Mjekët e Infektivit hedhin poshtë akuzat e Bashës: Po u përsërit njoftojmë prokurorinë
Mjekët e Spitalit Infektiv kanë hedhur poshtë akuzat e bëra nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që tha mbrëmjen e së enjtes se janë manipuluar shifrat e personave që kanë ndërruar jetë nga Covid-19.
Drejtorja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo me në krah kolegët e saj të këtij spitali shpërndau një mesazh, ku i vlerësonte akuzat e Bashës si tronditëse dhe goditje për profesionalizimin dhe përpjekjet e mjekëve në betejën 9-mujore kundër infeksionit.
“Nuk është kurrësesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga COVID-19 dhe themi me përgjegjësi të plotë që kjo jo vetëm është praktikisht dhe teorikisht e pamundur. Çdo pacient që ndërron jetë, përcillet për në morg së bashku me kartelën shoqëruese. Kartela bashkëshoqëruese përmban dhe arsyen e vdekjes së qytetarit, firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale e ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit nga mjeku që ka konstatuar vdekjen e personit”, thuhet në deklaratën e mjekëve.
Mjekët kërkojnë nga politika që t’i japë fund lojës me vdekjet dhe paralajmërojnë se nëse akuza të tilla përsëriten, do t’i drejtohen prokurorisë.
“Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes, e jo më pastaj një ekip i tërë mjekësh të mund të parafytyrohet dhe akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet me përmasat e deklaruara. Bëjme me dije se nëse kjo akuzë do të përsëritet, do të ftojmë organet kompetente që të verifikojnë çdo kartelë mjekësore. Nuk do të lejojmë kurrsesi këtë cënim që na bëhet në dinjitetin tonë njerëzor dhe profesional”, vijon deklarata.