtetë. Është pakënaqësia e tij e thellë për respektin maksimal që unë tregoj, jo thjesht ndaj demokratëve në Parlament, por sidomos ndaj liderit historik, zotit Berisha duke i dhënë mundësinë që të shprehë pa kufizime mendimet dhe qëndrimet e tij politike. Të jeni të bindur që do të dëgjoni çudi të mëdha për akuzat e tij ndaj qeverisë kriminale Meta-Meta dhe për shtypjen dhe terrorin e saj ndaj opozitës së pafajshme Basha-Rama”, deklaronte Meta në 2015-n.
Presidenti e ka rikthyer këtë prononcime para mediave në atë kohë, duke e shoqëruar me një shënim të shkurtër.
“Më këtë freskim kujtese, për një konstatim që në vitin 2015, ju uroj të gjithëve një fundjavë të mbarë, të paqtë dhe të gëzuar, përfshirë edhe “artistin” e Rilindjes”, shkruan Presidenti.
Meta është vënë në përplasje me kreun e PD-së, Lulzim Basha, për herë të parë që prej 2017-s. Basha e akuzon se është pjesë e trekëndëshit të së keqes, së bashku me Edi Ramën dhe Sali Berishën.