Loja me fletën vazhdon, KAS rrëzon Celibashin dhe miraton fletën e votimit me numra
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve i dha të drejtë Partisë Socialiste dhe i kërkon Komisionerit të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi që të miratojë fletën e votimit me numra në vend të emrave të kandidatëve.
KAS u mblodh këtë të shtunë për të shqyrtuar tre ankesat e dorëzuara nga Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Bindja Demokratike. Të trija kërkesat lidheshin me vërejtjet që këto parti kishin për modelin e fletës së votimit të miratuar nga Komisioneri i Zgjedhjeve.
Partia Socialiste kërkonte rrëzimin e plotë të vendimit të Celibashit dhe detyrimin e tij që të miratojë fletën e votimit me numra në vend të asaj me emra.
Përfaqësuesi i PS-së tha se fleta me numra ishte më e thjeshtë për votuesit dhe vetë administratën zgjedhore në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve dhe më me pak kosto. Ai tha gjithashtu se fleta me emra shkelte parimin e barazisë, pasi ajo nuk ishte e njëjtë për të gjithë votuesit në 12 qarqet e vendit.
PD nga ana tjetër mbështeste fletën e votimit me emra, por kërkoi nga KAS që të rrëzonte pozicionimin horizontal (landscape) të saj dhe në vend të tij të miratonte pozicionin vertikal (portrait).
Bindja Demokratike kishte ankimuar logon me anë të së cilës ishte paraqitur në fletën e votimit, që sipas kësaj force nuk ishte logoja e rishikuar e paraqitur prej kësaj partie në datë 1 prill.
Kundër këtyre vendimeve të KAS, partitë politike që nuk janë dakord mund të apelojnë në Kolegjin Zgjedhor brenda 5 ditëve.