Atentat në Milot, një i vdekur dhe një i plagosur
Tronditet Miloti. Dy persona janë qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e sotme në qendër të këtij qyteti. Njëri prej tyre, Klisman Preçi, 28 vjeç, ka ndërruar jetë, teksa po transportohej për në spital.
I plagosur rëndë ka mbetur shtetasi Ylli Brahimi, i cili është transportuar për në spitalin e Traumës në Tiranë. Preçi dhe Brahimi janë qëlluar nga persona ende të paidentifikuar nga një automjet tjetër.
Janë të dy persona me precedentë të mëparshëm penalë. Ndaj të dyve janë bërë atentate edhe më parë. Policia ndodhet në vendgjarje dhe ka nisur hetimin për shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes. Makina tip "Landrover", me të cilën udhëtonin Preçi dhe Brahimi, ndodhet ende aty, pasi po bëhet ekspertiza.
Në fshatin Gramze të Krujës ndërkohë është gjetur një automjet tip "Audi" duke u djegur, që dyshet se mund të jetë i atentatorëve. Brenda saj është gjetur një armë automatike e llojit kallashnikov.
Një tjetër ngjarje tronditëse kjo, pas asaj të pak ditëve më parë në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku u ekzekutuan tre persona.