Akuza ndaj Soreca, AMT: Loboi në Gjykatën Kushtetuese për Bashkinë e Tiranës. Do të njoftojmë BE
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit akuzon Ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca se është përfshirë në çështjen që është në gjykim në Gjykatën Kushtetuese duke lobuar te kryetarja e kësaj gjykate, Vitore Tusha në favor të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Ambasadori Soreca ka bërë një takim me kryetaren e Gjykatës, takim i cili nuk është bërë publik dhe pas takimit, 5 minuta para seancës gjyqësore ambasadori Soreca ka dalë nga dera e jashtme e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi përfaqësuesja ligjore e Aleancës, Adriana Kalaja.
Aleanca thotë se Ambasadori i BE është parë teksa del nga godina nga punonjës të bizneseve pas godinës së Gjykatës Kushtetuese. Aleanca i është drejtuar Gjykatës me një kërkesë për informacion nëse takimi ishte i programuar dhe objektin e këtij bashkëbisedimi.
“Fakti që kjo është mbajtur e fshehtë, fakti që ambasadori është larguar nga dera e pasme e godinës, cenon shumë njëanshmërinë e Gjykatës Kushtetuese, cenon shumë pavarësinë e pushtetit dhe mbi të gjitha që cenon legjitimitetin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, apo e kujtdo tjetër që ka bërë këtë takim pa njoftuar dhe pa e bërë publike për mediat”, thuhet në deklaratë.
Për këto arsye, Aleanca ngre dyshime se takimi është zhvilluar për të lobuar në favor të Bashkisë së Tiranës.
“Informacioni që ne kemi është se zoti Soreca ka ardhur për të lobuar në favor të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sepse mendon se ne qendrestarët e Teatrit mund t’i kalojmë gjërat kaq lehtë dhe mund t’i kalojmë gjërat siç janë kaluar gjithë këtë kohë kur ato futen dhe dalin nëpër institucionet tona të drejtësisë, japin dhe urdhra dhe mesazhe të koduara dhe nuk ka asnjë reagim”, tha Kalaja.
Aleanca kërkon edhe ndërhyrjen e SPAK. “Të sekuestrojë të gjitha kamerat brenda dhe jashtë Gjykatës Kushtetuese, të bizneseve rreth kësaj Gjykate”, vijon deklarata duke shtuar se do të kërkohet largimi nga gjykimi i kryetares së gjykatës, Vitore Tusha dhe do të njoftohet edhe Bashkimi Europian.
“Nëse është e vërtetë ajo që ne kemi pretenduar, do kërkojmë vetëlargimin e kryetares nga trupi gjykues, në të kundërt ne do të kërkojmë largimin e saj. Po kështu ne po bëjmë gati të gjithë informacionin, do ia bëjmë me dije BE-së sesi një ambasador në shkelje të plotë të dispozitave ligjore shqiptare, të marrëveshjeve ndërkombëtare, por mbi të gjitha të Kushtetutës Shqiptare vjen dhe bën presion pranë Gjykatës Kushtetuese. Do kallëzohet dhe penalisht”, deklaroi Adriana Kalaja.