Përplasja, gratë e PS-PD denoncojnë ofendimet që marrin në Kuvend
Gratë e opozitës dhe ato të qeverisë u vunë në një garë denoncuese të ofendimeve, që sipas tyre pësojnë çdo seancë plenare në Kuvend.
Grida Duma, Jorida Tabaku dhe Flutura Açka nga njëra anë shënjestruan Kryeministrin Edi Rama, ndërsa Belinda Balluku dhe Klotilda Bushka sollën pjesëza nga fjalimet e Lulzim Bashës dhe të deputetit Agron Gjekmarkaj.
Deputetja dhe nënkryetarja e PD, Grida Duma kujtoi episodin e fushatës elektorale, kur imazhi i saj u përdor gjatë prezantimit të kandidatëve nga ana e Kryeministrit Edi Rama.
Jorida Tabaku foli gjithashtu për ofendime të Kryeministrit, vetëm e vetëm, siç tha ajo se denoncon me shifra keqqeverisjen e tij. Flutura Açka nga ana tjetër tha se do të kërkojë që të merren masa në komisionin e etikës, ndërsa akuzoi koleget socialiste se kanë heshtur përballë këtyre episodeve.
Klotilda Bushka kërkoi që të respektohej rregullorja dhe tha hodhi akuza të ngjashme, por ndaj deputetëve burra të opozitës. Ministrja Belinda Balluku solli episodin e një fjalimi të deputetit Agron Gjekmarkaj, në seancën e parë të Kuvendit, ku gratë në qeveri, sipas saj, u quajtën “haremi” i Kryeministrit.
Balluku u ndal edhe te fjalimet e Bashës, të cilin e akuzoi se po në seancë të parë i ka quajtur ministret “kukulla pas të cilave qëndrojnë kriminelë dhe oligarkë”.