Zyrtarizojnë koalicionin. Kurti për Kryeministër, Osmani Presidente
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani njoftuan arritjen e marrëveshjes së koalicionit, jo vetëm parazgjedhor. Kreu i Vetëvendosjes dhe Presidentja në Detyrë e Kosovës dolën para mediave për të shpjeguar dakordësinë.
Osmani ja la nderin e njoftimit të shkurtër të asaj që është arritur Albin Kurtit, duke iu drejtuar edhe me fjalën “Kryeministër”. Sipas marrëveshjes, Osmani dhe Kurti do të bëjnë fushatë bashkë dhe do të dalin në zgjedhjet e 14 shkurtit me një listë të vetme.
“Me subjektet tona politike do të na gjeni në të njëjtin vend dhe për të njëjtin qëllim. Kemi bërë marrëveshje parimore, për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion, shoqëri me punësim, arsim për të gjithë qytetarët. Në fushatën zgjedhore do të jemi dhe angazhohemi bashkë. Më 16 janar dorëzojmë listën e kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021”, tha Kurti.
Për pas zgjedhjeve dhe në rast fitoreje, marrëveshja ndan edhe postet. Albin Kurti do të jetë Kryeministër dhe Vjosa Osmani do të jetë Presidente.
“2020 ka treguar se Kosova ka nevojë për Kryeministër të ri, por edhe për Presidente të re. Kosova e ka Presidenten e vet në detyrë”, tha Kurti.
“Kjo marrëveshje përfaqëson vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Përbashkimi ynë shkon përtej bashkimit të një liste, por bashkim rreth kauzës parimore”, tha Osmani.
Kurti e Osmani u shprehën të bindur, jo vetëm tek fitorja, por edhe tek sigurimi i një shumice prej 81 mandatesh, aq sa nevojiten për të zgjedhur Vjosa Osmanin Presidente të vendit. Kreu i Vetëvendosjes tha se 14 shkurti nuk është ditë zgjedhjesh normale, por referendum.
Ai shpërfilli rivalitetin duke i cilësuar PDK-LDK si parti të vjetra, të cilat po përplasen me njëra-tjetrën për vendin e dytë. E në këtë arsyetim, Kurti refuzoi ftesën për debat televiziv të kandidatit për kryeministër të PDK-së, Enver Hoxhaj.