Kthesa e Bashës për “Detin”: Rama s’ka legjitimitetin për ta çuar në Hagë
Prej 10 vitesh kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka mbajtur një qëndrim për “Detin”; se çështja duhet të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. E theksoi këtë fakt edhe në takimin që ai zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. E përforcoi një ditë më pas edhe Genc Pollo në një intervistë televizive duke thënë madje se Shqipëria kishte humbur plot 7 vite kohë.
Por në konferencën e përditshme për shtyp, Basha ka surprizuar jo pak me një deklaratë të beftë të tij i pyetur nëse Shqipëria shkon në kushte të barabarta apo në disfavor në Hagë në raport me Greqinë.
“Prej 10 vitesh pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pikëpamja ime ka qenë që duhet trajtuar nga organet e drejtësisë ndërkombëtare.
Urgjentisht duhet faza paraprake se duhet punë shumë e madhe.
Për fat ky nuk është moment i përshtatshëm. 6 Muaj para zgjedhjeve kjo qeveri nuk ka as legjitimitetin, as shkallën e përgatitjes, madje nisur nga deklarimet publike të kryeministrit kjo përbën rrezik për interesat kombëtare nëse i lihet në dorë sepse është një punë përgatitore shumë voluminoze.
Ndaj ajo që kam bërë të qartë është se nga njëra anë jemi konsekuentë në atë që kemi thënë prej 10 vitesh se kjo çështje duhet të trajtohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, por nga ana tjetër duhet që ky hap të ndërmerret nga një qeveri legjitime e dalë nga zgjedhjet legjitime dhe demokratike.
Procesi i përgatitjes para këtij hapi është një proces jashtëzakonisht voluminoz në të cilën pa diskutim pala shqiptare dhe një qeveri legjitime duhet dhe do të mbrojë interesat e vendit dhe interesat kombëtare në çdo aspekt…”, tha Basha
Vetëm një ditë pas vizitës së ministrit grek në Tiranë, ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha do të shprehej ndër radhë në faqen e tij Facebook për dërgimin e çështjes së kufirit detar midis dy vendeve në gjykatën ndërkombëtare.
“…Për këtë vendim Edvin Kristaq Zografi nuk guxoi të shqipërojë qoftë edhe një fjalë kundër. Ai nuk guxoi së paku të shprehej publikisht se ne jemi në një proces dhe ky është një ndryshim i rregullave brenda këtij procesi dhe se Shqipëria nuk mund të pranojë…”, shkruante Berisha.