Ballkani i Hapur, Rama: Vëllai i vogël (Albin Kurti) nuk më dëgjon
Ballkani i Hapur mbetet ende një nyje e pakapërcyeshme në raportin Rama-Kurti. Të dy Kryeministrat e konfirmuan këtë në daljen para gazetarëve në fund të takimit të mbajtur këtë të hënë në Prishtinë, kur Kryeministri i Shqipërisë u ndodh për një vizitë zyrtare disa orëshe.
Por, ashtu siç konfirmuan mosdakordësinë në këtë pjesë, ashtu që të dy konfirmuan edhe dakordësinë për të lënë mënjanë këtë çështje, ndoshta për momentin, për t’u përqëndruar e diskutuar për raportet mes dy vendeve.
“Që të mos krijohet përshtypja që ne aty kemi folur vetëm për Ballkanin dhe Serbinë. Kryeministri Edi Rama ishte thuajse me gjysmën e Qeverisë së tij, po ashtu edhe unë kisha thuajse gjysmën e kabinetit qeveritar. Për një orë e gjysmë ministrat diskutuan me njëri-tjetrin. Kemi shumë për të diskutuar bashkë dhe në këtë takim është folur për Kosovën dhe për Shqipërinë dhe si të ecim përpara në marrëdhëniet tona”, tha Kryeministri Kurti.
Për të shuar çdo keqinformim që mund të lindte në media nga kjo deklaratë e Kurtit, ndërhyu Rama.
“Se mos mendoni se kanë folur vetëm ministrat dhe ne të dy (Rama e Kurti) nuk flasim me njëri-tjetrin e thoni këta të dy nuk flaskan bashkë. Është krejt e kundërta”, tha Rama.
Si mund të ecet përpara bashkë? Albin Kurti përmendi katër liritë e nismës së Ballkanit të Hapur, që theksoi se fillimisht duhet realizuar mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Kemi mundësi e potencial për të realizuar projekte që priten nga qytetarët e dy vendeve. Duhet të rrisim bashkëpunimin, ndërlidhjen mes dy vendeve për heqjen e barrierave që shkaktojnë vështirësi dhe pengesa mes nesh, sepse është e domosdoshme për qytetarët që të përfitojnë. Ne duhet të punojmë që kapitali, mallrat, njerëzit dhe shërbimet të lëvizin sa më shpejt mes dy vendeve tona”, u shpreh ai.
Gjithsesi, Edi Rama tha se pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës është edhe më i bindur se pse nevojitet Ballkani i Hapur. Ai pranoi mosdakordësinë me Kurtin, por edhe dakordësinë për ta trajtuar këtë ndasi politikisht e pa u bërë pengesë në përparimin e marrëdhënieve në çështjet e tjera.
“Ballkani i Hapur, kemi mosdakordësi me Albinin, por duhet ta trajtojmë në mënyrë politike. Marrëdhëniet tona nuk ndikohen nga mosdakordësia për këtë çështje. Tani jam edhe më i bindur se sa isha që Ballkani i Hapur është rruga jonë e përbashkët, për të mirën tonë të përbashkët. Jam edhe më i bindur sot që Ballkani i Hapur është i vetmi drejtim strategjik që të mos ngecim në mënyrë ciklike në baltën e së shkuarës dhe ku i marrim potencialit tonë si komb shqiptar maksimumin”, tha ai.
Në Prishtinë, Rama premtoi se Shqipëria do ta shfrytëzojë karrigen si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në OKB për të nxitur njohjet globale të Pavarësisë së Kosovës. Këtu përsëriti thirrjen që edhe vetë Serbia duhet ta njohë atë e para.