Up next


“Anti-KÇK”, çfarë ndodh nga e hëna?

6 Shikime
Gazeta Si
0
Published on 02 Feb 2020 / In Lajme

Duke filluar nga dita e hënë (3 shkurt) subjektet e ligjit special për masat pasurore ndaj personave të dënuar, apo akuzuar për krim të organizuar do të njoftohen përmes një kërkesë për të plotësuar një formular për burimin e pasurive të tyre.

Subjektet do të kenë afat 48 orë për të plotësuar këtë formular, që më pas do të dorëzohet tek Struktura e Posaçme Antikorrupsion, që do të vlerësojë sipas rasteve brenda 15 ditëve nëse burimi i pasurisë është i justifikuar për pushimin e çështjes dhe nëse gjen mospërputhje ta dorëzojë atë në gjykatë.

“Nga nesër do të duhet të paraqesin provat e burimit të pasurisë së tyre. Nga nesër një letër do t’u dërgohet këtyre subjekteve dhe do ta plotësojnë brenda 48 orësh kërkesat e formularit për burimin e pasurive të tyre dhe më pas formulari do të shkojë tek SPAK, deri në 15 ditë dhe nga SPAK në gjykatë deri në 15 ditë dhe ata do të duhet të vijnë para gjykatësit për të provuar sesa fort e kanë punuar tokën, sesa shumë ullinj e portokalle kanë mbledhur, sa shumë kanë bërë roje natën në objekte, sa janë lodhur dhe stërmunduar në fasoneri, sesa shumë kanë kursyer nga puna e tyre e stërndershme brenda, apo jashtë vendit nëse duan që t’i mbajnë ato pasuri që kanë. Përndryshe, gjithçka që ata kanë sot nesër do të jetë pronë e shtetit dhe e Policisë së Shtetit”, deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në prezantimin e njësisë së re speciale “Operacioni Forca e Ligjit -OFL”.

Ky ishte sqarimi i kreut të Qeverisë sa u takon parashikimeve të ligjit special për pasuritë e personave të dënuar, apo të akuzuar për krim të organizuar. Masa tjetër është paketa “anti-KÇK”, që në shënjestër ka prokurorë e gjykatës të sistemit të drejtësisë, që sipas Kryeministrit Edi Rama janë në aleancë me krimin e organizuar.

“Në çdo rast kur do të konstatojmë vendime si ato që kemi parë në vijim, paketa kërkon brenda 3 ditësh pezullimin nga detyra dhe nisjen e hetimit për ta. Ata janë bashkë, edhe sot që po na shohin janë bashkë dhe ju siguroj që ne jemi bashkë për t’i bërë ata bashkë atje ku e kanë vendin të dyja palët”, vijoi ai.

Për këtë kategori prokurorësh e gjyqtarësh, Rama u zotua se do të vijë dita që të përballen me drejtësinë.

“Vettingu nuk është gjykatë, as prokurori. Nuk ka për detyrë të ndëshkojë ata që kanë vënë pasuri marramendëse me çekiçin e drejtësisë, por është vetëm faza kur ndahet i njomi me të thatin, kur ata që nuk justifikojnë pasuritë largohen dhe ata të cilët dalin të pastër, siç janë të gjithë anëtarët e sotëm të SPAK, futen në sistem dhe siç ndodh në këtë operacion nga nesër janë sistemi i ri që bashkë me OFL dhe policinë do t’u kërkojnë subjekteve të ligjit që të provojnë burimin e pasurisë së tyre, jo më të stërmundohet e gjithë policia dhe prokuroria për të gjetur prova dhe provuar para gjykatësish, që në të shumtën e herës janë kriminelë dhe jo gjykatës”, tha ai.

Kryeministri premtoi gjithashtu se pasuritë e sekuestruara nga krimi do të përdoren për rritjen e rrogave dhe kapaciteteve për Policinë e Shtetit. Ligjet në fjalë i cilësoi si instrumenta ekstreme në një kohë që kërkon masa ekstreme, që e çojnë në një tjetër nivel përballjen e shtetit me krimin e organizuar.

“Kemi në dispozicion një instrument jashtëzakonisht të fortë në duart e shtetit, në duart e Policisë së Shtetit dhe në duart e OFL, ligji special për marrjen e të gjitha masave të nevojshme pasurore ndaj të gjithë atyre që në 30 vjet janë dënuar, apo janë akuzuar për krim të organizuar, terrorizëm, krime të rënda dhe sot ndryshe nga më parë ne kemi një garanci më shumë, SPAK-un. SPAK tanimë është ngritur dhe kjo është sporva e parë për vetë SPAK”, u shpreh ai.

Rama tha se as ai vetë dhe as Qeveria që drejton nuk mund të akuzohet për mungesë vullneti për të ndërmarrë dhe çuar përpara reforma të guximshme në vend, ndërsa kujtoi edhe disa parashikime të tjera kufizuese të ligjit special për pasuritë me burime të dyshimta.

“Ligji parashikon mospjesëmarrjen me ligj të tyre dhe familjarëve të tyre në tendera, apo në çdo aktivitet ku ka një qindarkë nga taksat e qytetarëve, heqjen e të gjitha licencave që disponojnë. Ju e dini shumë mirë dhe unë e besoj, këta ruajnë me polici private, këta nuk do të gëzojnë me asnjë licencë nga ato që zotërojnë. Kanë sisteme videosh, e survejimesh nuk do t’i gëzojnë, ose duhet të provojnë ligjshmërinë e tyre”, deklaroi Kryeministri.

Rama e mbylli fjalën e tij duke thënë se në dorë të OFL-së është një investim i madh për të shtuar besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë tek shteti.

Ndërkohë, në fjalën e tij, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkoi nga opinioni publik dhe mediat që në këtë operacion të rreshtohen në krah të Policisë së Shtetit dhe jo të krimit.

Më shumë
0 Komente sort Sort By

Up next