Rama miraton “AntiKÇK” pas takimit me ambasadoren amerikane
Takimin e parë me ambasadoren amerikane në Tiranë, Kryeministri Edi Rama e vlerësoi si “rastësi të bukur”, pasi në mbledhjen e mëvonshme Qeveria miratoi paketën Anti-KÇK dhe ligjin special për masat pasurore kundër krimit të organizuar.
Por, a e shfrytëzoi Rama këtë takim të parë me ambasadoren e re amerikane në Tiranë për ta njohur atë me dy nisma, që në muajin nëntor të vitit të kaluar u qortuan nga opozita dhe organizata dhe shoqata të shoqërisë civile në vend?
Postimi i Ramës nuk e pohon këtë dhe as postimi i mëvonshëm i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë nuk e bën një gjë të tillë. Pra, gjasat janë që në takimin Rama-Yuri Kim dy nismat ligjore të miratuara nga Qeveria si akte normative që hyjnë menjëherë në fuqi, të mos jenë diskutuar.
Se çfarë synojnë dhe përmbajnë këto akte normative solli disa detaje të përgjithshme, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, që pak pas orës 13:00 doli në një konferencë, që nga Kryeministria u cilësua si e jashtëzakonshme. Aktet normative ndërhyjnë duke ndryshuar një sërë ligjesh ekzistuese.
“Forcohet dhe dhe ashpërsohet lufta kundër krimit të organizuar dhe të gjithë atyre që mendojnë se mund të sfidojnë në këtë vend forcën e ligjit. Vendimet e miratuara sot sjellin ndryshime në ligjin antimafia, ligjin e Policisë së Shtetit, ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, si dhe Kodin Penal”, deklaroi Gjonaj.
Këto ndryshime hyjnë në fuqi menjëherë, megjithëse do t’u duhet të kalojnë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.
“Akti thelbësor i paketës anti-KÇK, i miratuar sot nga qeveria shqiptare është akt normativ që hyn në fuqi menjherë dhe ka të bëjë me pasurinë e atyre që janë dënuar për krim të organizuar, pjesëmarrje në organizata dhe grup të strukturuar kriminal, në çdo grup tjetër kriminal dhe terrorist, apo trafiqe dhe krime të tjera të rënda. Pjesë e paketës anti-KÇK janë të gjithë ata që janë akuzuar për krime të rënda, apo të akuzuar për përfshirje në organizata, apo grup të strukturuar kriminal, por për shkak të sistemit të kalbur dhe të korruptuar të drejtësisë nuk u dënuan kurrë dhe sot lëvizin të lirë. Të gjithë këta, qofshin të dënuar, apo të akuzuar për kategoritë e krimeve që sapopërmenda, do të duhet të provojnë që pasuria e tyre, apo e familjarëve të tyre burojnë nga puna dhe jo nga aktiviteti i paligjshëm”, deklaroi Gjonaj.
Ndryshimet ligjore ja ngarkojnë barrën e provës subjektit që përfshihet nën hetim sipas këtyre akteve normative. Por, aktet nuk kufizohen me kaq. Hetimet zgjerohen edhe tek familjarët e të dyshuarve, deri tek anulimi i transaksioneve për të cilat dyshohet se kryer për të fshehur një pasuri me burim të paligjshëm.
“Barra e provës do të qëndrojë mbi ta për të justifikuar pasurinë. Njëkohësisht subjekte të kësaj pakete janë të gjithë ata që për të fshehur pasuritë e tyre i kanë transferuar ato në emra të palëve të treta, këto lloj transferimesh dhe transaksionesh, në bazë të këtij akti normativ do të anulohen dhe do të konsiderohen të pavlefshme. Personat që kanë menduar se përmes këtyre veprimeve do të shpëtonin pasuritë e tyre do të duhet të japin llogari një më një dhe të justifikojnë çdo qindarkë”, vijoi Gjonaj.
Opozita ka akuzuar Edi Ramën se me paketën anti-KÇK dhe ligjin special kundër krimit të organizuar synon që të minojë punën e SPAK-ut. Por, ministrja e Drejtësisë thotë se aktet e miratuara jo vetëm që nuk e pengojnë SPAK-un, por përkundrazi.
“Akti i miratuar do t’i japë Policisë së Shtetit, SPAK dhe Gjykatave të Posaçme mjetet dhe kornizën e duhur ligjore për të luftuar krimin e organizuar në mënyrën më efikase të mundshme”, deklaroi ajo.
Kjo ishte sa për pjesën e parë. Pjesa e dytë e akteve normative lidhet me gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Për të justifikuar këto ndryshime, Gjonaj solli rastin e gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha që liroi Endrit Doklen, ish-anëtar i bandës së Durrësit i dënuar me burgim të përjetshëm nga krimet e rënda.
“Po sfidojnë ligjin, shtetin dhe gjithë shoqërinë me vendime si ai i Gjykatës së Krujës, që ndonëse i fundit në radhë, nuk është i vetmi”, deklaroi ministrja.
Gjonaj nuk dha më shumë detaje se çfarë parashikohet për këtë kategori punonjësish të sistemit të drejtësisë, por foli me bindje se aktet normative të Qeverisë u japin organeve të qeverisjes së drejtësisë mekanizmat të reja dhe efikase për të ndëshkuar çdo gjyqtar dhe prokuror që përmes vendimeve korruptive shkel ligjin.